Frikë nga Kroacia
Nga Express më 06.12.2009 në ora 0:03
Derisa paraqitja e Bullgarisë në favor të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka tronditur qeverinë serbe, një tronditje tjetër e pret fqinjin verior të Kosovës javën e ardhshme, atëherë kur Kroacia do të dalë ta lexojë deklaratën e vet.
Beogradi zyrtar frikësohet se argumentimi i Kroacisë do të mund të jetë shumë domethënës, pasi Kroacia ishte pjesë e Federatës Jugosllave, respektivisht pjesë e shpërbërjes së saj – kur Beogradi kishte synuar t’i sundonte vendet tjera të ish-RFJ-së.
Sidoqoftë, Kroacia e sheh paraqitjen e saj në GJND në favor të pavarësisë së Kosovës, si kusuritjen e fundit me të kaluarën e saj. Dhe këtë e ka dëshmuar kohë me parë në një intervistë për mediat serbe, kryetari i këtij shteti Stipe Mesiq. Zyrtarët kroatë konsiderojnë se nuk ka arsye të hezitojnë për të mbrojtur pavarësinë e Kosovës dhe këtë proces e shohin si “kusuritjen e fundit me të kaluarën e tyre”.
Presidenti kroat Mesiq ka deklaruar se Kroacia nuk ka kurrfarë arsye që të hezitojë edhe para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të paraqesë arsyet se pse ka marrë vendim për njohjen e Kosovës. “Mendoj se do të ishte hipokrite që paraprakisht ta njohësh e pastaj të hezitosh të flasësh për këtë”, ka deklaruar Mesiq, duke shtuar se kjo paraqitje e Kroacisë në favor të pavarësisë së Kosovës, nuk është drejtuar kundër popullit serb.
Krijoni Kontakt