-
Tre shembuj:
Qerim Kelmendi është njëri ndër pjesëtarët e hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu si edhe i vëllai i tij, Ibrahimi, është pjesëtar i hershëm i lëvizjeve ilegale dhe i zgjedhur në Këshillin e Përgjithshëm të LPK-së. Megjithatë, anëtarësimi i Qerimit në UÇK është bërë fakt i njohur nga vëllai i tij vetëm pas plagosjes dhe arrestimeve që janë bërë në familjen e tyre, për shkak të dokumenteve të gjetura në vendin e aksionit. Më përpara askush nuk kishte njohuri.
Në materialin prej 23 faqesh “Si i kuptoj unë punët”, paraqitur në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së dega jashtë vendit, 9 maj 1998, Ibrahim Kelmendi, do të nënvizonte se “po mbushen gati dy vite që kur kam kuptuar se edhe Qerimi, vëllai im më i vogël, është pjesëtar i UÇK-së. Dhe këtë munda ta marr vesh vetëm përmes pasojave që i ndodhën familjes sonë, sidomos nënës, motrës dhe ca djemve të xhaxhallarëve. Unë nuk e dija se Qerimi ishte plagosur...”
Xhavit Hoxha, po ashtu i zgjedhur në organet e larta drejtuese të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, ish i burgosur politik nga struktura e njohur tashmë si “Komiteti i Deçanit”, është njohur me faktin se vëllai i tij, Edmond Hoxha, ka qenë pjesëtar i hershëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vetëm pas 31 janarit të vitit 1997, pra vetëm pas rënies së tij. Ndoshta mund të mendohet se mes tyre ka qenë edhe largësia gjeografike, mirëpo, edhe në radhët e organizuara, me përjashtim të pak vetëve, kjo nuk ka qenë e njohur.
Adrian Krasniqi është njëri nga dy shokët, që ka udhëtuar së bashku me Zahir Pajazitin, në kthimin e fundit të tij nga Shqipëria. Çfarë ndodh me të në momentin kur ai dëgjon se janë vrarë tre “terroristë”, mes të cilëve edhe Zahir Pajaziti, një emër nuk i thotë asgjë?
Le të kthehem tek një kujtim i kohës:
Së bashku me Adrianin, natën e 31 janarit 1997, ishim tek familja e Sylë Kadriut. Nuk e mbaj mend a e kishim pas përfunduar darkën, apo akoma e zonja e shtëpisë, nëna Gjykë, që ishte nëna jonë e dytë, akoma nuk e kishte shtruar sofrën. Po fillonin lajmet e orës 19 e 30 minuta. Gjithçka ndryshoi në ato çaste. Lajmi i komentatorit të RTP të Prishtinës: “Sot në fshatin Pestovë vriten tre terroristë të rrezikshëm, mes të cilëve ishte edhe Zahir Pajaziti, antar i Shtabit Qendror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës...”Menjëherë gjithçka që kisha brenda trupit u shpërbë. M’u duk sikur gjithë trupin ma ndau në dysh ky lajm i kobshëm. Filloi të më dridhet trupi dhe nënë Gjyka më solli ujë të ftohtë. Për disa momente nuk e di se çfarë ka ndodhur me mua. Më sollën hapa qetësues, të cilat nënë Gjyka i përdorte nga gushti i vitit 1991, kur i ishte ndarë nga jeta, aksidentalisht, duke u stërvitur me armë, djali i saj Arbeni, që ishte shok i imi dhe i Adrianit. Edhe Adriani, pasi erdha në vete, e pashë që ishte çrregulluar. Kur i thashë se Zahiri nuk është askush tjetër veçse “Ismeti”, atëherë filloi të qajë me lot. Vetëm atëherë, megjithëse kishim qëndruar bukur gjatë bashkë me njeri tjetrin, ai kishte ditë vetëm emrin “Ismet”. Kjo kishte qenë e mjaftueshme. Emri i vërtet i Zahirit po mësohej nga njëri prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë vetëm në çastet e para të përjetësisë.
Vazhdoj të mendoj se kjo rrjedhë e guaskëzimit të sekretit ka qenë tepër e dobishme. Në fund të fundit, jam krejt dakord me mendimin e dhënë nga Xhavit Haliti, në bisedën e zhvilluar me të në qershor 1998 se “për mua ka qenë e rëndësishme që, në linjën time nuk kam pasur asnjë dështim deri tani, për mua kjo është me rëndësi, ndërsa se a duhet të dijë gjithë anëtarësia e LPK-së, apo edhe vetë Këshilli i Përgjithshëm, nuk ka qenë e rëndësishme”.
Tani është koha e një konkluzioni të parë: problemet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë “tabu”, pra pjesë e mbyllur edhe për të zgjedhurit në forumin më të lartë të organizatës që e themeloi atë; pra kanë qenë “tabu”edhe për anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, pa folur për anëtarët e thjeshtë të organizatës. Në shumë raste, problemet specifike, të dhënat e veçanta, kanë qenë të mbyllura edhe për anëtarët e kryesisë.
Kjo ka qenë e njohur, si e tillë, deri në 31 janar. Para kësaj date, disa javë përpara, a ka diçka e cila ka ndryshuar? Ajo që ndryshoi, a ishte një ndër fillet që çoi në ngjarjen e 31 janarit? Apo ndryshimi ka pasur lidhje me zhvillime të tjera.
Dhe, pasi bëmë këtë rikthim, për të qenë të sigurt në hedhjen e mëtejshme të hapave të tjerë, le të vazhdojmë më tej.
-
-
RIKTHIMI I ZAHIRIT NË KOSOVË
Zahiri, i trazuar për arrestimet që po ndodhnin në Kosovë, dhe veçanërisht duke pasur drojën se mos këto arrestime po preknin rrjedhat e UÇK-së, pra mos kishte filluar goditja e radhëve të organizuara, mendon se koha e qëndrimit në Tiranë ka përfunduar. Gjithçka do të duhej të rikthehej aty ku ishte nisur. I duken të gjata ditët, përsëri i duken orët e dyfishta, ka ende makthin e rrjedhës së ngjarjeve. Megjithëse e kishte menduar më gjatë qëndrimin në Shqipëri, megjithëse ende nuk kishte siguruar thuajse asgjë dhe trishtimi ishte tek ai i pranishëm, ai kishte filluar të mendonte rikthimin e afërt. Në njërën nga këto ditë ai i drejtohet Adrian Krasniqit:
– Në qoftë se unë dhe Dema do të kthehemi në Kosovë, do të vish edhe ti me ne, Adrian? A je i gatshëm, edhe një herë, t’i lesh të gjitha dhe të ecim, pra të lësh edhe nusen?
– Pse jo, nëse është për me u nisë, do të nisemi.
– Mendoju mirë, ti je ilegal, ashtu si Dema, e rruga për në Kosovë është me rreziqe, është e lodhshme.
– Adriani është shok i imi, edhe për gatishmëri dhe për përgatitje fizike ma kalon mua – ndërhyri Dema.
– Unë e dua një “po”të Adrianit, por një “po”pa asnjë pishman. Ia di punët dhe ia njoh frytet, por kësaj radhe është ndryshe.
– Mos u ngut, i tha Dema. Ka kohë për me u kthye në Kosovë. Kemi
thënë se do të rrimë dy-tre muaj dhe nuk kanë shkuar as pak javë. Adriani e di vetë se si do të vendosë, e di më mirë se unë.
Zahiri kur dëgjoi përgjigjen e Demës dhe mendimin se “ka kohë për t’u kthyer”, nuk u përmbajt më tej e tha prerë:
– Kush donë me ardhë me mua, le të bëhet gati, se unë do të nisem sa më shpejt në Kosovë.
– Nuk kemi pse të ngutemi, i tha përsëri Dema. Edhe situata është e shkapërderdhur. E sheh se i kanë rënë në erë LKÇK-së dhe kanë filluar arrestimet. Ndoshta i kanë rënë në erë edhe UÇK-së, ku i dihet, më mirë të presim.
– Or djalë i mbarë, pikërisht pse situata ka filluar të rëndohet, unë duhet t’u gjendem shokëve pranë.
– Shiko, - i tha përsëri “Dema”,- unë dhe Adriani jemi në listën e të kërkuarve, kështu që në këtë situatë shokëve mund të ju bëhemi barrë.
– Ju vendosni si të ua marrë mendja, unë e kam vendosur, si me vdekë, me u nisë për në Kosovë.
– Po, të presim edhe ndonjë ditë, marrim informacion më shumë e pastaj vendosim.
– Jo or mik, unë ju duhem shokëve në këto orë të vështira, dhe nesër, më së largu pasnesër, nisemi. Bile ti Demë, po të duash, shko për shërim në Gjermani, e kur të bëhesh më mirë, kthehesh ngadalë.
– Nuk e kam situatën e keqe. Nëse shkon ti, ne vijmë me ty.
U morën vesh për të gjetur një zgjidhje të afërt. Adrian Krasniqi kishte në Tiranë një të afërm të gjakut të tij. Ky ishte Agim Tafa, njëri nga katër djemtë e Tafë Mahmutit, të familjes së Sylërexhve të Vranocit të Pejës, të cilët e kishin lëshuar Vranocin në kohën e Rankoviqit dhe kishin ndërtuar jetën në Tropojë. Thonë mirë se gjaku nuk bëhet ujë, jo rrallë lidhjet e gjakut kanë qenë tejet të qëndrueshme, edhe pse kishin mes vetes brezni të ndryshme.
Ishte 19 janar 1997. Ky do të ishte udhëtimi i fundit i Zahirit nga Shqipëria në drejtim të Kosovës. Para tij ishin më pak se dy javë jetë, saktësisht do të ishin vetëm 12 ditë. Ajo që kishte shkuar, kishte përgatitur njëkohësisht edhe vazhdimin e 12 ditëve. Nuk do të ishte një rastësi që edhe këto do të ishin njëlloj të dinjitetshme si pjesa e shkuar. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.
19 janari do të mbahet mend si një ditë me mjegull të jashtëzakonshme. Ajo kishte rënë gjithandej, mbi fillesat e maleve, në shpatinat përreth, ishte kacavarur pemëve të ngrira, që nga bryma, dukeshin krejt të bardha, si hoje të zgjatura deri poshtë tokës, në fund të fundit e bënte gjithçka fantazmagorike. Temperatura natën zbriste deri në minus 15 gradë. Dita, aq e shkurtër, nuk kishte kohë as të fillonte shkrirjet e hojeve të akujve që vareshin gjithandej. Çdo gjë mund të mendohej, por që të kapërceje malet, kjo do të ishte e papërfytyrshme. Megjithatë, po ndodhte.
Nga Tirana dhe deri në rrugën për te Prifqi, deri afër fillimit të Anëmalit, i përcolli Agim Tafa, me makinën e tij. Aty u ndanë me të. Ai mori rrugën e kthimit, tre burrat morën rrugën e Kosovës. Ky ishte njeriu i fundit me të cilin Zahiri do të ndahej në Shqipëri. Ishte një njeri i besës, familja e të cilit do i shërbente krejtësisht UÇK-së.
Mjegulla e paimagjinueshme vështirësonte gjithçka. Ishin mbyllur shtigjet. Një natë e zezë, e ftohtë, tmerrësisht e rëndueshme mbi supet e njerëzve. Dy orë e gjysmë kaluan vetëm duke kërkuar fillin e rrugës. Për Zahirin dhe Demën kjo ishte hera e dytë që e bënin atë rrugë, për Adrianin ishte hera e parë. Gjithnjë kishin ndjekur shtigje të tjera, kësaj radhe do të ishte ndryshe.
“Ka qenë mjegull aq e dendur, saqë vetëm Zahiri ka mundur me e gjetë rrugën. Paramendoje se çfarë mjegulle ka qenë. Përmbi malet e Shishmanit, tek Livadhet e Bokës së Shishmanit, plaku i Shishmanit, që kishte dalë me na pritë se bashku me Ilir Konushevcin, Hakif Zejnullahun dhe Shaipin, e kanë ndezë zjarrin, si ndizet një zjarr i madh, si për 1 maj; edhe ne aty afër kemi kalue e nuk kemi mundur me e pa flakën e zjarrit. Jemi futë diku në fillim të malit të Shqipërisë në orën 19 ose në orën 20, e në Kosovë kemi mbërri të nesërmen natën. Plaku i Shishmanit, Iliri, Hakifi dhe Shaipi ishin bërë merak për ne.
Si kemi mbërrit tek shtëpia e bekuar e Plakut të Shishmanit, unë jam
shtri menjëherë me pushue, se nuk mundesha më, Adriani, i lodhur, mbahej për burrëri, ndërsa Zahiri, bashkë me Agronin, djalin e Plakut, që në atë kohë ishte në klasën e pestë ose të gjashtë të fillores, kanë shkuar në Gjakovë, dhe kanë marrë lidhjen me Hakifin dhe Ilirin”– tregon Qerim Kelmendi, njëri nga tre udhëtarët e rrugëtimit të fundit të Zahirit nga Shqipëria në Kosovë.
Më 21 janar 1997 Zahiri do të hynte në Prishtinë. Më vete kishte edhe dy ilegalët e tjerë që asaj nate do të vendoseshin tek banesa e tij. Ishte një banesë me qira, që nuk i plotësonte as kushtet më të zakonshme të jetesës. Adrian Krasniqi e kishte natën e parë që bënte konak në Prishtinë. Që nga aksioni i ndërmarrë bashkë me Qerim Kelmendin në stacionin e Qollapekut, në fund të gushtit 1996, aksion në të cilën edhe është dekonspiruar së bashku me dy shokët e tjerë të aksionit, ai kishte shfrytëzuar linjat familjare dhe më pas ishte zhvendosur në Shqipëri. Është një periudhë e shkurtër kur ai fillon të duket rrugëve të Tiranës në shoqërimin e nuses së tij dhe dikush do të mendonte se “kaq e pat edhe puna e tij”. Kishte qenë një ndërprerje e përkohshme, më shumë për të “dëshmuar”se nuk ka kohë për punë të tjera...
Që nga 21 janari Zahiri fillon takimet e përditshme me shokët e tij. Udhëton gjithë ditën dhe gjithë natën, për të mësuar çdo gjë që kishte ndodhur dhe që ishte duke ndodhë. Është një moment kur fillon të ndjejë se duhet bërë diçka, të tërheqë vëmendjen e strukturave të sigurimit serb në një drejtim tjetër, të mos ketë tkurrje dhe njëkohësisht të mos ketë thyerje. Janë ditët e takimeve të shkurtra, herë pas here të takimeve blic, edhe me Nait Hasanin, Sokol Bashotën, me Rexhep Selimin, Burim Marmullakun (“Dervishi”), por më shumë me shokët e tij të linjës së Llapit. Është një periudhë kur askush nuk e di se kur ka qenë me Selimin, kur ishte i pranishëm me Shaipin apo Ilirin, kur është takuar me Hakifin, si ka lëvizur me Ajetin, kur është gjendur me Isakun, çfarë lajmi ka marrë nga Remi, dhe sido që edhe pas kaq kohe mund të të duket e pabesueshme, fakt është se në dhjetë ditët e fundit të jetës së tij, ai është takuar pothuajse me të gjithë bashkëpunëtorët e ngushtë të linjës së tij të Llapit. Tek të gjithë ai ka skalitur pjesë të vetes, dhe kjo ka ndodhur krejt natyrshëm. Duket sikur, duke shpejtuar të ikë prej jetës, ai ka mbetur tek të gjithë.
Janë çaste kur komunikimi në relacionin Zahir–Nait–Sokol–Xheladin–Rexhep, herë pas here është i tensionuar, momentet janë vetë të tilla,
koha është vetë e ngutshme, është po ashtu një moment kur kërkon më shumë njerëz pranë vetes. Sikur të kishte parandjenjën e largimit, ai shpejton për t’i vënë gjërat në rregull, për të mos lënë, qoftë edhe në rastin ekstrem, asnjë çarje, nga e cila mund të rridhnin shumë gjëra. Duke qenë përgjithësisht njeri serioz dhe i fjalëve të pakta, në këto ditë ai bëhet edhe më i heshtur. Duke qenë njeri i veprimit, në këto ditë ai bëhet edhe më i lëvizshëm. Megjithëse ishte një kohë kur shumë kush do të kishte menduar ikjen ose largimin, nuk i shkon në mendje kjo gjë. I dëgjon debatet që zhvillohen mes shokëve të tij, herë pas here nuk e ka mendjen aty, ose duket ashtu, kur papritmas, krejt normalisht pyet: E përse nuk duhet të jetë edhe ai shok i yni në takimin tonë? Nuk e quan veten “të domosdoshëm”, por i ruan shokët e tij si të tillë. Është momenti kur fillon e shikon, më shumë se asnjëherë tjetër, përtej vetes dhe kjo e bën atë edhe më njerëzor.
Ndërkohë, në cepin tjetër të qytetit dhe, herë pas here krejt afër tij, lëviz një figurë tjetër, Edmond Hoxha. Me të Zahiri do të ketë tri takime, njëra prej të cilave është vërejtur nga e motra, të dytën e dëshmon Ilir Kastrati, njëri nga miqtë e tij të ngushtë, i pranishëm në takim, dhe të tretin e dëshmon djali i plakut të Shishmanit, i cili ishte njëkohësisht edhe pjesëtar i linjës së Llapit. Edmond Hoxha në këtë kohë nuk është ende ilegal, ai përgatitet të jetë i tillë. E ka menduar prej kohe se do të mund të vijë një çast si ky, e ka provuar veten dhe ka arritur në përfundimin se mund ta përballojë. Janë ditët e tij të fundit si student, pra të jetës së zakonshme legale. Në momentet që do të fillojë kthesa drejt ilegalitetit, pra në momentet e para të ilegalitetit të tij, do të ndeshet në pritën e 31 janarit. Është nga ato momente, kur mes studentit legal dhe luftëtarit ilegal, qëndron një ditënatë, ose më saktë, thyerja e një ditënate, është padukshmërisht e vërteta e fillesës së përjetësisë së një njeriu, i cili, pabujshëm, mrekullisht i sinqertë, do të merrte mbi supet një barrë që do të ishte e vështirë të mbahej nga kushdo tjetër.
