Shërbimet e lartëcekura serbe luftën e tyre të ftohtë janë duke e vazhduar në të gjitha fushat e jetës politike e shoqërore në Kosovë duke bërë përpjekje për të shkaktuar pasiguri në Kosovë, destabilizim të ekonomisë, krijim të pasigurisë, bllokim të institucioneve etj. Duke tentuar t’i paraqesin shqiptarët e Kosovës të pa aftë për të ndërtuar pushtet e shtet. Duke bërë përpjekje për ta paraqitur KFOR-in dhe UNMIK-un të paaftë për të vendosur rend e qetësi për qytetarët e Kosovës.
Nuk është pa interesant as thyerja e varrezave të shqiptarëve të besimit katolik në Prizren, sepse edhe gjatë periudhës të viteve 1912-ta organizata e terroriste „Crna Ruka“ kishte kryer një varg shantazhesh të tilla. Në mesin e tyre, duhet përmendur rastin kur kishin qitur një derr tek dera e xhamisë Ditën e Bajramit, për çka kishte ardhur deri tek grindja mes shqiptarëve të krishterë dhe atyre myslimanë, si dhe pas pak edhe tek vrasja mes veti.
Shërbimet e lartëcekura kanë bindur disa „miq“ të linjave prosllave, gjegjësisht proserbe, të cilat po vazhdojnë ta mbajnë Kosovën në situata të tendosura. Një rol të këtillë janë duke e luajtur edhe pjesëtarët e një organizate ushtarake ilegale serbe, të ashtuquajtur Ushtria Çlirimtare Serbe (OSA). Drejtuesit e saj, vitin e kaluar kishin kërkuar nga kreu ushtarak serb dhe kryetari Koshtunica për t`ua miratuar kërkesën për formimin e njësive vullnetare për luftë kundër „terroristëve“ shqiptarë në Kosovën Lindore. Në këtë organizatë janë të tubuar vullnetarë serbë pjesëmarrës në luftën në Kosovë, duke e arsyetuar veten si njerëz me eksperiencë në konfrontime, siç i quajnë ata, me „bandat shqiptare“ sepse pjesëtarët UÇK-së janë 18-vjeçarë, dhe nuk janë të denjë për këtë punë.
Vlen të ceket se disa nga pjesëtarët e kësaj organizate janë dënuar në qershor të vitit 2000 për tentim të rrëmbimit të rregullit kushtetues të Jugosllavisë si dhe përgatitjes së atentatit kundër shefit të shtabit të shtatmadhorisë së ushtrisë jugosllave Nebojsha Pavkoviq. Grupi i kësaj organizate (OSA) është liruar pas ndryshimeve në Serbi në tetor të 2001 nga ana e Vojisllav Koshtunicës.
Pra, për problemet që nxiten në Kosovë nga grupet ekstreme serbe, është në dijeni të plotë edhe pushteti civil dhe kreu ushtarako-policor, kuptohet, linjat që duhet ditur. Lidhur më këtë, sa për ilustrim po e përmendim rastin e shefit për siguri publike Vllastimir Gjorgjeviq (Ragja) i cili jo vetëm që kishte dijeni por ishte kreatori kryesor i operacionit „Dubina 2“ („Thellësia 2“), operacion ky që kishte të bëjë me fshehjen dhe asgjësimin e fakteve dhe gjurmëve të krimeve të luftës në Kosovë. I njëjti kryesonte operacionin për mbledhjen e armëve në Isniq në shtator të vitit 1998. Po ashtu, edhe me fillimin e krizës në Luginën e Preshevës, Gjorgjeviq kishte shkuar atje shpesh sepse i takonte linjës për të cilën po flasim. Pos që ishte besnik i Millosheviqit ishte në linje direkte edhe me gjeneralin Obrad Stojanoviq dhe Nebojsha Çoviq prej të cilëve vazhdimisht ka marrë edhe urdhërat.
Struktura e shërbimit sekret të Millosheviqit kishte organizuar policë, paramilitarë e zyrtarë të tjerë për shkatërrimin e provave të cilat mund të çonin në zbulimin e përgjegjësve të varrezave masive, sidomos të atyre të operacionit „Spastrimi“.
