-
i/e regjistruar
Trishtimi e ka një emër
TRISHTIMI E KA NJË EMËR
Agesi ndjeu një shkulm flake brenda gjumit. Në fillim një kollë e thatë e tokës, muret që nisën të dridhen, shtrati i tij që po lëvizte pa pushim dhe trupi që nuk i qëndronte në vend. Nuk i hapi sytë e natës! Dëgjoi klithmat që nisën të marrin rrugën e shkallëve, njerëz që vraponin, pengoheshin, dy trokitje në derën e tij, lëkundje që vazhdonin.
-Tërmet,- foli me zërin e gjumit. Nuk u ngrit. Kur ndjeu sinjalet e alarmit që lajmëronin katastrofë, hoqi pas vetes mbulesën të ndihej më ngrohtë. Dridhjet vazhdonin.
Përpiqej të mbytej në gjumë, por i afroheshin mbi vete klithmat e fëmijëve, ndjente eshtrat e ndërtesës që godisnin njëra tjetrën. Në dhomën ngjitur u rrëzuan qelqurinat, të bënte kujdes kur të zgjohej nesër. Lëvizi symbyllur dorën mbi komodinë dhe ndezi cigaren e natës. Aq kohë sa zgjatën lëkundjet, ai shijonte me një buzëeshje të vrarë çdo thithje, njëherë iu duk sikur pjesa jashtë apartamentit ishte shembur, por nuk i dha rëndësi, me sy të vdekur mund të shikoje gjithçka.
Kërkoi në errësirë shishen që mbante nën shtrat, e ktheu me epshin e atij që s’ka shpëtim e kur nisi të turbullohet çdo gjë afër vetes, u lut të flinte.
-Nesër ka marrë fund!-mendoi duke shtrënguar kapakët e syve dhe fjeti.
Gjumi iu duk një jetë a një orë, vetëm grilat e ngritura e lajmëruan për gjurmët e para të ditës. Lëvizi drejt dritares dhe pa një qiell të shtrembër që iu ul mbi krye.
Autobusët kishin shkelur kilometrat e parë, nisja e tramvajit, një frenim i ngrirë para çdo semafori.
-E premte pa ngjyra e dritë!- mendoi. E djeshmja duhej të ishte ëndërr. Nuk u fut në dhomën nga vinin zhurmat e qelqurinave, hoqi vetes errësirën, zhveshi ëndrrën e fundit e para se të kujtonte zhurmën, vendosi të diltë në atë vorbull frymësh.
Në shkallët e fundit u përplas me Martën, vajzën e pastrueses.
-Ages, sa herët që je! Ku do shkosh?
Ndërsa Marta i shkelte syrin dhe i kapte butësisht krahun, Agesi përjetoi një shkulm frike brenda vetes.
-Si the?
-E pra, student i pispillosur, ku do ikësh kaq herët?
Përveç qeshjes dredharake të saj, nuk mori vesh asnjë fjalë. Bota nuk kishte ndalur në vend si mendonte ai, e mbrëmshmja as kish ekzistuar kurrë, tundi kokën e pa i dhënë shpjegim doli në rrugë.
Në kryqëzimin e Largo Preneste i bënë përshtypje makinat që shkarkonin materiale ndërtimi para barit të Pepes.
-Ç’të ketë ndodhur?-mendoi e u afrua te vendi ku pinte përherë kafe.
Zoti Pepe i shtrëngoi dorën, e mori afër vetes e nisi të tregojë me gisht makinat, njerëzit, drejtoi vëmëndjen nga brenda lokalit, fliste pa pushim dhe ajo fytyrë e skuqur e dehur me verë që nga jugu i Pulias, nuk merrej vesh.
Si thatë?-pyeti Agesi, por duhej ta kishte ngritur aq shumë zërin sa zoti Pepe ngeli i habitur, -këta të rinjtë e sotëm,-mërmëriti dhe u largua duke i lënë Agesit ndjesinë e fajit.
-Shihemi më vonë!-ulëriu Agesi kur pa tramin që po vinte në drejtimin e tij. Kapi një vend në fund e vendosi të bënte një xhiro të gjatë e të çlirohej nga mendimet.
