Kuvendi, depozitohet pakt i ri i kufijve mes Malit të Zi dhe Shqipërisë
Mbërrin në Kuvend marrëveshja e dytë për përcaktimin e kufijve. Pas asaj me Greqinë, në komisionet parlamentare është depozituar projektligji i dytë “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi, për riparimin, rindërtimin dhe mirëmbajtjen e piramidave e shenjave të tjera kufitare, në kufirin shtetëror shqiptaro-malazez”. Pakti mes dy vendeve është nënshkruar në Podgoricë, më 6 nëntor të këtij viti, nga ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Malit të Zi, Meta dhe Roçen. Në relacionin e këtij drafti theksohet se marrëveshja mbështetet në Protokollin e Firences të vitit 1926, dhe në dokumentacionin e punës së Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve të viteve 1922-1925. Palët kanë detyrimin mbi bazën e marrëveshjes të ruajnë të gjitha piramidat kufitare të ndërmjetme dhe shenjat e tjera kufitare dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e çdo dëmtimi, zhdukjeje ose zhvendosjeje të tyre. Gjithashtu palët do të bashkërendojnë veprimet në rastet e punimeve në lumenjtë kufitarë. “Kur, si pasojë e veprimeve natyrore, mund të ketë ndryshime në rrjedhën e lumenjve, vija kufitare do të ketë ndryshim, dhe në rast se ndryshimi bëhet në mënyrë artificiale, vija kufitare mbetet e pandryshueshme”, thuhet në relacion. Riparimi dhe rindërtimi i parë i piramidave të kryhet në një afat prej pesë vitesh. Kjo marrëveshje përfshin gjithashtu dhe riparimin e shenjave notuese, bovave në liqenin e Shkodrës. Kështu shenjat e përcaktuara nga 11-21 do të përballohen nga ana e qeverisë shqiptare, ndërsa nga 1-10 nga pala malazeze. Një komision i përbashkët prej tetë anëtarësh do të merret me këtë çështje, duke filluar punë menjëherë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes. Në nenin 17, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, ndërpritet veprimi i Konventës midis dy qeverive të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federative të Jugosllavisë mbi ruajtjen, mirëmbajtjen dhe rindërtimin e piramidave të ndërmjetme dhe shenjave të tjera kufitare në kufirin shtetëror shqiptaro-jugosllav të datës 16 gusht 1956, ku përfshihet edhe ndarja e sinjaleve ndriçonjëse bregore dhe notonjëse. Në këtë marrëveshje përfshihen edhe ujërat e liqenit të Shkodrës, lumit Buna.
Panorama
Krijoni Kontakt