Raportet shqiptaro-hungareze gjatë historisë

Nga Avni Hafuzi

BUDAPEST-Në pamje të parë, pasuritë kulturore dhe historike të Hungarisë duket sikur nuk ofrojnë asgjë në lidhje me historinë e Shqipërisë, jo vetëm për shkak të distancës gjeografike, por edhe për shkak të një lloj distancimi të pakuptueshëm që ekziston në historiografi. Megjithatë, ky është vetëm një perceptim sipërfaqësor, sepse fijet që lidhin historinë e Shqipërisë me atë të Hungarisë i kanë fillimet e tyre që herët, dhe pavarësisht se historiografia jonë nuk është marrë me evidentimin e tyre, ato nuk kanë mbetur në errësirë të plotë. Ekzistenca e këtyre lidhjeve gjatë mesjetës është studiuar deri diku nga albanologu i mirënjohur kroat, Milan Shuflaj dhe kohëve të fundit, nga albanologu hungarez Ishtvan Schutz, e studiuesit shqiptarë, Etleva Lala e Musa Ahmeti.
Lidhjet shqiptaro-hungareze kanë një histori mjaft interesante gjatë mesjetës. Ato nuk ishin lidhje thjesht të çastit, por lidhje të paramenduara dhe që pritej të jepnin fryte për politikën e mbretërve hungarezë. Këto lidhje ishin mjaft të konsoliduara në shek. XIV, saqë mund të bëhet fjalë për të ashtuquajturën "Politikë shqiptare të mbretërve hungareze", duke e barazuar kështu strukturën e interesave të mbretërve hungarezë të paktën në përkufizim, me "Politikën italiane të mbretërve gjermanë", që kishte filluar me Karlin e Madh. Kjo lë të kuptosh që mbretërit hungarezë ishin po kaq të interesuar për Shqipërinë në mesjetë sa ç'ishin mbretërit gjermanë për Italinë, dhe që për të arritur qëllimet e tyre, ata kishin ngritur, ashtu si mbretërit gjermanë, një sistem të tërë planesh e intrigash që trashëgohej nga njëri brez tek tjetri, për të përfituar nga kjo politikë me sa më shumë efikasitet, ndikim dhe influencë politike, por edhe aspirata të tjera. Megjithëse politika shqiptare e mbretërve hungarezë nuk pati rezultatet që pati politika italiane e mbretërve gjermanë, dhe nuk arriti të ketë fryte të drejtpërdrejta në historinë e Shqipërisë, rëndësia e saj është e madhe dhe vlen të studiohet sepse ndihmon për të kuptuar vendin që zinin tokat shqiptare në politikën e shteteve perëndimore të asaj kohe.
Në fillimet e tyre këto lidhje ishin të një karakteri thjesht fetar, ekonomik, tregtar dhe deri diku ushtarak. Regjistrimin e parë të këtyre lidhjeve e kemi nga viti 1177. Megjithëse lidhjet shqiptaro-hungareze pra, e kanë zanafillën e tyre në shek. XII, fillimet e lidhjeve politike midis Hungarisë dhe territoreve të Shqipërisë shfaqen në shek. XIV, kur mbretërit hungarezë kishin arritur ta shtrinin sundimin e tyre deri në Raguzë (Dubrovnik) dhe në Kotor. Megjithatë, ata nuk ishin të kënaqur me kaq. Interesat e tyre, mesa duket të nxitura nga e njëjta dëshirë e anzhuinëve napolitanë për të krijuar një mbretëri romano-bizantine, kërkonin partnerë edhe në tokat shqiptare. Kështu, vështrimi i sundimtarëve hungarezë shtrihej më në jug, sigurisht që duke përfshirë qytetin më të zhvilluar të bregdetit juglindor të Adriatikut, Durrësin.
Politika shqiptare e mbretërve hungarezë filloi me ritme intensive pikërisht kur froni hungarez ra në duart e anzhuinëve napolitanë dhe vetëm depërtimi i turqve bëri që planet e tyre të mos realizoheshin me suksesin e parashikuar. Që planet politike të Hungarisë ndaj Shqipërisë bëhen të qëllimshme dhe intensive vetëm në fillim të shek. XIV, kur anzhuinët napolitanë u ngjitën në fronin hungarez, kjo ka domethënien e vet.