Edhe ai ka dyshimet e tij. Do të kthehemi edhe më pas në këto dyshime, por, gjithsesi, dyshimet e Edit nuk janë të përmasave që do të duhej të kishin strukturat e larta të luftës. Ai ka një shpërqendrim të dyshimit të tij, nga e vërteta se mos dikush e ka kërkuar në kullën e Junikut, dhe deri tek fakti se në radhët e studentëve kanë filluar arrestimet. Nuk ka qenë deri atëherë i përndjekur, e di fare mirë se mes tij dhe Hijes është ende një vijë ndarëse, por kjo vijë, është
njëkohësisht kaq e hollë, saqë nuk është aspak e çuditshme pse ajo mund të kthehet vrullshëm shpejt në një survejim të vërtetë. Ai i ka të gjitha “shanset”që të jetë i survejuar, duke filluar që nga gjeneza e fisit të tij e deri tek i vëllai Xhaviti, që nga lëvizjet e tij të shpeshta drejt Shqipërisë, sidomos drejt Durrësit, ku do të jenë njëkohësisht disa nga bazat e rëndësishme të luftës dhe përgjuesit e saj, e deri tek shfaqja lirisht e mendimit kryengritës. Shto këtu edhe faktin se javët e fundit ai do të kishte të bënte gjithnjë e më shumë me armët dhe lëvizjen e tyre– ishte shumë e lehtë të mendohet se, në mos në atë janar 1997, në një muaj tjetër, të shpejtë, të po atij viti, ndjekja dhe survejimi do të vinin.
Ishin net të ethshme. Arrestimet janë të kudoshme, secila derë mund të trokasë ose mund të shkyhet. Atëherë Zahiri vendos të hapë një “portë”tjetër, ashtu si ishte mësuar të hapë porta të tilla. Fillon punën për ekzekutimin e një inspektori famëkeq të shërbimit të sigurimit të fshehtë serb. Dy miqtë e tij, që janë në të njëjtin vend, Adrian Krasniqi dhe Qerim Kelmendi, i kërkojnë të bëhen pjesë e aksionit. Ngurron. Nuk ju thotë fillimisht as po e as jo. Ju thotë, duke qeshur, se “nuk ka vdekë Llapi e Gollaki”. Megjithatë e mendon idenë e të tjerëve. Ata janë të panjohur për tregun e Besianës, ku është menduar të bëhet aksioni. Nuk donte tashmë një aksion të fshehtë, gjuajtje nate, donte të bëhej gjithçka në pikë të ditës, në një vend të hapur, ku të dihej se nuk ishte shuar asgjë, dhe vendos për Tregun e Kafshëve, të Besianës. Përsërit prapë thënien e tij se “nuk ka vdekë Llapi e Gollaki”.
Megjithatë ai mendon më gjatë se kaq. E ndjen se tashmë nuk do të ishte e mjaftueshme vetëm një aksion, vetëm në një zonë. Nëse goditjet po bëhen kudo, atëherë duhet të kenë të njëjtën përgjigje. Është hera e parë që ai mendon të realizojë diçka më të madhe se zakonisht. I shkon mendja tek shokët e rinj në Vushtrri, pastaj mendimi i shkon tek Haradinajt në Dukagjin e tek Adem Jashari në Drenicë. Adem Jashari është ndër të paktët njerëz, të cilëve ai u bën vend në adhurimin e tij. Për Haradinajt ai ka dëgjuar prej shokëve të tij, është takuar një herë me Luanin dhe Ramushin, mirëpo ka bashkëpunëtor një njeri të afërm të tyre, Lahi Ibrahimin, gjithashtu anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Tani kërkon lidhje me shokët e tyre. Mendon po ashtu për njerëzit e Mehë Ukës, të cilin dikur e ka parë, e ka takuar, ka folur me të. Është vrarë në fundin e dhjetorit 1996. Ka pasur diçka mes tyre që nuk do të mund të spjegohej. Tjetrin, Adem Jasharin, nuk e ka parë asnjëherë. E kishte mit, ishte nisur gjithnjë drejt tij dhe nuk kishte arritur
kurrë. Kur e kishte ndjerë ndrydhjen e zemrës nga mungesa e takimit, i kishte dërguar një paketë cigare, si shenjë mitizimi. Ai e kishte çmuar gjithnjë atë aktin e thjeshtë të mikpritjes, kur i zoti i shtëpisë i hedh cigaret miqve të tij. Këtë kishte dashur të thoshte, megjithëse do e kishte pasur për nder, në gjithë jetën e tij, sikur të kishin shkëmbyer nga një cigare me atë burrë të madh. Gjithnjë kishte qëndruar diçka mes tyre. Ndoshta jo edhe aq shumë ilegaliteti, se sa një ndjenjë tjetër, të cilën ai nuk e kishte ditur, ose nuk kishte dashur të dinte se nga vinte. Tani gjithçka po përmbysej në fare pak ditë, marramendshëm shpejt. Edhe ai do të përmbyste rrjedhat. Nëse do të kishte në të njëjtën ditë disa aksione, në disa vende, mes të cilave të ishte edhe Drenica, kjo do të thoshte jashtëzakonisht shumë. E kishte bërë në mend të shkonte në të njëjtën ditë tek shokët e Mehë Ukës dhe tek Adem Jashari. Kjo do të ishte njëkohësisht edhe prishja e barrierave. Ndoshta, pikërisht në këtë përcaktim të udhëtimit të tij, do të mbështetej edhe pjesa e deklaratës serbe, pas ngjarjes së 31 janarit 1997, se “ishin nisur të shpërthenin tek bashkëmendimtarët e tyre në Drenicë”. (“Nedeljni Telegraf”, nr.37, 05.02.1997)
Mendon për të gjitha në fare pak kohë. E ndjen se ajo po i rrëshqet nga dora, por përsëri e di, ose është krejt i bindur, se nuk ka rrugë tjetër. Më 28 janar thërret në Prishtinë pjesëtarë të njësiteve të Pejës, të lidhur me linjën e Llapit, dhe i porosit që të përgatiten për aksion. Kërkon tashmë të dalë nga ajo që mund të quhej zona e tij. Vendos që në këtë aksion të jetë edhe Edmondi, jo si gur prove, por si shenjë saktësie. Si rrallë herë, ai kërkon nga vetja të jetë i shumëfishuar. I pari në komunën e Pejës që kishte vendosur kontakte me njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte “Besniku”, i cili më pas, në mënyrë të natyrshme, por edhe organizative, së bashku me Adrian Krasniqin dhe Qerim Kelmendin, vendos lidhjet me Linjën e Llapit. Pikërisht disa nga pjesëtarët e njësiteve të Pejës, mes të cilëve edhe dy bashkëpunëtorët e tij të mësipërm, janë në takimin e 28 janarit.
Më 27 janar 1997 Zahiri shkon drejt Besianës. Kërkon të përgatitë gjithçka për atentatin që mendohej të bëhej. Iu thotë të tjerëve se “më shumë po studiojmë me shokët rrugët e tërheqjes, sepse, meqenëse aksioni do të bëhet ditën, nuk duhet të rrezikohet askush gjatë tërheqjes. E sidomos të mos rrezikoni ju, në e merrni pjesë në aksion, se nuk duam të mbetë kush në rrugë e të koritet Llapi e Gollaki”.
Më 27 janar 1997, pak pas mëngjesit, në shtëpinë ku strehoheshin dy ilegalë do të shkonte Xheladin Gashi (“Plaku”). Nga ajo bazë, para pak çasteve kishte dalë “Ismeti”.
Njëri nga dy ilegalët kujton:
“Një ditë më herët se të arrestohet Naiti, vjen tek unë, tepër i trazuar, “plaku”Xheladin Gashi. U çudita kur e pashë, megjithëse ishte person i njohur dhe e dija se ky mbante lidhje të drejtpërdrejta me Sokol Bashotën. Me thënë të drejtën, mënyra se si trokiste në derë dhe në mur të banesës, më bezdisi, por edhe më frikoi. I zoti i shtëpisë, që na kishte lëshuar këtë si lloj shupe me qira, nuk ishte në shtëpi. Dola unë, me njëqind palë tutë. Kërcitjet ishin të forta. Hapa derën. Kur shoh një burrë të madh dhe të thinjur. E njoha. I them, se çka u ba. Më thotë a është aty, nuk e mbaj mend të më ketë thënë Sokoli a Mustafa, por jo, jo, fiks më tha “a është Mustafa”, pseudonimi i Sokolit. I thashë se ju i keni pejgjerat dhe si ju ka ndodhur që nuk jeni marrë vesh. “Plaku”nuk foli. Nuk e di pse kishte ardhë. “Ismeti”nuk ishte aty. Boll shumë ndërrova qehren nga frika, por edhe ai mbeti. Të nesërmen ndodhi arrestimi i Naitit”.
Pra, shumëçka ka qenë në lëvizje ditët e fundit të janarit. Po të vëresh sot, atë që ka ndodhur në katër-pesë ditët e fundit të muajit, do të ndjehesh i habitur me gjithë ato që ka ndodhur, takimet e shumta, përpjekjet, rrugëtimet, ndonjë përplasje më shumë e lindur nga mosdashja, tensioni i krijuar, përsëri takimet e radhës, dyer që kërcasin, kontrolle të papritura, biseda të shkurtra telefonike dhe, më në fund, krejt papritmas, të vjen në mend një pyetje: Përse nuk është zbatuar porosia e Xhavit Halitit, dhënë sidomos për “Linjën e Llapit”që “të gjithë të ikin nga të mundin, deri sa të qetësohet situata”?
-
-
A ISHTE INFORMUAR ZAHIR PAJAZITI PËR ARRESTIMIN E NAIT HASANIT?
Është bërë shpesh kjo pyetje, herë pas here me ngulm të veçantë, nëse kishte njohuri Zahir Pajaziti për arrestimin e Nait Hasanit, lidhjet e të cilëve ishin të afërta, sidomos pas takimit të tyre të parë, në dhjetorin e vitit 1995.
Siç dihet, Naiti është arrestuar tri ditë më parë se të ndodhte ngjarja e 31 janarit. Është arrestuar pak pas orës 16.00, dhe pothuajse në të njëjtën orë, në të cilën, tri ditë më pas, do të vriteshin Zahiri, Edmondi dhe Hakifi. Arrestimi i tij ka qenë i fshehtë për shumë vetë në Kosovë, ashtu si në javët e para, ka qenë i pa ditur edhe vendi se ku mbahej ai, me saktë, vendi se ku torturohej ai. Pyetja e bërë kësisoj, pra nëse kishte pasur apo jo dijeni Zahiri për arrestimin e Nait Hasanit, ka në vete edhe nënkuptimin tjetër se, në rast se ai do e dinte një gjë të tillë, me siguri që do të kishte marrë masa të tjera, do të ishte ruajtur më shumë dhe, ndoshta, do të kishte qenë mundësia e vazhdimit të luftës.
Për të bërë lajmërimin e Zahir Pajazitit kanë qenë dy mundësi; njëra brenda Kosovës dhe tjetra jashtë saj.
Brenda Kosovës ka qenë linja, përmes se cilës janë mbajtur kontaktet e zakonshme, me anë të së cilave janë përgatitur takimet, janë bërë mbledhjet, është vendosur komunikimi, etj. Lidhje të tilla zakonisht janë realizuar drejtpërdrejtë, me anë të pejgjerëve, lidhjeve telefonike ose me anë të të tretëve. Në fund të fundit është e njëjta linjë që u vendos me 30 janar 1997.
Jashtë Kosovës, lidhja ka qenë në linjën e sektorit të veçantë, që ishte pjesë e Shtabit Qendror të UÇK-së, dhe në këtë rast përmes Ali Ahmetit (“Abazit”), i cili këtë nuk do të mund ta bënte vetë drejtpërsëdrejti, por përmes linjës që ishte vendosur: Ismet Abdullahut.
Brenda Kosovës ka ekzistuar edhe kodi i fshehtë për rastet e jashtëzakonshme. Një kod i tillë ka qenë i përgatitur edhe për rastet e arrestimeve. Biseda do të zhvillohej në këtë mënyrë:
– Shoku ynë është në spital, i sëmurë rëndë.
– Mos ka sëmundje infektive, ngjitëse.
– Po, atë sëmundje ka.
Ky do të ishte kodi i lajmërimit për rastet e arrestimeve dhe, si do e shohim më pas, ky kod është përdorur në pasditen e 30 janarit edhe në bisedën mes Zahir Pajazitit dhe Bislim Zogaj.
Nga jashtë Kosovës nuk ka pasur ndonjë kod të veçantë, sidomos nuk
ka pasur ndonjë kod të veçantë me linjën e Llapit. Lidhjet, në këtë linjë, ishin perceptuar disi ndryshe, jashtë skemës së përgjithshme, ose më saktë nuk ekzistonte ndonjë skemë e përgatitur. Ajo duhej të kalonte disi më gjatë se zakonisht dhe ishte lidhja e vetme e deriatëhershme, nga jashtë Kosovës, që nuk kalonte përmes strukturave. Ajo do të ndiqte rrugën tjetër: përmes Ali Ahmetit do të kontaktohej Ismet Abdullahu, dhe si do të vazhdohej më tej, kjo nuk dihej.
Duke qenë se kishte dy linja, mundësia e lajmërimit dhe e komunikimeve ishte më e madhe. Teorikisht duhej të jetë kështu. Mirëpo nganjëherë ndodh edhe ndryshe: duke qenë se janë dy linja, secila prej tyre mund të mendojë se është vënë në funksion linja tjetër, që është më e efektshme. Po ashtu, edhe mundësia e dekonspirimit është në të njëjtën kohë dy herë më e pranishme.
Atëherë si shkoi lajmi i arrestimit të Nait Hasanit deri tek linja e Llapit, konkretisht deri tek Zahir Pajaziti dhe çfarë lidhje mund të kishte kjo me gjërat që do të ndodhnin më pas? A kishin, në fund të fundit, lidhje mes tyre, dhe, nëse çdo gjë do të kishte rrjedhur ndryshe, a do të ishte e mundur që të mos kishte fare një 31 janar, ashtu si erdhi?
Një pyetje e shtruar kështu ka në vete shumë domethënie. Megjithatë diçka do duhej përjashtuar menjëherë: duhet përjashtuar mundësia se mos nga torturat e tmerrshme, Nait Hasani mund të kishte nxjerrë shokët e tij të luftës. Që nga momenti i kidnapimit të Naitit, nga katër pjesëtarë të policisë sekrete serbe, para shtëpisë së tij, sulmit mbi të dhe deri në ditën e riardhjes në vete, kanë shkuar më shumë se dy javë, të cilat kanë qenë edhe ditë ankthi, pasi askush nuk e dinte se ku mund të ishte ai. Nga ana tjetër, Naiti do të dëshmonte, siç kishte dëshmuar edhe më parë se, në asnjë lloj gjendje, nga më të vështirat, ai nuk do të thyhej. Kjo do të ishte për shumë dekada njëra nga virtytet më të spikatura të pjesëtarëve të lëvizjeve ilegale. Ende nuk njihet asnjë lloj gjyqi politik në të cilin të arrestuarit e shumtë të kenë nëpërkëmbur njëri-tjetrin. Naiti do të ecte në këtë vazhdë dhe kjo për shumë kënd do të ishte më se e natyrshme.
Në përgjigjen e pyetjes, nëse kishte pasur dijeni Zahiri për arrestimin e Naitit, ka qëndrime të ndryshme dhe mendime të ndryshme.
Ata që kanë qenë jashtë Kosovës, por të lidhur ngushtë me ngjarjet
dhe përgatitjen e luftës në Kosovë, pohojnë se Zahiri nuk ka pasur dijeni, ose më saktë, se nuk ka pasur dijeni deri në pak orë para ngjarjes.
Ata që kanë qenë në Kosovë, me Zahirin, pohojnë se në dy ditët e fundit i ka ditur arrestimet që kanë ndodhur në Kosovë dhe mes tyre edhe arrestimin e një njeriu të veçantë dhe shumë të vyer. Nuk ka dhënë asnjë emër, por gjithçka i ka bërë shokët e tij të mendojnë, natyrisht më pas, se fjala kishte qenë për Naitin. Po ashtu, njëri nga njerëzit e afërm të Zahirit në atë kohë, me të cilin kishin bërë së bashku udhëtimin e fundit Kosovë-Shqipëri-Kosovë, në fundin e dhjetorit 1966 dhe kthimin në mesin e janarit 1997, Qerim Kelmendi (“Dema”), ka shënuar se në bazën ku ka qenë ai, i është dhënë urdhri të kalojë në ilegalitet më të thellë. Kërkesës së tij që “do të largohem pasi të jetë lajmëruar Zahiri për arrestimin e Naitit”, i janë përgjigjur se kjo punë është bërë tashmë. Këtë deklarim Dema e ka bërë me shkrim, më 10 maj 1998, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Përgjithshëm dhe ekziston ende në arkivin e organizatës.
