Diskriminimi institucional ndaj aplikuesve shqiptarë për dokumente identiteti

presheva.com, 18 gusht 2011

Lëvizja e Progresit Demokratik, me shqetësim është duke i përcjellë dukuritë negative, të cilat janë duke u shfaqur lidhur me dhënien e dokumenteve të nevojshme identiteti, për shqiptarët e Komunës së Bujanocit.

Për të ri-aplikuar për letërnjoftim të ri, dokumentet e nevojshme që qytetarët e Komunës së Bujanocit i paraqesin në zyrat e stacionit policor, po ballafaqohen me një fenomen të ri diskriminimi politik.

Punëtorët e SPB-së, në rast se nuk e gjejnë aplikuesin në shtëpi, i cili i ka paraqitur dokumentet për marrjen e dokumentit të identitetit, gjatë procedurës së verifikimit, shlyhen nga listat e gjendjes civile të shtetasëve.

Këta qytetarë nuk llogariten më të jenë banorë të kësaj komune e as nuk figurojnë në listat zgjedhore.

Ky diskriminim shtetëror antiqytetërues ndaj qytetarëve shqiptarë, të Komunës së Bujanocit, cilët kanë nevojë për dokumente të nevojshme identiteti, nuk haste në asnjë komunë tjetër dhe të cilat nuk vlejnë për qytetarët e nacionalitetit serb.

Kjo e drejtë legjitime e nëpërkëmbur nga këto dukuri negative, paraqesin një provokim të ri politik, të cilin po e zbaton Beogradi ndaj qytetarëve shqiptarë të kësaj komune të rajonit të Luginës së Preshevës.

Çdo qytetar shqiptar i Komunës së Bujanocit, që ka mbushur moshën 16 vjeç mund të ri-aplikojë për letërnjoftim në zyrat e aplikimit, por mjerisht të njëjtat procedura zbatohen edhe ndaj tyre.

Këtë diskriminim ekstrem, ka disa vjet që po e përjetojnë më së shumti qytetarët shqiptarë nga Malësia e Bujanocit, të cilët për gjatë viteve të ’99-ta u dëbuan me dhunë nga vatrat e tyre stërgjyshore dhe u vendosën përkohësisht nëpër disa qendra të Republikës së Kosovës.

Lëvizja e Progresit Demokratik, kërkon nga faktorët ndërkombëtarë dhe ambasadat e akredituara në Beograd, të bëjnë presione ndaj institucioneve të larta shtetërore serbe, të heqin dorë nga spastrimet etnike, të cilat po i ushtrojnë ndaj komunave të rajonit të Luginës së Preshevës, kryesisht ndaj Medvegjës dhe Bujanocit, të cilat prej kohësh kanë qenë të banuara me shumicë shqiptare.

LPD, konsideron se çdo përpjekje për ta ndërruar strukturën demografike në favor të elementit serb, i cili në këto hapësira ka qenë pakicë, do të rishfaq në skenë gjendjen, të cilën askush nuk do ta dëshironte, të vitit 1999-2001, thuhet në komunikatën për opinion të lëshuar për medie nga LPD, me kryetar Jonuz Musliu.