Nga zeroja në hero
Louis van Gaal ishte në prag të shkarkimit nga Bayern Munich në muajin nëntor, kur ekipi ishte në pozitë të vështirë në Bundesligë dhe në prag të eliminimit nga Liga e Kampionëve. Sot gjiganti bavarez është kampion i Gjermanisë si dhe mund të përfundojë sezonin edhe me dy tituj të tjerë, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Gjermanisë. Van Gaal është bërë mbret në Munich.
Trajneri i Bayern Munichut, Louis van Gaal, udhëhoqi ekipin drejt titullit të 22-të në Bundesligë, disa muaj pasi ishte në prag të shkarkimit nga detyra. Holandezi tregoi fuqi të jashtëzakonshme të aftësisë së rikthimit, pasi ishte vënë nën kritika të ashpra në fillim të fushatës në Bundesligë.
Mirëpo, tani gjiganti bavarez mund të përfundojë sezonin me tre tituj, ku përveç triumfit në Bundesligë, janë në finale të Ligës së Kampionëve dhe Kupën e Gjermanisë. Bashkëkombësi i tij, Mark van Bommel e ngriti trofeun e Bundesligës në Stadiumin Olimpik në Berlin të shtunën, diçka që dukej pothuajse e pamundur në nëntor të vitit të kaluar.
Në mes të nëntorit, Bayern ishte në prag të eliminimit nga Liga e Kampionëve, pas dy humbjeve nga Bordeaux, dhe gjendej në pozitën e shtatë në Bundesligë, gjashtë pikë prapa kryesuesit Leverkusen pas 13 ndeshjeve.
Por, në fund të shkurtit ekipi ishte lider në Bundesligë dhe nuk u ndal në asnjë moment, duke kthyer Van Gaalin në shkallë të lartë në Munich. Momenti i kthimit ishte udhëtimi në Torino në dhjetor, ku pavarësisht mungesës së yjeve Franck Ribery dhe Arjen Robben, Bayern mposhti Juventusin dhe u kualifikua në fazën eliminuese të Ligës së Kampionëve.
Pas shkarkimit të Jurgen Klinsmannit në prill 2009, Van Gaal mori drejtimin e gjigantit bavarez, pasi udhëhoqi AZ Alkmaarin drejt titullit të kampionit në Holandë.
“Ne jemi ata që jemi, unë jam ai që jam: optimist, arrogant, dominues dhe i sinqertë, punëtor i madh, por edhe miqësor. Kjo është arsyeja pse mendoj se do të përshtatem këtu”, tha Van Gaal pas ardhjes së tij.
Përveç ringjalljes në Bundesligë, Van Gaal orkestroi edhe rikthimet e jashtëzakonshme në rezultat në përballjet e rrethit të dytë dhe të çerekfinales në Ligën e Kampionëve kundër Fiorentinës dhe Manchester Unitedit, para se të shkatërronte Lyonin në gjysmëfinale, duke siguruar pjesëmarrjen në finalen e Madridit më 22 maj, ku do të takohet me Interin.
“Kemi bërë hapa të mëdhenj në gjashtë muajt e fundit”, pranoi mbrojtësi i djathtë i Bayernit, Philipp Lahm, i cili gjithmonë kishte kërkuar durim rreth vlerësimit të Van Gaalit. “Ai është trajner i shkëlqyeshëm dhe ishte vetëm çështje kohe para se të shijonte sukses me ne”, përfundoi ai. /express/
Krijoni Kontakt