Megjithatë, e rëndësishme është të dihet e vërteta se kur, saktësisht dhe nga kush, e mori vesh Zahir Pajaziti arrestimin e Naitit. Njeriu që është dëshmues i kësaj të vërtete quhet Bislim Zogaj, asaj kohe anëtar i Shtabit Qendror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i arrestuar fill pas takimit me Zahirin, në orën 16.00, të 31 janarit 1997, dhe njeriu i fundit që është takuar me të.
Bislim Zogaj është njëra ndër figurat e para të luftës. Njeri, përgjithësisht i qetë, ka në pamjen e tij shfaqjen e njeriut të mirë, të devotshëm dhe është i tillë. Ka pasur një ecje jo të zakonshme drejt luftës deri sa është zgjedhur në strukturat e larta të saj, mirëpo, edhe pas kaq vitesh, nuk ngurron të pranojë të vërtetën se për të, edhe pse ishte njëlloj i zgjedhur, Naiti dhe Zahiri, ishin dy figurat që i adhuronte më shumë dhe që i kishte mbi gjithçka. Në një mënyrë ose në një tjetër, ai shikonte tek ata shëmbëlltyrën që duhej ndjekur. Naitin ai e ka njohur me emrin e tij të vërtetë, ndërsa Zahiri ka qenë i njohur për të me emrin “Ismet”. Me këtë emër Zahiri ka qenë i njohur edhe për të tjerët, pavarësisht se kanë qenë brenda së njëjtës strukturë, gjë që e pohon më pas edhe Rexhep Selimi.
Bislim Zogajn e kam takuar në dhjetorin e vitit 2006. Kemi biseduar
gjatë për ngjarjet e janarit të vitit 1997, fillesat e tij në UÇK, lidhjet me “Plakun”, që ishte bërë si të thuash edhe nxitësi i tij kryesor, udhëtimet me Azem Sylën, lidhjet me Nait Hasanin etj. Më vjen keq që kërkesës sime për një intervistë më të gjatë, ai nuk iu përgjigj, megjithëse për këtë kishim rënë dakord. Dëshirën e tij, për të shkruar vetë, në një libër, të vërtetën për jetën e tij si pjesëtar i UÇK-së, unë e respektoj. Në sjelljen e dëshmisë së tij unë do të mbështetem në dy fakte: në bisedën e bërë së bashku dhe në intervistën që i ka dhënë Fehmi Pushkollit.
-
-
Pak a shumë tregimi i tij është ky:
Më 30 janar 1997, dy ditë pas arrestimit të Naitit, jemi takuar së bashku, Xheladini, Sokoli dhe unë. (Nait Hasani ka qenë i njohur me emrin e tij të vërtetë tek Xheladin Gashi, Bislim Zogaj, Sokol Bashota dhe Rexhep Selimi, ndërsa për Zahirin, në strukturë është njohur si “Abazi”, megjithëse ai e kishte zbuluar emrin e tij të saktë, përmes lidhjeve në Universitetin e Prishtinës – shënim i autorit) Kishin ndodhur shumë arrestime, mes tyre edhe arrestimi i Naitit. Nuk e kemi ditë nëse Zahiri kishte marrë informacion për arrestimin e Naitit. Atëherë kemi vendosë të ndryshojmë metodën e punës dhe të bëjmë një takim të posaçëm. Më kanë caktuar të komunikoj me Zahirin. E mora në telefon, më 30 janar, ka qenë ora 16.00 ose 16 e 30 minuta, dhe i thashë se “Abazi është i sëmurë rëndë”. Më pyeti “Mos është me sëmundje ngjitëse?”. Po, i thashë, edhe të rëndë bile”. Më pyeti: “Po Dema si është?”. I thashë se Dema (Qerim Kelmendi) është mirë. Atëherë e lamë, që para se të takoheshim, të flasim edhe një herë, ditën e nesërme, për me caktua vendin se ku me u takue. Të nesërmen e kam thirrë kah ora 9 dhe kemi lënë takim, po atë pasdite, në orën 16, tek stacioni i autobusëve në Prishtinë. Aty jemi takuar, takimi ka qenë shumë i shkurtër, as dy-tre minuta ose edhe më pak. E kam informuar për arrestimin e Naitit, kemi lënë mënyrën se si do të vazhdojmë lidhjet dhe ku mund të bëhet takimi i ardhshëm. Pas bisedës sonë telefonike të një dite më parë, ai e kishte kuptuar se kishte ndodhur arrestimi i Naitit. Ky ka qenë takimi im i fundit me të. Sapo jam ndarë me “Ismetin”, mora rrugën në drejtimin e spitalit dhe kur kam vu re se po ndiqem, kam tentuar të kaloj rrugën shpejt, por...”
Fakti ose e dhëna, se “Ismeti”po thërriste shpesh në telefonin e Naitit, nuk është cituar vetëm nga Bislim Zogaj, por edhe nga një material i
posaçëm, paraqitur nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli dhe, më pas, edhe nga Azem Syla. Deri më tash nuk ka asnjë burim i cili të ketë cilësuar thirrjet e shpeshta telefonike të Zahirit në drejtim të Naitit. Të gjithë, deri tash, i janë referuar një burimi anonim, i cili si duket, ka qenë edhe burimi i vetëm i këtij informacioni.
Për takimin e datës 31 janar 1997 kanë qenë të informuar tre vetë: Bislim Zogaj, i cili do të takohej me të dhe që u arrestua, e më pas u dënua me 5 vite burgim; Sokol Bashota, dhe Xheladin Gashi, si anëtarë të Shtabit Qendror dhe koordinues të takimit. Nga linja e Llapit, duhet të mendohet se ka qenë në dijeni vetëm Hakifi, gjë që megjithatë nuk është e sigurt. Në takim Zahiri ka shkuar rreth 15 minuta përpara, për të verifikuar vendin dhe mundësinë e përgjimit, ishte i pashoqëruar, qoftë edhe nga larg, çka nuk ishte edhe aq e natyrshme për ato ditë.
Në linjat përkatëse, kur ende nuk dihej asgjë në Kosovë, ditën që është arrestuar Naiti, vetëm pak çaste më vonë, pra po atë pasdite, kjo është marrë vesh nga Xhavit Haliti, i cili ka dërguar mesazhin që të gjithë të ikin dikah, duke e pasur fjalën posaçërisht për Zahirin. Mundësia e Xhavit Halitit për të komunikuar me Zahirin ka qenë vetëm përmes lidhjeve në Zvicër.
Xhavit Haliti ishte informuar nga Azem Syla, i cili, siç dukej, ishte informuar nga Xheladin Gashi, që kishte qenë në të njëjtën pasdite me Nait Hasanin dhe të fejuarën e tij, tani bashkëshortja, Fatmire Zogu. Pas drekimit në lokalin “Fjala”në Prishtinë, Xheladini kishte shkuar në banesën e Naitit për ta pritur atë, ndërsa Naiti në lagjen “Dardania”për të përcjellë Fatmiren deri tek banesa e saj, ku do të merrte disa gjëra. Gjatë kësaj pritjeje vjen edhe kidnapimi e zhdukja e përkohshme e Naitit në burgjet serbe. Xhelasini mëson për zhdukjen dhe, siç duket, e ka lajmëruar Azem Sylën, përmes të cilit, lajmi shkon tek Xhavit Haliti, drejtues i sektorit të veçantë të Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Mundësia për të komunikuar me Zahirin, ose më saktë, njëra nga mundësitë, ka qenë Zvicra. Kjo, përmes lidhjes që kishte lënë aty Zahir Pajaziti. “Unë e kam dërguar informatën tek njeriu i lidhur me të, Ismet Abdullahu, thotë Xhavit Haliti, por me sa kam marrë vesh, informata nuk ka shkuar në vendin përkatës”.
Xhavit Haliti ka bërë edhe lajmërimin e Ali Ahmetit, i cili ka pasur lidhjet e dyanshme me Zahirin. Në bisedën e zhvilluar me A.Ahmetin, në vitin 1998, kur ishte ngritur Komisioni i posaçëm për verifikimin e ngjarjes, është thënë nga ai se, “nga ana ime është bërë lajmërimi i Ismet Abdullahit dhe i shokëve të tjerë, dhe kam pasur edhe atëherë mendimin se informata duhej të kishte shkuar tek Zahiri. Ngjarjet ndodhën pastaj shumë shpejt dhe nuk u arrit te kontaktohej më me të”.
Xhavit Haliti:
“Kur është arrestuar Naiti dhe një pjesë e shokëve, katër orë pas arrestimeve jam informuar, meqenëse kam qenë drejtues i sektorit të veçantë. Me shokët e Llapit ne kemi pas divergjenca rreth futjes së Ismet Avdullahut në këto çështje. Zahiri ka qenë trim, ai ka bërë punë të mira, por ka qenë edhe i dekonspiruar. Në orën shtatë ose tetë të darkës jam informuar që është burgosë Nait Hasani. Dhe është kërkuar prej meje që të njoftoj “Abazin”(Ali Ahmetin) dhe përmes lidhjes që kishte në Zvicër Zahiri, ta njoftonim edhe atë. Unë e kam njoftuar Abazin dhe në të njëjtën kohë kam folur edhe me Azem Sylën për çfarë kisha bërë”. (Shënime nga biseda me Xh.Halitin e Komisionit të Posaçëm të LPK-së, ngritur për këtë qëllim).
Ndërsa Azem Syla, në bisedë me të njëjtin komision të posaçëm, ka nënvizuar se “...ndodhi arrestimi i Naitit. Pas dy orëve, nga Prishtina, jam njoftuar unë se është arrestuar Nait Hasani, dhe menjëherë kam porositur që të lajmërohen të gjithë shokët, sido që të jetë e mundur, dhe sidomos kam porositur për linjën e Llapit, se shokët e tjerë, përmes lidhjeve të tjera, kanë pas mundësi të lajmërohen, kurse linja e Llapit ka mbajtur lidhje të drejtpërdrejta me shokët në Zvicër, Abazin (Ali Ahmetin) dhe Ismet Abdullahun. Pra, unë jam njoftuar për dy orë, e kam thirrë Zekën, i kam thënë që të bisedojë me Abazin dhe të lajmërojnë “Ismetin”(pseudonimi i Zahirit). Më vonë kam pyetur se “a janë mirë shokët”, pra a janë lajmëruar shokët. Më kanë thënë se janë mirë, mirëpo kam dyshuar prapë, se më erdhi informata se Zahiri ka disa ditë që po e kërkon në telefon Naitin dhe ky i fundit nuk i përgjigjet. Po e thërrasin e nuk ka lidhje. Këtu edhe mund të dyshoj, se kjo ka qenë edhe një ndër shkaqet e tjera që ka ra në sy Zahiri nga UDB-ja dhe pastaj janë bërë përcjelljet, deri tek vrasja”.
Në të vërtetë, dëshmia e thirrjeve telefonike të Zahirit në numrin e Naitit
nuk është vetëm nga Azem Syla. Si e cilësova, ajo është thënë edhe nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli në materialin e paraqitur në maj 1998.
Megjithatë, për saktësim, mundësia kohore e thirrjeve të Zahirit, nuk ka qenë disa ditore. Për vetë shtjellimin e ngjarjeve ato kanë një kufi maksimal prej dy ditësh, saktësisht që nga ora 16 e 30 minuta e datës 28 janar 1997, kur arrestohet Nait Hasani, deri në orën 16 ose 16 e 30 minuta të datës 30 janar 1997, kur Zahiri do të marrë lajmin e arrestimit të Naitit. Në këto dy ditë, gjithçka rreth Zahirit ka qenë thuajse e shurdhuar, kontaktet me të, nga anëtarët e tjerë të Shtabit Qendror janë ndërprerë,megjithëse në atë kohë ai ndodhej në Prishtinë dhe në mbrëmjen e 29 janarit do të takohej me Edmond Hoxhën, në një lokal tek “Qafa”në Prishtinë. Mirëpo, më 29 janar 1997, asnjëri nga anëtarët e tjerë të Shtabit Qendror nuk ndodheshin në Prishtinë. Ku ndodheshin ata? Rexhep Selimi ishte në Prekaz, Bislim Zogaj dhe Xheladin Gashi ndodheshin në Komoran, ku edhe banonin, Lahi Ibrahim në Dukagjin, ndërsa Sokol Bashota tek miqtë e tij, saktësisht tek Enver Murmullaku.
Edhe nëse e pranojmë si të saktë dhe të vetme dëshminë e dhënë nga Azem Syla, atëherë ajo të çon në pyetjen: përse është përcjellë në dy ditët e fundit Zahir Pajaziti? Por nuk e bën po ashtu të qartë faktin tjetër, se nga e dinte policia e fshehtë serbe rolin, pozicionin dhe aksionet e ndërmarra nga Zahiri. Sepse, nëse Zahiri ka thirr një ose dy ditë radhas në telefonin e Naitit dhe nuk ka marrë përgjigje, do të ishte larg mëndësh se përmes këtyre thirrjeve pa përgjigje, të jenë zbuluar ato që u dhanë në komunikatën e posaçme të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Duke qenë ndoshta njëri nga shkaqet e ndjekjes, nuk është edhe i vetmi, kur për më tepër, sipas mjaft dëshmive, Zahiri ka përdorur rallë dy herë të njëjtin numër telefoni për lidhjet me shokët e lëvizjes ilegale. Nga ana tjetër, në banesën e Zahirit ka qenë i vendosur një numër telefoni fiks, i cili, në një mënyrë ose në një tjetër, është ditur nga anëtarët e tjerë të Shtabit Qendror, ose nga njerëz të lidhur ngushtë me strukturat e këtij shtabi.
Kështu që, sado i drejtë që është konstatimi i A.Sylës, përsëri ndjekja ka qenë më e hershme. Por ajo që është e dukshme, qëndron në faktin se anëtarët e sektorit të veçantë të LPK-së, që ishin njëkohësisht edhe
anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, porsa kanë marrë lajmin e arrestimit të Naitit, kanë vënë në lëvizje të gjithë ata mekanizma që mendonin se do të ishin të vlefshëm. Në një mënyrë ose në një tjetër, linja e sektorit të posaçëm jashtë Kosovës, deri në atë cak që e kishte të mundshme, ka vënë në veprim strukturën e saj, dhe në këtë rast, megjithëse nuk e kishin dëshiruar, struktura e tyre shkonte deri tek njeriu i Zahirit në Zvicër, Ismet Abdullahu.
Linja jashtë Kosovës ka pasur këtë rrjedhje: Informimi i parë, Xheladin Gashi, njeriu i parë në strukturat e luftës që mëson arrestimin, pastaj Azem Syla – Xhavit Haliti – Ali Ahmeti – Ismet Abdullahu (njeriu i Zahirit, jashtë strukturave të luftës) dhe nga ky i fundit në Kosovë, në një adresë të paditur për të tjerët. Sipas dëshmive, deri tek Ismet Abdullahu linja ka funksionuar, më tej asgjë nuk ka qenë e verifikueshme.
Pra, në linjën jashtë Kosovës, për të arritur lajmi tek Zahiri është dashur të kalojë, më së paku, përmes 6 kanaleve, ose përmes 6 stacione të dy linjave, të dy kanaleve të ndryshme. Rrugë e gjatë. Në pasditet e fundit të janarit 1997 kjo rrugë do të ishte edhe më e gjatë se zakonisht.
Në ditën e 31 janarit 1997, rreth orës dymbëdhjetë, në takimin e tij të fundit me shokët, sipas dëshmisë së Isak Shabanit, i gjykuar dhe dënuar më pas me dhjetë vite burgim, në të njëjtin gjykim me Nait Hasanin, Zahiri i informoi se “ishte burgosur një shok i tij me shumë rëndësi, por nuk besoj se do të rrezikohemi, pasi është një njeri shumë i vendosur”.
Pastaj ai urdhëroi disa nga shokët e tij, mes të cilëve edhe Ilir Konushevcin, të cilët kishin marrë pjesë në atentatin e organizuar ndaj rektorit të dhunshëm serb të Universitetit të Prishtinës, që të kalonin në ilegalitet të thellë, të paktën për disa kohë. Ai shkon edhe më tej se kaq, duke u caktuar edhe disa nga bazat ku do të strehoheshin. Nuk duhet harruar se është data 31 janar dhe kishte tashmë shumë ditë që kishte filluar vala e madhe e arrestimeve.
Pra, për të gjithë pjesëtarët e Grupit Operativ të Llapit, sidomos të njësiteve të saj në Prishtinë, posaçërisht të njësitit “Kobra”, ishte e qartë se ngjarjet po zhvilloheshin me shpejtësi dramatike dhe se ishin
para një goditje të ndjeshme të pushtetit serb. Ajo që nuk pritej, sepse kishte qenë e pabesueshme, do të qëndronte në vrasjen e Zahirit. Pa asnjë dyshim, në vetëdijen e tyre, Zahiri kishte qenë i paprekshëm.
Ndërsa Edmond Hoxha ka ditur për arrestimet masive që po ndodhnin, sidomos në radhët e lëvizjes studentore. Duke qenë vetë student, për më tepër i organizuar në lëvizjen ilegale, ai ka ditur më shumë se kaq. Edmondi, sipas dëshmisë së motrës së tij, ka ditur dhe e ka pritur se fushata e arrestimeve do të shtrihet më tej në lëvizjen studentore. Ka ndjerë rrezikun e arrestimit të tij, është përpjekur të shoshitë dhe të marrë informata për gjendjen e krijuar në Junik dhe në Prishtinë. Në të njëjtën kohë ka qenë i vetëdijshëm se mund t’i ndodhte të vritej.
