Pronësia intelektuale e kërcënuar nga pirateria

Problem kryesor për sa i përket pronësisë intelektuale në Shqipëri janë mekanizmat detyruese për zbatimin e ligjeve





Jeton Demi / Data (25-11-2003)


Për një biznes ndërkombëtar i gjithë aktiviteti i një kombi si treg për mundësi investimi qëndron në balancimin e përfitimeve, kostove dhe risqeve lidhur me zhvillimin e biznesit në atë vend. Zakonisht kostot dhe risqet të lidhura me zhvillimin e biznesit në një vend të huaj janë shumë më të larta ne vendet në zhvillim dhe të pastabilizuara politikisht, siç është edhe Shqipëria. Por këto përfitime, kosto dhe risqe të lidhura me biznesin në një vend janë gjithmonë një funksion i sistemit politik, ekonomik dhe ligjor të vendit. Sistemi ekonomik i një vendi dhe regjimi i të drejtave të pronës janë tregues të zhvillimit ekonomik. Vendet me ekonomi të lirë tregu, ku të drejtat e pronës intelektuale janë të mbrojtura mirë, priten të kenë norma më të mëdha rritjeje ekonomike sesa vendet me ekonomi ku të drejtat e pronës nuk mbrohen. Kështu, sistemi ekonomik i një vendi dhe regjimi i të drejtave të pronës janë tregues domethënës për përfitimet e mundshme afatgjata të biznesit në një vend. Edhe Shqipëria, si një vend në zhvillim, e ka problem transferimin e teknologjisë bashkëkohore nga vendet e zhvilluara. Është e qartë se në rrugën drejt zhvillimit duhet të kemi në gatishmëri shpikjet më moderne të botës së zhvilluar. Por e vetmja mënyrë që kjo të ndodhë është që shpikësit e një teknologjie të tillë të dinë se shpikjet e tyre do të marrin të njëjtën lloj mbrotjeje të pronësisë intelektuale si në botën e zhvilluar. Dihen shumë raste kur firma të njohura i mbajnë shpikjet e tyre larg tregjeve të vendeve në zhvillim dhe, në këtë rast, larg tregut të vendit tonë. Kjo pasi ata (shpikësit) nuk duan që shpikjet e tyre të kopjohen dhe shfrytëzohen në mënyrë të paligjshme. Vendet në zhvillim fusin në ekonominë e tyre teknologji të vjetëruar për të cilën ka përfunduar mbrojtja nga ligjet e pronësisë intelektuale. Që këtu del se mbrojtja e fuqishme e pronësisë intelektuale do të na sjellë në vend teknologjinë më të fundit.

Problemet lidhur me pronësinë intelektuale në Shqipëri
Si në shumicën e vendeve të Evropës juglindore, edhe te ne nivelet e piraterisë janë mjaft të larta (midis 75 dhe 80 për qinde të gjithë produkteve me të drejtë autori). Një nga arsyet e kësaj gjendjeje është se, megjithëse ne kemi një ligj të plotë për pronësinë intelektuale dhe një zyrë për pronësinë industriale në varësi të Këshillit të Ministrave, ka një nivel të lartë keqkuptimi, ose më mirë të themi moskuptimi për sa i përket konceptit të pronësisë së të drejtave intelektuale dhe detyrimeve korresponduese në lidhje me to. Gjithashtu, është e dukshme se problem kryesor për sa i përket pronësisë intelektuale në Shqipëri janë mekanizmat detyruese për zbatimin e ligjeve. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se pothuaj përditë në sektorin privat dhe publik ka shkelje të ligjit. Për shembull, deri para ca ditësh – në disa kanale vazhdon akoma – shfaqin filma pa pasur të drejtën e transmetimit. Shumë artistë nuk marrin shpërblime për të drejtën e autorit kur këngët e tyre tansmetohen në radio ose televizion. Po kështu, kompani të mëdha farmaceutike, të prodhimit të veshjeve, nuk kanë marrë në konsideratë investimin ne Shqipëri për shkak të mosrespektimit të të drejtave të pronësisë intelektuale. Një jurist që përfaqëson një stacion televiziv privat shpjegon se shumë gjykata nuk e njohin ligjin e mbrojtjes së pronësisë intelektuale. Edhe kur vihen në dijeni për përmbajtjen e ligjeve, ata hezitojnë t’i zbatojnë ose janë të paaftë për t’i zgjidhur situatat. Po keshtu, drejtori i zyrës së patentave, më të cilin komunikuam, ishte në dijeni të këtyre shkeljeve, por fliste me zhgënjim gjithashtu edhe për paaftësinë e tyre për të zgjidhur situatën. Një faktor koklavitës duket se është faktori i pastabilizuar politik shqiptar. Ndërrimi i partive, ministrave të kabinetit qeveritar ndikon negativisht në këtë çështje.

