Sulmi i 11 shtatorit 2001 ndaj Kullave Binjake. Frika e Nju Jorkut të pushtuar nga kaosi. Tetë vjet më vonë, ato ditë të tmerrshme rikujtohen në 500 mijë mesazhe të publikuara në internet. Lajmet e para konfuze, flakët që përfshinë grataçielat, kërkimi i

SMS nga fundi i botës "Të lutem, më thuaj që je mirë"

Alarm, frikë dhe kaos. Tragjedia e Kullave Binjake në 500 mijë mesazhe të shkëmbyera më 11 shtator të vitit 2001 në Nju Jork

Faqja e internetit "Wikileaks" ka publikuar mesazhet e dërguara nga personat e përfshirë në sulmin më shkatërrimtar dhe më të dhimbshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke nisur dje, nga ora 9:00 e mëngjesit, e deri më sot, në të njëjtën orë "Wikileaks", e specializuar në publikimin e dokumentacionit sekret, do të nxjerrë online më shumë se 500 mijë mesazhe të dërguara më 11 shtator të vitit 2001, gjatë sulmeve shkatërruese terroriste në Nju Jork dhe Uashington. "Në këtë mënyrë, njerëzit kanë mundësi të përshkruajnë etapat e tragjedisë minutë pas minute, orë pas ore dhe të kuptojnë vërtet atë çka ndodhi. Shpresojmë që me këto mesazhe, të kuptohet më thellë ajo ngjarje dhe pasojat e saj tragjike", lexohet në faqen e internetit. Mesazhi i parë, i shfaqur në ueb, i takon orës 3:00 të mëngjesit (me orën amerikane) të 11 shtatorit, pesë orë para sulmit. Faqet nga ku merren tekstet e mesazheve përdoren në përgjithësi nga funksionarë publikë dhe në fakt ato që mund të lexohen në "Wikileaks" përfshijnë edhe shkëmbimet mes vartësve të Pentagonit dhe agjentë të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut, deri te komunikimet mbi keqfunksionimin e rrjeteve informatike, ndërkohë që "World Trade Center" ishte duke rënë. Sajti është pushtuar nga komentet, me kontestime për "dhunimin e privatësisë dixhitale", por shumë falënderime për "Wikileaks" që u dha mundësinë për të sjellë edhe një herë në kujtesë atë çka ndodhi në ato orë tragjike për Amerikën dhe vetë botën. "Wikileaks", i krijuar në vitin 2006, kërkon të promovojë lirinë e informacionit mbi tema të ndjeshme, qofshin këto të lidhura me politikat qeveritare, me kompanitë private, apo ato fetare. "Ju ndihmojmë të zbuloni të vërtetën e plotë", është slogani i sajtit, që siguron anonimatin e atyre që vendosin online materiale me tema të ndjeshme. Janë rreth 50 mijë mesazhet e dhimbshme të rënies së dy kullave, të mbyllura në shishen elektronike të SMS-ve që hapet tetë vjet më vonë. Janë fjalët e fundit të njerëzve dhe pajisjeve teknologjike nga kufiri i fundit të botës. Shkëmbejnë fraza dashurie dhe lamtumire, apele të nënave dhe mesazhe automatike për probleme dhe ndërprerje sinjalesh kompjuterike. "Merr mamin në telefon", shkruhet në një mesazh të dërguar në orën 8:31 të mëngjesit. "Kolaps të dhënash, kolaps të dhënash", "qante" serveri i një kompjuteri në agoni, para se të fikej. "Mos vdis, të lutem, mos vdis tani", shkruan dikush që nuk dihet nëse është femër apo mashkull, homoseksual apo normal. E ç‘rëndësi ka? Janë mesazhe të dala nga shpirti dhe të shkruara me dhimbje. Nga një numër automatik, nisi të përsëritet vazhdimisht numri i zjarrfikësve më të afërt, duke lëshuar mesazhe SOS, "zjarr", "bombë", "aeroplan". "Kam parë një kufomë përpara portës", shkruante një dëshmitar nga celulari i tij. "Gabim fatal. Gabim fatal, alarm, alarm", u ndërpre nga puna një server, teksa përpiqej të lajmëronte njerëzit përpara se të fikej. Ndërsa dikush