Martin Curri, shoferi i autobusit të Kamzës, që u godit dje nga katër efektivë policie, ndodhet i shtruar me plagë të rënda në Spitalin Ushtarak.
I kanë rënë më qafë kot, vetëm përse iu është përgjigjur se ai është shoferi, ndonëse efektivët kanë kërkuar një tjetër shofer që do kishte pasur fatin e keq të tij.
“Më pyetën se kush ishte shoferi i autobusit dhe unë duke menduar se e kishin për shoferin e autobusit të Kamzës, u thashë që isha unë”, tregon Curri.
Aq ka dashur njëri prej efektivëve she ka shpërthyer në të shara nga më fyeset e mundshme.
“… Pastaj unë nuk e di çfarë ndodhi, por më goditi në fillim ai që më pyeti, pastaj erdhi edhe një tjetër dhe u bënë dy. Pastaj edhe dy të tjerë që mu sulën për sipër dhe nuk po merrja vesh se çfarë arsyeje kishin, sepse unë nuk kisha bërë asgjë. As hasëm nuk kam, as konflikt me njeri, nuk po kuptoja asgjë”, pohon ai për gazetën “Panorama”.
Shoferi tregon se oficerët e policisë të veshur civil për asnjë moment nuk janë prezantuar, ndonëse i ka pyetur, ata kanë vazhduar ta godisnin.
“Unë i pyesja se cilët ishin, por nuk merrja përgjigje. Thjesht më godisnin dhe më bërtisnin të pushoja. Më godisnin me grushte dhe kryesisht në fytyrë. Ju i shihni vetë plagët që i kam në fytyrë dhe kokë. Më pas më kanë goditur me një mjet të fortë pas koke, ku kam tri plagë. Me aq sa pashë unë më kanë goditur me tytat e pistoletave, se i pashë kur i nxorën dhe i mbanin në dorë”, rrëfen shoferi.
Madje njëri prej tyre ka mbushur pistoletën dhe ia ka drejtuar drejt fytyrës.
“Shkrepe”, i thashë. “Meqë ka arritur puna këtu, më mirë shkrepe”, nënvizon Curri.
Pas këtij momenti kanë ndërhyrë forcat e policisë me uniforma, megjithatë Curri pohon se ndjehet i fyer nga gjithë kjo ngjarje.
“Të më ndodhë një gjë e tillë në këtë moshë më shumë se më dhembin plagët, më vjen turp nga ajo që ndodhi në sy të njerëzve. Kam tre vjet që bëj linjën e Kamzës dhe nuk kam pasur kurrë probleme as me pasagjerët, jo më me policinë,” deklaron ai.
Ai tregon se nuk është marrë në pyetje nga asnjë punonjës policie .
Burime zyrtare të policisë kanë thënë se katër efektivët ishin në operacion për kapjen e një personi në kërkim, por gërvishtja e automjetit nga shoferi i një autobusi në ngjyrë të kuqe ka penguar operacionin.
Krijoni Kontakt