Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 9
  1. #1
    ssdwcdcee Maska e SENSUALI_TR
    Anëtarësuar
    01-02-2007
    Vendndodhja
    Ne vendin ku Extremet i kalojne kufijte e imagjinates
    Postime
    277

    Blendi Fevziu: Ju dëshmoj si e kam parë historinë e 20 viteve të fundit

    Tashmë 20 vitet e historisë postkomuniste, pasqyruar shpesh me gabime edhe nga ata që paguhen për ta shkruar, do të kenë edhe një tjetër referencë. Do të jenë titulli i librit dhe emri i gazetarit të mirënjohur, Blendi Fevziu, drejtues i emisionit më jetëgjatë të televizioneve shqiptare, “Opinion”, që do të vihen përfund punimeve e konkluzioneve të historianëve apo publicistëve. “Kam përshkruar datë pas date ngjarjet më të rëndësishme të 20 viteve të fundit në historinë e Shqipërisë, duke shfrytëzuar shënimet në ditarin personal, që i mbaj përditë që nga 9 nëntori 1989. Në librin që jam duke e përgatitur dhe që do të botohet vitin tjetër, u kam dhënë hapësirë parësore të gjitha atyre zhvillimeve, që i kam parë me sytë e mi, kuptohet pa i shkëputur nga ngjarjet e tjera, ku unë nuk kam qenë dëshmitar, të cilat janë pasqyruar edhe ato, por në mënyrë më telegrafike”, shpjegon thelbin e librit-ditar, në një intervistë për gazetën “Panorama”, gazetari Blendi Fevziu. Një punim që për habinë e shumëkujt e ka ndërtuar dhe bërë pothuaj gati, duke mbajtur nën sqetull katër emisione në javë dhe duke djegur edhe muajin e pushimeve të kësaj vere. Por nuk mbaron me kaq. Përgjatë bisedës, gazetari Fevziu, rrëfen edhe plane të tjera që ka në aleancë me librat. Sipas tij, brenda këtij viti do të jetë në të gjitha libraritë një punim tejet interesant. “Janë 20 intervista të përzgjedhura të personazheve nga më të njohurit që kanë bërë historinë e 100 viteve të fundit të Shqipërisë, që të gjitha të rrëfyera duke e nisur me ‘unë kam lindur në...’. Janë intervista të papërsëritshme të Kadaresë, Geraldinës, Fadil Hoxhës, Berishës, Vrionit, Alisë, Ramës, Azem Hajdarit e të tjerëve, një pjesë e të cilave kanë vlera autentike, sepse ata nuk kanë folur për askënd tjetër, pra flas për ata që nuk jetojnë”, rrëfen gazetari Fevziu. Po kështu, i njëjti tregon për planet e afërta për botimin e një tjetër libri ku do të jenë përshkrimet e letrarizuara të 30 personazheve ashtu si ai i ka njohur. E veçanta në këtë libër është se shumica absolute e historive të këtyre personazheve, edhe këta protagonistë të momenteve kulmore të historisë së Shqipërisë, botohen për herë të parë. Ndërsa punimi i fundit në radhë, gazetari i njohur pohon se do të jetë një libër, sërish shumë kurioz, për ambasadorët e huaj në Shqipëri. Ja përgjigjet e drejtpërdrejta për gazetën.
    Zoti Fevziu, në bisedën që patëm, ju përmendët se botimi më i rëndësishëm, që e keni më për zemër, do të jetë ai i ditarit tuaj, që e mbani rregullisht që nga fundi i vitit 1989. Cila është vlera, sipas jush, e këtij punimi?