Vendimin për ndërmarrjen e këtij operacioni e kishte marrë Millosheviqi bashkë me ministrin e punëve të brendshme, Vlajko Stojkoviq, shefin e policisë sekrete Radomir Markoviq dhe Vlastimir Gjorgjeviqin, në një takim të përbashkët në mars të vitit 1999. Këtu duhet cekur se pas arrestimit të Millosheviqit, arrestohet edhe Markoviqi, kurse Stojkoviqi bën „vetëvrasje“ apo është vrarë nga shërbimi i Millosheviqit dhe janë mbuluar gjurmët.
E ashtuquajtura ushtri jugosllave, si instrument i dirigjuar nga këto shërbime kishte një rol me rëndësi të veçantë në qerimin përfundimtar të hesapeve me shqiptarët, duke bërë dëbimin masiv të popullsisë nga Kosova.
Siç është bërë e ditur edhe në Tribunalin e Hagës, në shtypin kosovar por edhe në atë serb e malazez, Gjorgjeviq kishte për detyrë të bën zhvarrosjen e viktimave nga Kosova dhe grumbullimin e tyre në varreza masive në Serbi për të fshehur gjurmët e krimit. Ai edhe pas zbulimit të disa varrezave masive në Serbi dhe bërjes publike të aferës së rastit „të frigoriferit“ edhe më tutje ka urdhëruar që të mos jipen hollësi rreth tyre.
Edhe gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe njerëzit e kundërzbulimit serb kishin krijuar një rrjet të fshehtë për t’u shpëtuar dhe rezistuar sa më gjatë bombardimeve të NATO-s. Këtë e kishin arritur përmes njerëzve të vet në shërbimet ruse, greke e franceze. Madje, oficeri Pjerre Henri Bunel e kishte tradhtuar NATO-n duke i dhënë sekretet e caqeve të bombardimeve të ushtrisë serbe për çka gjykata supreme e NATO-s ka ngritur aktpadi kundër oficerit francez. Përmes këtyre „miqve“, por edhe në saje të punës së koordinuar të shërbimeve në qeverinë serbe, kanë arritur që edhe më tutje t’i mbajnë të manipuluar pjesëtarët e minoritetit serb në enklavat e Kosovës, ku agjenturat serbe e kanë ruajtur strukturën e tyre, dhe bashkëpunojnë ngushtë me agjenturat e huaja me orientim proserb, të cilët e kanë lëshuar Kosovën në ekspriment pa definuar kurrfarë rregulli në veprimet destruktive të këtyre individëve. Këto linja kanë manipuluar shumë, kuptohet në aspektin propagandistik edhe me profiterët e luftës, me kontrabandistët e ndryshëm që janë thirrur në emra të mëdhenj për ta mbuluar veprimtarinë e tyre të paligjshme. Janë shfrytëzuar burimet informative nga shërbimet sekrete serbe, të disa biznesmenëve, dhe kontaktet tjera të shumë njerëzve që i kanë përdorur për mbulesë kinse të shitblerjes së pasurisë së serbëve në Kosovë. Për ekzistimin e rrjetit ekstrem në Kosovë dhe të vijës së ashpër të nacionalistëve serbë, paravan i të cilëve ka qenë Millosheviqi, ka pasë paralajmërime të kohë paskohshme nga vet qarqet më të larta serbe. P.sh.: Në gusht të vitit 2000, prifti serb, Sava Janjiq kishte tërhequr vërejtjen se udhëheqësit serbë në Kosovë që bashkëpunojnë me administratën, me Bernard Kushnerin dhe organet tjera mund të rrezikohen sepse, siç ka cekur Janjiq, qarkullonin informacione të besueshme se Millosheviq ka dërguar agjentë specialë të sigurimit në Kosovë për të kryer atentate mbi ata serbë që bashkëpunojnë me administatën e UNMIK-ut, për të krijuar konfuzitet dhe frikë. Po ashtu, analistë të mediave dhe të situatave në përgjithësi kanë konstatuar se kërcënimet ndaj serbëve në Kosovë janë veprime të vet Beogradit për ta destabilizuar Kosovën, e në këtë kontest kanë ndodhur një varg ngjarjesh e sulmesh. Lidhur me këto pohime kanë ndodhur një sërë vrasjesh, një sërë sulmesh terroriste, një sërë sulmesh ndaj serbëve e që identiteti i akterëve nuk është zbuluar ende. Ç`është më keq kanë ndodhur një varg paraburgimesh të njerëzve me autoritet të veçantë të cilët janë mbajtur në burg pa fakte e prova të mjaftueshme, të cilët më pastaj janë liruar në mungesë provash. Të gjitha arrestimet dhe burgosjet janë bërë në bazë të dyshimeve që i kanë pasë linjat e shërbimeve sekrete serbe, të cilët përmes avokatëve, prokurorëve e ngjashëm i kanë propozuar policisë, hetuesisë, gjyqit, etj., për t’i futur burgjeve.
