Ministri i Mbrojtjes së Serbi -Mali i Zi pas 57 vjetësh në Tiranë. Firmoset bashkëpunimi mes dy ushtrive
Majko: Serbia të rishikojë vendimin për bazën në kufi me Kosovën
D.Tanushi
TIRANË – Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko dhe homologu i tij i Unionit Serbi-Mali i Zi Prvoslav Daviniç thyejnë akujt jo vetëm në marrëdhëniet mes tyre, por edhe mes dy vendeve. Vizita e Daviniç është e para e një ministri serb të Mbrojtjes që nga viti 1947. Pas refuzimit të një ftese që kishte bërë një vit më parë Majko, për të shkuar në një aktivitet në Malin e Zi, me arsyen se atje do të ishte i pranishëm edhe ministri serb i Mbrojtjes, dje ka qenë takimi i parë zyrtar mes tyre. Ata e kanë konsideruar këtë takim si “mbarimin e luftës së ftohtë” dhe ndërtimin e një të ardhme të sigurt midis dy vendeve. Ministri serbomalazez e ka ftuar Majkon në një vizitë zyrtare në Beograd. Majko është përgjigjur se nëse Tadiç do të fitojë zgjedhjet presidenciale unë do të shkoj në Beograd”. Në këtë çast ka replikuar menjëherë Tadiç që ka thënë “Majko do të vijë në Beograd”. Lidhur me një pyetje se Majko ka një proces të hapur në Serbi gjatë kohës së Millosheviçit, ministri Daviniç ka thënë se të gjithë kemi pasur probleme gjatë asaj periudhe që tashmë e kemi lënë pas. Nga ana tjetër ai ka përgënjeshtruar për herë të parë lajmet e shtypit serb se Shqipëria është bazë e “Al-Qaedës”. Gjatë bisedës që kanë patur, Majko është shprehur se “zgjidhjet nuk do të vijnë jashtë Ballkanit, por duhet të jemi ne ata që duhet të pranojmë njëri-tjetrin, duke realizuar në këtë mënyrë bashkëpunimin, sigurinë dhe paqen në rajon”. Ai e konsideroi thelbësore përfshirjen e Prishtinës për zgjidhjen e problemeve të rajonit. “Nëse në këto zgjidhje nuk do të përfshihet Prishtina atëherë nuk do të ketë stabilitet në rajon”, -është shprehur Majko. Ai i kërkoi homologut serb rikonsiderimin e vendimit për ndërtimin e një baze ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën, sepse kjo do t’i shërbente rritjes së masave të mirëbesimit si një shenjë vullneti të mirë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Ndërsa ministri Daviniç u shpreh se “duhet të shohim nga e ardhmja dhe të mos bazohemi në të kaluarën”. Në një deklaratë të përbashkët Majko e Daviniç shprehën kënaqësinë për fillimin e dialogut midis Forcave të Armatosura të të dy shteteve. Po kështu palët janë të bindura se forcimi i marrëdhënieve midis Forcave të Armatosura të të dy vendeve do të jetë në dobi të uljes së mëtejshme të tensionit në rajon dhe do t’i shërbejë rritjes së masave të mirëbesimit e krijimit të një klime më të favorshme për zhvillimet reciproke midis dy vendeve. Po kështu palët konsiderojnë se përdorimi i FA për ndërhyrje ushtarake për qëllime politike në rajonin e Ballkanit është e tejkaluar dhe ky qëndrim do të jetë esencial në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi-Mali i Zi. Nga ana tjetër Majko e Daviniç shprehen gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencës mes Forcave të Armatosura të dy vendeve në fusha me interes reciprok.
23/06/2004
Serbët patjetër duhet të ndalojnë së ndërtuari bazën e tyre në luginën e Preshevës sepse ka ardhur koha që mos ta shohim më njëri-tjetrin si armik sepse nga kjo nuk ka interes askush e më së paku ne. Duhet të harrojmë të kaluarën e hidhur 130 vjeçare dhe të shikojmë nga e ardhmja e fqinjësisë së mirë ashtu siç e meritojmë dhe si e kanë gjithë kombet tjera.
Krijoni Kontakt