Për EULEX-in SHIK-u organizatë kriminale,
EULEX-in SHIK-u organizatë kriminale, Azem Syla kundërshtonIdentifikohen vrasësit e policit dhe sulmuesit e portës kufitarePublikuar: 02.09.2011 - 09:14
Prishtinë, 2 shtator – Prokurorë të EULEX-it, Shërbimin Informativ të Kosovës e shohin si një organizatë kriminale që financohej nga pastrimi i parave, trafikimi me drogë e armë. Këtë bindje e kanë demonstruar gjatë intervistimit të dëshmitarëve e të dyshuarve për përfshirje në veprime të paligjshme.
Përveç kësaj, prokurori special Erwin Petilos, beson se ky shërbim sekret që ka vepruar në Kosovë për një dekadë është përfshirë edhe në vrasjen e zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“A keni njohuri që SHIK-u ishte financuar me pastrim parash dhe drogë e armë”, e ka pyetur ky prokuror ish-komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, Azem Sylën, gjatë marrjes në pyetje disa muaj më parë në cilësinë e të dyshuarit për krim të organizuar. Deputeti Syla i është përgjigjur me mohim, derisa prokurori ndërkombëtar e ka pyetur sërish atë se “a ka qenë SHIK-u ndërmarrje kriminale për të pastruar para nga aktivitetet e krimit të organizuar”?
“Është punë e juaja t’i bëni këto pyetje, por jo dhe jo”, i është përgjigjur Azem Syla prokurorit gjatë intervistës një kopje të së cilës e ka siguruar “Koha Ditore”. “Gjatë dhe pas luftës ata kryenin punët e tyre me mundësitë që kishin. Ata kanë ndihmuar pas luftës dhe mendoj nuk e di se kanë pasur kontakte të rregullta me KFOR-in dhe me shërbimet e disa shteteve me të cilat kishin komunikim të mirë”, ka shtuar ai.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës është marrë në pyetje në Prokurorinë Speciale të Kosovës pas akuzave që kishte hedhur kundër tij Nazim Bllaca, i cili pretendon se ka qenë agjent i SHIK-ut dhe se ka kryer krime me urdhër të Azem Sylës. Ky i dyshuar i ka mohuar të gjitha këto akuza. Ai ka thënë se nuk e njeh fare Nazim Bllacën, por e ka pranuar se njihet me disa prej njerëzve të cilët nuk e kanë mohuar njohjen me Bllacën dhe bashkëpunimin me të në fushën e biznesit. Për Shpresim Ukën ka thënë se e ka të martuar mbesën e tij, me hallën e Fahredin Gashit ka thënë se ka qenë në burg, derisa Shaban Sylën ka pohuar se e ka familjar.
Syla ka folur për luftën e UÇK-së, për SHIK-un, bashkëpunimin me Fatos Klosin, si dhe për përplasjet me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe FARK-un, formacion ky ushtarak i krahut të Bujar Bukoshit. Këtë formacion ai e ka quajtur të vogël, për të shtuar se shumë pjesëtarë të tij i ishin bashkuar UÇK-së për të bërë luftën.
Ndërkombëtarët e njihnin Qeverinë e Bukoshit
Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i ka treguar prokurorit se ka qenë pjesëmarrës i Konferencës së Rambujesë në vitin 1999 në Francë si anëtar i UÇK-së dhe ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme, e cila ishte themeluar po në Rambuje. Prokurori është interesuar nëse si ministër i Mbrojtjes ka qenë i pavarur në punën e tij apo ka marrë urdhra nga dikush në qeveri. Mirëpo kjo pyetje duket se e kishte bërë nervoz atë.
“Unë e respektoj Prokurorinë e EULEX-it duke mos e thënë këtë si deklaratë politike. Ne ju kemi ftuar këtu pasi që kemi nevojë për ju dhe për drejtësinë tuaj. Unë jam një person me përvojë nga burgjet serbe dhe e kuptoj pyetjen këtu. Është logjike se çdo ministri drejtohet nga Zyra e kryeministrit dhe nuk e di pse po e bëni një pyetje të tillë”, ka thënë Syla. Ai ka treguar se zëvendës i tij ka qenë Fatmir Limaj derisa ka mohuar se SHIK-u të ketë funksionuar nën autoritetin e ministrisë që ka drejtuar.
Ndonëse ka mohuar lidhjet me këtë organizatë që është cilësuar si nëntoka e PDK-së së kryeministrit Hashim Thaçi, prokurori i ka bërë shumë pyetje në lidhje me përfshirjen e tij në të. Syla ka thënë se i ka njohur njerëzit e SHIK-ut që nga lufta. Kadri Veselin ka thënë se e njeh që nga koha kur kishte dalë nga burgu për herë të dytë, në vitet 1992-1993.
“Kadriu dhe disa të tjerë e formuan UÇK-në. E njoh mirë për veprimtarinë e tij patriotike”, ka thënë Syla. Deputeti Syla nuk e ka përjashtuar mundësinë që SHIK-u të ketë mbledhur informacione për partitë opozitare dhe për bashkëpunëtorët, mirëpo për këtë ka thënë se nuk ka informacion.
“Ndoshta ata kanë pasur ndonjë detyrë të tillë, mirëpo unë nuk kam pasur këtë lloj raporti me ta”, është shprehur ai.
Ish-ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme ka thënë se megjithëse në Rambuje ishte marrë vendimi për krijimin e kësaj qeverie, ndërkombëtarët nuk e njihnin atë, por qeverinë në ekzil të Bujar Bukoshit. Të dy këto qeveri sipas tij po punonin në atë kohë për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
“Pra ishte Qeveria e Përkohshme e drejtuar nga z. Hashim Thaçi dhe ajo nga z. Bujar Bukoshi e po ashtu edhe faktori ndërkombëtar, UNMIK-u dhe KFOR-i. Ne nuk kemi pasur rastin të kishim kontroll të plotë të qeverisë dhe kjo ka zgjatur deri në zgjedhjet e para”, ka konfirmuar ai.
Nuk e kam njohur Ibush Kllokoqin
Lidhur me bashkëpunëtorët e regjimit të Serbisë ai ka thënë se nuk ka asgjë personale me ta. Bile as me ata që e kishin torturuar në burgjet serbe. “Në çdo vend përfshirë vendin tim okupimi ka zgjatur shumë. Ishte normale që ata trupa qeveritarë kanë rekrutuar njerëz të ndryshëm dhe kjo për mua është normale. Pasi që dy herë kam qenë në burg jam ballafaquar me këtë”, ka thënë ai. “Unë jam torturuar nga njerëz të UDB-së dhe edhe pse kanë qenë shqiptarë në vitin 1981 unë e kam ditur gjithmonë se ata që më torturojnë mua ishin Serbia dhe Beogradi”. Anëtari i PDK-së ka thënë se për këta njerëz të cilët i kanë shërbyer regjimit ka pasur ndjenja negative, sepse kishin bërë keq. Ai nuk i ka cilësuar si armiq njerëzit e LDK-së dhe FARK-ut, por vetëm kundërshtarë politikë.
Mirëpo prokurori i ka rikujtuar atij një deklaratë të 4 prillit të vitit 2001 që sipas tij Shtabi qendror i UÇK-së gjithmonë ishte cak i Serbisë dhe i sulmeve të LDK-së. Sipas prokurorit pas kësaj deklarate shumë njerëz të kësaj partie i ishin nënshtruar dhunës.
“Ka mundur të ishte rastësi, sepse nuk më kujtohet ta kem bërë këtë deklaratë fare. Edhe nëse e kam thënë këtë ka kaluar një kohë e gjatë dhe nuk më kujtohet, por edhe nëse e kam thënë kjo fare s’ka të bëjë me këtë dhunë”, ka thënë Syla, për të shtuar se kishte shumë keqkuptime si me LDK-në, ashtu edhe me FARK-un.
“LDK-ja ishte kundërshtare politike dhe kishte keqkuptime në mënyrë politike. Megjithatë tani jemi në koalicion në qeverinë aktuale dhe keqkuptimet politike janë gjëra normale. Madje edhe Bujar Bukoshi i cili në atë kohë kishte rezerva lodhur me luftën qe bënte UÇK-ja, tani është ministër i Shëndetësisë në Qeverinë Thaçi”, ka thënë Azem Syla.
Prokurori e ka pyetur Sylën se a ka qenë në interes të PDK-së të vriteshin anëtarët e LDK-së. Pasi Syla e ka kundërshtuar këtë pyetje dhe ka shtuar se si mësues që ka punuar për 12-13 vjet është nonsens që një mësues t’i gëzohet çfarëdo viktime. Ai ka mohuar se ka informacione për mënyrën e financimit të SHIK-ut. Syla ka mohuar se njihet me Driton Hajdarin, mirëpo prokurori i ka treguar një fotografi të Hajdarit në dasmën e djalit të tij. Syla ka thënë se nuk e mban mend.
Prokurori e ka pyetur se a e ka njohur Ibush Kllokoqin, vrasjen e të cilit në vitin 1999 e ka marrë përsipër Nazim Bllaca. Syla për të ka thënë se e ka dëgjuar vetëm si emër që punonte në shërbimet e Jugosllavisë.
“Si emër e kam dëgjuar, por kurrë nuk kam pasur konflikte fizike me të. Kështu që nuk e njoh. Këtë po e them, pasi që gjatë hetimeve mund të jetë e mundshme, se gjatë hetimeve në atë kohë ta di, me siguri se nuk e kam takuar as gjatë hetimeve”, është shprehur ai.
“Ai ishte në shërbim të qeverisë serbe. Dihet se çfarë punësh kishte bërë ai atje. Është e qartë se ka qenë bashkëpunëtor. Edhe kundër personave që kanë përdorur dhunë dhe torturuar njerëz nuk kam asgjë personale pasi që kanë qenë mjete në dorën e shërbimeve serbe. Ata ishin policë të qeverisë serbe”.
Krijoni Kontakt