Një grua abortoi nga aksioni policor në Haraçinë
Nehat Bilali nga Haraçina thotë se si rezulat i aksionit policor për kapjen e Murat Ajvazit, gruaja e tij ka abortuar. Sipas Bilalit, në ditën e aksionit gruaja e tij ka qenë duke pastruar oborrin e shtëpisë, ku papritur kanë hyrë forca të shumta të policisë dhe kanë shkaktuar panik tek familjarët, përfshirë edhe bashkëshorten.
“Kanë hyrë nga dera e pas shtëpisë. Gruaja dhe fëmijët kanë qenë në oborr, kur kanë hyrë brenda gruaja është frikësuar dhe kanë filluar të qajnë dhe pasi kanë hyrë brenda në shtëpi mu lajmërua mua. E kam pasur gruan shtatzëne dhe ja pas disa ditëve, gruan e kam në spital dhe kam humbur fëmijën", ankohet Nehat Bilali, banor i Haraçinës.
Bilali shprehet se për ngjarjen e ndodhur, do të kërkojë përgjegjësi nga policia, e cila pa autorizimin përkatës ka hyrë në shtëpinë e tij.
“Jo ata nuk kanë patur leje për të hyrë në shtëpi se ne nuk kërkohemi dhe nuk kemi qenë në dijeni se çka po ndodhë", tregon Nehat Bilali, banor i Haraçinës.
Sipas mjekëve në spitalin gjinekologjik në Çair, gruaja vazhdon të qëndrojë në spital dhe gjendja e saj po përmirësohet. Për rastin, Nehat Bilali thotë se do të informojë edhe Avokatin e Popullit. Aksioni policor i 14 dhjetorit në Haraçinë kishte për qëllim kapjen e Murat Ajvazit, i cili kërkohet për vrasjen e Goce Zaevskit nga Bërnjarci, të kryer në janar të viti 2007.
Nevzat Mamuti
http://alsat-m.tv/index.php/lajme/vendi/21507.html
Krijoni Kontakt