23 vjeç, me qetësinë e familjes e botën nën këmbë, kishte jetuar në mjegull. Brenda vetes kishte një ndjesi të paprovuar më parë, ishte një lloj qetësie, e pakuptueshme për mëngjeset e orës 7.
Turma e madhe e njerëzve që flsinin e këndonin, apo të lodhur thyenin kokat duke u përkulur mbi gjoks, nuk i bënin përshtypje. Nuk i ndjente, nuk i dëgjonte, nuk vuante, as mërzitej.
- Kush jam?- ishte një zë i hidhur sa u bezdisën edhe ata të ulur në fund të tramit. Agesi u tremb nga forca e inatit që vinte nga fundi. U përpoq të shpjegonte diçka, me sytë nga jashtë kërkonte të çarat e mureve pas tërmetit, bëri me shenjë ndryshimet e sikur të jetonte në një botë të errët, i quajti djaj ata që i dilnin përpara.
Në ndalesën tjetër, mendoi që ishte herët t’i jepte aq shumë shpejtësi vetes. Nuk arrinte të dëgjonte asgjë, të tjerët flisnin e ai duhej të interpretonte shenjat.
-Të ka ndodhur kur ke qënë me veten për shumë kohë!-mendoi, por kjo s’ishte si herët e tjera. Kishte diçka të bukur në këtë mes. Agesi dinte që vinte nga një rrugë e lodhur adoleshentësh, aq kishte bërë sa të ndihej mirë mes të tjerëve, e tani as këta s’i interesonin.
Kishte vetëm një zhurmë të madhe në mendje sa herë që dikush i fliste.
-Kam humbur dëgjimin!-mendoi duke dashur të lidhë gjithçka me tërmetin e mbrëmshëm. Brenda tij po ndodhte diçka e mbinatyrshme. Nuk arrinte të kontrrollonte veten dhe mendimet e tij. Ndërsa meditonte mbi heshtjen e madhe, klithi kur pa një udhëtare ngjitur:
-Gjoks i bukur! E di që s’më dëgjon, gjoks, , gjoks…
U desh të ndërhynin të tjerë që t’i shpëtonte inatit të gjoksit zbuluar, pa e marrë vesh ishte futur në limitet e asaj që shihet dhe s’thuhet.
-Ok,-mendoi,-do ju emërtoj si dua unë!
Agesi kishte filluar të ndjente hapat e gabuar të memories, ndërsa ngjante të ishte diku tjetër, njerëzit që i dilnin para dukej se e njihnin.,por ai i bënte Numra.
1, 2, 10 fytyra të heshtura, zeshkani i varur pas shpatullës së tramit, me duart e ngrira pas hekurit ndarës; 7-8, një çift fytyrash që u thithën, lëvizje mekanike, si pistona makine që nxorrën avull e rënkuan.
13-14, të ngjitur me njeri tjetrin, një orgazmë të panjohurish që e bënë të ndërrojë vend.
-Zero!-pëshpëriti, e iu duk t’i fliste vetes. Në çdo ndalesë kapi botën mes vështrimit, një ngjyrë e përhime pajetë, që s’e entusiazmoi më. Atëhere mërmëriti:
- Po ju numëroj!
2.
Të numëroj dhe prindërit? Kë shifër t’iu jap? Marku gjithmonë mendon se shkoj vetëm kur kam nevojë! Cilët numra do jenë?
Ndërsa Agesi luante me veten, Marku ndërroi dhomën, u fut brenda një akullnaje pa drita e priti të ndodhte diçka. Pa u gabuar, si prind shtëpie që ishte, hodhi hapat e ngathët për të hapur derën kur ra zilja.
-Ages…!-nuk diti të mbarojë dot fjalën kur djali iu hodh sipër dhe e mbuloi me një përqafim të ngurtë.
-Ka ndodhur gjë?-pyeti dhe i ngjau sikur djali po e shikonte në gojë të lexonte mendimet e tij. Kishin kohë që s’shiheshin, aq gjëra mund të ndryshonin qoftë e brenda një dite sa Marku s’e dha veten por tha: “ Po të pret brenda”!
