Kryeministri Berisha përshëndet 20-vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës


Kryeministri Berisha i ka dërguar një letër përshëndetëse Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, drejtuesve, anëtarëve dhe mbështetësve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me rastin e 20 vjetorit të themelimit të kësaj partie.



Në këtë letër, Kryeministri shkruan:



“Në 20 - vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, t’Ju dërgoj përshëndetjet më të përzemërta.



Lidhja Demokratike e Kosovës u themelua nga Presidenti Rugova dhe elita intelektuale shqiptare e Kosovës, si partia e parë antikomuniste në Ballkan, si forca e parë politike opozitare, e vendosur kundër regjimit barbar të Millosheviçit.



Partia e interesit kombëtar të shqiptarëve, Lidhja Demokratike e Kosovës, nën udhëheqjen e njërit prej personaliteteve më të mëdha në historinë tonë kombëtare, burrit të madh të kombit tonë, Ibrahim Rugova, do të udhëhiqte në kushtet e terrorit, të dhunës dhe shtypjes së hekurt themelimin e shtetit të shqiptarëve, si dhe do të organizonte rezistencën paqësore, më të pashembulltën në Europë, ndaj okupatorit e do të promovonte çështjen e drejtë të Kosovës në Europë dhe në mbarë botën.



Pas çlirimit të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, në koalicion me forca të tjera politike, do të jepte një kontribut historik në rindërtimin e vendit dhe në shpalljen e pavarësisë së saj. Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës është ndër forcat kryesore të qeverisjes në Kosovë, që kontribuon për konsolidimin e shtetit ligjor, në shërbim të paqes e të stabilitetit në Kosovën e pavarur.



Duke shfrytëzuar këtë rast, Ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta në këtë ditë të shënuar jo vetëm për Ju e për Kosovën, por edhe për mbarë kombin shqiptar.



Me përshëndetje vëllazërore,



Juaji



Sali BERISHA”

23/12/2009