A ka politikë Arsimore Kombëtare shkolla jonë?


» Vendosur: 07/12/2009 - 08:57



• Ndriçim Kulla

Një aspekt themelor nga ku duhet të nisë aktualisht organizimi i sistemit tonë arsimor-shkruante Branko Merxhani në formulat e neo-shqiptarizmës është jo vetëm arsimimi, pra mësimdhënia, por veçanërisht edukimi, i kuptuar ky në gjithë thellësinë dhe vlerën e madhe qytetëronjëse dhe krijuese. Madje, aq i madh ishte admirimi dhe theksimi që ata i jepnin edukimit, saqë arritën të propozojnë që edhe Ministria e Arsimit të quhej Ministria e Edukimit. Sa e ngushtë dhe e sinqertë duhet të jetë lidhja mes jetës dhe shkollës, kaq e ngushtë dhe brendshme duhet të jetë edhe simbioza e interesimi i çdo brezi reformonjës për edukatën. Një ide e tillë merr vlera të çmuara sidomos sot, kur objektivi më i madh që i parashtrohet shkollës shqiptare është të rrisë cilësinë e edukimit dhe produktit të saj pedagogjiko-edukues dhe karakter-formues. E nëse do të ndjekim vijën logjike të këtij arsyetimi, kushdo që i jep procesit të edukimit cilësinë më të madhe, e vendos suksesin e misionit reformonjës të një brezi të ri kryesisht tek zbatimi i një plani arsimor të studiuar mirë. E në këtë perspektivë konceptimi pedagogjik i Neo-shqiptarizmës artikulohet nëpër disa hapa ose në përmbushjen e disa faktorëve, që në përgjithësi mund të projektohet ende dhe sot në krijimin e bazave të një pedagogjie të përshtatur mjaft mirë edhe me dijet e sotme bashkëkohore. Shfaqet kështu i rëndësishëm studimi i jetës shpirtërore ose më përpikërisht i jetës psikologjikë të fëmijëve tanë, në mënyrë që të krijojmë një plan pedagogjik sa më shkencor e të volitshëm për ta. Një pedagogji pa psikologji, një shkollë që nuk bazohet në njohjen e jetës psikike të fëmijëve të vet nuk mund të ekzistojë. Për rrjedhim, edhe një Plan Arsimor i shkollës sonë nuk mund të formulohet pa një studim analitik të psiko-sintezës së vendit dhe kombit shqiptar. Është ky një nocion inovator që do të qe mjaft i rëndësishëm për të hedhur edhe sot bazat e një plani arsimor kombëtar. Aq më tepër që pedagogjia më e përparuar e kohës pranon ekzistencën e një strukturimi të veçantë të shpirtit të nxënësit për çdo racë e kombësi, strukturë kjo psikike që në gjuhën e zakonshme njihet me termin “shpirti popullor”. Në këtë pikëpamje, vlera edukative e një populli, shkalla e qytetërimit të shoqërisë së tij, çka përbën edhe kulturën e tij kombëtare, janë vepra krijuese e strukturës shoqërore. Dhe qëllimi i fundmë i jetës shoqërore është që të krijojë një kulturë kombëtare. Po a e ka vallë shkolla e sotme një kulturë të tillë kombëtare, ose a ka plane konkrete për një qëllim të tillë? Vetëm një shkollë e bazuar në studimin e jetës psikologjike të fëmijëve të sotëm, ashtu siç e patën menduar atëherë edhe ideatorët e neo-ashqiptarizmës, dhe në studimin e strukturës psikike të veçantë të kombësisë sonë, do të arrijë të jetë një shkollë për edukatën shoqërore. Qëllimi i saj do të qe të vaksinojë brenda në shpirtrat e fëmijëve të sotëm idenë e shoqërisë, domethënë atë që i ka munguar kurdoherë shqiptarëve e që ka qenë shkaku më i rëndë i të gjitha problemeve tona historike. Po sot, a e kemi strukturuar vallë planin pedagogjik dhe politikën tonë arsimore që të krijojë një shkollë për edukatën shoqërore? Besoj se krahasuar me parimet e Evropës së sotme mentaliteti shoqëror dhe ideologjia kombëtare janë dy cilësorët që lipset të korrigjohen urgjentisht e përmirësohen më tepër në strukturën e arsimit shqiptar. Kësaj i thonë të bësh reformë. Kjo nënkupton drejtpërdrejt parimin që sistemi pedagogjik më i mirë dhe më i përshtatshëm për shkollën shqiptare, nuk mund të porositet e imitohet vetëm e vetëm nga Evropa, ashtu siç është bërë deri më sot nga shumë formulues të politikave tona arsimore. Nga Evropa dhe Perëndimi, e vetmja gjë që mundemi dhe duhet të marrim patjetër është shkenca e saj, në tërësinë e vet, pedagogji, psikologji, filozofi edukimi e kështu me radhë. Mirëpo mënyrën e zbatimit të saj ne duhet të përpiqemi ta puthitim me mjetet e aktivitetit tonë shkencor, me konditat psikologjike, bio-gjenetike dhe sociologjike të vendit tonë. E në këtë predispozitë urgjente, do të na vinte në ndihmë studimi i mendimit shqiptar të traditës, veçanërisht atij të viteve 30-të, sidomos tashmë që ai është përmbledhur dhe botuar në kolana të veçanta e të përshtatura edhe për arsimin tonë bazë e të mesëm. Nga ana tjetër, pa një pedagogji të ngritur mbi dy shtyllat e psikologjisë dhe sociologjisë shqiptare nuk mund të ndërtohet asnjë politikë arsimore që të kristalizojë ndërgjegjen kombëtare dhe kolektive të brezit tonë të ri. Ja, këto janë ato parimet kryesore, që siç thotë Xhon Djui, mund të lavdërojnë dhe lartësojnë vërtet një popull, në hartimin e një sistemi arsimor total dhe unik, të përcaktuar mirë dhe të zbatuar pjesë-pjesë dhe për shumë vjet. Ja, pse duhet të nisemi urgjent nga mendimi shqiptar për ta tranformuar shkollën tone,një shkollë të aktivitetit, një shkollë të “edukimit krijues”, të lidhur ngushtë me jetën dhe realitetin shqiptar. Por ashtu siç parashtronte edhe neo-shqiptarizma, “dëshira e reformave radikale në jetën tonë edukative, pa siguruar përparimin dhe zhvillimin e mësuesve në pikëpamjen metodike e didaktive, do të mbetej një fantazi e bukur”. Për këtë arsye personaliteti i mësuesve dhe ngritja e tyre në një nivel të kënaqshëm në sheshin e kulturës, etikës shoqërore dhe estetike, shtrohej me shumë forcë nga Branko Merxhani që në fillimet e shkrimeve të tij në vitin 1929. Në këtë aspekt, ai na paraqitet në një raport të veçantë sidomos me Shkollën Normale të Elbasanit dhe programin e saj mësimor. “Kjo shkollë”, theksonte Merxhani, lindi në ditët e dëshpërimit tonë të madh si popull, e pak ndryshonte nga e para “Ekol normal” (Shkolla normale) franceze e tipit të vitit 1795, por që tash dalëngadalë po zhduket për t’i lënë vendin Instituteve moderne të tipit Zhan Zhak Ruso në Gjenevë, apo e të njëjtit lloj në Jenë”. Ja, këtë model Instituti kish në mëndje Merxhani. Ndaj duke dashur të reformojë në mënyrë radikale këtë foltore të rëndësishme të përgatitjes së mësuesve të shkollave shqiptare dhe të hedhë bazat e pedagogjisë shqiptare ai formulon një program alternativ me 5 drejtime kryesore dhe propozon shndërrimin e Normales në një Institut pedagogjik. E meqenëse diçka e tillë nuk u arrit, vijoi të ngulmojë edhe në vitet e mëpasme në lartësimin e saj në nivelin e një Liceu të plotë, sepse sipas tij, kish ardhur koha që në krye të çdo reforme shkollore dhe edukative të qëndronte problemi i personalitetit të mësuesit. Një mësues që nuk zotëron në radhë të parë një dozë të caktuar krijuese të Didaktikës metodike dhe një përgatitje të caktuar psikologjike, nuk është pedagog, por thjesht një nëpunës. Edukimi nuk mund të jetë një ligj apriori, as diçka që mund të arrihet dhe të përsoset me një lustër të jashtme. Edukim do të thotë, bazuar në parimin e zbulimit të shpirtit të fëmijës, të formuluar nga Maria Montesori, njëra nga edukatoret më të mëdha të shekullit, do të thotë kulturim që mund të arrihet vetëm brenda shpirtit të fëmijës dhe të krijohet brenda unit djalëror. Për të vazhduar në këtë logjikë, e për të vënë në jetë një tjetër koncept të Montesorit, sipas së cilës “sistemi pedagogjik më i mirë është ai sistem që ka për bazë lirinë”, neo-shqiptarizma dhe Branko Merxhani do të shtonin idenë që “çdo klasë shkolle të marrë një fizionomi të veçantë, shpirti i së cilës të jetë mësuesi që e dashuron nxënësin dhe që ka në zemrën e vet jo inatin e urdhëronjësit, po impozimin shpirtëror të një kryetari të mirë, të një mbrojtësi e të një miku simpatizues e të pandarë të nxënësve. Vetëm në këtë mënyrë shkolla transformohet në një shtet të vogël, brenda të cilit mësuesi nuk luan rolin e një autoritari, por rolin e qytetarit të dashur dhe të mirë. Mirëpo për mbrujtjen e një edukate mësuesore të këtij lloji, lipset përveç një studimi të thjeshtë psikologjiko-pedagogjik, edhe një studim estetik. Lipset një pedagogji shkencore e cila të jetë e lidhur ngushtë me kulturën kombëtare. Një nocion i tillë nëse do të përshtatej në epokën e sotme ku sundon teknologjia, do të përkthehej në parimin se arsimi pedagogjik nuk duhet të konsiderohet kurrsesi vetëm si një vepër e thjeshtë teknologjike ose e thënë ndryshe e internetit apo teknologjive të informacionit në çdo shkollë. Përkundrazi, në mes të gjithë përpjekjeve shkencoro-pedagogjike nuk qëndron teknologjia, por ideali i edukimit, i cili nga ana e vet kërkon që mësuesi, para se të nisë ushtrimin e profesionit të tij, të fillojë më parë një jetë dhe aktivitet të vet mendor e studimor, të cilën ta vazhdojë në shkollë. Një komb nuk mund të jetë kurrë i sigurtë për të ardhmen e tij pa organizuar një ushtri ideale e të fortë mësuesish. Ja, kjo i kërkohej asokohe Normales së Elbasanit, e kjo i kërkohet edhe sot trupës sonë kurrikulore dhe pedagogjike, të udhëhequr nga një politikë arsimore e ngjitur në një shesh mendimi akoma dhe më të lartë.



panorama