Më 24 janar 1997, paradite, Edmond Hoxha thërret ne telefon tek tezakja e tij, Safete Hadërgjonaj, që ishte e lidhur ngushtë me lëvizjet ilegale. E porosit t’i thotë Beqës që të shkojë në Junik për të marrë vesh se mos ka pasur kontrolle policore në shtëpinë e tij. I thotë se ata të shtëpisë nuk duhet të dinë gjë rreth kësaj çështje, por as nuk duhet të dinë se kush e ka dërguar Beqën atje, sepse do të frikësohen. Të nesërmen, më 25 janar, ai telefon përsëri, dhe pasi informohet se në shtëpinë e tij nuk ka asgjë të re, pra nuk ka pasur kontrolle policore, ndjen një farë lehtësimi. Kjo është telefonata e fundit me Safete Hadergjonajn, por edhe e dhëna e parë e mendimit të tij për çfarë mund të ndodhte.
E dhëna tjetër vjen nga e motra, Lumja, dhe është më e afërt në kohë me ditën e betejës së tyre të 31 janarit. Kjo ndodh një ditë përpara, më 30 janar, afërsisht njëzet e katër orë para vrasjes.
Në orën 16 e 30 minuta të 30 janarit 1997, Edi shkoi në shtëpinë e motrës së tij. (Rastësisht është e njëjta kohë kur Zahir Pajaziti merr telefonatën e parë nga Bislim Zogaj – shënim i autorit).
Ajo kujton:
“Filluam të pimë çaj dhe Edi foli si me vete: “Rrezik është”.
– E pse po thue ashtu?
– Ah Lume, situata është e vështirë, i kanë burgosur disa djem dhe mund të burgosin të tjerë. Pastaj iu drejtua Nevruzit (dhëndrit – shënim i autorit), duke u ruajt prej meje se mos e dëgjoj se a m’i mban dy shokë për disa ditë, pasi duhet të ruhen.
Ky reagoi më të madhe: “Pashë zotin mor Edi, jo dy, por sa të zënë kjo shtëpi, i mbaj”, dhe e drodhën fjalën që të mos kuptoja unë”.
Shqetësimi i tij ka qenë i natyrshëm: ai ka ndjerë goditjen, por njëkohësisht ka menduar edhe për kundërgoditjen. Duke qenë pjesë e luftës, këtë kundërgoditje ai mund ta bënte vetëm përmes luftës. Një gjë të tillë ata kishin vendosur ta bënin në mbrëmjen e 4 shkurtit 1977, ditën e martë, në disa pika të Kosovës. Fillimisht ishte menduar për organizimin e aksioneve, në disa pika njëherësh, më 2 shkurt, ditën e diel. Fjalët e fundit, që Edmond Hoxha i ka thënë para se të ndahej motrës së tij, të enjten e 30 janarit, rreth orës 19, janë krejtësisht të sakta: “Lume ke me ja ndie krismën në këto dy ditë, por mbylle derën se po bën ftohtë e mërdhet”. Ishte pragu i ndarjes së tyre, ai ishte duke zbritur shkallëve, duke shikuar pas dhe duke çuar dorën lart si përshëndetje. I tillë ka mbetur ai në kujtesën e motrës së tij. Nuk besoj se mund të ketë kujtesë më të bukur.
Hakif Zejnullahu, po ashtu, ka ditur për arrestimet. Si njeriu që zëvendësonte Zahirin, kur ai nuk ishte në Kosovë, dhe që kishte qenë ndër drejtuesit kryesorë në atentatin ndaj rektorit serb të Universitetit të Prishtinës, ultranacionalistit Papoviq, Hakifi e dinte po ashtu se vala goditëse e policisë serbe mund të vinte deri tek ai, pasi, në një mënyrë ose në një tjetër, makina që kishte shërbyer për atentatin ishte e lidhur me njerëzit e grupit ilegal të Prishtinës, sidomos me Ilir Konushevcin.
Faktet e mëvonshme do të tregonin se ai kishte pasur të drejtë, por jo për kohën kur kishte filluar survejimi i tyre. Fotografitë që ju treguan Nait Hasanit, kur ishte i arrestuar, të cilat ishin të realizuara me teleobjektiv, në vende të ndryshme, zakonisht brenda Prishtinës, në rrugët apo në lokalet e saj, do të dëshmonin se ndjekja kishte qenë më e hershme se janari i vitit 1997. Të paktën disa muaj më e hershme.
Lidhur me faktin, nëse kanë pasur dijeni apo jo, se më 28 janar është arrestuar Nait Hasani, është prononcuar edhe Xhavit Hoxha, vëllai i Edmondit. Prononcimi i tij është bërë në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, dega jashtë vendit, 10 maj 1998, kur, së bashku me këtë çështje, janë ngritur edhe probleme të tjera të mprehta.
Xhavit Hoxha:
Këta të tre janë anëtarë të UÇK-së, që dikur kam thënë “ishalla më bën zoti e i njoh”. (Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm merrnin pjesë edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Qerim Kelmendi, në emër të organizatës brenda vendit– shënim i autorit ). Ta dini se unë këtyre ju besoj më shumë. Që të treve, se për fjalë e llafe jemi kah ja bëjmë sikur ajo meselja që është, dmth sit e ngjesh ujë e zallë kurrë nuk bëhet bukë. E këta janë kah ja bajnë sitë miell, ngjesh ujë e miell dhe janë tue e ba bukën. Kërkoi që të kuptohet drejtë kjo, mos të shtrembërohet, mos të ngjesim bishta dhe të mos na dalin fjalët.
Në rast se dëgjohet ndonjë shok i yni për akuzë, që unë nuk e marrë për akuzë, por si keqkuptim, që dikush, prej shokëve, ka dorë në vrasjen e djemve, ai do të ketë punë me mua. Ka gabime pune, e dihet mirë se kush i ka vra. Unë e di se këta te tre, që janë në këtë sallë, ja kanë marrë hakun shokëve që i ka vrarë serbi. Prandaj, mos të biem në atë që, dikush që i ka nxjerrë, është prej nesh. Largohuni asaj. Kërkush nuk guxon të përhapë kësisoj ideje. Po bëra dhe e dëgjova unë një, ai do të ketë punë me mua.
Kërkohet përgjegjësi ndaj njerëzve që janë të ngarkuar me përgjegjësi, për gabimet që janë bërë, për lëshimet që mund të bëhen, për përzierje të kompetencave, për ndërhyrje të sektorit në sektorin tjetër, aty të japin llogari dhe të intervenohet nga kryesia që të ndërpriten ato, të bien punët në binarë. Të ketë çdo njeri përgjegjësi për atë që i është ngarkuar. Nëse bëhen gabime, të korrigjohen ato.
Është bërë ndërhyrje nga njëri sektor në tjetrin, një lloj bajraktarizmi dhe qëndron ajo që tha Bedriu (Islami) se, një njeri, cilido qoftë, nuk mundet me i mbajt në dorë të gjitha. Të ndahen detyrat, të shpërndahen punët, të ndahen përgjegjësitë dhe të kërkohet përgjegjësi.
Njerëzit janë vra, mund të jenë bërë lëshime, për ato mund të merren në përgjegjësi, jo të interpretohen ndryshe.
Po e nis prej së parës, nëse ka pasur dekonspirim, me qëllim apo pa qëllim, dhe si erdhi deri tek vrasja. Shtrohet sot pse nuk janë informuar në rastin e burgosjes së Naitit e burgosjeve të tjera që kanë filluar që me 25 janar.(1997)
Definitivisht e kam thënë. Unë e kam dëgjuar Dajën (Azem Syla) të thotë që u burgos Nait Hasani. Bashkë me shokë në Winterthur kam thirrë në telefon doktor Xhevat Hasanin, se mos është vëllai i tij. Dmth., çdo njeri që ka dëgjuar lajmet e ka ditur se më 28 janar është arrestuar Nait Hasani. E para, pasi që unë e kam ditur në Zvicër, me gjithë ata shokë që i kam në Winterthur, si nuk e kanë ditur ata? Shtrohet pyetja
se, ata ndoshta nuk e kanë ditur, se është punuar me pseudonime ose diçka tjetër.
Unë e di tash se Zahiri ka bërë disa hulumtime, e di edhe si i ka bërë, dhe e ka ditur se kush është Nait Hasani. Unë e kam vërejtjen pse është lënë me e lajmëru Zahirin dikush në Gjakovë, ata djem në Gjakovë kanë qenë më larg, në pikëpamje gjeografike, se të tjerët, me Llapin apo Prishtinën. Pse Shtabi nuk ka vepruar bashkë e me i informu? E kanë ditë që të tre se është arrestuar Naiti, sipas dëshmisë që më ka thënë Avni Ajeti, domethënë e kanë ditur që më 30 janar 1997. E pastaj, ditën e 31 janarit ata kanë shkuar që në orën 9, janë takuar me njëri tjetrin. Nëse është dhënë urdhër që tre djemtë të tërhiqen, pse nuk është zbatuar ai urdhër? Nuk e di në është dhënë ai urdhër. Nuk është burgosë vetëm Naiti, janë burgosë edhe shumë të tjerë, që i kanë ditur gjërat. Njeriu, kur të burgoset, nga torturat e mëdha, edhe dalin gjërat. Prandaj jam kundër që akuza për vrasje të jetë këtu, fjala është tek përgjegjësia. Prapë se prapë ata e kanë ditur se Naiti është burgosur. Tashti është fjala se Zahiri ka qenë i përcjellur, e ka pranuar edhe ai vetë që është i përcjellur. Por unë më së shumti e ngarkoj me përgjegjësi Kryesinë, sektorin, Shtabin e Përgjithshëm. Pse është lejuar, që në mes të sektorit të posaçëm, kryesisë dhe shtabit, pse është lejuar që mes tyre të jenë njerëz që nuk i kanë takuar as UÇK-së dhe as Lëvizjes. Ai është Ismet Avdullahu, e dinë edhe të tjerët që ai i ka ditur gjërat, e ka ditur edhe se Edi është vrarë, kur unë nuk e kam ditur, megjithëse vëllai i tij, e ka ditë më mirë se vetë ne. Nganjëherë, edhe njerëzit në rrugë kanë ditur më shumë se Këshilli i Përgjithshëm”.
Askush sot nuk mendon se gjithçka ka qenë e rastësishme, se rënia e tyre në pritë ishte një rast fatkeq e fatkob. Vitet, që kanë shkuar, e kanë bërë këtë vrasje të trefishtë, e para e këtij lloji në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe më të dhimbshme, sepse kohës që erdhi i mungoi fjala, autoriteti i tyre, por njëkohësisht e kanë bërë edhe më dyshuese.
Ndodh nganjëherë, që në një organizëm ilegal, luftarak, i cili është në formësim dhe strukturim e sipër, të ndodhin edhe prita të rastësishme, të ketë nga ato raste, kur e keqja është e pa llogaritur, dhe rënia, më shumë se gjithçka tjetër, të jetë një nga rastësitë e shumta të jetës. Por në këtë vrasje të trefishtë nuk është e njëjta gjë. Duke qenë e dhimbshme, ajo ka zgjuar pikëpyetjet e veta, të cilat, herë janë fashitur
dhe herë janë rizgjuar, por që kurrë nuk kanë reshtur.
Sidoqoftë, në momentet e 28 janarit, një ditë më para dhe ditët e më pasme, unë mendova të rikthehesha edhe një herë, sepse, si është thënë me të drejtë, është tepër e nevojshme të dihet se ku ishin ata dy ditë para, kush ishte me ta, me cilët ishin në ditën e 30 janarit, çfarë ndodhi në pasditen e dy ditëve më parë etj.
Nga të gjitha burimet e mundshme, më të besueshmet janë ato të njerëzve që në një mënyrë ose në një tjetër kanë qenë të lidhur me to. Disa prej tyre do i sjellim më pas. Ndërsa njërën dëshmi, ndoshta është më e vlefshme, do ta sjellim tani.
Do e sjell në mënyrë autentike, ashtu si është e shkruar, pa ndryshuar asgjë, vetëm disa gabime gjuhësore të korigjuara.
“Një natë më parë kishte ndodhë arrestimi i Naitit, orën e saktë nuk e di. Sokol Bashota (“Mustafa”) dhe Burim Marmullahu (“Dervishi”) nuk na kishin lajmërua atë natë, as mua e as Adrian Krasniqin, që ishim bashkë në një banesë. Ne e kishim telefonin fiks të shtëpisë. Ishin, pra, mundësitë. Lajmërimi është bërë të nesërmen, diku kah ora 11 e ditës. Kur thirri Burimi, u çudit qysh jemi hala andejpari. Na thanë se ishte arrestue “Abazi”(Naiti) dhe se duhet të iknim. Pyeta për “Ismetin”(Zahirin). Më thanë se po merret dikush me atë punë, por ikni.
Pak më herët, diku në një mëngjes, jo edhe aq herët, kërcasin dyert e hekurit, si plumbat e pushkës. Baca Sadik, në banesën e të cilit ishim, del e pyet se kush është. I thonë se jemi ne të strujës (energjisë elektrike).
Baca Sadik hap derën dhe u thotë “se çfarë po doni ju, kur pardje kanë qenë orëmatësat dhe dje kam shkue e kam pague faturën”.
Ata, si inspektorë me përvojë që ishin, një herë u stepën, por veç pak, dhe dikur njeri tha se “po shikojmë se mos kanë bërë ndonjë gabim shokët tonë”.
Unë dhe Adriani e kuptuam se janë punëtorë të SUP-it dhe i bëmë gati
armët për zjarr.
Pasi shkuan ata, nuk jemi shqetësuar deri në atë shkallë, sa që të humbnim drejtpeshimin. Provuam, disa herë, ta thërrasim Zahirin, në numrin e tij të telefonit në shtëpi. Aty nuk lajmërohej kush. Jemi vonuar ca, gjithnjë me shpresën se mos do të lajmërohet dikush në telefonin e Zahirit, por kot. Dikur e pamë se po vonohemi tepër, vlerësuam se ishim në rrezik, të dy ishim ilegalë e kërkoheshim, dhe shkuam pa panik, por të gatshëm edhe për ndonjë flijim. Ju kemi shmangur atij vendi, ku ishte bërë kontrolli. Kemi ecur nëpër rrugët e Prishtinës, (...), të fryer në bark nga automatiku “skorpion”, pistoleta dhe bombat, kemi vajtur në stacion të autobusit. Morëm autobusin për në Klinë. Nga Klina, në këmbë, jemi nisur për në binarët e trenit, në drejtim të fshatit Dush, tek djali i mixhës së Burimit, pra tek Enver Murmullahu.
Aty kemi gjetë Sokol Bashotën, që ishte edhe dhëndër i Murmullahëve, Burimin dhe Enverin.
Si kemi hyrë, menjëherë na kanë pyet, se si patët guxim për me shkua deri aty. I treguam. Më thanë se krejt qyteti i Klinës ishte i mbushur me milicë. I thamë se nuk i kishim pa. Pastaj i thashë:
– Lere or shok se qysh erdhëm, po a e keni lajmërua “Ismetin”. Nuk i thashë Zahirin, sepse, veç meje, Zahirin askush nuk e njihte me emrin e tij. Mendoj se, në atë kohë, as Sokoli nuk e ka ditur emrin e saktë të Ismetit. Më thanë jo.
– E pse jo, si është e mundur?
– Nuk kemi pas mundësi.
– Pse nuk keni pas mundësi?
– Është e vështirë me dalë deri në Klinë. Është rrezik për mua, se me njohin, m’u përgjigj Sokoli.
– Në qoftë rrezik për ty e deri diku për Burimin, për Enverin nuk është rrezik. Këtë askush nuk e njeh, e nuk i shkruan në ballë se kush është.
– Sot nuk ka mundësi – ua arsyetuan..
– Qysh more nuk ka mundësi, a jeni në mend a jo?
Dikur Sokoli më tha se “shkoni ju se do ja bëjmë diqysh dhe e kryejmë atë punë”.
Atë natë askush nuk u gërzhit, nuk u trazua pra, për ta lajmëruar Zahirin. Hallin më të madh e kishin se si me na largua ne. Dhe vërtet u
larguam. Na shoqëruan deri në gjysmë të udhës, deri në Poterrq. Aty Adriani kishte një njeri të gjakut të vet dhe ai me makinë na afroi deri në Zahaq, aty trup e 600 metra më tutje i ramë në konak, e kujt tjetër në anën e Pejës, pos Sylë Kadriut, babait të shokut tonë të ndjerë, Arben Kadriut, që kishte qenë shok i ngushtë i Adrianit dhe i imi dhe ishte vrarë aksidentalisht, duke u ushtruar me armë.
Sipas kësaj dëshmie, me 29 janar, një ditë pas arrestimit në Naitit, në afërsinë e banesës së Zahirit ose ku mendohej se strehohej ai, ishte bërë vëzhgimi i parë nga forcat speciale serbe. Ndërkohë, më 30 janar ndodh arrestimi i Asllan Selimit. Tashmë loja ishte hapur edhe në familjet e drejtuesve kryesorë të luftës, siç ishte Rexhep Selimi, i cili ndërkohë ndodhej në ilegalitet prej disa kohësh. Është i fundmi nga anëtarët e Shtabit Qendror që do të mësojë arrestimin e Naitit, mendoj se, përmes së njëjtës linjë që e kishin mësuar edhe anëtarët e tjerë të Shtabit Qendror, përmes Xheladinit dhe linjës së tij. Rexhepi, në ditët e fundit të janarit 1997 do të ishte në Drenicë dhe sidomos në Prekaz.
Bislim Zogaj ndodhej po ashtu në fshatin e tij. Xheladini do të merrte, po ashtu, rrugën e shtëpisë së tij në Komoran, ku do të arrestohej nga milicia serbe, i biri i tij, Iliri.