Ishte sa qesharake aq misterioze fjalia, e ndoqi nga pas djalin që pa takuar Marian, u fut në të gjitha dhomat, kontrolloi të gjithë muret, lëvizte dyert nga vendi e kur ndjente vështrimin e babait, i afrohej, e prekte dhe kontrollonte me pëllëmbë çdo cep të fytyrës së tij. Vërtet Marku kishte kohë pa e parë, por autokontrolli i djalit ishte për të ardhur keq.
-Do pish diçka?- e pyeti, me mendjen ta fshihte nga sytë e Marias duke e vënë në gjumë. Pa marrë përgjigje i mbushi një gotë të bardhë e duke trokitur pijet, dëgjoi epshin e djalit që thithte lëngun me fund. Iu duk sikur rrokullima që ai s’i kishte dëgjuar më parë, ishin futur brenda birit të tij.
-T’i jap një shuplakë të mblidhet,-mendoi,-e në vend të saj i mbushi një gotë tjetër. Agesi nuk fliste, e ajo heshtje duhej thyer me zhurmën e gotës që zbrazej dalë nga dalë.
-Ku është?-pyeti Agesi. Ishe një pëshpërimë që me zor kuptohej. Agesi kishte shtrënguar gjihë muskujt, duart nuk i bindeshin e ajo dridhje e lehte që kishte në gjithë trupin, nuk tregonte dot dhimbjen e tij.
Ishte futur brenda shtëpisë së prindërve i hedhur nga hapa që s’kontrollloheshin aspak, gjatë rrugës kishte humbur fare dëgjimin, ndërsa fjalët i dilnin me ngërç. Nuk i kontrollonte e s’kish mundësi të fliste me zërin që filloi t’i humbë përfare.
Përballë kishte babain e tij që ngrinte supat, nuk kishte dëgjuar asgjë e duke i mbushur gotën, lëvizte buzët pa kuptim.
-Erdha të kontrolloj dëmet!-por e tija nuk ishte fjali, një e qeshur pa kuptim u hap e u thye brenda familjes. Pa lënë kohë që të merrej vesh, bëri me shenjë orën, luajti krahun në ajër si për të thënë që do kthehej më vonë e me një furi të egër, kërceu jashtë shtëpisë.
-Duhet të pres mbrëmjen,-i pëshpëriti vetes, rruga ishte e zbrazët dhe ecja e tij ngjante me hapat e vdekur.
Kaloi sheshin e Musketjerëve, ishte i përqëndruar pas ngjyrave të semaforit, tani gjëndej në kulmin e shurdhimit të vet. Përreth i dukej sikur shtrihej vetëm një luginë e pamasë heshtjeje, nuk dëgjonte, po harronte të fliste dhe gjymtyrët e vet e bënin të huaj.
Nuk ishte ëndërr, nuk donte të paktën të zgjohej nga ky gjymë që nuk e lodhte ,as i jepte dhimbje. Vetëm një përhumbje që i kërcente damarëve, i fshinte frymëmarrjen, zërin, emrin hapat, e ai vazhdonte. të ecte.
-Dje duhet të ketë ndodhur diçka!-dhe pëshpërima u dëgjua. Po mendonte për gjithë fytyrat e njohura, e kjo vetëm i dha rrënqethje gjendjes ku ishte.
Drita e qiellit ngjasonte e verbër për të.
Kontrolloi lëvizjet e duke ditur që ishte e premte zbatoi premtimin të takohej me Silvian.
-Është aty dhe po më pret,-mendoi duke kujtuar barin e Luçias. U bind që duhej të sillte në mendje fytyrën e saj, tani i dukej aq e vështirë ta kujtonte dhe të mësonte përmendësh fjalitë që do ta bënin atë të qeshte. Rrugës i vinte ndër mend dëshira e gjumit, vetja e tij që lëkundej në ajër e jepte shpirt në një pemë shkretëtire.
-Idiot, ecim përpara,-mendoi por ishte sikur t’i fliste murit. Duhej të bënte diçka që të thyente pas vetes gjithë grinë e kësaj të premteje tetori. Kapërcente rrugët me instiktin e atij që di ku shkon. Por heshtja rrotull po fillonte të zgjerohej.
Kishte marrë formën e një mjegulle të dendur, që i kishte ardhur pranë e ndërsa më parë e sfidonte, tani e kishte në dorë dhe i kërcënohej.
