Drama “Kush ka frikë nga Virginia Woolf”, nesër në TK


Izaura Ndoj
E lajmëruar që në shtator e më pas data të caktuara për premierën në nëntor të cilat nuk u realizuan dot, bënë që drama e Eduard Albee “Kush ka frikë nga Virginia Woolf”, të përflitej kaq shumë gjatë këtyre muajve, dhe të vinte për publikun në dhjetor, e fatkeqësisht jo për nivelin e pjesës, por për problemet e ndryshme teknike që bënë Teatrin Kombëtar ta shtynte dramën. Nesër, në 17 dhjetor ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar premiera e dramës "Kush ka frikë nga Virxhinia Woolf”. Në një konferencë për shtyp paraditen e djeshme në mjediset e TK, drejtori i këtij institucioni, Kristaq Skrami, u shpreh se vepra është nga bashkëpunimet më ambicioze të TK, ku për herë të parë realizohet dhe bashkëpunimi më regjisorin e ri shqiptar nga Maqedonia, Kushtrim Bekteshi. Vepra në fjalë ishte parashikuar të çelte sezonin artistik të vjeshtës por për organizatorët shtyrja e vënies në skenë të pjesës ishte pasojë e një incidenti të vogël të ndodhur me një nga aktorët dhe nuk kishte të bënte fare me përgatitjen e pjesës. Por më në fund, Viktor Zhusti, Eva Alikaj, Helidon Fino dhe Eftiola Laçka do të veshin petkun e personazheve, në regjinë e shqiptarit të Maqedonisë, Kushtrim Bekteshi. Nga ana tjetër, drama amerikane, do të jetë diçka më shumë sesa një premiere për Eva Alikajn, e cila me rolin e Martës, i rikthehet teatrit shqiptar. Vepra “Kush ka frikë nga Virginia Woolf”, ka bashkuar në skenën teatrore dy aktorët më të kërkuar të viteve ’90. Ato janë cilësuar si dy ikona të filmit dhe teatrit shqiptar, të cilët do të interpretojnë së bashku në skenën me datë 17 dhjetor. Aktorët Viktor Zhusti dhe Eva Alikaj do të vijnë për herë të parë në skenë në dramën e amerikanit Albeee. Vepra më e njohur e dramaturgut amerikan Eduard Albee do të ngjisë në skenë dhe aktorët Helidon Fino dhe Eftiola Laçka. Regjisori maqedonas Kushtrim Bekteshi rrëfen se kjo pjesë e ka ngacmuar se tepërmi jo vetëm me atë ç’ka trajton, por edhe imagjinatën që krijon. “Asnjëherë nuk dua të sjell mesazh unë me shfaqjet e mia, mua më intereson të përcaktojë diagnozën e gjendjes së shoqërisë në kohën që po jetojmë dhe kjo shfaqje e përcakton atë diagnozë. Pastaj, mesazhet normal që do i përcjelle vetë shfaqja vetë teksti, nuk është vetëm një mesazh, janë disa mesazhe. Por ato do ti pranojë publiku në bazë të botëkuptimeve të veta”, thotë regjisori i ri Kushtrim Bekteshi. Kjo dramë është një nga të mirat e shekullit XX, pasi ajo flet për familjen e për gruan, për pozitat e saj, për konfliktet dhe iluzionet. Kushtrim Bekteshi është një regjisor i ri shqiptar në Maqedoni dhe deri tani ka vënë në skenën maqedonase të Teatrit Kombëtar të Shkupit tetë shfaqje. Ato janë “Akuariumi” nga Refet Abazi (2006), “Labirintet e kujtesës” nga Avni Halimi (2007) dhe “Vojceku” nga Georg Byhner (2008), “Figaro divorcohet” nga Odon von Horvath (2008) “Kurthi i vdekjes”. Regjisori Kushtrim Bekteshit vlerësohet për talentin dhe pjekurinë e tij profesionale, si edhe nivelin bashkëkohor të inskenimit. Ai ka mbaruar Akademinë e Arteve në Shkup, ku ka marrë mësim edhe nga Slobodan Unkovski, i cili është një regjisor shumë i njohur në Ballkan. Në Tiranë ai ka vënë në skenë “Xhaxha Vanja” të Çehovit, nga Ira Levin (2009). Një dramë me katër personazhe që vijnë nga festa, pastaj pinë pafund derisa shkërmoqen të katër. “Who’s afraid of Virginia Woolf” është një dramë e luajtur në skenat teatrore në të gjithë Evropën. Alikaj shprehet e kënaqur se ka mundur ta ndjekë këtë pjesë në Austri, në Volkstheatër dhe në Burgthteatër. “Kush ka frikë nga Virginia Woolf” ka patur realizime kinematografike të vitit 1966, me Elisabeth Teylor dhe Richard Burton, në regjinë e Mike Nichols. Drama do të shfaqet në Teatrin Kombëtar deri në 20 dhjetor.

Albania
16 Dhjetor 2009