MPB-ja nuk po ndihmon në ndriçimin e rastit të Sopotit
Një javë para publikimit të raportit të grupit të punës për rastin ‘Sopoti’, MPB-ja ende nuk i ka ofruar qasje anëtarëve të tij, rreth regjistrit të ngjarjeve ditore të vitit 2003, në SPB të Kumanovës, për të vërtetuar arrestimin e dëshmitarit kryesor Ramadan Bajrami. Anëtari i grupit të punës, Tahir Hani tha për ALSAT se vetë fakti që MPB-ja po zvarrit dhënien e këtyre informatave, tregon se diçka nuk është në rregull me këtë rast.
“MPB-ja është e obliguar ti jep informata grupit të punës dhe në rast se ajo nuk i përgjigjet kërkesës sonë atëherë ne do të vazhdojmë të kërkojmë me këmbëngulje, pavarësisht se do të dorëzojmë raportin tonë para Komisionit anketues për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut më datë 30 nëntor, por sidoqoftë edhe deri më tani ne kemi argumente të mjaftueshme për të paraqitur dilemat tona në aspektin e gjykimit të banorëve të Sopotit”, deklaroi Tahir Hani – anëtar i grupit të punës.
Grupi i punës për rastin ‘Sopoti’, duhet që deri më 30 nëntor të ketë gati raportin me informata dhe dëshmi të reja që do të vërtetonin shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut. I njëjti raport pritet të kalojë në mbledhjen e Komisionit Anketues për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut më 4 dhjetor. Ndërsa me kërkesë të avokatëve të disa të akuzuarve për rastin e Sopotit, gjykata e Apelit për në 11 dhjetor, ka caktuar seancën gjyqësore, nga e cila avokatët presin aprovimin e ankesës së tyre, që do çonte në lirimin nga akuza të të gjithë të akuzuarve, ose të paktën të rikthente procesin para gjykatës themelore.
Shkëlzen Aqifi
http://alsat-m.tv/index.php/lajme/vendi/20743.html
Krijoni Kontakt