    Nuk është se mbaj rregullisht ditar, por në një axhendë, shënoj që prej vitit 1990, ngjarjen kryesore të ditës. Ose disa ngjarje. Diku nga viti 1996 ky shënim u pasurua edhe me deklarata publike dhe vëzhgime të tjera që më nevojiteshin për t’ju referuar në shkrime e më pas emisione. Një vit më parë, duke i parë të gjitha, ndjeva befas se në ato axhenda të ndryshme nga njëra-tjetra, përmblidhej gjithë historia jonë e përbashkët. Vendosa të ndërtoj një ditar, kryesisht të zhvillimeve politike dhe shoqërore, që tashmë ka marrë formë. Nis nga një mbrëmje e vonë e 9 nëntorit 1989, kur RAI ndërpreu transmetimet rutinë për t’u lidhur live me Berlinin, ku gjermano-lindorët po kalonin në perëndim dhe me ditën e mëpasme, kur bashkë me Ben Blushin dhe Andi Bushatin, shokë klase, diskutuam gjatë për atë ngjarje.
    Jam duke zgjeruar të dhënat që kam, duke shfrytëzuar një kujtesë të mirë dhe detaje të shkruara, që e bëjnë atë shumë të freskët. Deri tani kam përpunuar materialet nga viti 1989 deri më 2002. Më mbeten nga viti 2003 deri më 2009. Libri do të ketë afro 750 faqe dhe do të jetë padyshim një libër mjaft i vlefshëm për të kuptuar në mënyrë të vijueshme të gjithë atë që ka ndodhur në Shqipëri këto 20 vjet!
    Si është në libër raporti i ngjarjeve që keni përjetuar vetë me ato që kanë ndodhur në përgjithësi dhe që përbëjnë të tërën e zhvillimeve të njohura? Çfarë momentesh keni bindjen se vijnë më hollësisht të pasqyruara?
    Fati e ka sjellë të jem vëzhgues e herë-herë protagonist i pothuaj gjithë ngjarjeve të rëndësishme të këtyre 20 viteve. Jam në shtyp që ditën e parë të shtypit të lirë, më 5 janar 1991 dhe kjo ka qenë një pasuri e paçmueshme për këtë libër. Prioritet kanë ato ngjarje që kam jetuar, shumë prapaskena dhe zhvillime që s’janë bërë publike. Duke ruajtur konfidencialitetin, shumë gjëra i kam shprehur shkurt dhe thjeshtë, por asnjë ngjarje dhe asnjë personazh i njohur nuk mungon në këtë libër. Personazhet janë ashtu siç i kam njohur unë në atë moment. Ngjarjet e tjera i kam transmetuar sipas informacionit që kam marrë atë moment dhe pas ballafaqimit me informacionin e mëvonshëm. E di që shumë njerëz do të mërziten nga ky libër, por libri vlen për të parë metamorfozën e gjithsecilit dhe të vetë Shqipërisë. Nga ditët e vitit 1990 kur frika, kaosi, shpresa dhe entuziazmi jetonin bashkë e deri sot, kur Shqipëria është kaq ndryshe nga ajo e 20 viteve më parë. Libri do të jetë në librari në vjeshtën e vitit 2010! Nga ana tjetër, libri është një version tejet i personalizuar, që shpreh shikimin tim, nuk vlen si një tekst historik, por thjeshtë si memuaristikë.
    Një tjetër punim interesant duket edhe libri me 20 intervistat e personazheve që rrëfejnë gjithë jetën e tyre, që ju thoni se do të botohet së shpejti. Cila është e veçanta që ky libër sjell?
    Libri që titullohet “Jeta ime, Intervistë me Blendi Fevziun” do të jetë në librari në fund të dhjetorit, këtë vit. Aty janë 20 intervista të personazheve më të rëndësishëm të historisë dhe aktualitetit shqiptar, që unë kam zhvilluar në këto 13 vjet. Janë të gjitha rrëfime të jetës së këtyre personazheve, dëshmi autentike, por që lexohen edhe si një roman ose tregim i bukur. Aty janë rrëfimet e Ismail Kadaresë, Mbretëreshës Geraldinë, Jusuf Vrionit, Ramiz Alisë, At Zef Pllumit, Fadil Hoxhës, Dritëro Agollit, Abaz Ermenjit, Azem Hajdarit, Leka Zogut, Liri Belishovës, Alfred Moisiut, Rexhep Qoses, Kristo Frashërit, Fatos Lubonjës, por edhe të politikanëve aktuale: Sali Berisha, Edi Rama, Hashim Thaçi, Ilir Meta etj. Është një model që ka pasur sukses në botë dhe besoj se do të jetë shumë interesant edhe këtu.