Kaloi rrugën e Portonaçios, ishte zakonisht vendi ku këmbehej me të njohur të tij, por gjithçka i ngjante një zbrazëtie pa fund, ku donte t’ia mbathte vrapit e të mos kthehej më.
Kishte kohë që la pas barin e Luçias, në djall dhe Silvia,-mendoi, e nuk ishte fajtor për mendimet e tij, vetëm për zërin që kishte dalë jo i lidhur me fjalë, por si një ngërdheshje e urryer tetori.
3.
-Çohu djalosh! Nuk është vendi ku të flesh!
Agesi u përmend nga duart e një polici, që kërkoi më kot ta luajë vendit. Mbrëmja kishte ardhur, e ftohta që ndiente brenda ishte diçka e bukur, që donte ta provonte dhe më parë. Buzëqeshi, u mundua të lexonte buzët e atij që kishte përballë, por kur çeli sytë, nuk kishte njeri para. Errësira sa vinte e bëhej më e kobshme rrotull tij. Rregulloi veten e mendoi të hidhte hapat në atë qytet. Dëgjimi i kishte ikur fare, mbi të përplaseshin tinguj pa kuptim, boritë e makinave, mallkimet, vajzat e dashura që tregonin kofshët për qejf, ai e dinte rrugën e tij, nuk mendonte, nuk dëgjonte. Si u rregullua dhe mori veten nga ai vend, hodhi hapat. Kaloi ndertesën e parë të rrëzuar, më tej një rrugë e njohur që s’ishte më. Një pallat i kthyer përmbys, me hijet që vareshin të binin përtokë.
-Ku jam?-mendoi, e në çast ndjeu tokën të dridhej rishtaz nën këmbë. Ishtë diçka që goditi edhe ato pak godina që kishin ngelur pa u rrëzuar.
-O Zot!-klithi, pa mundur të lëshojë tingull.
Një rrugë më tej, vetëm pluhur trupash që shformoheshin e krijonin hije mbi qiell. Çdo gjë i ngjante një qyteti fantazmë, Agesi mbushej fort me ajër, por nuk ndiente asgjë brenda vetes përtej dëshirës të zgjohej prapë nesër.
-I kam të gjitha dhe s’humb asgjë!, nuk dinte të mendonte tjetër veç njerëzve. Ishte aq i bukur tërmeti që ra, nuk i la mundësi të takonte e të donte. Tani mund të shkelte mbi hijet pa iu vrarë ndërgjegjia. Mund të rregullohej para takime
Nuk ishte ideja e tij të futej në barin e rrënuar të lagjies Markota. I shërbeu vetes, e ndërsa rrotull kishte ëndrrën e shkatërimit ve duke ditur që s’e priste kush.
Mund…E ndërkohë trishtimi kishte një emër. Le ta quajnë si të duan,-mendoi, e dinte që s’fliste dot.
Tani që shëtiste i zbathur në këtë qytet tërmeti, i dukej aq i afërt e i ngjashëm me jetën e një dite para.
Vetëm zhurma mungonte, vetmia mbushte si përherë indet e orës, por aq prishte, s’kish më njeri që ta ndalte kohën.
-Le të dehem!-tha, e ndërsa zbrazi një bar nga pijet, nisi të buzëqeshë. Aq e kotë i ngjante vetja, sa mund të bënte çdo lloj gabimi.
-Të thyej xhamat!- e me një shenjë të veçantë rrëzoi përtokë çdo xham që i dilte para.
-T’i vë zjarrin banesave?- askush nuk e dëgjonte, ishte memec i botës. Leu me alkol mobiljet e barit të zgjedhur dhe flaka nisi të ngrohë si asnjëherë vetminë.
-Të therrem?- e ndërsa tehu i thikës çante mishin e Agesit, dëgjoheshin lëkundje të lehta tërmeti,-vetëm këtu ndihen?-mendonte e përbrenda i lindte një dëshirë aq e madhe për jetë sa largonte tehun prej vetes.
Sa e lodhur u duk kjo lojë si pati çastin të ecte mbi rrënojat e jetës më parë.
I vrarë, symbullur, gjithçka ishte një ëndërr. T’iu jepte njerëzve afër, Numrat, e mos t’i thërriste me emër.
Një, shumë, infinit…
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt