Nishani: Të internuarit s’do të marrin asnjë lek
Tedi Blushi
Në buxhetin e vitit 2010 qeveria nuk ka parashikuar fonde për dëmshpërblimin e familjeve të internuara nga regjimi komunist. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani deklaroi dje në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ligjeve se, ky proces nuk mund të realizohet pasi mungojnë aktet nënligjore të ekzekutivit. “E rëndësishme është të dalë kuadri ligjor, se pa dalë ai nuk mund të ketë planifikime për sa i takon çështjes së buxhetit, aq më tepër që pjesa e planifikimit të buxhetit vjen nga Ministria e Financës mbi kërkesat që bën ministria e linjës për një çështje konkrete.
Besoj se nëse jemi të gatshëm për të përfunduar pjesën e paketës ligjore, ne jemi të bindur që nga pikëpamja financiare kjo do të jetë e mundshme”, - sqaroi Nishani. Megjithatë, ai shtoi se çështja e dëmshpërblimit të kësaj kategorie brenda vitit 2010 mendohet të zgjidhet përmes rialokimit të fondeve, sikundër ndodhi gjatë këtij viti me shtresën e ish-pronarëve. “Besoj që me këtë buxhet, duke pasur parasysh eksperiencën e vitit 2009, dhe këtu i referohem kompensimit financiar të pronarëve, përmes rialokimit që qeveria bëri në mesin e vitit, u arrit që shuma e planifikuar prej 600 milionë lekë të dyfishohej në 1.2 miliardë lekë”, - pretendoi Nishani duke thënë mandej se, “në kontaktet e vazhdueshme që kemi me Ministrinë e Financave kjo është një politikë që qeveria e aplikon vazhdimisht, duke pasur parasysh rritjen e mbledhjes së të ardhurave që parashikohen apo rialokime të ndryshme nga fonde të pashfrytëzuara në institucione të tjera”.
Të ekzekutuarit pa gjyq
Lidhur me kompensimin e familjarëve të personave të ekzekutuar pa gjyq, Nishani tha gjithashtu se, dëmshpërblimi për këtë kategori do të mund të fillojë me t’u mbyllur procedurat e nevojshme ligjore. “Nga pikëpamja procedurale ne kemi qenë dhe mbetemi në negociata të vazhdueshme me Ministrinë e Financave, e cila na ka garantuar se në momentin që plotësohet pjesa e akteve të duhura nënligjore për këtë qëllim, padyshim që do të ketë dhe rialokim të buxhetit për të filluar menjëherë dëmshpërblimin e tyre”, - sqaroi ministri i Drejtësisë.
1 mijë kërkesa
Qeveria parashikon të realizojë brenda vitit 2010, kompensimin financiar të 1 mijë ish-të përndjekurve politikë që kanë aplikuar për të përfituar dëmshpërblim. “Aktualisht po punohet me intensitet në Ministrinë e Drejtësisë nga sektori përkatës, dhe deri tani janë mbi 3500 kërkesa të realizuara dhe të kaluara me vendim qeverie, ndërsa është në përfundim një tjetër vendim qeverie me 500 kërkesa të tjera që kanë përfunduar të gjithë procesin e plotësimit të dosjeve sipas ligjit. Ne do të tentojmë që brenda këtij viti të realizojmë 1000 kërkesa të tjera”, - deklaroi Nishani.
Kompensimi për 8 vjet
I pyetur nga deputetë të Komisionit të Ligjeve se për sa vjet do të mbyllet procesi i dëmshpërblimit financiar për këtë kategori, ministri i Drejtësisë u përgjigj se, “ka një plan, bazuar mbi ligjin e miratuar, që brenda 8 viteve të realizohet shpërndarja e të gjithë mbështetjes financiare apo kompensimit financiar për të dënuarit politikë”. Buxheti i Ministrisë së Drejtësisë i arkorduar nga qeveria për vitin 2010 është 475 milionë lekë, ose rreth 8% më i lartë se ai i vitit 2009. Përveç zërit të pagave dhe shpenzimeve, një numër fondesh janë parashikuar për investime në sistemin e burgjeve, për kompensimin e ish-pronarëve, dixhitalizimin etj.
Krijoni Kontakt