Bllaca akuzon për fajësim të qëllimtë të Ramush Haradinajt në Hagë
Publikuar: 06.07.2011 - 18:38
Prishtinë, 6 korrik - Nazim Bllaca është rikthyer në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues në rastin kundër Fahredin Gashit e Hysri Ramës, për t’u përgjigjur në disa pyetje shtesë. Ai ka zbuluar detaje të reja rreth veprimtarisë së tij të pasluftës. Ashtu siç ka thënë shkurt në seancat e mëparshme, Bllaca ka lidhur Fahredin Gashin e Azem Sylën me, siç ka thënë ai, montimin e gjykimit të Ramush Haradinajt në Hagë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, Bllaca ka rrëfyer se si kishin shumëzuar një CD , përmbajtjen e së cilës e ka sqaruar para trupit gjykues. “Ajo CD ka qenë një dëshmi që Fahredin Gashi i kishte dhënë Tribunalit të Hagës , ku të gjitha krimet ia hedh Ramush Haradinajt si para ashtu edhe pas luftës”, ka thënë Bllaca , duke treguar se këto CD-ja pastaj i kishte marrë Shaban Syla dhe ia kishte dërguar Azem Sylës. “Kur u kthye, Shabani tha se e ka një mesazh nga Azem Syla, të cilin po e citoj: ‘Farukun nuk bon me ma nguc, se më duhet në të ardhmen për zhvatje”, ishte sipas Bllacës mesazhi i Azem Sylës. Krejt këto sipas tij kanë ndodhur në maj të vitit 2009.
Gjatë ditës dëshminë e tij e ka dhënë edhe Adem Salihaj. Ai ka treguar se si bashkë me Gani Gecin në shtëpinë e tij kishin xhiruar DVD-në e famshme të Nazim Bllacës, të bërë publike pastaj prej dy ish-deputetëve. “Kur ka zbrit në oborr timin, Bllaca më është drejtuar. Baca Adem, shumë paska ndërruar shtëpia e oborri. Kam qenë shumë herë këtu natën, kur kemi provuar të vrasim”, ka rikujtuar Salihaj fjalët e Bllacës.
Krijoni Kontakt