
Postuar më parë nga
L-7
Nazim Bllaca “kërkon punë” në Ministrinë e Punëve të Brendshme
12 janar 2011Ribar i Madh, 12 janar – Nazim Bllaca ka shtuar peshë. 40-vjeçari nga Ribari i Madh i Lypjanit nga një dhjetori i vitit të shkuar është i lirë, por vetëm një herë ka dalë nga shtëpia për t’i rregulluar paksa dhëmbët. Për më shumë se 365 ditë ai është errur e zgjuar brenda mureve të një shtëpie jo fort të madhe. Krejt kohën e ka kaluar duke lexuar Kodin Penal të Kosovës, gazetat e duke shikuar lajmet. Krejt çka është shkruar e folur për të, Bllaca e ka të ruajtur në arkiv. Një dollap përplot gazeta ruajnë bëmat e Nazim Bllacës nën një televizor klasik të firmës “Grunding”. Afër saj ndodhet një raft tjetër plot CD-ja, në të cilat ka arkivuar lajmet, debatet e intervistat që lidhen me emrin e tij.
Nazim Bllaca, njeriu që kishte marrë mbi vete shumë vepra penale, duke denoncuar edhe shumë të tjerë, ndonëse mund të lëvizë i lirë nga 1 dhjetori 2010, vetëm një herë ka dalë nga shtëpia. Prej asaj dite ai ka bërë një regjistër të mysafirëve që mund ta vizitojnë. Hyrja në shtëpi e ekipit të gazetës për herë të parë prej kohës kur Bllacës iu kishte caktuar arresti shtëpiak para një vit e një muaj, kërkon procedura. Gazetarët i nënshtrohen një kontrolli detaj nga policë polakë të EULEX-it para së të futen në shtëpi. Herë i qeshur e herë i vërejtur, Nazim Bllaca rrëfen 365 ditët brenda mureve të shtëpisë.
“Brenda mureve i kam pasur shërbimet e mia personale, jashtë shtëpisë nuk kam dalë, vetëm një ditë kur kam shkuar në Lypjan për t’i rregulluar dhëmbët. Kam shkuar me përcjellje të madhe policore”, thotë ai për t’i qeshur pak buza. Jashtë shtëpisë në raste tjera nuk kam dalë, me përjashtim të 45 takimeve që kam pasur me prokurorë, duke përfshirë edhe dy takime në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. E kam fjalën për një dhjetor 2009 dhe për 25 gusht të vitit 2010”, thotë Bllaca në intervistën e parë. Atë e ka marrë malli edhe për një makiato të vogël. Të fundit që ka pirë ka qenë dita kur pati dalë publikisht në media për të denoncuar ato që ai i quante krime.
Bllaca ndihet mirë që procesi kundër tij dhe të tjerëve, sipas tij, është duke shkuar mirë. Ai pret që në janar të vitit të ardhshëm të nisë procesi gjyqësor, të cilin ai e quan maratonik. Aty pret të ndriçohen të gjitha krimet e pasluftës. Pret po ashtu edhe dënim për vete deri në 40 vjet burg.
Ai ka thënë për herë të parë që për gjashtë muajt e parë të pasluftës në Kosovë janë vrarë 456 njerëz, ndërsa për 12 muaj 600. Bllaca e fut veten në mesin e atyre që kanë marrë jetën e këtyre njerëzve.
I pyetur se a ka dalë nga shtëpia deri tash, pas lirimit nga arresti shtëpiak, ai ka pohuar se “vetëm një ditë kam shkuar për t’i rregulluar dhëmbët...
Po, po pushoj njëherë.”
Bllaca i ka pohuar “Kohës Ditore” se aktakuza do të ngrihet ndaj tij dhe ndaj të gjithë atyre që i ka i përmendur në akuzë. ”Përafërsisht janë diku 12 persona. Është Azem Syla, Ekrem Jashari e teposhtë. Deri te ata që përpiqen t’i fshehin provat e Bllacës. Është fjala për krimet e pasluftës. Deri te Hysri Rama, për shembull, i cili deri ditën kur është kryer atentati ndaj meje ka qenë non stop me mua dhe Qazim Shabanin.
Bllaca po ashtu i ka thënë “Kohës ...” se ka gisht edhe në kërcënimin e dëshmitarëve për disa raste të inkriminuara. “Ka pasur kërcënime, ka pasur përcjellje të porosive me anë të ndonjë shkrese apo diçka tjetër. Kryesorja nuk kemi ndenjur bash rahat në procesin “Limaj”. Mua më vjen mirë që Fatmir Limaj ka thënë më 3 dhjetor 2009 në “Klan Kosova”, kur ka dalë me Jakup Krasniqin, që kriminel si Bllaca ka pasur pas luftës. Është e vërtetë që kam qenë kriminel, po vetëm me një nuk pajtohem me Limajn, sepse ai është dashur të thotë se Bllaca ka qenë një minikriminel edhe gjatë luftës.
E kupton këtë Limaj çka do të thotë. Besoj se kur ta lexojë gazetën prapë do ta kuptojë çka po i them”, është shprehur ai.
I pyetur se ndjehet kriminel, Bllaca është përgjigjur se “unë e kam bërë një vepër penale shumë të rëndë, shumë të keqe, dhe një kohë jam mburrur me atë vepër, kam qenë krenar. Është fjala për vrasjen e Ibush Kllokoqit. Edhe ai ka qenë pjesë e kësaj shoqërie, pjesë e Kosovës...”
Ndërkaq në pyetjen se a i vjen keq që ia ka marrë jetën këtij njeriu, është përgjigjur: “Po, pendohem për atë ... Pasi që është kryer vepra, kemi ngrënë darkë në restorantin “Qafa” dhe kuptohet të nesërmen apo të pasnesërmen ka pasë shkruar një e përditshme. Meqenëse edhe shtypi në atë kohë u ka ikur këtyre vrasjeve, sepse për gjashtë muaj në Qeverinë e Hashim Thaçit janë vrarë 456 persona. Gjatë kohës së Qeverisë së Përkohshme. Ndërsa për 12 muaj - 12 qershor ’99 - 30 qershor 2000 janë vrarë 600 persona. Në këtë numër unë një vrasje e kam kryer...”
Bllaca thotë po ashtu se ka asistuar në vrasjen e Salih Gashit.
Ndërsa për pohimet e Azem Syles se nuk e njihka, ai thotë se provat tregojnë të kundërtën. Unë e kam akuzuar Azem Sylën se është i implikuar tek Adem Salihaj, tek Ibush Kllokoqi, te të gjithë, por çka është më interesant për mua dhe që mbetet enigmë është sesi është e mundur që ky person të na angazhojë ta vrasim një mik të shtëpisë së tij. E kam fjalën për Ismet Arifin... Vëllai i Ismetit (Arifit v.j.) është baxhanak me Shpresim Ukën. Të dy këta janë të martuar me mbesat e Azem Sylës.
I pyetur se çka dini për Sigurimin e Atdheut, Bllaca përgjigjet: Unë as të mitë nuk i kam njohur. Për shembull: unë e kam pranuar publikisht që nuk e njoh Kadri Veselin, nuk e kam njohur Kadri Veselin, as si “Lul” as si Kadri. Domethënë dihet kush e ka pasur shtyllën e veçantë. Sa i përket Sigurimit të Atdheut, kur është vrarë Tahir Zemaj, më 4 janar 2003, kam dëgjuar, por kurrë me këta njerëz nuk kam pasur kontakt. Absolutisht ” (më gjerësisht sot në “Kohën Ditore”).
Krijoni Kontakt