Pronësia intelektuale, si mbrohet ajo
Pothuajse të gjitha vendet që karakterizohen nga përtëritja e industrive të tyre kanë ligje të tilla që duke rregulluar kopjimin e shpikjeve dhe duke identifikuar simbolet dhe shprehjet krijuese, nxitin shpikjet brenda vendit. Këto ligje përfshijnë katër lloje të veçanta dhe të dallueshme të pronës jomateriale, siç janë: patentat, markat e fabrikës, të drejtat e autorit dhe sekretet e prodhimit, terma këto që të gjitha këto së bashku i quajmë “Pronësi intelektuale”. Të katra llojet e pronësisë intelektuale mbrohen në bazë të kritereve të çdo vendi. Pra, gama e mbrojtjes dhe kërkesat për përfitimin e mbrojtjes ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Megjithatë, në sistemet ligjore kombëtare ekzistojnë edhe ngjashmëri. Për më tepër që sot në botë prirja është drejt harmonizimit të ligjeve kombëtare.
Legjislacioni shqiptar për pronësinë intelektuale
Hapi i parë drejt mbrojtjes së pronësisë intelektuale ishte dalja në vitin 1967 e një dekreti që fliste për mbrojtjen e markave tregtare në Shqipëri. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë luante rolin e përfaqësuesit të autorizuar të markave dhe patentave. Pranë kësaj zyre depozitoheshin markat dhe patentat. Më vonë, me daljen e ligjit të parë “për pronësinë intelektuale” në Shqipëri, datë 27 prill 1994, i gjithë dokumentacioni i Dhomës së Tregtisë në lidhje me aktivitetin e kryer për depozitimin dhe regjistrimin e markave tregtare kaloi në administrimin e zyrës së patentave. Në vitin 1999 kanë dalë dy ligje të tjera, të cilat janë: “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për pronësisë industriale” dhe ligji “Për mbrojtjen e topografive dhe qarqeve të integruara”.

Sfida të sotme dhe të ardhme
Ligjet e mbrojtjes së pronës intelektuale nuk janë të pandryshueshme, por ndryshojnë paralelisht me ndryshimet në teknologji dhe shoqëri. Janë pikërisht këto ndryshime ato që shkaktojnë sfidat dhe mundësitë më të mëdha për sistemin e pronësisë intelektuale. Globalizimi i ekonomisë dhe rritja shumë e shpejtë e teknologjisë dixhitale dhe internetit ka patur një efekt të përgjithshëm në mbrotjen e pronësisë intelektuale në mbarë botën. Këta faktorë po i detyrojnë vendet të marrin në konsideratë harmonizimin global të ligjeve të së drejtës së autorit dhe ndoshta edhe të ligjeve për markat tregtare. Por ndërsa përvetësimi i standardeve të reja globale për mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT-së) japin një mundësi më të madhe për vëzhgimin e ligjeve të së drejtës së autorit, patentave dhe markave tregtare. Komuniteti ndërkombëtar po sfidohet nga pirateria dhe kjo e fundit ndihmohet sot prej lehtësive me të cilën riprodhohen veprat e mbrojtura nga ligjet në kohën tonë dixhitale. E ardhmja e afërt e tregtisë elektronike, edukimit në largësi dhe tendenca të tjera në tregun global varen prej mirëqenies së industrive me bazë dijen – industri këto që janë më të ndjeshmet ndaj humbjeve prej piraterisë dhe shkeljes së ligjeve.


Marrë nga buletini “Biznesi dhe ekonomia”, botim i Fakultetit të Ekonomisë, Tiranë