Në prag të vizitës në Kosovë, Mesiç akuzohet si i lidhur me mafien shqiptare
Nga “Express”
Sipas revistës së Zagrebit “Globus”, “si lëvizje të fundit gjatë mandatit dhe gjatë gjithë karrierës së tij presidenciale, Mesiç do të bëjë atë më kontroversen, por edhe më triumfalen, do të vizitojë Kosovën, ku tashmë po i përgatitet një pritje madhështore...”. E gjithë kjo po ndodh vetëm dy-tri ditë para zgjedhjeve presidenciale në Kroaci, që mbahen më 27 dhjetor.
Njësoj siç edhe e filloi mandatin - zhurmshëm, e dikush thoshte edhe në mënyrë paska kontroverse - presidenti kroat, Mesiç, duket se edhe do ta përfundojë mandatin e tij të dyfishtë dhe karrierën e tij politike, vlerësojnë mediet serbe, duke aluduar në vizitën e paralajmëruar të presidentit Mesiç në Kosovë për muajin janar.
Vizita e tij në Kosovë fillimisht ishte paraparë për 7 janar 2010, në ditën e Krishtlindjes ortodokse. Por këshilltari i presidentit kroat, Tomislav Jakiç, deklaroi të enjten se pas takimit joformal me presidentin serb, Boris Tadiç, në Kopenhagë, presidenti Mesiç vendosi që vizitën ta lëvizë për një ditë, marrë parasysh edhe shtyrjen “për kohë të pacaktuar” të mini-samitit të presidentëve rajonalë në Prizren.
Ndërkohë, gazeta serbe “Politika” mendon se, Mesiç në fakt në këtë mënyrë i mori në konsideratë vërejtjet e Tadiç, duke dashur që t’i shmanget ftohjes së mëtejshme të marrëdhënieve me Serbinë.
“Shkuarja e Mesiç për vizitë lamtumire në Prishtinë nuk do të thotë se presidenti kroat nuk çan kokën për marrëdhënie të mira me Serbinë. Edhe Kroacia, edhe presidenti Mesiç personalisht, dëshirojnë të kenë marrëdhënie të mira me Serbinë dhe ai ka punuar në drejtim të forcimit të këtyre marrëdhënieve”, - sqaroi këshilltari i presidentit Mesiç për mediat kroate.
Nga ana tjetër, sipas deklaratës së ambasadorit të Kroacisë në Prishtinë, Zlatko Kramariç, protokolli i vizitës së Mesiç ende s’është definuar deri në fund. Tash për tash dihet se ai do të flasë në Kuvendin e Kosovës, do të vizitojë Janjevën dhe do të dekorohet me një nga dekoratat më të larta shtetërore. Jo zyrtarisht, thuhet se në pyetje mund të jetë dekorata e “Heroit të Kosovës”.
Të gjitha këto pohime dhe supozime po ndodhin vetëm tri ditë para përfundimit të mandatit presidencial të presidentit Mesiç. Dhe kjo nuk është e tëra.
Kallëzim penal për shpifje
Pak para udhëtimit të fundit si president, Mesiç këtyre ditëve ka ngritur një kallëzim privat penal për shpifje në Gjykatën Komunale në Zagreb ndaj gazetarit dhe publicistit, Darko Petriçiç, i cili e akuzon presidentin kroat për lidhje me mafien shqiptare, e cila - sipas tij - e ndihmoi atë që të vinte në krye të Kroacisë.
“Veç tjerash, të inkriminuara janë edhe vlerësimet e Petriçiç, se presidenti kroat është një eksponent i mafies shqiptare, e cila ia financoi fushatën presidenciale, dhe se ai është njëri prej tre njerëzve më të pasur në Kroaci, e që u shkon për shtat tajkunëve”, - deklaroi avokati i presidentit Mesiç, Cedo Prodanoviç.
Ky tregim nuk është i ri, dhe bishtin e ka që nga koha e zgjedhjeve të para presidenciale pas Tudjman-it, kur kundërshtarët e Mesiç pohonin se fushatën e tij e kishte ndihmuar shumë financiarisht lobi shqiptar në Zagreb. Ky “tym” që shinin ata, asnjëherë nuk u shndërrua në zjarr, kështu që asgjë nga këto lloj pohimesh nuk u konfirmua e as nuk u dëshmua kurrë, megjithëse i tërë tregimi mbeti prezent dhe ai kohë pas kohe vazhdon të ripërsëritet me detaje të reja.
Një i tillë sërish eskaloi para një muaji, kur me rastin e botimit të librit të tij të ri, “Rrjeti Kroat i Mafies, Krimit dhe Korrupsionit”, gazetari dhe publicisti Darko Petriçiç në emisionin e Radiotelevizionit të Kroacisë (HRT) “Dossier.hr” sërish e përmendi këtë pretendim. Redaktorja dhe udhëheqësja e emisionit, Ana Jeliniç, u shkarkua pas emisionit, dhe kjo duket se inicioi aferën mediatike, gjatë së cilës në anën e saj doli Shoqata e Gazetarëve Kroatë, ndërkohë që Petriçiç kërkoi ndërrimin e kryeredaktores së programit informativ të HRT, Hloverka Novak-Srziç, e cila e shkarkoi Ana Jeliniç. Petriçiç u kërcënua se, po qe se Novak-Srziç nuk e kthen gazetaren në punë, ai do të shpërndajë në opinion detaje që dëshmojnë se ajo po mbron krimin e organizuar. Ajo që Petriçiç harroi është edhe mundësia që kryeredaktori ka të drejtën e shkarkimit të një gazetari, kur ky i fundit ofron të pavërteta, gjegjësisht akuza të pakonfirmuara, në emision, e sidomos nëse ato kanë të bëjnë me presidentin e vendit.
Duke folur në emision për lidhjen mes politikës dhe krimit të organizuar, Petriçiç theksoi: “Sa i përket fushatës së parë presidenciale të tij (të Mesiç), fatkeqësisht, më duhet të konstatoj se, ai ishte mjaft thellë i përfshirë me lobin shqiptar në Kroaci, kështu që më vonë për më shumë njerëz ishte e paqartë se përse ai po e përkrahte aq shumë atë lloj rryme dhe lobi mysliman”.
Petriçiç në lidhje me këtë pohim më tutje nuk ofroi asnjë detaj konkret.
Rrjedhimisht, i tërë tregimi i Petriçiç më tepër të ngjan në një konstruksion të kundërshtarëve politikë të presidentit Mesiç. Dihet se qarqe të caktuara djathtiste kroate atë edhe më parë mundoheshin ta lidhnin me grupe të ndryshme mafioze shqiptare, ndonëse pa sukses. Ekziston mundësia që rihapja e tregimit të zbrazët nga ana e Petriçiç të ketë lidhje edhe me zgjedhjet presidenciale në Kroaci, që mbahen më 27 dhjetor, gjegjësisht me përkrahja e ndonjërit prej kandidatëve të djathtë nëpërmjet atakimit të vizitës së presidentit në largim, Stjepan Mesiç, në Kosovë. Njësoj siç mbetet e hapur edhe mundësia e përfshirjes indirekte të palës serbe në fushatën e pahijshme lamtumirëse kundër presidentit më afatgjatë kroat. Fundja, ishte shtypi serb që këtyre ditëve i kushtoi shumë vëmendje pikërisht thashethemeve të gazetarit dhe publicistit kroat Petriçiç.
Krijoni Kontakt