    Mua personalisht më bëri përshtypje edhe ideja për librin tjetër, ku përshkruani portretet e 30 personazheve ashtu si i keni njohur. Pasi ju thoni se vetëm 6 nga 30 shkrimet janë botuar. Cilët janë këta personazhe dhe si vijnë në shkrimet tuaja?
    Ky është libri që unë e kam më për zemër, por do të botohet më vonë. Më kërkon ende nja dy vjet punë. Kam përzgjedhur 30 personazhe që unë i kam përshkruar, ashtu siç i kam njohur momentin e parë, zgjeruar më pas me karrierën dhe jetën e tyre. Por kjo e shkruar nga unë, me gjithë analizën time të personalizuar. 11 prej tyre i kam shkruar, 6 janë botuar. 19 të tjerë presin. Kush janë personazhet? Veç atyre që janë edhe në librin e intervistave mund të shtoj: Mentor Çokun, Teodor Kekon, Gramoz Pashkon, Drita Kosturin, Fatos Nanon, Mahmut Bakallin, Ibrahim Rugovën, Robert Shvarcin etj. Por mbetet ende punë për këtë libër. Ju mund të më jepni një gjykim më të mirë sepse gjashtë portretet që kam botuar, kanë qenë tek “Panorama”.
    Ju pohoni se keni në duar gjithashtu edhe një tjetër punim për ambasadorët e huaj në Shqipëri. Cilët kanë qenë më interesantët në vëzhgimin tuaj? Çfarë ka ndryshuar në raportet e tyre me politikën shqiptare pas 20 viteve postkomunizëm?
    Ky libër në fakt nuk nisi si një libër, por si një shkrim i gjatë që na kërkoi një miku im për një revistë gjeostrategjike italiane. Shkrova përmbledhtas 28 faqe. Pastaj zbulova që roli i Ambasadorëve dhe diplomatëve të huaj në Shqipëri, ka mbetur thuajse i padokumentuar. U kujtova se në vitet ’20, roli i Ambasadorit britanik Ersi ka qenë deçiziv për stabilizimin e vendit. Ky personazh nga i cili nuk kemi as edhe një fotografi të vetme ka luajtur një rol kyç në historinë tonë. Ndaj, duke shfrytëzuar shënimet, punën që bëra për këtë shkrim, e kam zgjeruar punimin në afro 110 faqe. Do ta botoj si një libër me 170–180 faqe në mes të vitit të ardhshëm. Ambasadorët e huaj kanë luajtur një rol të madh në Shqipëri në këto vite. Mjafton t’ju kujtoj rolin e Ambasadorit Rajerson, Ambasadorit Kardili, Ambasadorit Foresti, Ambasadorit Zhak For, Ambasadorit Frouik dhe Ambasadorit Ilopulos etj. Në Shqipëri, ka pasur këto vite Ambasadorë të shkëlqyer, si Ambasadori Xhefri, Ambasadori Anen, Ambasadori Landsman, Ambasadorja Ris dhe Lino, Ambasadori Nerubajllo, Ambasadori Menashemoff etj. Por ka pasur edhe diplomatë si Kanellos, Krikos, Debi Xhons, Ana Maria Bura, Etore Sekui, Failadhis, Uollsh dhe shumë të tjerë që nuk kanë qenë ambasadorë, por kanë pasur një informacion dhe një aktivitet të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Libri mbështetet mbi njohjet personale, aktivitetin dhe mbi të gjitha deklaratat që ata kanë bërë në vitet që kanë shërbyer në Shqipëri. Siç ka pasur edhe mjaft diplomatë mediokër, që me gjestet e tyre kanë lënë gjurmë të shëmtuara në këtë vend.
    Libri ka një defekt. Ai hapet me kujtimet për Ersi-n në vitet ’20, por trajton kohën nga 1991–2009! Nuk kam shënime për vitet 1939–1990 dhe nuk kam mundësi dhe kohë të hulumtoj në këtë drejtim.


