Kryeministri Sali Berisha zbardhi në konferencën e djeshme për shtyp edhe një takim mes nismëtarëve të themelimit të Partisë Demokratike me Presidentin Ramiz Alia për të zgjidhur kërkesat e studentëve në vitin 1991, të cilët ishin futur në grevë urie. Kreu i qeverisë tha se kur Alia kërkoi që në këtë takim të ishte i pranishëm edhe ministri i Arsimit të asaj kohe, Skënder Gjinushi, ai hyri në zyrë nga banjo e Presidencës. “Ministri i tij Gjinushi e dinë ata që kanë qenë te Ramiz Alia se në cilën anë ishte. Ku qëndronte në krah të tij dhe nuk e hapte dot gojën. Më e fundit që dua t’u them për të, është unike në historinë politike, në datën 17 ose 18 shkurt greva e urisë me 1200 studentë pjesëmarrës”, u shpreh Berisha. Sipas tij “unë, ndjesë pastë Azem Hajdari, Preç Zogaj, Eduard Selami edhe mundet e Leka Meksi ne në zyrë duke i bërë presion Ramiz Alisë, që të heqë emrin e Universitetit dhe duke mbrojtur kërkesat e studentëve. Pas 2 orë debatesh se si bie problemi për ministrin e Arsimit dhe i themi ne se duhet të bëhen këto veprime, Ramiz Alia na thotë ta thërrasim. Thirre i themi ne. Kur hapet një derë dhe futet Skënder Gjinushi. Unë thashë si ndodhi? Ditën që u bëra president dhe hyra në atë zyrë, shkoj dhe hap atë derë dhe ç’të shoh, ishte banjo”, tregoi më tej kreu i qeverisë. Sipas tij, pesë vjet më vonë disa zyrtarë amerikanë, të cilët po trajnonin zëdhënësit e partive politike në Shqipëri thanë se një politikan që ka pranuar atë rol, duhet të ikte sa më parë nga politika. “Në vitin 1996 Soros organizon një udhëtim të zëdhënësve të partive në SHBA për t’i trajnuar. Meqenëse kishin krijuar kundërshti me PS, përfaqësuesi i PS-së, zyrtarëve të institucioneve të ndryshme që po i trajnonin i shtron pyetjen: çfarë do thoni ju për një rast si ky. Specialistët amerikanë e mbyllën seancën dhe thanë kërkojmë kohë për mendim. Kthehen pas 1 orë e gjysmë dhe thonë se në këtë rast nuk ka zgjidhje tjetër veçse zhdukje nga politika, s’mund të jesh më në politikë po të kesh pranuar gjëra të tilla”, u shpreh më tej Berisha.
Panorama
Krijoni Kontakt