Marrë nga Rilindja Demokratike
Qeveria shqiptare do të ofrojë rreth 100 bursa për studentët afganë në kuadër të angazhimeve të NATO-s
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami gjatë pjesëmarrjes në Ministerialin e NATO-s, i cili u zhvillua në Bratislavë të Sllovakisë me 22-23 tetor, deklaroi se Shqipëria do të vazhdojë të japë mbështetjen e saj për Afganistanit. Ministri Imami bëri të ditur se Shqipëria do të mbajë kompaninë e ushtarakëve që ka në Afganistan dhe do të shtojë edhe një skuadër me 20 mjekë. Punimet e Ministerialit u fokusuan në tre çështje kryesore: Afganistani, mbrojtja raketore dhe transformimi ushtarak. Sipas Imamit, Shqipëria angazhohet se do të japë kontributin e saj jo vetëm me forcat ushtarake që ka dërguar në Afganistan, por edhe duke investuar për ndërtimin e shkollave në territorin afgan. "Do të ngrejmë tetë shkolla dhe do të presim duke filluar nga viti 2010, gjithashtu, 100 studentë afganë që do të përfitojnë bursë studimi në Shqipëri. Përvoja e këtyre viteve tregon se ka nevojë për një qasje më gjithëpërfshirëse në mënyrë që të zgjidhen problemet afatgjata tha Imami. Në fjalën e tij Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmusen u shpreh se e vetmja mënyrë që Afganistani të mos lejohet të kthehet në duart e terroristëve, është investimi për të forcuar kapacitetet ushtarake dhe të sigurisë të shtetit afgan. Ministri shqiptar i Mbrojtjes ka qenë pjesë edhe e një tjetër ministeriali të zhvilluar në Sofie të Bullgarisë, atë të ministrave të Mbrojtjes së vendeve të Europës Juglindore. Gjatë pjesëmarrjes në këtë ministerial, ministri shqiptar i Mbrojtjes ka zhvilluar takime 2-palëshe me homologun e tij bullgar dhe atë maqedonas.
Krijoni Kontakt