    Pjesë nga ditari i Blendi Fevziut

    Ikja e Kadaresë
    25 tetor 1990, e enjte
    Kadare iku, ka kërkuar strehim politik në Francë!
    Blushi nuk priti që të dilja nga salla e leximit të bibliotekës së Akademisë së Shkencave për të më dhënë lajmin. E tha me zë të lartë, me një frymë dhe pothuajse të gjitha kokat e ulura mbi libra u ngritën. Nuk foli askush.
    - E sigurt, e pyeta, ti po tallesh.
    - Iku, ma ktheu, është lajm i sigurt.
    Dolëm tek pjesa e shkallëve të jashtme të Akademisë dhe kur ktheva kokën, e gjithë biblioteka kishte dalë jashtë. Ishte ora 17.00 dhe duhej ende një orë që të fillonin lajmet e VOA në radio. Shkuam në Bibliotekën Kombëtare dhe lajmi qe marrë vesh edhe atje. Kur po ktheheshim, përpara Teatrit Kombëtar kishte një grumbullim të jashtëzakonshëm njerëzish. Ishte shfaqja e radhës e dramës: “Nata me hënë”, të Kadaresë dhe duke menduar se kjo ishte shfaqja e fundit, njerëzit po shtyheshin tek dyert e sallës. Qe e pamundur të kontrolloheshin. Dyert u hapën dhe salla u mbush dy herë më shumë se kapaciteti i saj.
    Në mbrëmje qyteti është krejt i shokuar. Kadare ka ikur. VOA lexoi deklaratën e tij drejtuar Ramiz Alisë. Deklaronte se ka kërkuar strehim politik për të nxitur zhvillimet politike dhe, kur e humbi besimin tek Ramiz Alia.
    Radio tha se Kadare është vendosur në një vend të sigurt nën mbrojtjen e shtetit francez.
    Tek bordura ka një entuziazëm të pashembullt. Disa prej studentëve të Ekonomikut e kanë shkruar emrin e tij me stilolaps në faqe dhe të tjerë kanë filluar të kërkojnë nëpër librari librat e mbetur. Thonë se nga “Ftesë në Studio” nuk ka më asnjë kopje. Në Tiranë janë ende diplomatët e huaj.
    PD fiton zgjedhjet
    22 mars 1992, e diel
    Partia Demokratike ka fituar zgjedhjet me një maxhorancë tej asaj të pritshme. Frika se PS mund të bënte diçka thuajse nuk ekziston.
    Paradite votova për herë të parë në jetën time. Kur hidhja votën, mu kujtuan stërgjyshet e mia që nuk e arritën këtë ditë, më përjashtim të njërës, Bibisë. Në Tiranë, PD i ka fituar të gjitha zonat.
    Dita ka qenë e ngjeshur. Më shumë se sa e tensionuar, ajo ishte entuziaste. Në qendrën e shtypit në Pallatin e Kongreseve pothuaj të gjithë gazetarët ndjekin mbrapa liderët e PD që shfaqen herë-herë aty. Në selinë e PD ku shkova gjithë pasditen ka eufori. Qëndrova në zyrën e Arben Imamit, ndërsa Berisha është në zyrën e tij, ku hyjnë dhe dalin njerëz çdo sekondë. Në paradhomë, telefoni nuk pushon asnjë sekondë.
    Në ora 21.00 filluan të vijnë njoftimet e para. Përballë, në trotuar dhe në rrugë janë mbledhur disa dhjetëra-mijëra mbështetës të PD. Shtyhen dhe presin njoftimin e fitores. Herë-herë shpërthejnë ovacione, sa herë përfaqësues të rretheve pranë Tiranës vijnë duke mbajtur lart në dorë procesverbalet e fitores. Pas orës 22.00 nuk pushojnë më. Në një ballkon kanë vendosur një mikrofon dhe kush mundet del dhe njofton rezultate. Nuk kuptohet ç‘është provizore dhe çfarë e rezultat përfundimtar, por kuptohet se fitorja ka marrë fund.
    - Ke PS kanë vdek, kanë vdek, bërtet një prej rojeve të derës së jashtme të PD, që ka marrë lajmin nga i vëllai.
    Në ora 23.00 janë të gjithë në seli, përfshi ata që kanë pasur përplasje me Berishën, edhe Preçi, edhe Pashko, që ka mbërritur nga Vlora me një rezultat të jashtëzakonshëm. Por ikën shpejt. Pas mesnate, doli edhe Berisha. Ndaloi ne shesh pushimin e shkallëve të katit të dytë dhe meqenëse unë isha personi i parë që i dola përballë më pyeti pa mendje:
