Faktori shqiptar i paaftë të parandalojë projekte destruktive

Në një tribunë të organizuar nga Unioni i intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni, për projektin “Shkupi 2014”, intelektualët shqiptarë vlerësuan se faktori politik shqiptar në Maqedoni nuk ka fuqi që të parandalojnë projekte të tilla të cilat mund të nxisin tensionet ndëretnike dhe të dëmtojnë ekonomikisht qytetarët.

Analisti Kim Mehmeti tha se në këtë projekt mungojnë bustet e liderve shqiptarë të cilat janë bërë vasalë të kryeministrit Gruevski.

“Ajo që mua më ofendoi personalisht kur e pashë atë tërësi arkitektonike që do të ndërtohet, e pashë se mosmirënjohja e një populli të frustruar shkon deri në pafundësi. Aty nuk janë bustet e njerëzve që janë më të merituar, që këto 20 vite shqiptarët mbeten këtu që janë, mos tjetër nga një bust e meritonin të gjithë liderët tanë partiak. Pa ata asnjë projekt në Maqedoni nuk do të ishte i suksesshëm”, theksoi Kim Mehmeti – analist.

Profesori universitar Abdylmenaf Bexheti tha se vlerën e këtij projekti do ta paguajnë qytetarët.

“Kush e mban këtë kosto se kjo është më e rëndësishme, ne si qytetarë si të gjithë të tjerët pra si taksapagues që nuk dallojmë për ngjyrat tona etnike dhe e dyta ne si taksapagues shqiptarë që dallojmë nga të tjerët po deshët dhe që pak kush e eksploaton, e debaton këtë çështje. Si qytetarë si taksapagues, si të tjerët ne bile edhe nuk reagojmë fare se s’kemi edhe ndërgjeje edhe vetëdije për këtë punë pra nuk ka një animim, një sensibilizim të opinionit që të kërkojmë llogari prej politikbërësve për këto vendime që kanë kosto dhe implikacione ekonomike për taksapaguesit”, u shpreh Bexheti.

Edhe eksperti ekonomik Xhevdet Hajredini vlerëson se kryeministri Nikolla Gruevski edhe me paratë e shqiptarëve po ndërton një bërthamë nacionaliste ekstreme maqedonase. Hajredini thotë se kryeministri me këtë projekt bën një vepër makabre ndaj shqiptarëve

“Ne durojmë një arrogant sot, i cili na i merr paratë tona edhe ai ndërton një pjesë, një bërthamë nacionaliste ekstreme maqedonase, duke i paguajt zgjedhësit me paratë tona. Ai me paratë tona na shtin në geto këtu, këto ndërtesa që i ka ndërtu në anën e majtë të Vardarit don të dy pjesët e Vardarit, këtë pjesë i vjen keq mos të na lenë, dhe e dyta maqedonasit mos të shofin as në mënyrë vizuele pjesën tjetër dhe tjetra është se ndoshta edhe i pengon edhe mos të ndëgjohet zëri i ezanit”, u shpreh Hajredini.

Sipas Hajredinit, vetëm një presion i faktorit ndërkombëtar në vend do të detyronte Gruevskin të heqë dorë nga projekti “Shkupi 2014”, prej të cilit sipas tij kryeministri do të përfitojë pikë politike. /alsat-m/