Kur lëvizjet e të rinjve pacifistë mendojnë se problemi më i madh është shpëtimi i planetit nga problemet e ambientit, kur të gjithë hapën sytë në momentin kur Obama tha fjalën “luftë” pa i rënë të fikët, vëmendja duhej drejtuar nga Lindja e Mesme, terreni prej nga secili mund të prodhojë versionin e vet të shpëtimit të botës, ngaqë aty po gatuhet shkatërrimi për pjesën tjetër të botës. Irani pardje u bë më agresiv në politikën e brendshme, në momentin kur sheshet e Teheranit po vishen jeshil nga dëshira për liri. Projeksioni është i qartë në politikën hegjemone të një vendi që kërkon “Khalifatin” në emër të Islamit. Së fundmi, shteti i Iranit dhe ai i Sirisë kanë firmosur një pakt këto ditë, fiks në kohën kur Irani po përballet me një presion ndërkombëtar, për shkak se ai po thotë një herë po e herën tjetër jo, e pastaj sërish, prapë po e pastaj jo; lidhur me gjasat e prodhimit së afërmim të bombës atomike.
Ky pakt është firmosur dy ditë më parë nga Ministri i Mbrojtjes, xhelati Ahmad Vahidi, si dhe kolegu i tij sirian, Ali Habib Mahmud, me synimin “për të përballuar armiq të përbashkët dhe sfida”, ose siç mund të kuptohet, Izraelin, për të cilin presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad ka thënë disa herë se duhet shkatërruar.
Duke lavdëruar Damaskun për potencialin e lartë në fushën ushtarake (që është bërë me investim nga Irani vetë), Vahidi ka thënë se “është e natyrshme për një vend si Siria që ka si fqinj një grabitqar e kërcënues si Izraeli, të jetë gjithmonë gati kundër çdo agresioni armik”. Të gjithë e dinë se lufta midis Izraelit dhe Sirisë në 67-n u përcaktua nga agresioni sirian dhe që ngushtica e Golanit u pushtua veç si kundërpërgjigje. E vërteta e sotme është se pakti ka si qëllim që të zbojë një sulm të Izraelit ndaj qendrave të pasurimit bërthamor të uraniumit, tani që Ajatollahët kanë zhgënjyer në bisedimet “5 plus 1”, proces që kërkon një akord mbi pasurimin e uraniumit, e që SHBA-të kërcënojnë me sanksione të reja e më të efektshme për ekonominë e dobët të mullahëve të Teheranit. Flitet se ka ardhur koha (muajin e ardhshëm) për raundin e 4-t të sanksioneve ndaj Iranit. Dhe ka bërë shumë efekt që Obama në Oslo ka thënë fjalë të rënda kundrejt Teheranit. Tani, nëse ajatollahët, përballë këtij përçmimi, lidhin prapë një pakt ushtarak me Sirinë, mund të mendohet se duke hedhur poshtë projektet e luftës, Teherani po përgatitet të zgjerojë gjobëvënien me raketa “Shihab” dhe me centralet atomike, si dhe të konsolidojë pozicionin e vet, duke hyrë në luftë përmes Sirisë - një kunj shkrepëseje që do të digjte të gjithë mullarin e Lindjes së Mesme Islamike.
Ka pak ditë që vizita e presidentit libanez Michel Suleiman - deri dje një shpresë e qeverisjes së moderuar dhe laike të vendit – ka risjellë kërkesën ndaj administratës së SHBA-ve për mbajtjen e premtimit të furnizimit me armë moderne. Gjithçka nuk do të ishte ndonjë gjë shqetësuese, po mos të ishte tratativa e qeverisë “Hariri”. Hezbollahët (partia e Allah-ut), jo vetëm që kanë marrë një vend me rëndësi në skenën politike lokale, por ata kanë konservuar edhe armët (përkundër vendimit që kishte sanksionuar OKB-ja, me misionin e saj atje, UNIFIL). Objektivi i natyrshëm i tyre është Izraeli, ndaj të cilit Libani, sipas OKB-së, nuk duhet të kishte asnjë pretendim Cilat janë armët e Hezbollahut? Faktikisht janë ato që vijnë nga Irani dhe Siria. Kleriku ekstremist shi’it në krye të Hezbollahëve mbetet arma më gjobëvënëse që ka Irani për Lindjen e Mesme. Ai vetë, përditë ripërsërit se është i gatshëm për sulm. Kuptohet se Teherani mund ta përdorë atë në çdo moment. Dhe është shqetësues fakti se Libani i moderuar, nuk po do ose nuk po kupton se integrimi i Hezbollahut në ushtrinë kombëtare paraqitet si një bumerang, por me një armatim edhe më modern.
Ndërkohë Turqia po shfaqet përditë e më tepër si “lojtari i ri”, paçka se ka artikuluar fraza të tilla kërcënuese për Izraelin, si: “Nëse Izraeli do të përdorte kufirin ajror të Turqisë për të spiunuar vendet fqinje, do të kishte një kundërpërgjigje të barabartë me një tërmet”.
Ndoshta Turqia po shikon si një alternativë kuptimplote anëtarësimi aksin Iran-Siri?
Krijoni Kontakt