Në vitin 2006, vila dhe trualli rreth saj me sipërfaqe 5100 metra katrore iu rikthye familjes mbretërore
Vila mbi kodrën e Durrësit, simboli që kërkon shkëlqimin e dikurshëm
Vila mbi kodrën e Durrësit vazhdon të jetë një nga simbolet më të njohura të qytetit bregdetar, edhe pse mjediset e brendshme të saj janë shkatërruar plotësisht në ditët e vitit të mbrapshtë 1997. Fasada e saj me arkitekturë të mrekullueshme u shërben si dekor çifteve të sapomartuar që ngjiten në kodër, nga ku Durrësi dhe gjiri detar duken si në pëllëmbë të dorës, ku dhe bëjnë fotot-kujtim të ditës së dasmës. Në vitin 2006, vila dhe trualli rreth saj me sipërfaqe të përgjithshme prej afro 5100 metra katrore iu rikthye familjes mbretërore. Por, tashmë Vila mbi kodër ka nevojë për rikonstruksion të plotë.
Themelet e ndërtesës rrezikohen nga rrëshqitjet e dherave, pasojë e dëmtimit të pyllit me pisha si dhe i ndërtimeve të shumta pa leje rreth saj. Përpjekjet e një viti më parë kur një kompani angleze ofroi një projekt që synonte ta kthente godinën në një hotel me suita luksoze rezultuan të pasuksesshme.
Godina që i dha emrin kodrës mbi Durrës
Vila mbi kodër u ndërtua në vitin 1926, si dhuratë e tregtarëve durrsakë për ish-kryeministrin Ahmet Zogu, i cili vetëm dy vjet më pas do të vetëshpallej Mbret i Shqiptarëve. Prof. Kristo Sotiri, i lauruar në Venecia dhe Padova, i cili kishte dhe përvojën si arkitekt i oborrit të Mbretëreshës Elisabeta Karmen Silva të Rumanisë, e "vendosi" godinën në pikën dominuese me lartësi 98 metra. Pranë saj, siç dëshmonte arkeologu francez, Leon Hezey, në mesin e shekullit të 19-të, "shiheshin ende rrënojat e akropolit dhe mureve mesjetare të qytetit", të cilat aktualisht dalin mbi sipërfaqe, 200 metra më poshtë dhe vazhdojnë deri te Torra Veneciane. Godina që e "vështron" detin nga të tri anët dhe ka formën e krahëve të një shqiponje u rindërtua në vitin 1936 në prag të martesës së mbretit Zog i Parë me konteshën hungareze Geraldinë Apony. Mjediset e brendshme, zbukuruar hijshëm, salla e madhe e pritjeve, kati i sipërm i projektuar enkas për çiftin mbretëror dhe ballkonet me pamje nga deti, janë prova e një ndërtimi modern për vitet 1930 në Shqipëri. Ndërtesa që shihej që nga larg mbi kodrën e zhveshur nga banesat e tjera, kishte fituar kështu statusin e një simboli që vazhdon të mbetet i tillë edhe sot, ndonëse qyteti bregdetar ka fituar përmasa të tjera shumë më të mëdha.
Vila, "molla e ndaluar" për durrsakët
Vila mbi kodër ka mbetur thuajse gjithmonë një "enigmë e panjohur" për qytetarët durrsakë. Edhe sot, ajo ruhet nga shërbimet e policisë private, të pajtuar nga trashëgimtarët e familjes mbretërore, duke mbetur njëlloj e panjohur sikurse gjatë gjithë historisë së saj 83-vjeçare. Vila mbi kodër u shtetëzua menjëherë nga shteti komunist në vitin 1945. Megjithëse mobilimi i brendshëm i saj u transferua në Tiranë, ku po krijohej "Blloku i udhëheqësve të proletariatit", vila shërbeu deri në fundin e viteve 1980 si "shtëpi pritjeje", në të cilën kanë kaluar emra të njohur të kampit komunist nga Nikita Hrushovi e Çu En Lai, deri te princi kamboxhian. Samde Norodom Sihanuk. Për dekada me radhë. shumë pak durrsakë arritën t'a shihnin nga brenda godinën, për të cilën legjendat urbane thoshin se ka 101 dhoma. Megjithatë, ajo mbeti dëshmia-simbol e ndryshimeve që ndodhën në jetën e qytetit antik përgjatë shekullit të kaluar. Në vitin 2002. një ushtarak italian i regjimentit "San Marko", që ishte inkuadruar në trupat që shërbenin në Durrës, kërkoi dhe gjeti në zyrën e gjendjes civile të Qarkut çertifikatën e lindjes së babait të tij. "Gjyshi im kishte ardhur për të punuar si hidraulik në Vilën mbretërore, por i pëlqyen vendi dhe njerëzit këtu, kështu që tërhoqi nga Pulia (Itali) pjesën tjetër të familjes për të jetuar përfundimisht në Durrës. U detyruan të largoheshin në vitin 1945, me ushtarët e fundit italianë që ishin strehuar në familjet shqiptare pas kapitullimit fashist. Babai im ishte vetëm 8 muajsh", u tregoi ushtari punonjësve të Zyrës. Tashmë në Durrës kohët kanë ndryshuar. Mbi 250 qytetarë italianë jetojnë dhe punojnë përkrah durrsakëve, njëlloj si 70 vjet më parë. Qyteti ka mbi 200 mijë banorë dhe imazhi i tij paraqet një pamje gjithnjë e në rritje. Por, Vila mbi kodër si simbol, vazhdon të mbijetojë, duke kërkuar shkëlqimin e dikurshëm edhe si pjesë e historisë së qytetit 3000-vjeçar.
Gëzim Kabashi
rd
Krijoni Kontakt