MOHIMI I “PAPRITUR”
Mohimi i lëvizjes çlirimtare, disi krejt papritur, erdhi edhe nga e
ashtuquajtura “qeveri e Bukoshit”. Them se ishte “e papritur”pasi, në një mënyrë ose në një tjetër, ishte pritur shumë më tepër prej tij, sepse ishin vendosur kontaktet e para. Sidoqoftë, ai më 2 nëntor të vitit 1996, do të deklaronte se “nuk kemi informata për ekzistimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne marrim vetëm kësi kumtesash, të cilat na dërgohen, na shpërndahen, por nuk kemi njohuri për ekzistimin e saj, pasi Kosova nuk ka ushtri...”.
Bukoshi shkoi edhe më tej, se sa ishte menduar edhe në rastin më të keq, në mohimin e luftës çlirimtare.
Vlerësimin e punës së tij dhe të institucionit që ka drejtuar, shumë më mirë se gjithkush, e ka dhënë ish ministri i tij i Informacionit, Xhafer Shatri.
Në një replikë me autorin e këtij libri, Shatri ka shkruar: “Fondin e Republikës së Kosovës, ku kanë milituar me mijëra patriotë, e ku, në emër të luftës për liri, ishin grumbulluar qindra milionë marka gjermane, kopukët arritën ta privatizojnë. Ndërkohë që në kufi vriteshin si qengjat njomëzakët që kishin ardhur për armë, paratë e këtij fondi ruheshin për “ditë të zeza”. Ruheshin për Kosovën e pasluftës për të mbijetuar politikisht kryekopukët “institucionalë”, duke blerë me paratë e fondit vota e parti të ndryshme. Duke zhvilluar hapur e me pare të popullit veprimtari kundër tij”.
Kësaj deklarate të Shatrit askush nuk i është përgjigjur dhe aq më pak Bukoshi. Ai nuk ka hapur polemikë me ish numrin 2 të “qeverisë”së tij, sepse, është i bindur se Shatri di shumë më tepër se ato që ka shkruar.
Dhe nëse dikush shpesh herë mund të ketë pyetur veten se ku ishte zezimi i mohimit të djemve të luftës, është e mjaftueshme të lexojë deklaratën idhnake të Shatrit.
Por do të donim të shtonim edhe një fakt tjetër, që deri më tash, është thuajse i panjohur.
Në raportin Financiar, Tepër Sekret, të Ministrisë së Mbrojtjes, për periudhën 07.03 – 05.08.1998 (periudhë për të cilën flet në deklarimin e tij zoti Shatri), në kapitullin e parë, “Hyrja e Përgjithshme”, është nënvizuar me të zeza se “Kështu për armatimin e njësive janë ngritur
gjithsejtë këto mjete financiare në shumën prej 20 milion e 955 mijë DM”.
Me urdhrin nr.10, të datës 30.04.1998, të Kontos së quajtur 5000/500, nëpërmes bankës DB, me ndërmjetësues K. Balaj, i janë dorëzuar Ahmet Krasniqit 3 milion e 200 mijë marka. Me urdhrin nr.17-6, të datës 01.06.1998, nëpërmjet të njëjtës Konto dhe të njëjtit ndërmjetësues, i janë dorëzuar zotit A.Krasniqi 1 milion marka, ndërsa 8 ditë më vonë, më datën 9 qershor, përsëri në të njëjtën rrugë, i janë dorëzuar, përmes urdhërimit 18–6 edhe 3 milion marka të tjera. Ndërsa në muajin korrik 1998 nëpërmjet urdhrave 21-7, 22-7, 23-7, 24-7 dhe 25-7, saktësisht nga data 8 deri me 23 korrik, i janë dorëzuar zotit Ahmet Krasniqi, po ashtu me ndërmjetësues K. Balaj, 12 milion e 600 mijë marka.
Për më pak se 15 ditë të muajit gusht në fondin sekret të FARK-ut kalojnë rreth 13 milion marka, kur në të gjithë muajin mars të po këtij viti, janë derdhur gjithsejtë vetëm 75 mijë marka, në tre urdhra, përkatësisht 001, 006 dhe 007, kohë e cila përkon edhe me denoncimin e bërë nga zoti Shatri.
Për cilët u ngritën këto mjete, kur zoti Shatri pranon se fondi ishte privatizuar dhe se në kufi vriteshin si qengjat njomëzakët?
Deri në këtë kohë, me gjithë premtimet e zëshme, lidhjet e krijuara dhe takimet e organizuara, nga “qeveria Bukoshi”, më shumë se ishte heshtur, ishte mohuar e vërteta e luftës. Problemet që kanë qenë mes strukturave të luftës dhe “qeverisë”së sipërme janë diskutuar jo rrallë edhe në mbledhje të rëndësishme të organizmave që kishin lidhje me luftën, ka patur mendime të ndryshme, jo rrallë përmes tyre janë futur persona të tretë, të cilët, duke shfrytëzuar lidhjet familjare, por jo vetëm ato, kanë qenë si “ndërmjetës”ose “përcjellës”shumash simbolike, siç ishte rasti i Genc K. apo Murat A.
Deri në periudhën për të cilin bën fjalë raporti i mësipërm sekret i qeverisë së Bukoshit, pra deri më 5 gusht 1998, ka vetëm një përjashtim dhe ajo është bërë pikërisht në ditën e hartimit të raportit, më 4 gusht 1998.