    - Si ka dalë Tepelena?
    Nuk dija gjë dhe thirra Dritan Kabën që merrte më shumë informacion.
    - I kemi fituar të gjitha, doktor, i tha, po ik se nesër je president.
    Berisha u hutua. Kishte në dorë një dosje dhe pasi na shtrëngoi duart fort filloi të zbresë. Me t’u shfaqur në krye të shkallëve, me ta dalluar, disa dhjetëra-mijëra vetë filluan të brohorasin. Ai donte të fliste, por nuk kishte më zë. Çau me vështirësi mes njerëzve të ekzaltuar dhe humbi mes tyre, nuk e pashë më.
    Një orë pas mesnate ika. Ishte dita më e lumtur e jetës sime. Tani, komunizmi kishte marrë fund edhe zyrtarisht. Besimi ynë kish triumfuar dhe më vinte keq, që në vigjilje të këtij triumfi shumë prej atyre që kishin ngjizur këtë besim tek unë, nuk jetonin më. Kishin vdekur pa arritur në këtë finale. Por unë isha tani, duke ecur rrugëve të rilindura të një qyteti që besonte se kish lënë pas një kohë të errët dhe po hynte në kohën e re...
    Me Nanon në Bënçë
    31 maj 1995, e mërkurë
    Fatos Nanon mund ta takoj sot! Ose së paku kështu duhet të ndodhë. Kam në dorë lejen e dhënë nga Nëndrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Bedri Çoku, për një takim 30 minutash dhe një intervistë me të në burgun e Bënçës, në Tepelenë.
    Leja ishte shumë më e thjeshtë se sa mendoja. Dje, Ylli Dylgjeri më tha se lejet për Nanon janë lehtësuar dhe unë i kërkova një takim nëndrejtorit të burgjeve. Ish i dënuar politik i viteve të komunizmit, mik i familjes sime, ai ma premtoi lejen pa ndonjë vështirësi.
    - Kthehu nesër, më tha, ta marrësh të vulosur.
    Isha i sigurt që të nesërmen do më thoshte se kjo nuk lejohej, por nuk ndodhi kështu. Në mëngjes më dha lejen në dorë dhe unë i nisa. Ylli Dylgjeri erdhi bashkë me mua.
    Katër orët që ndajnë Tiranën me Tepelenën, nëpër një rrugë plot kthesa dhe të ngushtë, pothuajse nuk folëm. Kisha frikë se mund të na e anulonin lejen me telefon momentin e fundit dhe kjo bindje mu përforcua më shumë në hyrje të Tepelenës, kur një grup djemsh që pyetën për burgun, na panë me çudi, na treguan me dorë dhe shtuan:
    - Nuk ju lenë të hyni. Është Fatos Nano dhe e ruajnë shumë.
    Burgu u shfaq që larg, i mbyllur në një grykë të frikshme ku kalonte një lumë dhe i vendosur poshtë një shpati të thepisur.
    U afrova tek telat me gjemba ku ruajtja nuk mu duk e ekzagjeruar dhe i thashë policit se kisha një leje për të takuar Fatos Nanon.
    Polici më sqaroi se Drejtori nuk ishte aty, kish shkuar në Tepelenë dhe quhej Asaf. Shko takojeni tek kalaja, më tha, se vetëm ai e jep lejen.
    Nuk arritëm të futemi në rrugën e Tepelenës, kur Drejtori i Burgut i shfaq me makinë përballë nesh. Me sa duket e dinte që kishim ardhur sepse na dha sinjal me drita dhe ndaloi.
    - Unë jam drejtori i burgut, më tha me kapadaillëk!
    - Unë jam gazetar, iu prezantova, më quajnë Blendi Fevziu dhe kam një leje për intervistë me Fatos Nanon.
    Më vështroi me inat.
    - Ti je mik me Ridvan Peshkëpinë, më tha. Kemi qenë në Forum Rinor, por unë për atë legen dhe për gjithë ju që keni tradhtuar, nuk jap leje.
    Mu duk i ashpër, por në vend që të ikte, kërkoi që të hipja në makinë me të dhe i tha shoferit tim të më ndiqte mbrapa.
    Rrugës sikur u zbut. Më tregoi se ishte themelues i PD aty, se kish qenë në Forum Rinor, se qe zënë me Ridvan Peshkëpinë dhe se për mua kishte një mendim të ndryshëm dhe nuk i harronte shkrimet e mia për protestat e studentëve në RD.