Këto forca edhe më tutje janë duke e paraqitur nacionalizmin si forcë dhe shteg fitimtar, kurse politikën e bashkëpunimit si dështim.
Vlen të ceket se dy ditë para se të arrestohet Millosheviqi, ushtria serbe kishte shkuar për ta ruajtur shtëpinë e tij. Millosheviqin, një kohë të gjatë e ka mbrojtur pa e dorëzuar tek organet e Tribunalit të Hagës, komandanti i shtabit të përgjithshëm të UJ-së, Nebojsha Pavkoviq.
Mirëpo, në këtë rast, që të mos shkaktohen thyerje dhe gjakderdhje të mëdha në Serbi – ngase opozita dhe reformatorët ishin këmbëngulës për rrëzimin e Millosheviqit nga pushteti. Gruaja dhe vajza e Millosheviqit kanë konto të veçanta në Zvicër. Siç është bërë e ditur, e njëjta gjë vlenë edhe për ish kryeministrin jugosllav Mirko Marjonoviq i cili kishte nën mbikqyrje tregtinë dhe eksportin në drithëra për në Rusi në vitet `90-ta. Po ashtu edhe Dragan Tomiq ndihmës i Millosheviqit dhe ish kryetar parlamenti. Edhe dy përkrahësit kyq të Millosheviqit, Nikolla Shainoviq, ish zëvendës kryeministër i cili kishte nën kontroll tregtinë me materiale të çmueshme dhe, Dushan Markoviq, ish zëvendës i partisë socialiste, të cilët i kanë kontot bankare në Bejrut. Kuptohet edhe Nikolla Shainoviq është ndër ata që kanë bërë krime në Kosovë.
Millosheviqi kishte nën kontroll, përkatësisht kishte monopol të plotë edhe në doganat e vendit. Ai bashkë me klanin e tij, pesë vitet e fundit i kishin liruar nga doganat të gjithë të afërmit e linjës së tyre, të cilët një përqindje e kanë derdhur në fondet sekrete të Millosheviqit.
Banka e Beogradit e zonjës Vuçiq ishte urdhëruar të paguante para për kompaninë televizive të vajzës të Millosheviqit, Marias, dhe për kompaninë tregtare të djalit të Millosheviqit, Markos. Kjo do të thotë që klika shtetërore e Millosheviqit kishte arritur t’i fshehë fondet qeveritare për t’i siguruar ato nga sanksionet, me ç’rast është manipuluar edhe me Bankën Evropiane.
Siç dihet, para sanksioneve, Millosheviqi kishte ndërtuar infrastrukturë të fshehtë përmes shërbimeve greke në Qipro, dhe banka e cila do t’i thente sanksionet ishte ajo e Qipros.
Qiproja ishte vendi ku deponoheshin mijëra miliona dollarë nga Serbia. Këto fonde shpërndaheshin pastaj nëpër vende të tjera, apo në emër të kompanive anonime të regjistruara në Qipro. Branka Vuçiq, si drejtuese e Bankës së Beogradit, ishte ideatore dhe realizatore kryesore e realizimit të këtyre projekteve. S’do mend se kontot private të Shainoviqit dhe Markoviqit në Bejrut i kontrollon djali i Shainoviqit, i cili është tregtar atje.