Fatet e shtetit të hungarezëve janë të lidhura mjaft ngushtë me anzhuinët në shek. XIV. Fama për rindërtimin e shtetit hungarez në këtë shekull u përket dy princave të mëdhenj të dinastisë anzhuine, Karl Robertit dhe të birit të tij, Luigjit I. Të dy ishin të denjë për këtë famë, si për sa i përket karakterit ashtu edhe arsimimit të veçantë që kishin marrë në Itali, duke u shtuar këtyre edhe kushtet e favorshme për detyrën që ata kryen. Të dy këta monarkë ishin absolutë, pavarësisht se në Hungari ekzistonte edhe një ansamble kombëtare (Országgyûlés) që mblidhej herë pas here. Ata ishin si diplomatë, ashtu edhe ushtarakë, dhe politika e tyre e jashtme e cila bazohej gjerësisht në lidhje familjare, ishte mjaft e suksesshme. Martesa e Karlit me Elisabetën, motrën e Kasimirit të madh të Polonisë, i shtoi Karlit edhe kurorën polake. Kjo çoi në atë që, gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit të mbretërimit të të birit, pjesa më e madhe e Evropës Qendrore, që nga Pomerania deri në Danub, dhe nga Adriatiku deri në stepat e Dnieperit, të ishin nën sundimin e Luigjit të Madh. Marrëdhëniet shqiptaro-hungareze tani filluan që të merrnin një karakter politik të përcaktuar mirë. M. Shuflaj e quan shembullore metodën politike që u zhvillua në këtë kontekst. Nga njëra anë ata ishin mbrojtës të elementit katolik kundër skizmatikëve dhe nga ana tjetër ata u bënë përkrahës të sundimtarëve shqiptarë që po përpiqeshin të konsolidonin pushtetin e tyre. Kështu p.sh. Luigji i Madh, i njohur tashmë si diplomat i shquar, del si ndihmës i familjes së pushtetshme të Topiasve për ta ngritur atë në pushtet. Në zbatimin e kësaj politike, Hungaria ishte e përkrahur nga Raguza (sot Dubrovniku), por edhe nga persona të veçantë shqiptarë. Qëllimi i hungarezëve që t'i bënin territoret e shqiptarëve pjesë të mbretërisë së tyre, binte ndesh me qëllimet e venedikasve, të cilët po ashtu ishin të interesuar që t'i kishin këto territore nën hegjemoninë e tyre. Megjithatë, Luigji i Madh ia arriti qëllimit të tij, të paktën paraprakisht. Në vitin 1373, Durrësi u vu në shërbimin e mbretit hungarez. Për këtë u desh që Karl Topia të hiqte dorë më parë nga Durrësi, të cilin në vitin 1368 ia kishte rrëmbyer anzhuinëve. Si rezultat, në vitin 1373 Karl Topisë iu desh të mjaftohet me zonat rreth Krujës dhe Elbasanit dhe në grykëderdhjet e lumenjve Devoll dhe Shkumbin. Aty ai ndërton si princ i Shqipërisë, një hallkë të rëndësishme të ligës së "zotërinjve tanë të mbretërve të Hungarisë" kundër Republikës së Venedikut. Mbretërve hungarezë u dolën shumë probleme me ushtritë e turqve otomanë, që po depërtonin gjithmonë e më me ngulm në Ballkan duke kërcënuar dhe Evropën Qendrore: Në vitin 1360 otomanët pushtuan Bullgarinë jugore; në 1365 ata e transferuan kryeqytetin e tyre nga Brusa në Konstantinopol; në vitin 1371 mposhtën mbretin serb, Vukashin, dhe depërtuan deri në zemër të Serbisë së vjetër; në vitin 1380 ata kërcënuan Kroacinë dhe Dalmacinë. Në këto rrethana hungarezët ishin të detyruar që jo vetëm të përqendroheshin në përforcimin e fronteve mbrojtëse ndaj turqve otomanë, por edhe të shuanin revoltat e kombeve si vllahët dhe moldavët, të cilët duke përfituar nga këto rrethana kishin filluar të luftonin për autonomi nga anzhuinët hungarezë. Nga fundi i sundimit të tij, Luigji i Madh përjetoi edhe një ndarje të plotë nga perandori bizantin, i cili nxiti ndjenja armiqësore tek shtetet greko-ortodokse që shtriheshin midis Detit të Zi dhe Detit Adriatik. Gjatë sundimit të gjatë të Sigismundit, Hungaria u përballua me rreziqet turqe në formën më të ashpër, dhe të gjitha energjitë e mbretit u vunë për të luftuar këto rreziqe. Mbreti Sigismund bëri në fakt përpjekje të mëdha edhe për të shtrirë hegjemoninë hungareze mbi popullin kroat, boshnjak, serb dhe shqiptar. Për sa i përket Shqipërisë, përpjekjet u përqendruan kryesisht në lidhjet me Shqipërinë Veriore, sepse ajo e Mesme ishte bllokuar nga venedikasit, të cilët tani ishin rivalë të hungarezëve. Historiografia shqiptare, e cila deri më sot nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur lidhjeve shqiptaro-hungareze gjatë historisë, me siguri që do të ketë këndvështrime të reja pasi të ketë shfrytëzuar shumë botime të reja me burimet arkivore hungareze, që padyshim janë ndriçuese për historinë e Shqipërisë, dhe veçanërisht, për vendin e Shqipërisë në arenën politike ndërkombëtare. Për sa i përket dokumenteve që kanë të bëjnë me Shqipërinë, arkivat e Hungarisë disponojnë fakte që zbulojnë jo vetëm politikën shqiptare të mbretërve hungarezë, por edhe lidhjet fetare, ekonomike, tregtare, ushtarake e politike që ekzistonin midis Shqipërisë dhe Hungarisë.
gsh.