    - Tani ti do qëndrosh këtu, në vendrojën e derës, ma ktheu dhe nëse i burgosuri Fatos Nano do t’ju takojë, do t’ju thërrasim.
    U ula afër një polici që më thoshte: Shumë emër fitove duke prezantuar Miss Albania-n! Si shpesh ato vite, më ngatërronte me Blendi Gonxhen që kish prezantuar Miss Albania-n më 1992.
    Një polic më shoqëroi në zyrën e Asafit, ku ky u bë sërish i rreptë dhe duke parë orën se mos më hante nga koha e takimit dallova Fatos Nanon që hyri në zyrë. Me një palë tuta të çelëta, bojëqielli, në numrin 23, me mjekër dhe me një zinxhir të trashë floriri në kyç më zgjati dorën duke qeshur:
    - Po ti, ç‘ne kjo surprizë?!
    Nano dukej fare i qetë. Nuk kishte tension dhe as dukej se pyeste shumë për Asafin. Aty drejtonte Nano dhe kjo ishte e gjitha.
    Nuk isha takuar asnjëherë me të. Në shkurt të 1994, një vit më parë kisha shkëmbyer me të disa letra që s’u bënë asnjëherë publike, tejet interesante, në të cilat patëm diskutuar për të rinjtë dhe të vjetrit në politikë, për trashëgiminë komuniste dhe rolin e gjithsecilit në transformimin e këtij vendi.
    Ky ishte takimi i parë direkt dhe Nano mu duk shumë i qetë dhe indiferent ndaj faktit që prej 3 vitesh qëndronte i mbyllur në një qeli burgu.
    - Dalim jashtë, më tha.
    Mendova se koha nuk do mjaftonte, por më qetësoi duke më thënë se kishim kohë sa të donim; se intervistën do ma çonte me dikë javën tjetër, mjafton që t’i lija pyetjet dhe se mund të flisnim për gjëra të tjera. I thashë që Ylli Dylgjeri priste pas telave me gjemba dhe s’kishte leje hyrje, por Asafi e zgjidhi këtë thjeshtë. 10 minuta më vonë qemë ulur të tre në bar, me fytyrë nga godina e burgut, rrethuar nga telat me gjemba në një bisedë që të kujtonte gjithçka me përjashtim të burgut.
    Nano kishte bindjen se politikën e PD e bënin grupi i të persekutuarve atje, Tomorr Dosti e Leka Toto; se ata po merrnin pjesë në privatizime dhe se kjo do t’i bënte të fuqishëm ekonomikisht. Nuk kishte dilemë që PS do t’i fitonte zgjedhjet e ardhshme dhe besonte se gjëja e parë që duhej bërë ishte përmirësimi i raporteve me SHBA.
    Folëm për gjithçka për thuajse 4 orë. Nano më tregoi edhe një herë se si e kishin arrestuar; si ishte mësuar me burgun dhe se si i kishte rezistuar atij. Nuk tregoi asnjë shenjë dobësie, asnjë shenjë malli dhe kur ika pata bindjen se në vetvete është një njeri i fortë dhe kjo e kish ndihmuar të përballonte një situatë si kjo.
    Nuk kish dyshim se Nano ishte më i lirë në burg se sa mendohej dhe se ashpërsia e hamendësuar, nuk e prekte dot.
    U ngjitëm dhe më tregoi dhomën e tij. Një dhomë e thjeshtë me një radio me valë të shkurtra dhe një televizor që ishin me sa duket mjetet e tij kryesore të informimit. Dritarja shihte nga oborri i brendshëm i burgut dhe kur zgjata kokën pashë se ishte orari i ecjes.
    - I njeh, më pyeti Nano.
    Nuk njihja asnjë prej tyre, por Asafi më tregoi disa nga drejtuesit më të rëndësishëm komunistë:
    - Foto Çami, Aranit Çela dhe katër a pesë drejtues të tjerë komunistë.
    Mu duk e çuditshme që personazhet të cilët isha mësuar t’i shihja si portrete të varur në muret e klasave të shkollës, ishin shndërruar tashmë në ca pleq mjeranë, veshur me zhele që ecnin nga një pjesë e oborrit në tjetrën, me një hap të shpejtë. Befas, qenë gjendur në një prej burgjeve që kishin ngritur vetë, për të dhënë llogari për atë që kishin prodhuar në 45 vjet: dhunën dhe harrimin...
    Rrahja e Edi Ramës
    22 janar 1997, e mërkurë