Shainoviqi, Markoviqi dhe zonja Vuqiq shumë shpesh kishin shkuar si turistë në Bejrut. Me një fjalë, klani i Millosheviqit është shumë i pasur dhe njerëzit e tij edhe më tutje kanë ndikim dhe mbajnë pozita me rëndësi në Serbi, si në qeverinë serbe, në ushtri, polici, gjykata ashtu edhe në ekonominë e vendit. Ata kanë miq edhe përkrahës edhe në arenën ndërkombëtare.
Gjykata serbe ua ngriti aktakuzën për spiunazhë tek shërbimet franceze pesë pjesëtarëve të policisë serbe të cilët ishin të ngarkuar nga shërbimet sekrete franceze për ta destabilizuar Federatën Socialiste të Jugosllavisë. (Ato kishin formuar organizatën ilegale „PAUK“ (Marimanga). Ky grup, sipas informatave, ka përgatitur edhe vrasjen e Sllobodan Millosheviqit. Pesë të akuzuarit: Jugosllav Petrushiq (38), Millorad Pelenis (36), Sllobodan Orosllanin (47), Petroviq (26), ishin akuzuar si spiunë të Francës, në periudhën e bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavinë gjatë vitit 1999. Petrushiq, Pelenis dhe Petroviq ishin akuzuar edhe për vrasjen e tre shqiptarëve të pafajshëm. Petrushiq, sipas dokumentacionit zyrtar, është nënshtetas francez.
Grupi ilegal „Pauk“ („Marimanga“) ishte formuar në vitin 1999 nga një grup klandestin. Këta sipas aktakuzës së gjykatësit hetues dhe prokurorit Nebojsha Maras kishin përgatitur projektin për vrasjen e Millosheviqit, sipas planeve të shërbimeve të kundërzbulimit francez.
Po ashtu zyrtarët e policisë së fshehtë të linjës së Millosheviqit kohë pas kohe kishin arrestuar një numër të konsiderueshëm të aktivistëve të „Otporit“. Vetëm gjatë dy muajve janë arrestuar 400 aktivistë të kësaj organizate studentore, të cilët policia i ka marrë në biseda informative dhe pastaj i ka liruar. Shumica e akuzave dhe denoncimeve të bëra ndaj „Otporit“ ishin se ata financoheshin nga Perëndimi për rrëzimin e regjimit të Millosheviqit. Ky grup ishte specializuar për të likuiduar udhëheqësit përmes ndeshjeve të inskenuara me kamionë me zallë. Njerëzit e këtij grupi kishin përgatitur një njësi prej 180 vetësh të cilët i kishin dërguar si mercenarë dhe kishin luftuar në anën e MOBUTAS kundër KOBILES. Gjithmonë sipas aktakuzës një pjesë e këtij grupi thuhej se gjendej në Mal të Zi, ku po formonin njësinë speciale të MUP-it të Malit të Zi. Mirëpo një akuzë të tillë MUP-i i Malit të Zi e kishte hudhur poshtë.
Faktet dhe analizat që janë bërë rreth grupit „Pauk“ tregojnë se ata ishin pjesëtarë të shërbimit sekret serb të cilët i kanë përdorur për të ngritur afera dhe për të shkaktuar probleme në dobi të politikës serbe (panserbe).
Shërbime të veçanta, përmes mediave, grupit klanor të Millosheviqit i ka kryer edhe sekretari federativ për informata Goran Matiç.
Një rëndësi të veçantë kishte operacioni i quajtur „Patkoi“, që përkonte më shuarjen e kryengritjes dhe ndërrimin e strukturës etnike në Kosovë. Lidhur me këtë, për zbulim sekreti, i është marrë grada kolonelit rezervë Dragutin Vuksiq (54), për dëmtim të reputacionit të shtetit dhe dëmtim të nderit e reputacionit të ushtrisë. Vuksiq është anëtar i Lëvizjes për Serbi Demokratike të cilën e kryeson ish komandanti Momqillo Perishiq, i cili ishte suspenduar në vitin 1998. Edhe këtij të fundit iu kishte marrë grada nga gjyqi ushtarak për mospërfillje totale të detyrave dhe përgjegjësisë së oficerit.
Krijoni Kontakt