Të tjerë, të lidhur me ngjarjen, nuk kishte. Linja ishte mbyllur. Mbeteshin para edhe dy ditë, 29 dhe 30 janari. Edhe më 30 janar paradite, të gjitha do të ishin të mbyllura.
Jam i bindur se, më shumë se gjithçka, është menduar se në këtë rast ka funksionuar linja e Llapit, jashtë Kosovës, siç kishte ndodhur edhe në disa raste të tjera. Koha do të dëshmonte se, ndërsa linja brenda Kosovës filloi të funksionojë më 30 janar 1997, pasdite, linja tjetër kishte humbur diku mes arsyeve që askush nuk mund t’i merrte me mend.
Edmond Hoxha ndërkohë ndodhej në Prishtinë. Ai kishte disa ditë që ishte kthyer nga vendlindja, Juniku. Udhëtimin e kishte bërë me dhëndrin e tij dhe ky do të ishte udhëtimi i tij i fundit nga Juniku drejt Prishtinës. Kjo do të jetë edhe ndarja e tij e fundit me prindërit, megjithëse askush nuk do e dinte. Pas 21 janarit, edhe tek ai kishin filluar shqetësimet e para, gjë që ishte e kuptueshme. Jo vetëm sepse kishin filluar arrestimet masive, por edhe i duhej të vendoste lidhjet, që
për një moment ishin shkëputur. Ka ende dyshimin se mos është nën survejimin e policisë serbe. Janë ditë të trazuara për të. Jam i bindur se ai nuk e ka njohur Nait Hasanin, por edhe nëse e ka njohur si student, si ish i burgosur politik apo thjeshtë nga pamja impozante e Naitit, ai kurrë nuk do e kishte marrë me mend se pas tij qëndronte “Abazi”. Ai kishte njohur një “Abaz”tjetër, Ali Ahmetin, por edhe këtë si mik dhe shok i vëllait të tij, Xhavitit. Kështu që edhe nuk ka pasur mundësi të dijë për kidnapimin e tij më 28 janar.
Fakt është se po atë ditë, pikërisht më 28 janar, ai do të priste një nga shokët e tij të Grupit të Gjakovës, që ishin në lidhje me Linjën e Llapit, Astritin, do të bënte një bisedë të gjatë me të për luftën dhe për qëllimet e së ardhmes, do i bënte konak në dhomën e tij, ku nuk ishte vetëm, dhe ku shpesh, me sinqeritetin e njohur të tij, do të bënte një “dekonspirim”. Kur po hynin në banesën e Edmondit, ku prej disa kohësh jetonte me qira, ata ranë dakord, që për hir të konspiracionit, shoku i tij të thirrej me emrin Besim. Mirëpo, herë pas here, edhe nga që ishte i qetë në praninë e shokëve të tij, të gjithë të besuar, disi e harronte “marrëveshjen”dhe e thërriste në emrin e tij të vërtetë, Astrit. (Dëshmi e Astrit Jakupit dhënë autorit më 12 maj 2007)
Për arrestimet e tjera Edmondi ka ditur. Ka ditur, po ashtu, edhe për goditjet që mund të jepeshin në linjën ku bënte pjesë, ndaj, ky është edhe shkaku që i kërkon dhëndrit të tij “të bëjë konak për dy shokë që rrezikohen”.
Arrestimin e Naitit, jo me emër, por si “një shok me rëndësi”, ai e ka marrë vesh pas takimit me Zahirin, në orët e para të paradites së 31 janarit. Edhe nëse do të ketë dëgjuar më parë për arrestimin e Nait Hasanit, si student, albanalog apo ish i burgosur politik, ka qenë e vështirë të bëhet lidhja mes studentit dhe koordinatorit të luftës në Kosovë. Nuk ka pasur asnjë mundësi tjetër, pasi, në takimin që ka pasur me Zahirin, në një lokal tek Qafa, në Prishtinë, ata kanë biseduar për probleme krejt të tjera. Në takimin e bërë, në orët e mbrëmjes së 29 janarit, Zahiri dhe Edmondi nuk kanë folur për asnjë lloj arrestimi të rëndësishëm, por për diçka krejt tjetër, çka fillon edhe qëllimin e udhëtimit të tyre me 31 janar. (Dëshmi e dhënë për takimin e 29 janarit, njëkohësisht nga Astrit Jakupi dhe Ilir Kastrati).
Në këtë bisedë do të kthehemi tek enigma e njohjes.
-
-
KRONIKA E NJË KOMISIONI TE POSAÇËM
Dyshimin se rënia e tyre nuk ka qenë e rastësishme, e kam dëgjuar për herë të parë nga Hashim Thaçi, në njërën nga mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Duke qenë se ai ishte vetë njëri nga drejtuesit e lëvizjes ilegale çlirimtare, atë e brente dyshimi se mos kishte ndodhur rrjedhje nga radhët e organizuara.
Në materialin e tij, të përgatitur në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në prill të vitit 1998, mes të tjerave, Hashim Thaçi do të nënvizonte se “Si pasojë e vëzhgimeve të shërbimit të sigurimit serb, brenda dhe jashtë, dhe duke përfituar nga argumentet e lartpërmendura, në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit, ndodhën arrestime në radhët tona. U arrestuan disa shokë. U vra Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu dhe më vonë, u mbyt në tortura, Besnik Restelica.
Kërkojmë nga kryesia e degës së LPK-së jashtë vendit, të sqarojë se kur dëgjuan për këto arrestime dhe sa arritën të informojnë shokët. Argumentet dhe kundërargumentet të diskutohen hapur dhe në mënyrë konstruktive, për hir të punës, të luftës dhe të gjakut të dëshmorëve. Këtë ua kemi për detyrë dëshmorëve që të sqarohet, sepse Zahir Pajaziti nuk u informua nga dega e lëvizjes jashtë vendit, konkretisht nga Ali Ahmeti, për arrestimin e Nait Hasanit, sepse është një e dhënë se Zahir Pajaziti u informua për arrestimin e Naitit, dy ose tri orë para se të nisej për rrugë...”.
Si u dëshmua më pas, kjo e dhënë në materialin e paraqitur nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, ishte vetëm pjesërisht e saktë. Tashmë dihet se Zahiri, në linjën brenda Kosovës, mori informacionin 24 orë para vrasjes së tij, saktësisht 24 orë. Por që ishte njëkohësisht, po ashtu saktësisht, 48 orë, pasi kishte ndodhur arrestimi i Nait Hasanit. Dihet po ashtu, se në janarin e vitit 1997, lidhjet mes Ali Ahmetit dhe Linjës së Llapit nuk ishin të drejtëpërdrejta, por nëpërmes një të treti, Ismet Abdullahut, i cili, aq sa ishte kontestuar nga strukturat e LPK-së ose të UÇK-së, po aq qëndronte në linjë.
Fakti se Lëvizja kishte pasur disa herë goditje të rënda, njëra prej të
cilave në vitin 1993, kishte qenë ndër më të rëndat, dhe ishte analizuar gjerësisht në strukturat drejtuese të organizatës, kjo mund të sillte dyshimin, nganjëherë të natyrshëm, se e njëjta gjë mund të ndodhte përsëri. Nëse do të kishte qenë kështu, pra nëse rrjedhja do të kishte qenë nga brenda radhëve, atëherë duhej bërë kujdes i jashtëzakonshëm, pasi në kohën kur është ngritur me forcë ky dyshim, lufta kishte filluar dhe vetëm mendimi se brenda radhëve mund të kishte bashkëpunëtorë të shërbimit të fshehtë serb, do të kishte qenë tmerrësisht i dëmshëm, pa folur pastaj për tjetrën, nëse do të kishte qenë e vërtetë. Hashim Thaçi kishte qenë njëri ndër drejtuesit e organizatës, të cilët, në takimet e tyre në vitin 1993 dhe 1994, kanë analizuar gjerësisht shkaqet e arrestimeve të ndodhura pas Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme të LPK-së.
Për të saktësuar të vërtetën rreth kësaj ngjarje, sidomos në përgjigjen e pyetjes nëse kishte pasur rrjedhje nga radhët e organizuara, nga Këshilli i Përgjithshëm i LPK-së, dega jashtë vendit, është ngritur një komision i veçantë pune, në përbërje të të cilit ishin Bedri Islami, Kryetar i Organizatës dhe kryetar i komisionit, Sejdi Gega, anëtar i kryesisë dhe Naser Idrizi, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm. Para këtij komisioni, veç të tjerave, janë ngritur edhe pyetjet: Çfarë qëndron pas vrasjes së trefishtë në Pestovë? Cila ka qenë mundësia e tradhtisë dhe e prerjes në besë të tyre? A kanë ditur të ruajnë konspiracionin e domosdoshëm në një luftë ilegale vetë drejtuesit dhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sidomos në Prishtinë, në Llap dhe në Pejë? A është e mundur që të jetë gjithçka pronësi e përgjimit të zakonshëm të bisedave telefonike apo ka diçka më shumë se kaq? A mund të ishim para një sprove të ithët se gjurmimi kishte qenë ndryshe nga sa mendohet, ka qenë, thënë haptas, mbi bazën e një ose disa denoncimeve, të cilat, si çdo lloj denoncimesh në botë, kanë edhe denoncuesit e vet. Si është shkuar drejt një pikëvrasëseje...
Komisioni i posaçëm, të cilit për probleme të veçanta dhe në kohë të veçantë iu bashkuan edhe Ramiz Lladrovci dhe Xhevat Bislimi, që të dy anëtarë të KP të LPK-së, për të ju përgjigjur këtyre pyetjeve dhe çështjeve të tjera që janë shtruar në atë kohë, mblodhi materialet e dërguara me shkrim nga Emrush Xhemajli, Muhamet Kelmendi, Ramadan Avdiu, Adnan Asllani, Ibrahim Kelmendi, etj. U regjistruan takimet me Fazli Veliun, Ali Ahmetin, Bilall Sherifin, Xheladin Gashin, Adnan Asllanin, Ramiz Lladrovcin, Shaban Mujën, Gafurr Elshanin, u
bënë biseda me Fehmi Lladrovcin dhe Shaban Shalën, janë zhvilluar biseda dhe incizuar me Xhavit Halitin– “Zekën”dhe Azem Sylën, “Daja i vogël”, janë bërë takime të veçanta me Hashim Thaçin, Bardhyl Mahmutin, Jashar Salihun, janë konsultuar materiale arkivore të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës, letrat e Ilir Konushevcit, sidomos, letra e tij e nëntorit 1997 dhe e 8 majit 1998, pra një ditë para se të vritej; letra e Abedin Rexhës dhe e Rexhep Selimit, një material i paraqitur nga Qerim Kelmendi– “Dema”, dërguar për komisionin e posaçëm, si dhe materiale të tjera. Të gjitha këto materiale vazhdojnë të jenë në arkivin e organizatës.
Përse u bë e domosdoshme ngritja e një Komisioni të tillë, ndoshta, më shumë se gjithçka, e trajton në prononcimin e tij, bërë pikërisht për këtë Komision, Xhavit Haliti:
Kryesia ka përgjegjësinë e saj, përfshirë edhe mua, që nuk kemi qenë në gjendje të bëjmë analizën e duhur, të domosdoshme, në praninë e atyre që kanë qenë në ngjarje ose rreth saj, qoftë në grupin e shokëve që kanë dashur të futen brenda, me mbledhë deklaratat e secilit dhe të mos mbesë puna që Ramizi ta trajtojë në mënyrën e vet, unë në mënyrën time, Abazi në të veten, Azemi në të veten, Hashimi po ashtu, dhe më vonë të kemi përplasje, a thua se jemi kundërshtarë e jo më miq e shokë,shokë lufte. Sikur të ishte bërë kjo në kohë, dhe unë kam qenë e jam që të bëhet, unë do e kisha marrë përgjegjësinë vet,ashtu siç kishte me dalë edhe përgjegjësia e të tjerëve. Çfarëdo dënimi kisha qenë i gatshëm me marrë, vetëm që të mos ndodhnin këto sende. Por ideja me e ruajt figurën e pastër, të njërit apo tjetrit, për mos me pas njeri të gabueshëm kurrë, këmbëngulja se nuk kemi gabuar në asgjë dhe se nuk kemi asnjë të metë, solli edhe në këtë gjendje. Ata që kanë punuar unë do t’i mbroj, edhe ata që do të punojnë,do t’i mbroj. Kjo është e imja. Ka shumë ngjarje, ka shumë gjëra që mund të trajtohen e të diskutohen, të diskutueshmeve duhet t’u bëhet analizë dhe të ketë konkluzione...
Meqenëse nuk e kam bërë asnjëherë publikisht, unë gjej rastin të dëshmoj punën e mrekullueshme që kanë bërë Naser Idrizi dhe Sejdi Gega, me grumbullimin e materialeve, përqasjet dhe përdallimet, takimet që kanë organizuar, analizat dhe përvijimin e të dhënave, kontaktet e ndërmarra, udhëtimet, si dhe ndihmën që u është dhënë nga Xhevat Bislimi dhe Ramiz Lladrovci. Vazhdoj të mendoj se puna e
tyre ka qenë e një rëndësie të jashtëzakonshme, pasi, nga konkluzionet që do të përcaktoheshin, do të kishte ndërtime strukturore ose ndalime stukturore në të ardhmen. Ndoshta kjo ka qenë një nga periudhat më kritike të organizatës.
Konkluzioni i Komisionit të posaçëm, i miratuar pastaj në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, në qershorin e vitit 1998, me disa shkurtime, do të jepet në vazhdimin e kapitullit të Enigmës së vrasjes.
Por mund të thuhet se përgjimi i Zahirit ka qenë sigurisht shumë më i hershëm se fillimi i janarit i vitit 1997. Kthimi i Zahirit në Kosovë, më 20 janar të këtij viti, hyrja e tij në Prishtinë një ditë më pas, bëhej në pikun e përgatitjeve të mëdha të shërbimit të sigurimit serb për valën e madhe goditëse të arrestimeve. Në dhjetë ditë, Zahiri nuk mund të kishte folur me askënd, aq të besuar, sa që mund të tregonte dëshminë e tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përkundrazi, ai ka qenë shumë i heshtur. Shumë trim, shumë i heshtur dhe shumë i vendosur. Tek këto do të kthehemi më vonë. Ky ishte fillimi i kapitullit të enigmës së vrasjes. Tek ky kapitull do të kthehemi edhe në fund të këtij libri.
-
-
ENIGMA E MOHIMIT...
E para ishte fjala, thuhet në librat e shenjtë.
Enigma e parë ishte mohimi – kjo do të ishte çshenjtërimi i fjalës.
Nuk e di, dhe besoj se askush tjetër nuk mund ta dijë, nëse ka edhe ndonjë shembull tjetër, sidomos në pjesën evropiane të botës, që mohimi të jetë ngritur në një shkallë të tillë, jashtëzakonisht të egër, tmerrësisht cinike dhe jashtë mendjes shpifëse, siç ka ndodhur në rastin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky ka qenë një mohim i pashembullt, i filluar që para se të nisnin aksionet e para dhe, jo rrallë, deri më sot. Mohim total, përzier bashkë, urrejtja patologjike ndaj asaj që dukej se ishte “jashtë kontrollit institucional”dhe dhuna e shpifjes në të gjitha përmasat e saj. Përbaltimi, i cili vazhdon edhe sot, përgojimi, i cili jargavitet edhe tash,
zezimi i asaj që duhej të vinte, mosmirënjohja deri në palcën e gjërave– të gjitha bashkë përmbledhin atë që sot mund të përbëjë enigmën e jashtëzakonshme të mohimit. Dhe nga mohimi deri tek denoncimi, jo rrallë, është vetëm një ndarje e vogël. Në këtë rast, jo rrallë kjo ndarje nuk ka ekzistuar, çka do të thotë se krahas mohimit ka pasur edhe denoncim. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.
Kam pyetur që ditën e parë: përse ndodh e gjithë kjo, çfarë ishte kjo llavë helmi, ndaj atyre, që në fund të fundit, në rastin më të largët, nuk do të ishin asgjë tjetër veçse disa njerëz, të cilët nuk pranonin të rrinin “urtësisht të bindur”ndaj dhunës serbe; ndërsa në rastin më fatlum, ashtu si edhe ndodhi, do të ishin dalzotësit e Kosovës? Si do të ishte e mundur që mendja njerëzore të kishte pasur kaq shumë llum brenda vetes dhe të shpërndante copëra të mëdha të këtij llumi në mendjet e njerëzve, që donin të besonin? Të ketë qenë vallë vetëm një rastësi?
“Bajrakun”e mohimit, si edhe në raste të tjera, që lidheshin me revoltën dhe qëndresën, e mori Lidhja Demokratike e Kosovës. Dhe asgjë nuk filloi nga poshtë, nga mosnjohja ose nga mosperceptimi. Gjithçka rrodhi nga sipër. Nga Velania ose barakat ku ishte selia e LDK-së, gjithçka rrodhi poshtë. Ashtu si përrenjtë e turbullt që vijnë gjithnjë nga lart.
Asgjë nuk ishte e rastësishme dhe po ashtu, jo e gjitha mund të thurej në mendjen e lodhur nga pijet të një njeriu të vetëm. Më shumë se e lindur nga brenda, enigma e dhunës së mohimit, ishte një ardhje nga jashtë Kosovës. Nga erdhi kjo dhunë mohuese, kush dhe përse e solli, përmes cilave kanale, kush ishin mesazhet dhe bartësit e tyre, çfarë lidhjeje ka mes deklaratave të njëjta që dilnin nga selia e Akademisë Serbe të Shkencave deri tek barakat e Velanisë në Prishtinë? Cila ishte e përbashkëta mes deklaratave të shërbimit të fshehtë serb dhe shërbimit të fshehtë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e kthyer sot në organizatën famëkeqe “Sigurimi i Atdheut”? Përse ishte e njëjta gjuhë dhe e njëjta metodologji në perceptimin e gjërave?