    Sapo kisha mbërritur në shtëpi nga një mbrëmje e mërzitshme tek Fideli, kur tingëlloi telefoni. Ishte vonë për një telefonatë të zakonshme. Ai që më njoftoi, më tha vetëm një fjalë:
    - Kanë goditur Edi Ramën. Është në spital.
    Pak minuta më vonë, i veshur trashë, gjendesha në makinë. E takova një mikun tim dhe u nisëm për në shtëpinë e Edi Ramës. Sipas mikut tim, Edi, së bashku me Lad Myrtezain dhe Delina Ficon, bashkëshorten, qenë ndarë me bandën e miqve dhe po bëheshin gati të hynin në shtëpi. Në banesën e Edit, në lagjen periferike të Parkut të Autobusëve tek ndërtimet parafabrikate. Sapo kishin shkelur në hyrje kur dy persona me kapuçë në kokë kishin goditur me levë Edin. Delina qe përpjekur t’i ndalonte, por kishte pësuar edhe ajo, e Ladi, një goditje të lehtë.
    Por ne nuk e dinim të gjithë historinë. Shkuam në shtëpinë e Edit, ku nata ngjante edhe më e frikshme. Beni druhej se ata nuk do ta hapnin derën dhe nisi të thërrasë me zë të lartë. Nga pallati nuk vinte asnjë ndriçim. Një çast më vonë, dikush mënjanoi perden dhe tha me zë të ulët:
    – Janë në spital.
    Rreth orës 01.00 ishim në oborrin e urgjencës. Një makinë na kishte ndjekur pas e ne u trembëm, por ai qe një hallexhi si ne. Edi rrinte i shtrirë, i përgjakur mbi pulovrin në gjoks. E kishin goditur në fytyrë dhe veç plagëve, kishte edhe një dëmtim në hundë. Doktorët kishin frikë se mos kish thyer kockën. Doktori u ankua edhe një herë se nuk kishte antitetanoz, po Delina shpjegoi se Ben Blushi, Nikoll Lesi dhe Martin Leka qenë nisur për të blerë në ndonjë farmaci. Ata u kthyen vonë, por ndërkohë në spital kishin mbërritur drejtuesit e SOROS-it, Blendi Gonxhja dhe familja e Edit. E ëma qante ndërsa i ati përpiqej ta qetësonte me ngadalë. Edhe ai dukej i tronditur. Me aparat në dorë Artan Imami bëri disa foto.
    Pas orës 02.30 ikëm. U ulëm në një kafe qendrore të quajtur “Piano bar qendër” dhe përpara një gotë kapuçino u përpoqëm të kuptojmë se çfarë do të vinte pas kësaj!
    Ndjesat e Berishës
    17 shkurt 2005, e enjte
    - Ju kërkoj falje shqiptarëve për piramidat dhe paratë e humbura në fajde, ai ka qenë një gabim i demokracisë së re dhe mosnjohjes!
    - Ngjarja me arrestimin e katër grekëve ka qenë një incident që nuk duhej të kish ndodhur dhe unë kam përgjegjësinë time për të!
    - Më vjen keq për ngjarjet e 1997 dhe besoj se e kam shlyer përgjegjësinë time duke qëndruar 8 vjet në opozitë!
    - Çdo njeri që ka ikur nga PD këto 15 vjet, çdo njeri që dëshiron të kthehet ose që do të hyjë rishtas në PD, është i mirëpritur. PD ka nevojë për të gjithë.
    - Unë propozoj një Shqipëri më të mirë, më të ndershme dhe më të pastër!
    Këto ishin disa nga tezat që Sali Berisha, lideri i PD dhe ish Presidenti i vendit po lëshonte njëra pas tjetrës në emisionin OPINION. Andi Bushati që ishte ulur në sallë përballë meje, bashkë me Armand Shkullakun dhe Baton Haxhiun, po më shihnin tejet të befasuar. Ose Berisha kish ndryshuar krejt, ose ata nuk po kuptonin asgjë. Unë kisha po atë hutim disi më të zbutur. Intervista po ngjallte një interes të paparë dhe unë e kisha ditur këtë që atë mëngjes. Isha takuar me Berishën në “Sheraton” në ora 10.00 dhe ai dukej i qetë, fare i sigurt dhe më kish lënë të kuptoja se intervista do të sillte diçka të re...
    Ndenjëm më pas për darkë dhe Berisha kish pamjen dhe stilin e një njeriu që e kish menduar gjatë këtë.
    - Kam reflektuar, tha dhe ky është besimi im i madh. Ne duhet të ndryshojmë. /Panorama/
    * Jeta është Mundësi, Përfito nga Ajo*