Duke përjashtuar një shumë, që është dhënë deri në këtë kohë për
Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së/ Dokumenti “Tepër Sekret”01 Nr 4-8/ 98, Prishtinë, 04.08.1998, firmosur nga Bukoshi dhe realizuar si vendim nga Ahmet Krasniqi, Agim Mehmeti dhe Hilmi Nebihi, çfarë është bërë me shumën tjetër? Sepse, në Raportin Financiar, që përmendëm më lart, në pikën e dytë të këtij Raporti, thuhet tekstualisht:
Formimi i Shtabit republikan të Mbrojtjes Territoriale: Ky shtab tani për tani është vetëm në themelim e sipër dhe jo i plotësuar me organet e duhura, por bën hapat e parë në angazhimin e kuadrove në terren për funksionimin e shtabeve territoriale të regjioneve dhe komunave.
Mos të harrojmë: raporti ka datën 5 gusht 1998. Ka pesë muaj që në Kosovë zhvillohen luftime. Zotëri Bukoshi është “në hapat e parë”për angazhimin e kuadrove në terren. Në të njëjtën kohë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka të ngritura gjashtë zona operative dhe 24 brigadat e para, shtabet e zonave, shërbimet e ndërlidhjes etj etj. Bukoshi nuk i njeh këto dhe në fillimin e muajit gusht 1998 është ende në hapat e parë për krijimin e strukturave paralele.
Më pas, herë pas here, si për të dashur të lirojë shpirtin nga mëkatet, qeveria e Bukoshit, do të bënte “derdhje”të pakta në furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe atëherë, më shumë do të synonte të krijonte lidhje e raporte të drejtpërdrejta me zonat, se sa të kishte një lidhje të drejtpërdrejtë me Shtabin e Përgjithshëm apo drejtuesit e sektorit të logjistikës. Më 2 nëntor 1998, në bazë të urdhrit të dhënë nga Halil Bicaj, por firmosur nga Agim Mehmeti, i dorëzohen Petrit Pollogut, për njësitë mbrojtëse të komunës së Ferizajt 100 mijë marka gjermane, të konvertuara në 81 mijë e 300 franga zvicerane. Mbi bazën e vendimit të “Ministrisë së Mbrojtjes”, nr. prot. 7-14 i datës 10.02.1999, mbi bazën e kërkesës së bërë nga komandanti i nënzonës së Kaçanikut, z. Qamil Ilazi dhe ndihmësit Hajrush Kurtaj, për mjete monetare, bëhet dorëzimi në shumën prej 200 mijë marka gjermane, personit të autorizuar. z. Xhafer Zharku, i lindur më 02.06.1962 në fshatin Biçevc, komuna e Kaçanikut, nr. i amzës 0206962962022. Të hollat i dorëzon Njazi Sinan Asllani dhe i pranon Xhafer Shaqir Zharku. Dy ditë më vonë, më 12 shkurt 1999, sipas vendimit me nr.prot.7-225, sipas kërkesës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nënshkruar nga shefi i Shtabit, z. Bislim Zyrapi, dhe zëvendëskomandanti, z. Jakup Krasniqi, nr. prot. 08-101, datë 12.01.1999, i dorëzohen personit me nofkën “Dervish Sadiku”3 milion
marka gjermane.
Për të gjithë periudhën e luftës, kjo është “ndihma”ose “kontributi”i qeverisë së quajtur Bukoshi në adresën e saktë: Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur në të njëjtën kohë, sipas dëshmisë së zotit Shatri, kishte grumbulluar disa qindra milionë marka gjermane. Çfarë është bërë me “tepricën”, e cila në këtë rast kishte qenë disa qindra herë më e madhe se sa “ndihma”ndaj luftës? Këtë, as sot, askush nuk e di.
Mirëpo, në Raportin Sekret, të cituar më sipër, kopje e së cilës gjendet edhe në arkivin e LPK-së, në pikën e parë të saj, është përcaktuar, si më e rëndësishmja, ngritja e qendrës informative në kuadër të FARK-ut.
Shpenzimet për ngritjen e kësaj qendre janë të mbajtura sekret, ashtu si edhe detyrat e saj. Sepse, në fund të kapitullit të parë, fill pas përcaktimit të shumës së ngritur, prej 20 milion e 955 mijë marka gjermane (deri më 5 gusht 1998) është vënë edhe shënimi: “Në këtë raport janë ndarë mjetet të cilat janë shpenzuar vetëm për Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe janë pjesë përbërëse e këtij raporti”. Pra nuk janë përcaktuar mjetet që ishin përdorë për qendrën Informative, e cila, si do të theksohet më pas, në një nga burimet e informacionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, kishte detyra krejt tjera nga informimi i zakonshëm publik i mediave dhe i opinionit. Po ashtu, ndërsa janë shpjeguar pak a shumë blerjet e armëve për furnizimin e fshatrave, ka edhe një zë, të pashpjeguar, i cili mban numrin rendor 17, me numrin e dokumentit 1-17/01-08, lloji i dokumentit “Referat”, datë 1 gusht 1998, mbi arsyetimin e shpenzimeve prej 2 milion e 359 mijë dhe 72 marka gjermane. Të jetë kjo shuma e përdorur fillimisht për ngritjen e qendrës informative? Këtë tashmë, veç atyre që e kanë ngritur, askush nuk mund ta dijë.
Përse vjen e gjithë kjo: Sepse në nismë të gjithçkaje qëndron filozofia e njohur e Bukoshit, e mohimit dhe e përçmimit, e cila, në këtë rast, si në shumë raste të tjera të ngjashme, nuk është shumë larg denoncimit. Në këtë rast, asgjë nuk është përtej saj. Mirëpo nuk ndodh vetëm kjo e kaq thjeshtë edhe në shërbimet e fshehta informative. Atje ka më shumë se kaq.
Krijoni Kontakt