Nëse kujdesshëm do të vëresh deklarimet e para politike (por edhe të fundit) të Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj Ushtrisë Çlirimtare dhe deklarimet e bëra nga Shërbimi Informativ i Ministrisë së Brendshme të Serbisë, dallimi mes tyre do të jetë vetëm në ndonjë gabim që mund të
jetë bërë gjatë përkthimit ose në ndonjë shtesë emocionale, më të madhe, që ishte bërë nga redaktuesit në Prishtinë. Shpesh herë, fjalitë janë të njëjta deri në dhimbje, pasi, sado e madhe të jetë e keqja që i kanoset një kombi, gjithherë, më e durueshme, është ajo që vjen nga jashtë.
Lidhja Demokratike e Kosovës: Incidenti i majit të vitit të kaluar 1993, në Gllogovc, ku u vranë dy dhe u plagosën 5 milicë serbë ishte përgatitur nga qarqet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë....( Shënim i autorit: Ky është aksioni i parë i planifikuar dhe i realizuar mbi bazën e një vendimi të posaçëm të strukturave paraardhëse të UÇK-së dhe dihen tashmë realizuesit e tij).
Lidhja Demokratike e Kosovës: “Kemi edhe informacione të tjera për mundësinë që këto shpërthime të jenë vepër e qarqeve ultranacionaliste të Sheshelit...”(1996)
Idenë për bashkëveprimin e Sheshelit e jep për të parën herë Vuk Drashkoviq dhe është interesant fakti se të parët që e përqafojnë idenë e Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe, janë ideatorët e drejtuesit e LDK-së.
Ibrahim Rugova (më 21.06.1996): “Ne nuk kemi informata se ekziston një organizatë e tillë dhe letrat që dërgohen, janë pa kurrfarë identiteti dhe pa kurrfarë rëndësie, pos që ta rëndojnë situatën në Kosovë dhe të pengojnë zgjidhjen politike të çështjes së Kosovës. Unë mendoj se nuk ekziston një organizatë e tillë.”
Lidhja Demokratike e Kosovës (më 25 qershor 1996): “Në Kosovë ekziston një organizatë ilegale, terroriste...”
A është e saktë se në shtabin e lartë drejtues të LDK-së nuk është ditur asgjë për ekzistencën e UÇK-së? Janë tri dokumente serioze që e përgënjeshtrojnë këtë. Njëri prej tyre është nga “brenda radhëve”, nga ish drejtuesja e lartë Edita Tahiri; dokumenti i dytë është “gjysmë brenda e gjysmë jashtë”, që do të thotë se është nga shërbimi i fshehtë i shtetit shqiptar në kohën e presidentit Berisha, dhe, dokumenti i tretë është krejtësisht nga “jashtë LDK-së”, pra nga drejtues të Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Le të shohim dokumentin e dytë, i cili duke qenë, si të thuash, gjysmë
nga jashtë dhe gjysmë nga brenda, është më i “paanshmi”. Ai mban datën 21 janar 1996, është skeduar nën numrin AT 317/b, është protokolluar tri ditë më vonë, dhe në cepin e tij, lart në të majtë, është vënë shënimi i zëvendësshefit të ShISh-it: “Të kalojë për informim në Presidencë...”.
Në një informacion që ka paraqitur një inspektor i Shërbimit Informativ të Shqipërisë, AK, pas bisedës në përfaqësinë e Kosovës, në Tiranë, mes të tjerave, shefi i tij ka nënvizuar:
“Mendimi i zyrtarëve të Prishtinës është se kemi të bëjmë me njerëz të organizuar mirë dhe që kanë disa baza në Shqipëri, sidomos në Tiranë, Durrës-plazh dhe në Tropojë. Veprimet e deritanishme të saj, që e quan veten UÇK, kanë qenë të përqendruara në Drenicë dhe në rajonin e Dukagjinit, që mund të përkufizohej në vijat Prizren-Shtimje dhe në rrugën Pejë-Mitrovicë. Tash, me aksionet që janë zhvilluar para pak ditësh, zyrtarët e Prishtinës mendojnë se ajo po vepron në një hapësirë krejt tjetër, që është më e gjerë. Gjithnjë sipas tyre, UÇK-ja është në tri zona, mirëpo nuk kanë dijeni të sakta se cilat janë shtrirjet e zonave, vetëm se, më parë, zoti A.A., u kishte thënë se zona e dytë është në Maqedoni. Në takimin që ka pasur njeriu i tyre, R.Gj., me një ërfaqësues të qeverisë serbe është pasur parasysh se aksione terroriste duhen pritur edhe në të ardhmen. Mendimi i tyre është se fjala vjen për disa njerëz të veçantë, që mblidhen në organizata ilegale e që duhen survejuar, sidomos në Tiranë. Disa prej tyre nuk duhen lejuar të veprojnë në Shqipëri. Pas kërkesës sime, zyra e Kosovës do na paraqesë një listë të emrave të jerëzve që dyshojnë se fshihen pas kësaj organizate terroriste”.
Në të vërtetë, pak ditë pas këtij informacioni, zyra e përfaqësisë së Kosovës në Tiranë ka paraqitur një listë me emrat e personave që mendohet se kryejnë veprimtari ilegale subversive. Ashtu, si është e vërtetë se disa ditë më pas, disa nga të dhënat që i ishin afruar Shërbimit Shqiptar të Informimit, do të shfaqeshin në një informacion të përgatitur nga ish shërbimi i sigurimit ushtarak jugosllav KOS, në të cilin janë shtuar edhe disa karakteristika të tjera, si gjendja shoqërore e atyre që e përbëjnë Grupin e Drenicës, arsimi i tyre, vendndodhja, karakteristikat e zonës etj.
Deklarata e dytë, - “nga jashtë”, - është pjesë e intervistës e njërit nga
drejtuesve kryesorë të LPK-së, Ramadan Avdiu, për takimin e strukturave të UÇK-së, me zotin Rugova, intervistë e botuar në gjallje të këtij të fundit. Biseda mes tyre është bërë krejt e zakonshme.
Rugova pyet: A keni hekura? (është fjala për amë)
Përfaqësuesit: Boll sa me ja nisë...
Rugova: Ma leni mua këtë milet, e di ma mirë...
Deklaratën e zonjës Tahiri le ta themi më poshtë.
Por le të shkojmë më tej.
Pohimin e parë serioz, për lidhjet e dyfishta që mund të ishin mes pushtetit serb dhe strukturave politike në Prishtinë e bën Komunikata nr. 27 e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të cilën, mes të tjerave, saktësisht thuhet se: “...kësaj krrokatje qyqesh me akuza për terrorizëm, fatkeqësisht po i bashkohen edhe disa shqiptarë të inkuadruar në lëvizjen politike të Kosovës, e të cilët janë me ndikim në qendrën e vendosjes në Kosovë dhe me lidhje të ngushta me qarqet zyrtare të pushtetit serb...”
A ishte i drejtë ky pohim? Koha do të tregonte se kishte qenë më se i drejtë. Sepse jo rastësisht, më 24 janar 1997, një javë para se të vinte dita e 31 janarit, në të cilën u vranë Zahiri, Edmondi dhe Hakifi, Ibrahim Rugova do të bënte deklaratën e tij më agresive dhe më të dhunshme, deri në atë kohë, ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës:
“Ne nuk kemi informacione se ekziston Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe në emër të saj mund të paraqiten shërbime të ndryshme, pasi ende nuk është paraqitur askush i kësaj UÇK-je. Dënojmë edhe një herë shpërthimin terrorist të autobombës në Prishtinë (është fjala për aksionin e organizuar kundër rektorit të dhunshëm të Universitetit të Prishtinës, Radivoje Papoviq), si moment i rrezikshëm për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe kërkojmë që këtë rast ta hulumtojë FBI dhe Interpoli. Po ashtu dënojmë edhe rastet e vrasjeve që po bëhen me pretekst të kolaboracionizmit dhe kërkojmë ndërprerjen e tyre”.
Atë ditë, më 24 janar 1997, Shërbimi i fshehtë i Sigurimit Serb do të fillonte valën e madhe të arrestimeve masive. Të jetë rastësi? Vështirë
të jetë kështu, më e mundshme është që të ketë një lidhje, jo edhe aq të zakonshme, sepse dënimi moral dhe politik që i jepte Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njeriu nr. 1 i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte në të njëjtën kohë gjysma e parë e asaj që do të zhvillohej më pas. Dhe ishte gjysma më e dhimbshme.
Koha do të tregonte më pas se Rugova, qoftë përmes njerëzve të afërm të tij në atë kohë, si Anton Kolaj, i cili në lidhjet e tij me njerëz të veçantë paraqitej me emrin “Azemi”, Edita Tahiri apo Rexhep Gjergji, qoftë përmes informacioneve që merrte nga Dega e LDK-së në diasporë, e dinte ekzistencën e UÇK-së dhe për më tepër, jo shumë kohë më parë, ai kishte pritur, me kërkesën e tyre, një grup përfaqësimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pra nuk ishte fjala se “askush nuk është paraqitur”. Fjala ishte për më thellë se kaq dhe shumë qëndrime të tij do të kishin zbatimin e hershëm në veprimet e shërbimit të fshehtë partiak informativ, të krijuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, menjëherë pas formimit të saj.
Kishte qenë një detyrë e ngutshme e Lidhjes Demokratike të Kosovës që, sipas përvojës parti– shtet, të formonte dhe të forconte, si njërën nga hallkat themelore, shërbimin e saj të fshehtë Informativ. Ky shërbim, në një shkallë të madhe, nuk ka asnjë lidhje me dy organizmat fantazmë, që bënë sikur do të krijonin Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme të Kosovës, listën e pjesëtarëve të së cilave, në të njëjtën kopje që e kishte Lidhja Demokratike e Kosovës, e kishte edhe sigurimi i fshehtë serb. Krijimi i një miti, se po organizoheshin dy struktura, të mbrojtjes dhe të sigurisë në Kosovë, megjithëse nuk ekzistonte asnjë institucion tjetër, nuk ishte as më shumë e as më pak, veçse preteksti i parë i shtrydhjes së dëshirës për të rezistuar. Ky mohim, i zgjatur në kohë deri më sot, i ka bërë një dëm të jashtëzakonshëm Kosovës dhe çështjes së saj. Nëse do të kishte ndodhur ndryshe, pra, nëse në vend të mohimit do të kishim pasur një heshtje folëse, apo një pohim, qoftë edhe të vaktë, gjërat në Kosovë, jo vetëm për shqiptarët e jo vetëm për Kosovën, do të ishin krejt ndryshe.
Përzgjatja e këtij mohimi ka lidhje edhe me ngjarjet e mesit të vitit 1996, e ndoshta edhe më herët, të strukturave të shërbimit të fshehtë informativ të LDK-së dhe të grupeve të posaçme të ngritura nga kryesia e LDK-së dhe lideri i saj politik. Qëllimi fillestar i këtyre strukturave ishte
eliminimi politik i figurave të njohura nga radhët e ish të burgosurve politikë të Kosovës, të cilët, për shkak të bindjeve të tyre, jo vetëm që nuk përshtateshin me psikologjinë dhe simbiozën politike të Rugovës, por po bëheshin gati, ose mendoheshin se ishin gati, për t’u rebeluar. Mbyllja në një territor të caktuar politik i këtyre njerëzve duhej bërë edhe për shkakun tjetër, sepse dënuesit e denonciatorët e tyre tashmë ndodheshin në formacionet politike të LDK-së dhe në strukturat e fshehta të saj. Denoncuesit e djeshëm ishin bërë denoncuesit e kohës, për të mbetur të tillë edhe në ditët e më pasme.
Dëshmia në gjyq e profesor Ukshin Hotit, se ai po dënohet pikërisht nga struktura të tilla, është njëri nga shembujt, megjithëse më tragjiku.
Qëllimi i shërbimit të fshehtë informativ të LDK-së, duke i shërbyer mohimit të luftës, ishte pengimi i çdo lloj synimi për rebelim, edhe nga strukturat rinore ose ilegale, dhe këtë e kishin arritur, deri në një farë mase, me organizimin e arrestimeve masive të vitit 1993. Në këtë periudhë, viti 1993, shërbimi i fshehtë serb, përmes njerëzve të tij në Sigurimin e fshehtë të LDK-së, dhe si faktorëve të tjerë, të cilët do i themi më pas, kishte arritur të depërtonte në radhët e organizuara të lëvizjes ilegale, sidomos në LPK. Kjo metodë e depërtimit nga brenda, përmes njerëzve që nuk ishin të dekonspiruar, që tentonin të paraqiteshin si atdhetarë etj., kishte pasur një frutshmëri të madhe në vitin 1993. A mund të ishte e njëjta gjë edhe me ato që ndodhën nga mesi i vitit 1996, për të shkuar tek ngjarja e 31 janarit e ndoshta edhe më pas?
-
-
Tani është koha të vijmë tek deklarata e parë, “e brendshme”.
Në përgjigjen e pyetjes, për aksionet e para të sinkronizuara të UÇK-së, dhe se çfarë është biseduar në Kryesinë e LDK-së, zonja Edita Tahiri, pas përfundimit të luftës, ka thënë: “... ne e kemi ditur se nga vijnë këto aksione. Kemi pasur kontakte me Sali Çekun, i cili ka qenë udhëheqës i aksioneve që janë zhvilluar në pjesën e Dukagjinit. Pastaj me kontaktet e pjesëve të tjera të Kosovës, kemi qenë të njoftuar për aksionet që zhvilloheshin në Drenicë, Llap dhe në pjesë të tjera, si dhe është ditur për Adem Jasharin, Zahir Pajazitin e për figura të tjera që kanë qenë bartës të këtyre aksioneve...”. (Intervistë e Edita Tahirit, shkurt 2003, botuar në “Libri i Lirisë”, f. 224.)
Në thëniet e zonjës Tahiri ka dy elementë: që kryesia e LDK-së, së pari, ka ditur për aksionet, por, së dyti, ka ditur edhe për bartësit e tyre. Megjithëse nuk kishin vendosur asnjë lloj lidhje institucionale apo thjeshtë informale, strukturat e LDK-së ishin në dijeni. Po ashtu, megjithëse që pas vitit 1993, nuk do të kishte asnjë lidhje, e çfarëdolloj forme, mes strukturave të luftës dhe Sali Çekut, përsëri, përmes grupimeve të ngritura prej tij, vazhdonin të vinin informime në strukturat e LDK-së.
Krejt ndryshe do të ndodhte në strukturat e organizmave që kishin krijuar strukturat e luftës, si në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Në arkivin e organizatës, LPK, ndodhet edhe një material i dhënë nga Muhamet Kelmendi, ish nënkryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, në të cilin thekson se “as kryesia e Lëvizjes Popullore të Kosovës, megjithëse e kishte formuar dhe e udhëhiqte politikisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, me përjashtim të tre vetëve, nuk e dinte se kush ishin, sepse gjithçka ishte në konspiracion të thellë, gjithçka ishte sekret. E dinim dhe kishim lidhje me Adem Jasharin, por për bartësit e tjerë të luftës, megjithëse ishin anëtarë të organizatës, me emra dhe mbiemra, nuk bisedohej, as në mbledhjet e kryesisë, e as të Këshillit të Përgjithshëm”.
Ndërsa kryesia e LDK, pas gjysmës së dytë të vitit 1996 dhe në vitin 1997 kishte njohuri për to. Kjo, jo nga fakti se ata kishin lidhje, sepse si dëshmon në intervistën e saj zonja Tahiri, megjithëse kishte biseduar me Rugovën, për vendosjen e kontakteve institucionale dhe institucionalizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte marrë një përgjigje, alarugoviane, se “kjo çështje do të duhej të shtrohej në Kuvendin e Kosovës”, kur dihej se Kuvendi as nuk ishte mbledhur një herë, dhe as nuk do të mblidhej më pas. Zonja Tahiri pohon po ashtu se ka munguar lidhja formale mes LDK-së dhe UÇK-së.
Mund të shtohej edhe kjo. Ka munguar çfarëdo lloj lidhje edhe mes Zahir Pajaziti e Sali Çekut, mes Adem Jasharit dhe Sali Çekut. Edhe kur Zahiri kishte momentet e tij të mira të besimit, pra, edhe kur ai ishte i prirë të besonte se do të kishte më në fund një përcaktim të rendit të gjërave, që do të thonte bashkëpunim, do të ndjehej i zhgënjyer. Në janarin e vitit 1997, megjithëse përmes linjës së tij ishte përpjekur të vendoste një urë ndërmjetësie me “institucionet”, ai do të ndjehej i zhgënjyer. Nuk do të ishte hera e parë, mjerisht do të ishte hera e
fundit.
Përse ndodhi e gjithë kjo zezonë mohim?
Mes dy botëve, ashtu si kurdoherë mes dy gjërave, qëndronte HIJA.
Është koha të flasim për hijen.
-
-
HIJA
E keni vënë re hijen? Ajo të ndjek gjithkund, është si të thuash, përngjasimi i vetes tënde të dytë, me zgjatimet dhe devijimet e saj. Sado që të mundohesh, edhe kur nuk e vëren, e di fare mirë se ajo është diku, është e pranishme, vetëm se nuk mund ta prekësh. Jo rrallë, më parë se të shfaqet trupi, dallohet hija e tij.