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    blendua.. me cpo tregon.. del se qenka..ashtu sic e kam menduar.. nje .. dobic me 120 flamuj..
    po flamujt sjan gje..
    do ket dhe pun tjera nen rrogoz ky kopil i jashtzakonshem..

    i lumte..

    thx o temhapes..

    a pipetiu gje blendua kto jave ne lidhje me ceshtjen "bllaca"..

    ???

    se jan te lidhura gjerat ore..

  3. #3
    ssdwcdcee Maska e SENSUALI_TR
    Anëtarësuar
    01-02-2007
    Vendndodhja
    Ne vendin ku Extremet i kalojne kufijte e imagjinates
    Postime
    277
    Sipetiu gje Blendua por pipetiu Cani te Zone e Lire ku e quajti Blendon Bythelepires te Saliut
    * Jeta është Mundësi, Përfito nga Ajo*

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,780
    Shkrim i bukur si gazetar...dokumentar...pa ide... pa opinion...nuk eshte e thene qe nje gazetar te jete dhe intelektual.

  5. #5
    Andi Ballshi
    Anëtarësuar
    14-06-2009
    Vendndodhja
    Prishtine
    Postime
    118

    Blendi Fevziu Jeta ime

    Blendi Fevziu Jeta ime
    Pak minuta më parë percolla TV Klanin. (tash ora 17:50) Posa perfundoi intervista me Analistin, komentatorin dhe udhëheqësin më të shkëlqyeshem, të kohës se sotme shqiptare te "paqendrueshme", dramatike e me plote pyetje te pakeptuimta per mua, hyra ne interenet, klikova Googlen, shenova Blendi Fevziu JETA IME, dhe pas 0,47 sekunda, fitova këtë Dritare: Blendi Fevziu: Ju dëshmoj si e kam parë historinë e 20 viteve të ... Te Forumi Shqiptar. Ju lumte TV Klan, të lumtë z. SENSUALI, te lumte Forumi Shqiptar. Ky fillimshekulli, kam shpresë se do të quhet Shqkulli I Arbëri. Nuk kam koment tjetër para se ta lexoj Librin. Përshëndetje.

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    22-10-2004
    Postime
    238
    Fevziu eshte me kohe e me vakt antishiptar dhe spiun i udbs.

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    nuk shoh anti shqiptarin tek blendi.. o ozzi..

    as spiunin e udb-es..

    eshte nje djal inteligjent qe e ka kuptuar mir demokracine..
    i lumte..

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e derjansi
    Anëtarësuar
    14-04-2005
    Postime
    6,730
    Citim Postuar më parë nga Brari Lexo Postimin
    blendua.. me cpo tregon.. del se qenka..ashtu sic e kam menduar.. nje .. dobic me 120 flamuj..
    po flamujt sjan gje..

    do ket dhe pun tjera nen rrogoz ky kopil i jashtzakonshem..

    i lumte..

    thx o temhapes..

    a pipetiu gje blendua kto jave ne lidhje me ceshtjen "bllaca"..

    ???

    se jan te lidhura gjerat ore..
    lol..............
    JO NEGOCIATA VETËVENDOSJE

  9. #9
    i/e regjistruar Maska e derjansi
    Anëtarësuar
    14-04-2005
    Postime
    6,730
    Citim Postuar më parë nga Brari Lexo Postimin
    nuk shoh anti shqiptarin tek blendi.. o ozzi..

    as spiunin e udb-es..

    eshte nje djal inteligjent qe e ka kuptuar mir demokracine..
    i lumte..
    looooooooooooooooooooooooool
    JO NEGOCIATA VETËVENDOSJE

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •