Kapitulli VIII
"Mbreti im është i marrë. Së paku kështu më duket. Ç'mund të bëj?"
Së pari kupto këtë fakt të pandryshueshëm: Ti nuk mund të thuash (askush nga ne nuk mund të thotë) se kush është i mirrosuri i Zotit, dhe kush jo. Disa mbretër që mund të bësh be se i përngjasojnë Saulit, në të vërtetë i përngjasojnë Davidit. Dhe të tjerë, që të gjithë do të betoheshin se i përngjasojnë Davidit, në të vërtetë i përngjasojnë Mbretit Saul. Kush ka të drejtë? Asnjë njeri nuk është aq i urtë sa të mund të zgjidhë këtë enigmë. E gjitha që mund të bëjmë, është të vijmë rrotull duke pyetur veten:
"A është ky njeri i mirrosuri i Zotit, dhe nëse po, a i përngjason Saulit?".
Memorizoje mirë këtë pyetje. Mund të duhet të pyesësh veten 10000 herë. Veçanërisht nëse je qytetar i një mbretërie, mbreti i së cilës thjesht është i marrë.
Të pyesësh kësisoj mund të mos duket e vështirë, ama është. Veçanërisht kur vajton nga brenda... kur i shmangesh në heshtje heshtave... kur tundohesh të qëllosh, qoftë edhe një të vetme... dhe të tjerët të japin zemër, të bësh pikërisht këtë. Dhe i gjithë arsyetimi yt, mençuria, logjika, inteligjenca dhe sensi yt praktik pajtohen që ti të veprosh në të tillë mënyrë. Por, mes lotëve të tu, mos harro: Ti di vetëm pyetjen, por jo përgjgjen.
Askush nuk e di përgjigjen.
Përveç Perëndisë.
Dhe Ai, nuk tregon kurrë.
Krijoni Kontakt