Shërbimi i fshehtë i sigurimit serb pikërisht një hije të tillë ndërtoi pas strukturave të luftës, të kudogjendshme, të shumëllojshme, të larmishme.
Si u ndërtua ajo?
Kishte disa shtrirje: në Kosovë, në Shqipëri, në shtetet perëndimore, sidomos në Zvicër dhe në Gjermani.
Në Kosovë ajo u përqendrua tek shërbimi i fshehtë informativ i LDK-së, si strukturë ndihmëse; tek njerëzit që mundi të infiltronte në radhët e luftës, tek bashkëpunëtorët e saj, që nuk ishin të paktë dhe që nuk njiheshin të gjithë; tek strukturat e mirë-organizuara dhe të pajisura me mjetet më të kohës. Ishte një rrethim i katërfishtë, nga i cili do ishte tepër e vështirë të dilje. E gjithë kjo, si duket ndodhi, menjëherë pas vitit 1992, edhe kur fillon datimi i aksioneve të para guerile dhe do të bëhet më e domosdoshme në vitet që pasuan. Mund të thuhet se rritja e HIJES ishte gjithnjë në proporcion të drejtë me veprimet që zhvilloheshin në Kosovë. Kjo ishte një gjë që mund të pritej, megjithëse tani ishte dy herë më e vështirë: sepse bëhej, si të thuash, e institucionalizuar, dhe së dyti, sepse ishte bërë më e sofistikuar. Në Prishtinë fillojnë të shquhen disa figura politike që kishin lidhje të ndjeshme me strukturat e Hijes. Anton Kola, Rexhep Gjergji, Skënder
Zogaj, Ali A. do të ishin dyzimi i mjegullës. Për të qenë edhe diaspora pjesë e mjegullës, do të përfshihej në këtë valle edhe Hafiz Gagica, i cili do të ishte edhe më i besueshëm në të dhënat e grumbulluara, pasi kishte qenë dikur pjesë e lëvizjeve ilegale. Të tjerët, si Anton Kolaj,i njohur ndryshe si “Azemi”, jo rrallë do të përfitonin nga miqësia që do të kishin me drejtues të lëvizjeve ilegale. Herë pas here do të synohej rifutja në lojë e disa prej atyre që ishin thyer gjatë periudhës së paraburgimeve, ku edhe torturat kishin qenë më të egra. Ndodhte edhe kjo.
Arrestimet e grupeve që kishin shkuar për të bërë stërvitje ushtarake në Shqipëri, ishin përgatitur po nga të njëjtët njerëz që edhe i kishin organizuar. Ata që u regjistruan me emrat e tyre të vërtetë, në pragun e kalimit të kufirit me Kosovën, janë arrestuar dhe përndjekur. Përjashtim do të bëjnë dy njerëz, Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti. I pari, do të fillojë luftën, kjo do të ndodhë më 31 dhjetor 1991, i dyti do të bëhet ideatori i lëvizjes guerile. Do të ishin dy përjashtime nga e përgjithshmja, por edhe ata ishin të zbuluar.
Ndërsa ajo që mund të ndodhte nga skutëria e denonciatorëve, kolaboracionistëve dhe e bashkëpunëtorëve ishte e njohur. Ashtu si u bë i njohur edhe ndëshkimi që patën. Kjo është një histori tjetër. Në të vërtetë, ajo që u zbulua nga këta kolaboracionistë, më shumë kishte qenë e shkuar, se sa e ardhshme. Dora e tyre do të ishte në kidnapimin e Besim Ramës.
Do të ketë raste edhe të infiltrimit në strukturat e luftës edhe të njerëzve që ishin futur ose që rrugës do të bëheshin denonciatorë të strukturave, ku mendohej se do të bënin pjesë. Këtë do e themi më pas.
Kur kam lexuar intervistat e realizuara nga Nait Hasani dhe Rexhep Selimi, në të dy rastet më ka bërë përshtypje këmbëngulja e intervistuesit për të saktësuar Shqipërinë si vendin e dekonspirimit. Të dy drejtuesve të luftës u është bërë, thuajse e njëjta pyetje: Ku jeni fotografuar, në Tiranë? Ku jeni dekonspiruar, në Tiranë?
Ka pasur disa të vërteta në këtë pyetje.
HIJA veproi në Tiranë përmes disa rrugëve: së pari, nga zyra e
Kosovës, si quhej, e cila në të vërtetë, më shumë se për gjithçka tjetër, ishte ngritur pikërisht për të vëzhguar se çfarë mund të ndodhte në Shqipëri dhe që kishte lidhje me Kosovën. Mirëpo kjo nuk ishte e mjaftueshme, dhe shërbimi i fshehtë serb nuk do të ishte, ai që ishte, nëse gjithçka do e linte në dorë të “institucionalistëve”.
Shërbimi i fshehtë serb e dinte fare mirë, se nëse do të tentohej të ndërmerrej diçka serioze, do të kishte vetëm një rrugëkalim: Shqipërinë. Gjithkush e dinte këtë. Rrugët e tjera ishin krejtësisht të zëna. Nuk mund të futej nga veriu, por edhe nëse kjo do të bëhej, gjithçka do të ishte thuajse e papërfillshme. Nuk mund të futej nga Maqedonia, sepse do të ishte dyfish më e rrezikshme. E njëjta gjë edhe nga Mali i Zi, megjithëse strukturat ilegale, në përmasa të vogla, ekzistonin edhe në këto treva, dhe gjithçka do të kishte pasur pasoja të pallogaritshme.
Të dyja palët e kishin llogaritur Shqipërinë. Strukturat ilegale si një portë nga ku mund të hyhej, strukturat serbe si një portë që duhej mbyllur. E gjitha qëndronte në gjetjen e sekretit se si mund të hapej ose se si mund të mbyllej kjo portë. Ka një ngjashmëri në dy veprimet. Lëvizja Popullore e Kosovës dërgoi, që në fillim, njerëzit e saj për të përgatitur terrenin në Shqipëri. Në krye të këtij grupi, edhe kur qeveriste Ramiz Alia, edhe kur qeveriste Berisha, edhe kur qeveriste Nano, do të ishte i njëjti njeri: Xhavit Haliti. Më pas, me vendim të posaçëm të Këshillit të Përgjithshëm, u dërguan edhe Ramiz Lladrovci dhe Halil Selimi, por kjo është përtej kohës në të cilat zhvillohen ngjarjet e këtij libri. Shërbimi i fshehtë serb dërgoi atje Ramë M. Ai në fare pak kohë ndërtoi rrjetin e tij, i cili u shtri sidomos në Tiranë dhe në Durrës.Më pas, përmes disa lidhjeve të veçanta, strukturat e HIJES u shtrinë edhe në Tropojë, veçanërisht përmes B.Demirit, ish ushtarak, kontrabandist më vonë, i cili do të ishte prijësi i bandës që do të vriste në pritë Ilir Konushevcin, dhe që më pas, do të vritej nga Fatmir Haklaj, si shenjë hakmarrje që kishte vrarë njerëz që ishin në besë të tij.
Në ndryshim me periudhat që përballoi Haliti, Ramë M. qëndroi deri kur e kuptoi se koha e tij po shkonte. Në ndihmë të tij, në kohë të ndryshme u dërguan njerëz të damkosur si kontrabandistë të drogës, të ngatërruar me gjithfarë veprash penale, brenda e jashtë Kosovës,si ishin vllezerit Muriqi. Mjerisht, në ndihmë të tij, u dërguan edhe njerëz që prej disa kohësh kishin krijuar lidhje me disa nga strukturat e luftës,
sidomos në Linjën e Llapit, siç ishte “Dhëmbëprishuri”.
Ramë M. të krijonte përshtypjen e një njeriu të mirë, të qetë, i interesuar për çështjen kombëtare, i dhënë pas halleve të luftës, gjithnjë me merakun se duheshin ndihmuar ata që po luftojnë, të cilin, “të vinte keq që nuk e kishe njohur më parë”.
Xhavit Haliti ndërtoi një rrjet të vogël njerëzish rreth vetes. Ata ishin të besuarit e tij. Duke ditur të krijojë lidhje të sakta, ai u kap më shumë, si i thonë, për brirësh, me hallkat nga ku mund të vendosej, dhe nuk ishte asgjë e fajshme në qëndrimin e tij. Përkundrazi. Do të kishin një kontribut të çmuar Sahit Krasniqi, Ali Reshani, Shaban Muja etj., të cilët secilin udhëtim mund ta quanin si udhëtimin e tyre të fundit.
Barrën e logjistikës, deri në vitin 1997, e mbartën vëllezërit Haradinaj, Luani dhe Ramushi. U ngritën disa baza, përgjithësisht shtëpitë e njerëzve të thjeshtë, ose të ingranuar në lëvizjen ilegale. Pastaj ngrihet një grup tjetër, fillimisht me 4 ose 5 vetë, e më pas zgjerohet deri në dhjetë vetë.
Barrën e këtij grupi e mbanin Ilir Konushevci (“Mërgimi”), Adrian Krasniqi (“Rexha”), Mujë Krasniqi (“Kapuçi”), Hysen Dreshaj (“Besniku”), Gëzim Sejdiu (“Genci”), Qerim Kelmendi (“Dema”), Gazmend Imeri (“Bardheci”) i fshatit Ponashec, Astrit Jakupi, djali i Plakut të Shishmanit, Xhemë Jakupit, Naim Haziri (“Dilaveri”), Emin Hoxha nga fshati Cermjan, etj. Janë disa shtëpi të kthyera krejtësisht në dobi të luftës, ajo e familjes së Xhemë Jakupit, krijuar nga Zahiri, shtëpia e Musa Demirit (“Haxhi Baba”) në Golem, shtëpia e Xhavit Hoxhës në Golem, shtëpia e Agim Tafa (Krasniqi) në Bajramcurr, djali i mixhës së Adrianit, dhe pastaj baza kryesore në Bajramcurr. Ajo ishte ngritur tek shtëpia e vëllezërve Krasniqi, që ishin djemtë e mixhës së Adrianit, e cila ishte vënë krejtësisht në shërbim të UÇK-së, që nga Besnik Tafë Krasniqi, i biri i tij, Arturi, për të ecur më tej tek kamioni i Besnik Krasniqit, me të cilin transportoheshin armët e para, sado të pakta, për të shkuar tek shtëpia e Sulejman Berishës në Prifq, për të shkuar edhe më tej tek shtëpia e bacës Sulejman Krasniqi, ku fillonin ngarkesat që bëheshin natën, për të ecur dy net e një ditë, deri tek baza e parë e UÇK-së, tek shtëpia e Plakut të Shishmanit. Prej aty, bartja e armatimit kalonte në Jabllanisë (sot Shqiponja) e Gjakovës, për të vazhduar tek shtëpitë-baza në Aqarevë, Prekaz, Dush, etj.
Pas rënies së Adrian Krasniqit grupi zgjerohet. Nga Gjermania shkojnë dy vullnetarët e parë në sektorin e logjistikës, Gani Nuhaj (Dyseldorf), Demir Demiri (Bochum) dhe Cane Demiri (Bochum), Ganiu nga Jezerci / Ferizaj, kurse dy kushërinjtë Demiri nga Morina / Gjakovë.Pastaj, përmes Burim Murmullakut vjen lidhja e re me tezakun e Ponashecit “Hoxhën”. Tani nga linja Bajram Curr-Prifq-Lugu i Zi-Shishman kalohet në një rrugë më të favorshme, Bajram Curr-Prifq-Popoc, për të kalauar në këtë linjë, së pari deri në Ponashec, e më pas për t’u zgjeruar edhe kah Smolica, përmes “Kanunit”e Agron Ramës për në Jabllanicë.
Më pas, gjithnjë në këtë linjë të logjistikës do të jenë Xhemajl Fetahu (Gjermani / Raushiq i Pejës), Blerim Muriqi (Zvicër / Rugovë), pastaj një grup i organizuar nga Gani Nuha (Jezerc / Ferizaj), Tomorr Gashi (Graboc i Pejës), Bekim Kelmendi dhe Gjylshane Kelmendi (Gjermani / Llabjan i Pejës), Naim Kastrati (Gjermani / Doberdol i Pejës), Fanol Bardhaj (Gjermani / Pejë), Shaban Gashi (Pejë), Xhevat Fetahu (Raushiq i Pejës), etj. Drejtues i grupit do të zgjidhej Gani Nuha, ndërsa zevendes Fanol Bardhi.
Ndërkohë Ilir Konushevci kishte organizuar edhe një linjë tjetër, që funksiononte nga krahu i Kukësit, nga Kruma dhe drejtues të saj ishte Qemal Idrizin (Vushtrri) dhe Ruzhdi Saramati (Zhur).
Përse u ndala kaq gjatë? Vëreni diçka. Gjithçka ka kaluar përmes njerëzve të zakonshëm dhe përmes shtëpive të njerëzve të zakonshëm, të cilët e kanë bërë këtë, pa menduar se do të kenë pjesën e vet në histori, pa dëshiruar që përmes gjithë asaj që bënin, të kishin më shumë të holla, pra të pasuroheshin. Gjithçka ka kaluar përmes portave dhe si thonë, kush të hap portën, të ka hapë zemrën.
Shërbimi i fshehtë serb, që u shtri bukur fort në Tiranë dhe në pjesën veriore të vendit, nuk mund të kishte një rrugë të tillë. Mund të hapeshin porta për të, por jo të njerëzve të mirë, pra jo portat e shtëpive. Atëherë ai vendosi të bënte diçka krejt tjetër, përsosmërisht e mbuluar dhe në dukje krejt e zakonshme. Mendoi të hapte disa lokale në Tiranë, ndonjë në Durrës dhe rrugës për në veri. Ato do të ishin pikëstacionet e mbledhjes dhe e kalimit të lajmit. Ramë M. gjendej kudo. Fillimisht paraqitej si një njeri në nevojë dhe përfitonte nga një fond që ishte ngritur në Zvicër nga llapjanët, me emrin e Ali Ajetit. Më
pas do të kishte një banesë në Laprakë, më pas do të ngrinte një dyqan në qendrën e Tiranës, përballë Hotel Dajtit, ku thuhej se ishte bashkëpronar me Murat Ajetin, ngjitur me lokalin e njohur të asaj kohe, që ndodhej po ashtu përballë, me emrin “Nikolino”. Aty, afër tyre, si rastësisht, ishte vendosur edhe një telefon, i cili do u shërbente shqiptarëve të Kosovës për të folur me familjet e tyre. Përmes kësaj linje, jo rrallë, për njerëzit që dyshonin se ishin të ingranuar në lëvizjet ilegale, bëhej përgjimi dhe regjistrimi i bisedave. Edhe në lokalin tjetër, që e kishin në anën e djathtë, pra në restorantin “Kumanova”kishin dërguar një njeri të tyre. Kjo nuk ishte e mjaftueshme. Atëherë ngritën një bazë të UDB-së edhe në restorantin “Prizreni”. Ishte një rrethim përmes dyqanesh, lokalesh, restorantesh, ku jo rrallë do të uleshin edhe njerëz të luftës. Përgjithësisht, njerëzit që ishin strukturuar e dinin se kur dhe për cilët do të përgjonin. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja pse Zahir Pajaziti takimin e parë dhe të fundit me Azem Sylën e cakton vetë se ku do të bëhet, jashtë këtij rrjeti, në të cilin ai kishte filluar të dyshonte. Pa asnjë dyshim, se nëpër këto qendra udbashe ka kaluar mjaft informacion i vyer për shërbimin e fshehtë serb. Vitet që erdhën më pas treguan se cilët kishin qenë të involvuarit në të gjithë këtë, megjithëse nuk i treguan të gjitha.
Në diasporë, shërbimin e fshehtë e drejtonte një njeri i njohur, tinëzar deri në dhimbje, përfitues deri në mërzi, Hafiz Gagica, Kryetar i LDK-së në Gjermani. Thuhej se në zyrën e tij ishte parë disa herë edhe Selim Brosha, eksponenti i njohur i UDB-së. Nuk e di se sa e vërtetë është kjo. Personalisht kam folur dy herë me Gagicën, herën e parë në zyrën e tij, dhe, herën e dytë, përmes telefonit. Herën e parë, kur isha në Gjermani si gazetar, më dha “porosinë”që të mos e takoja Ibrahim Kelmendin, sepse ishte një njeri “i rrezikshëm”. Herën e dytë, pak para përfundimit të luftës, kur pas bisedës sime, m’u përgjigj shkurt, disa herë: “të ruajt zoti”, si të donte të më thoshte se robi nuk mund të më ruante më. Kur ai nuk ishte më i nevojshëm, shërbimi i fshehtë i LDK-së e nxori krejtësisht jashtë loje, çka ndodh jo rrallë me denoncuesit bajatë.
Në qendër të Hijes, shërbimi i fshehtë serb vendosi disa figura, të cilat, në një mënyrë ose në një tjetër, kishin vendosur kontakte, qoftë përmes afërsisë familjare, qoftë përmes njohjeve të hershme, me njerëz ose struktura që kishin lidhje me luftën. Më ka bërë gjithnjë përshtypje dëshmia ose më saktë të thuash prononcimi i njërit nga
pjesëtarët e parë të njësiteve guerile, se “kam mendimin se Murat A., Ramë M. dhe Genc K. janë tre agjentët më të suksesshëm të UDB-së, që kanë keqpërdorur lidhjet familjare, për të depërtuar deri aty ku UDB-ja as që e ka parë në ëndërr se mund të depërtojë”. Nuk kam hyrë të verifikoj këtë prononcim, për vazhdimin e këtij libri më është më interesante gjetja e këtij fakti, i cili, edhe në qoftë apo në mos qoftë i vërtetë për tre personat e mësipërm, si do të saktësohej më vonë, do të ishte i saktë, të paktën prej dy prej tyre.
