>>>
Dëshmi të rreme
Në faqen 7, Morey shkruan:
Në vitet ’40, arkeologët G.Caton Thompson dhe Carleton S Coon bënë zbulime të mahnitshme në Arabi. (Morey fq.7).
Në faqen 9 zbulojmë se ai kishte ndër mend të thoshte "Arabinë jugore", megjithatë e kemi shqyrtuar më parë këtë mospërputhje.
I rëndësishëm këtu është fakti që këto “zbulime të mahnitshme” janë bërë të njohura nga G. Caton Thompson, në vitin 1944, në librin e saj The Tombs and Moon Temple of Hureidha (Varret dhe tempulli i hënës në Hureidha). Çfarë ka zbuluar në të vërtetë ajo? Sipas Morey-t, një nga gjërat që ka zbuluar është:
Një idhull që mund të jetë vetë perëndia e hënës (shih Diagram #6); (Morey, fq.9-10).
Këtu ai thotë vetëm që idhulli “mund të jetë vetë perëndia e hënës”. Por, me krenari, ai e etiketon Diagramin 6 me fjalët:
Një idhull i perëndisë-Hënë (Morey, fq.10).
Megjithëse, sipas fjalëve të veta, Morey e di se nuk është e sigurtë që ky idhull ishte perëndia e hënës, prapëseprapë ai është i gatshëm ta etiketojë atë sikur një fakt i tillë të ishte i sigurtë. Nuk ka asnjë jutifikim për një pakujdesi të tillë.
Por, unë këtu shoh edhe një mospërputhje tjetër. Nuk kam patur rastin të lexoj librin e G.Caton Thompson të vitit 1944, por kam lexuar një traktat të vitit 1945 të kolegut të saj arkeolog Carleton S. Coon, me titull Southern Arabia, A Problem for the Future (Arabia Jugore, një problem për të ardhmen). Morey është në dijeni të këtij traktati, sepse e ka cituar disa herë.
Mospërputhja këtu qendron në faktin që ajo që Morey kërkon prej nesh që të gjejmë në librin e Thompson, hidhet poshtë në traktatin e Coon! Morey na paraqet figurën e një idhulli me tipare dukshëm femërore dhe pretendon që ky mund të jetë vetë perëndia e hënës, që është zbuluar nga Coon dhe Thompson dhe që është përmendur më pas në librin e Thompson.
Në traktatin e Coon thuhet se nuk është zbuluar një gjë e tillë! Në lidhje me tri hyjnitë yjore të Arabisë së Jugut, Diellin, Hënën dhe yllin Afërdita, Coon shkruan:
Nuk gjetëm imazhe të gdhendura të këtyre tri hyjnive. Kjo i detyrohet ligjit të rreptë semit kundër gdhendjes së imazheve që ekzistonte në lidhje me vetë hyjnitë. Imazhet që zbuluam ishin figura njerëzish.(Coon, fq.399).
Pra, sipas Coon, ata nuk kanë zbuluar imazhe perëndish, por vetëm figura të gdhendura njerëzish. Pastaj, Morey na paraqet një imazh të gdhendur të një gruaje dhe na thotë ky mund të jetë vetë përendia e hënës. (Morey, fq.10).
Atëherë, njëri nga të dy e ka gabim. Dhe nuk mendoj që ky është Coon. Ai ishte i pranishëm kur, bashkë me Thompson bënë këto zbulime të mahnitshme, prandaj duhet ta dijë më mirë se çfarë ka zbuluar.
Unë nuk e di qendrimin e Thompson, sepse, siç thashë, nuk e kam lexuar librin e saj, por nuk besoj që ajo të ketë shkruar diçka në librin e saj dhe që pastaj, një vit më vonë, kolegu i saj të shkruajë diçka që bie në kundërshtim me të.
Apo ndoshta Morey nuk dëshiron të nënkuptojë që ose Coon, ose Thompson e kanë pretenduar një gjë të tillë. Mbase janë vetëm fjalët që ai ka përdorur ato që ngatërrojnë dhe jo qëllimi i tij. Pasi thotë se ky idhull mund të ketë qenë vetë pernëndia e hënës, Morey shprehet:
Kjo u vërtetua më vonë nga arkeologë të mirënjohur. (Morey, fq.10).
Nëse "u vërtetua" këtu nuk e ka këtë kuptim, atëherë Morey duhet të kishte përdorur fjalë të tjera, në mënyrë që të shprehë atë që do.
Megjithatë, ajo që ka rëndësi dhe për këtë i besoj, është referenca që ai përmend në një shënim në fund të faqes në lidhje me tre nga këta “arkeologë të mirënjohur”. Për momentin, nuk më shqetëson fakti nëse ata janë apo jo “të mirënjohur”, por më intereson të di se çfarë kanë thënë më saktësisht në lidhje me këtë idhull. Një citim të drejtpërdrejtë, të lutem! Ka filluar të më hyjë në qejf verifikimi i citimeve të tilla.
Më duket vërtet interesant fakti që, kur Morey i referohet idhullit më vonë, ai thotë:
Tani kemi idhujt e vërtetë të perëndisë së hënës... (Morey, fq.14).
Tani na u shumëzuan: nuk kemi më një idhull por “idhuj”. Vërtet që Morey nuk kënaqet kurrë me ekzagjerimet e tij
Zhgënjime optike:
Më sipër thashë që Morey ka marrë mundimin të paraqesë pesë ilustrime që të vërtetojë që perëndia e hënës adhurohej kudo jashtë Arabisë. Megjithëse këto ilustrime janë krejtësisht të panevojshme për çështjen e perëndisë së hënës në Arabi, më intereson të tregoj se si ilustrimet e Morey-t nuk janë gjithmonë ato që trumbetohen!
I referohem faqes 3 të librit të Morey-t. Në këtë faqe janë paraqitur dy ilustrime. Pata mundësinë të gjej një ilustrim të ngjashëm me të parin dhe një kopje identike të të dytit në një libër me titull The Ancient Near East: A New Anthology of Texts and Pictures (Lindja e Afërme në lashtësi: Një antologji e re tekstesh dhe figurash), botuar nga James B. Pritchard, 1975, Princeton University Press.
Morey lë të kuptohet që këta janë ilustrime të perëndisë së hënës. Megjithatë, Pritchard dhe grupi i tij i studiuesve mendojnë ndryshe. Ai që i ngjan ilustrimit të parë është i kataloguar me numrin 140 në vëllimin 1 të Pritchard. Por këtu, ai nuk është një perëndi e hënës, por një perëndi e stuhisë.
Ilustrimi i dytë është i kataloguar me numër 136 në vëllimin 1 të Pritchard. Por as ky nuk është nje perëndi e hënës, por është “Baal i Vetëtimës”.
Pra dy nga pesë. Për të disatën herë, ajo që jam në gjendje të verifikoj del se është e rreme. Faji im apo i Morey-t?
Apo i Pritchard? S’e besoj. Një kopje identike e ilustrimit të dytë gjendet edhe në librin The Bible As History in Pictures (Bibla si histori me figura) fq. 206 dhe këtu ai identifikohet si Baal i vetëtimës.
Në faqen 118 të librit Tells, Tombs and Treasure, gjendet një kopje identike me të. Dhe këtu quhet Baal i Stuhisë.
Në librin Archaeology of The Bible (Arkeologjia e Biblës) paraqitet një kopje identike në faqen 80, që aty quhet me emrin Perëndia e Stuhisë, Baal. Morey është i vetëm kundër të gjithë studiesve dhe kundër të gjithë fakteve.
Krijoni Kontakt