tjetër, kompjuter apo njeri nuk dihet, lajmëronte se "dollari kishte rënë, ndërsa yeni ishte rritur". Në dy Kullat Binjake kishin zyrat e tyre shoqëria më e madhe e obligacioneve, "Cantor Fitzgerald" dhe shoqëria financiare "Morgan Stanley". Në këto mesazhe, që në formatin e tyre nuk lejojnë retorikë dhe lamtumira të gjata, në konfuzionin që i shoqëron të gjithë, qëndron dramaticiteti i komunikimit, kapaciteti i tij për të na kthyer sërish te kaosi, te pamundësia për të kuptuar dhe pranuar se ishte shenja e atyre tri orëve nga goditja e kullës së parë dhe lajmet e avionit të katërt të rrëzuar siç mendojnë shumë njerëz në kodrat e Pensilvanisë. Më shumë se 500 mijë komunikime që "Wikileaks", sajti i të vërtetave të rrezikshme dhe të dhimbshme që ka hedhur online që nga mëngjesi i djeshëm, janë shkëmbyer mes funksionarëve të qeverisë amerikane ose vartësve të agjencive shtetërore, mes kompjuterëve, përdoruesve dhe administratorëve dhe për këtë arsye ka shumë mundësi që të jenë ruajtur nga ndonjë kompjuter qeveritar. Nga mesazhet kuptohet qartë se frika i kishte pushtuar të gjithë dhe se kaosi ishte absolut. "Shkoni menjëherë në Pentagon, shkoni menjëherë në Pentagon", përsërit një sinjal, edhe ky automatik. "Të duan menjëherë në ‘war‘", shkruan një tjetër ku fjala ‘war‘, (luftë), përdoret për "war rom", sallën e mbledhjeve urgjente në Ministrinë e Mbrojtjes. "Bush ka thënë se bëhet fjalë për terrorizëm", informon një tjetër mesazh. Nga Pentagoni shkruajnë se duhet parë CNN ose "Fox News" për të kuptuar diçka më shumë rreth asaj që po ndodhte në vend. Amerika ishte pushtuar nga kaosi. Askush nuk e dinte me siguri se ç‘kishte ndodhur. Një mesazh i dërguar në Bashkinë e Nju Jorkut, që në atë kohë drejtohej nga Rudi Xhuliani, përpiqet të hedhë paksa dritë në atë çka po ndodhte: ishte ora 9:31, rreth 1 orë pas shpërthimit të parë, kur një farë Ryan shkruan: "WTC (‘World Trade Center‘) është goditur nga një avion dhe nga një bombë". Por nëse mesazhet automatike kompjuterike pasojnë njëri-tjetrin me mesazhe alarmi, është i pangatërrueshëm dhe shumë i dhimbshëm ai i shkruar nga një qenie njerëzore që i përgjërohet një mikut të tij: "Mos dil të lutem. Mos u largo nga ndërtesa ku je. Të lutem ki kujdes. Të lutem ki kujdes". Është tërësisht anonim dhe i papërpunuar ky material që del pas tetë vjetësh nga arkivat elektronikë qeveritarë, sepse komunikimet janë të gjitha mes punonjësve të qeverisë federale, të agjencive të saj, të shtetit të Nju Jorkut, të forcave të policisë, të bashkisë. Kjo ishte vetëm një pjesë nga ditari i ditës që ndryshoi historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por në dokumente ka edhe shumë të dhëna të ndjeshme. Janë të shumtë lexuesit e sajtit që protestojnë për dhunimin e privatësisë. Për pjesën më të madhe bëhet fjalë për informacione teknike të shkëmbyera mes zyrave të ndryshme, por nuk mungojnë edhe mesazhet me natyrë private, si ky më poshtë: "Zemër, do doja të thosha se sa shumë të dua. Isha pak i shqetësuar. Nuk dua të humbas tani që të gjeta. Je gjithçka për mua. Je jeta ime, je zemra ime. Të dua shumë, të lutem mos vdis, pikërisht tani". ("World Trade Center", ora 5:20:30). Një tjetër tregon: "Një avion i vogël sapo u përplas me ‘World Trade Center‘ në Nju Jork. Sapo e mora vesh nga televizioni. Shmang atë zonë nëse është e mundur, mos rreziko. Të lutem më telefono zemër. Gruaja jote". (Nju Jork, ora 8:55:42).

shqip.