A duhej mohuar Zahir Pajaziti? A duhej mohuar Edmond Hoxha? A duhej mohuar Hakif Zejnullahu? Kush ishin ata, cili prej tyre kishte qenë njeri i frustuar, cili prej tyre kishte qenë dorë e zgjatur e shërbimit të fshehtë serb, terrorist, njeri i Arkanit etj. etj.?
-
-
Kush ishin Adrian Krasniqi dhe Ilir Konushevci?
Adrian Krasniqi është pa dyshim njëra nga figurat më emblematike të luftës.Ka patur që në fillim diçka romantike dhe pasionante tek ai. Do të futej në rrjedhat e luftës përmes Lëvizjes Popullore të Kosovës, ku
militonte prej kohësh, dhe krejt natyrshëm do të kthehej në njërin nga djemtë e pazakontë, i cili, ashtu si do të ndjehej në shtëpinë e tij, do të ndjehej thuajse në të gjithë Kosovën. Ka një rreth miqësor e lufte njëkohsisht që do i bënte nder secilit. E gjen me Sylejman Selimin, Mujë Krasniqin, Sokol Bashoten, Qerim Kelmendin, Rahman Ramën, Rexhep Selimin, ka takime me Adem Jasharin, lëviz së bashku me Luan Haradinajn dhe Rramush Haradinajn,e gjen tek Lahi Ibrahimi, takohet në Tiranë me Xhavit Halitin dhe Azem Sylën, njihet si njeri i afërt i Ali Ahmetit, bën konak tek djemtë e Drenicës, por edhe jep konak në Tiranë, në rrugën e Elbasanit, tek ajo që do të njihej si banesa e Rexhës,rrugëton me Zahir Pajazitin, e njeh atë thjeshtë si “Ismeti”dhe më pas kupton se kush qëndron pas emërit të këtij burri të madh, është ndoshta njeriu më i afërt i Ilir Konushevcit, përderi sa bën një vend madhor tek ai, duke e quajtur njërin ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kur i duket se nuk ka bërë sa duhet, atëherë e shumëfishon veten përmes gjithë fisit të tij, këndej e matanë bjeshkëve, nuk i rrihet duke bërë atë që e kishte bërë zakonisht, dhe, ndërmerr aksionin e njohur, ku edhe vritet. Do të jetë me Mujë Krasniqin dhe Qerim Kelmendin, megjithëse i thonë se gjithçka mund të bëhet në një natë tjetër, ai e ka vendosur, ka në vete një thirrje të brendshme, si të donte të bënte jetësore atë që kishte thënë mijra herë se “askush nuk mund të më ndalojë të jap jetën për Kosovën”. Në një natë dramatike i a thotë këtë edhe dikujt tjetër që përpiqet ta ndalojë, niset, është një nisje e gjatë dhe bie. Do të jetë ilegali i parë që do të vishte uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mund të jetë rastësi, por sidoqoftë, është një rastësi e bukur.
Duke perifrazuar një thënie të Rexhep Selimit, e cila në të vertetë është cituar për Luan Haradinaj, do të thoja se Ilir Konushevci është buka e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është fillimisht antar i Shtabit të Zonës Operative të Llapit, njëri nga njerëzit më të afërt të Zahir Pajazitit. Është e vështirë të gjesh një lëvizje të Zahirit, në të cilën, në një formë a në një tjetër, të mos jetë pjesë e saj edhe Ilir Konushevci.Në se ke thënë këtë, atëherë mund të mendosh se i ke thënë të gjitha. Pas vrasjes së Zahirit ai do të jetë komandanti dhe drejtuesi kryesor i zonës operative të Llapit.
Do të vritej në mënyrë enigmatike, vrasje ende e mbështjellë në mister,
me 9 maj 1998.Shumë gjëra janë të pathëna për vrasjen e tij, e po ashtu, shumë gjëra të tjera, kanë provuar të hidhen si mjegull mbi të vertetën. Përpjekjet që janë bërë për të deformuar saktësinë e ngjarjes, për ta lidhur atë me një pritë klasike banditësh apo me një thyerje të një “embargoje”të brendshme, nga shkaku i “nje delegacioni europian”– kanë qenë të gjitha vetëm zymtësimi i asaj që ka ndodhur në të vertetë.
Pa as më të voglin dyshim, ai është vrarë në një pritë klasike, të organizuar nga shërbimi sekret serb, duke pasur, bashkëpunëtorët dhe ekzekutorët e saj shqipfolës.Do të ishte një pritë e ngjashme me atë që ishte ngritur për Zahirin, Hakifin dhe Edmondin, në terrin e natës, buzë rrugës,me një përgatitje të mëhershme. “Mërgimi”e ka parandjerë këtë, ndoshta e ka ditur se secili udhëtim i tij mund të ishte njëkohsisht edhe udhëtimi i fundit, e ka ditur, po ashtu, se ngrehina e shërbimit të sigurimit serb kishte asaj kohe, jo vetëm në Tiranë, një strukturë të ngritur. Në fund të fundit, vetë njeriu kapo i bandës, që kishte ngritur pritën dhe që realizoi vrasjen, B. Demiri, tropojan, kishte qenë një ish ushtarak, i cili, në kohën e embargos ndaj ish Jugosllavisë bënte thuajse çdo natë rrugën përtej kufirit, ku jo rrallë takohej me punonjës të rëndësishëm të sigurimit serb, me të cilët bënte tregtinë e naftës. Kjo lidhje e krijuar më herët, ka qenë ajo që do të vendoste për emërin e ekzekutorit, por do të linte në HIJE emërin e denonciatorit, i cili, në këtë rast, është shumë e mundshme, të jetë në të njëjtën linjë lidhje me ato që denoncuan Zahirin.
Në prag të nisjes së fundit, Iliri do të jetë në Durrës, në shtëpinë e njohur – bazë të luftës të Haxhi Babës ( Musa Demiri ) ku do të linte një pjesë të logjistikës dhe të hollat që i kishin mbetur, më shumë se 30 mijë dollarë amerikanë, të cilat, do i dorëzoheshin më pas shokëve të tij. Iliri do të vritej rreth 5 kilometra larg vendit klasik të pritës, së bashku me mikun e tij Hazir Mala, duke marrë me vete një pjesë të enigmës, e cila, një ditë, domosdo do të jetë qartësisht e ditur.
9 maji është ditënata kur vjen pragu i tjetërsimit të Ilir Konushevcit, nga njeriu i zakonshëm në njeriun e përjetshëm. Me 9 maj, rrugës për në linjat e logjistikës ai ishte ende Iliri ose “Mërgimi”, ndersa më pas, ai do të kthehej në simbolin e lirisë së Kosovës.
9 maji është pragu kur Iliri nuk është vetëm djali i Halit Konushevcit, nga fshati i Lugajës, aty ku rrjedhin lumi i Livadhisë dhe lumi i
Balltavës, nuk ështe më vetëm djali i dashur i Nazmije Kastratit, nga fshati Kastrat afër Besianës, nuk ishte më vetëm vllai i Saimirit, Havushit, Suzanës dhe Artonit ; ashtu si derdhet lumi i Livadhisë dhe i Balltavës,afër fshatit ku lindi Iliri, në lumin e Llapit, me 9 maj,Iliri u derdh në shpirtin e gjithë llapjanëve, lum më i fuqishëm se të zakonshmit, sepse ishte nga prijëtarët e lumit të lirisë dhe i tillë nuk bëhet kushdo.
Me 9 maj Iliri nuk ishte më vetëm bashkëshorti i Luljeta Ramadanit nga Ferizaj, me të cilën kishin 6 vite të martuar, nuk ishte më thjeshtë babai i Nertilës, e cila u kishte lindur një vit pas martesës, pikërisht me 5 mars 1993 ; Iliri ishte tashmë shumë më tepër se një bashkëshort i jashtëzakonshëm, shumë më tepër se një baba i shkëlqyer: me emërin e tij do të ngriheshin në luftë dhjetra djem e vajza të Kosovës.
Këto ishin dy luftëtarët që sollën dëshmi historike.
Duke qenë në letrat e fundit të tyre, më shumë se çdo kush tjetër, ata dëshmojnë se kush ishte Zahir Pajaziti.
Le të sjellim pjesë nga letrat e tyre.
Adrian Krasniqi (“Rexha”): “U vra Zahiri, udhëheqësi i Shtabit Operativ/Qendror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, trimi i paepur dhe i cili ishte atentatori numër një në Kosovë. Ka qenë trim e shkuar trimit dhe trimëritë e tij një ditë do të dalin sheshazi...”
Ilir Konushevci (“Mërgimi”), më 18.X.1997:
“Pranojnë: Shokët e idealit në diasporë.
Në vend të përshëndetjes, dy fjalë për shokët e mi të ngushtë: Zahir Pajazitin dhe Adrian Krasniqin.
Për të folur për këta burra, automatikisht flet për një pjesë të madhe të lëvizjes revolucionare ose të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë jam shumë me fat që kam pasur rastin të rri dhe të punoj me ta.
Zahiri ishte trim i madh dhe shumë i rrallë. Atentator i shkëlqyer, që nuk i trembej syri nga asgjë. Me punën e tij, unë mendoj që i vuri themelet e
UÇK-së. Ai i ngjalli ndjenja popullit në Kosovë dhe në diasporë. Ngriti moralin e të gjithë njerëzve që nuk përulen para armikut, ndërsa atyre që përulen, ju futi tmerrin në palcë.
Puna e Adrianit është ajo, e cila, nuk i shkoi shumë kujt për dore. Ai nuk u kënaq vetëm me këtë punë të shenjtë që bënte, të cilën e vlerësojnë të gjithë shokët, por donte që vetë të merrte pjesë në aksione konkrete, ku dha edhe jetën heroikisht.
Deshëm apo nuk deshëm, po bëmë një analizë të punës së Zahirit dhe Adrianit, del se këta i vunë themelet e aktivitetit të UÇK-së, prandaj ne na mbetet të vazhdojmë veprat e tyre, deri në çlirimin përfundimtar...”
Të dyja letrat janë të vitit 1997, është ende koha kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka bërë paraqitjen e saj të parë publike, dhe është i natyrshëm, që edhe në këto letra, të ruhet konspiracioni. Përqendrimi vetëm tek dy emra, të cilët tashmë kishin rënë në luftë, nuk do të thotë se ata, Iliri dhe Adriani, nuk e njihnin rrjedhën dhe shtrirjen e saj. Mjafton të përmendet fakti se atë natë që ndodhi vrasja e Adrianit ai ishte në Drenicë dhe njeriu i fundit me të cilin është ndarë atje, ishte Sylejman Selimi, i cili, sikur të ndjente diçka, i sugjeroi që aksioni të bëhet një natë tjetër.
Për më tepër, në tetorin e vitit 1997, kur është shkruar edhe letra e parë e njohur e Ilir Konushevcit, ai kishte disa muaj, që nga fillim marsi, që ishte në detyrën e drejtuesit të zonës operative të Llapit, duke u bërë kështu zëvendësuesi i parë i Zahirit.
Mirëpo si e shohin nga distanca dhjetëvjeçare Zahir Pajazitin disa nga bashkëpunëtorët e tij?
“Me Zahiri Pajazitin jam takuar në vitin 1996, kur më kanë njohur, ndërsa Ilir Konushevcin e kam njohur në vitet 90, përmes Hysen Jasharit, një shok i Bradashit, që i takonte Çetës së Llapit, të kohës së Ali Ajetit.
Lidhjet tona kanë qenë aq të sinqerta, sa për një kohë të shkurtër, unë për Zahirin kam qenë bashkëpunëtor, si të ishim njohur prej vitesh. Sot opinioni shqiptar është i monopolizuar me informacione për “komandantë”, të cilët e kanë këtë epitet, jo se ishin të veçantë, por meqenëse kanë qenë anëtarë të LPK-së, e kanë pasur më të lehtë të
vendosin kontakte me UÇK-në, këtë formacion ushtarak që e ka formuar Lëvizja Popullore e Kosovës.
Kur një organizatë krijon krahun ushtarak të saj, atëherë gjithë anëtarët e LPK-së, përjashto ata që nuk kanë pas kurajë, kanë qenë automatikisht anëtarë të UÇK-së. Është pastaj problem tjetër, se si LPK-ja i ka aktivizuar këshillat e saj popullorë, që ekzistonin në Kosovë dhe, kë ka vendosur ta aktivizojë më herët e ke ma vonë... Mungesa e infrastrukturës ushtarake ka bërë që shumë atdhetarëve të zotë t’u trokitet në derë më vonë.
Nga ajo që unë kam kuptuar, dhe që e kam njohur UÇK-në që në zanafillë, kam ardhur në konstatimin se Zahir Pajaziti ka qenë aorta kryesore e UÇK-së... Zahiri, bashkë me grupin e tij të Llapit ka qenë këmbana e UÇK-së.
Nëse Adem e Hamzë Jashari, - më të drejtë thuhet, dhe është kështu, - ishin projektuesit e rezistencës ushtarake kundër okupatorit jugosllav, atëherë për Zahir Pajazitin, lirisht mund të thuhet, se ka qenë Arkitekti dhe Muratori i parë i operacioneve guerile. Lirisht mund të themi se Adem Jashari ishte i pari që prishi statuskuonë e okupimit të Kosovës dhe e demaskoj politikën kolaboracioniste të Rugovës, e po ashtu, për Zahir Pajazitin, lirisht mund të themi se është i pari që e lëkundi nga qetësia gjithë Serbinë. Ishte Zahir Pajaziti Ai që e detyroi, që në Kosovë, në rrethana të jashtëzakonshme, të vijë Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë.
Në atë kohë, në Kosovë, vepronin dy simbolika; në njërën anë ishte Serbia, me gjithë aparatin e saj represiv dhe bashkëpunëtorët legalë e të fshehtë, ndërsa në anën tjetër ishin Ademi dhe Zahiri. Ata dallonin mes tyre si gjësendi me Katedralen. Në këtë rast gjësendi ishte Serbia, ndërsa ata ishin katedrale. Sepse gjësendit, ose edhe njeriut, sa më pranë t’i afrohesh (sa më shumë ta njohësh), aq më i vogël të duket, ndërsa Katedrales, sa më pranë t’i afrohesh, aq më e madhe duket. Pra kush e ka njohur Ademin mirë (mjerisht nuk e kam njohur nga afër, e kam takuar vetëm dy herë), kush e ka njohur Zahirin mirë, për fat kam qenë nxënës i tij, kush ka qenë i sinqertë me ta dhe kush ka punuar pa hile, e ka parasysh Katedralen. Kush i ka bërë lajka atyre, kush nuk ka qenë i sinqertë me ta, kush nuk ka mundur të shkojë pas ferkemëvet (gjurmëve) të tyre, atëherë është ndryshe...
Unë për veten time, me kurajë e them, se dallimi mes Zahirit dhe meje, është i ngjashëm me dallimin që ka një ortek me një top të vogël bore...”
(Qerim Kelmendi)
-
-
“Fillet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë ngushtësisht të lidhura me emrin e heroit Zahir Pajaziti. Ai ishte njëri ndër themeluesit e rezistencës së armatosur, jo vetëm në Llap, por edhe në mbarë Kosovën. Në atë kohë Zahiri, faktikisht, ishte komandant i operatives së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëkohësisht edhe vetë ishte në ballë të aksioneve që kryente ushtria jonë. Aty ku ishte Zahiri, aty ishte UÇK-ja.
Zahiri, para themelimit, me themelim dhe pas themelimit të UÇK-së, ishte më i sjellshmi, më punëtori, më i angazhuari dhe shtylla kryesore e bërjes së UÇK-së. Në nivel të përgjithshëm radhitet në listën e patriotëve më eminentë të kombit tonë”.
(Latif Gashi)
Hakif Zejnullahu është padyshim fisnikëria e njeriut të zakonshëm, i cili, edhe kur del nga shtëpia për gjërat e mëdha të luftës, krejt zakonshëm dhe shumë natyrshëm, u thotë njerëzve të tij se “kam pak punë”. Edhe asaj dite të 31 janarit, u tha tepër i qetë se do të shkonte në Prishtinë për të blerë disa paisje për mjetin e tij dhe vetëm kaq. Gjithçka mund të shohësh sot tek portreti i tij fisnik. Një djalë i zakonshëm në pamje, asgjë të veçantë, thelbi i një njeriu që sapo ka kryer punët e ditës, me shikimin e qetë, fjalët e mira, krejt i sinqertë në gjithë jetën e tij, ai do të mbartte atë vetinë e jashtëzakonshme të njeriut të mirë, që nuk bën asgjë të bujshme, por gjithçka të frytshme. Kur e shihje Hakif Zejnullahun e kishe të vështirë të mendoje se pas figurës së tij, krejtësisht të zakonshme, disi e mënjanuar, qëndronte njëri ndër atentatorët më të sprovuar. Të tri aksione e fundit, në dhjetor– janarin e vitit 1997, në Zonën Operative të Llapit, kanë si projektues dhe realizues pikërisht këtë njeri, Hakif Zejnullahun.
A duheshin mohuar njerëz të tillë? Sepse nuk ishte thjeshtë një strukturë politike që po i mohonte. Sepse pas “politikës”do të vinte diç më e dhimbshme se kaq, ajo që kishin ëndërruar, që nuk e kishin dhe që dikush bënte se e kishte– shteti dhe pushtetarët e Kosovës.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt