Postuar më parë nga
Llapi
Java Geci
Martë, 08 Dhjetor 2009 17:12
Xhavit Nura
Pas një jave të ngjeshur, të cilën mund ta quajmë si "Java Bllaca", tashmë ka nisur një rast tjetër, të cilin mund ta quajmë si "Java Geci". Për dallim nga rasti i parë, i cili nuk dihet se prej nga ka marrë nxitje dhe dyshimet variojnë prej nxitjeve të caktuara politike, problemeve personale të akuzuesit, nxitjeve nga qarqet në Beograd e gjetiu, dhe supozime të tjera, në rastin e dytë kemi një akuzë të panxitur politikisht, vjen nga ata të cilët kanë humbur njeriun e tyre, vjen nga bashkëshortja e një luftëtari të lirisë. Derisa ka pasur akuza ndaj drejtësisë për ngathtësi në rastin e parë, mbetet të shihet se si do të veprojë në rastin e dytë.
Për dallim nga rasti i parë, kur akuzuesi, njëkohësisht vetëakuzues, ulet në një divan dhe rrëfen për të bëmat e tij, duke pranuar disa letra që vinë nga një dorë që nuk dihet se e kujt është, në rastin e dytë kemi me një akuzë të një gruaje që kërkon drejtësi për burrin e saj, dhe këtë e bënë në sheshin kryesor.
Po të kishte ekzistuar drejtësia, ky rast do të duhej të kryhej me kohë, por vetë fakti se tashmë kjo grua po kërkon drejtësi, pas kaq vitesh, megjithatë tregon se çështja po i besohet drejtësisë. Por, kolegët tanë gazetarë të cilët përcjellin gjyqësinë janë përballur gjatë gjithë këtyre viteve me mungesën e transparencës në institucionet e drejtësisë. Në gjykatoret e Kosovës nuk lejohet filmimi i asnjë seance dhe shpesh nuk lejohen fare gazetarët. Derisa në shtetet perëndimore shohim seanca të ndryshme, të cilat televizionet i konsiderojnë të rëndësishme për transmetim për publikun, të ne nuk ndodhë një gjë e tillë. Është mirë që më në fund, institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, të ndërmarrin hapin vendimtar dhe të mundësojnë më shumë transparencë në gjyqësi. Kjo, sadopak, do të ndikonte që vendimet e trupit gjykues të jenë më të drejta, do të eliminonte në një masë ryshfetet. Jemi dëshmitarë të një korrupsioni tepër të madh në gjyqësi, prandaj do të ishte mirë që ministria me të cilën menaxhon Lidhja Demokratike e Kosovës të bënte hapin e duhur dhe të mundësonte transparencën. Shoqërisë në Kosovë i duhet transparenca, më shumë se gjithçka tjetër. Hezitimi i grupeve parlamentare për të diskutuar për një rast, si rasti Bllaca, po ashtu tregon një mosgatishmëri për transparencë të plotë ndaj publikut. Nëse çështja është ngritur në këtë parlament, nuk ka pse t'i iket debatit, jo për të ndërhyrë në punën e drejtësisë, apo për të ndërsyer palët, por thjeshtë për të sqaruar publikun për çka realisht po bëhet fjalë.
Ndryshe, tani jemi në javën e fushatës zgjedhore për balotazh. Rastet e fundit në një masë apo në një tjetër do të ndikojnë në këtë proces zgjedhor. Por, cilat janë perceptimet e qytetarëve për gjithë këtë situatë. Sigurisht se ato janë konfuze, por shqetësim primar i tyre është fati i vendit të tyre. Disa nga liderët politikë nuk po hezitojnë që këtë pështjellim situate ta përdorin si mjet fushate. Kështu, lideri i AAK-së nuk ka ngurruar që të përfitojë nga situata e krijuar. I njëjti ishte që në fushatën e raundit të parë kërkonte llogari nga liderët e tjerë për prejardhjen e pasurisë së tyre, duke harruar se asnjëherë nuk është deklaruar për prejardhjen e pasurive të tij, kurse arsyetimet e llojit për "dhurata miqsh" janë një arsyetim i dobët i tij.
Sa i përket rasteve të dy vikendeve të fundit, një pikë e përbashkët është deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Gani Geci. Derisa herën e parë ai u shfaq si një 'superhero' që po vente në vend drejtësinë e munguar për kaq vite në Kosovë, qytetarët panë edhe anën tjetër të tij. Dikush mund të pyes nëse një person i përfshirë në vrasje ka të drejtë morale të kërkojë ndriçimin e vrasjeve tjera? Por, kjo nuk ka rëndësi, qytetarët janë ata që duan të vërtetën dhe vendosjen e drejtësisë, jo atë që diktohet nga qarqet politike, por nga institucionet përkatëse. LDD e lindur nga rrëmuja e karrigeve, që cak kishin edhe rrahjen e presidentit të vendit, Fatmir Sejdiu, tashmë pas kolapsit në zgjedhjet e fundit, dëshiron të nxis përçarje me synim prapë karrigen. Dikush po tenton që LDK-në ta gjuaj në hendekun që duan ata, por kjo e fundit duket se nuk dëshiron të kthejë 'shiritin' e saj, nuk dëshiron të diktohet nga ata që shkaktuan 'luftën e karrigeve'. Në vend të kësaj, kjo parti është e vendosur të ecë rrugës së reformave, duke mos rrezikuar qeverisjen e vendit dhe stabilitetin e vendit.
Krijoni Kontakt