Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 8
  1. #1

    Kush E Shpalli Demaçin "president" Në Tiranë?

    Si e vrau veten "Mandela" i Kosovës?
    Ose: Të gjitha mëkatet e Adem Demaçit!

    Shkruan: Jusuf FERIZI

    Çdo regjim i Shqipërisë londineze që nga shpallja e pavarësisë së atij gjysmështeti shqiptar (1912) e deri më sot, për sa i përket Kosovës nuk u pozicionua drejt ashtu siç e meriton çështja e Kosovës. Për më tepër, duke filluar nga Lufta e Dytë Botërore e këndej, zgjidhja e problemit të Kosovës, herë-herë, mori edhe kahje të atilla që shpienin hapur drejt asgjësimit të plotë të problemit të quajtur Kosovë.

    Kush deshi të na dërgojë në Beograd?

    Siç dihet, Partia Komuniste e Enver Hoxhës i shërbeu besnikërisht tezës së njohur serbo-ruse sipas së cilës çështja e Kosovës vritet më së lehti nëse ajo asgjësohet në Tiranë. Verbëri ndaj kësaj teze të rrezikshme, në një moment, shfaqi edhe Sali Berisha, pas përmbytjes së diktaturës në Shqipëri. Si president i Shqipërisë (nëntor 1996), si duket për të shmangur vëmendjen e shqiptarëve të katandisur në krizen e madhe që kishte kapluar Shqiperinë, ai mobilizoi të gjitha mediat që i kontrollonte në një propagandë gebelsiane për t'i ngritur shqiptarët e Kosovës në mbështetje të demonstratave të "demokratëve" të Beogradit. Duke qenë në sinkron të plotë me Sali Berishën, Adem Demaçi ftoi shqiptarët e Kosovës që "një për një" të shkojnë në Beograd për të mbështetur Drashkoviçin kundër Millosheviçit. Në atë nëntor të zgjedhjeve në Serbi (1996), qytetet e Shqiperisë ishin stolisur me reklama e pano "demokratësh" serbë, me posterë të Drashkoviçit e të Gjingjiçit, të cilëve, shqiptarëmjerët u brohorisnin sikur të ishin shpëtimtarët e tyre. Në shërbim të zgjedhjeve në Serbi ishte venë tërë shtypi demokratik dhe majtist i Tiranës, si dhe mediat majtiste të Prishtinës. Tërë ajo tiradë e shfrenuar, tërë ajo propagandë çmendurakësh, tërë ajo mbështetje proserbe që bëhej në Tiranë në atë nëntorin e ftohtë të vitit 1996, s'ishte gjë tjetër pos dëshmi e gjallimit të një lidhjeje të kahershme komuniste-gjenetike të enveristëve me rankoviçistët e Beogradit. Në ato përpjekje çmendurakësh të Tiranës për mënjanimin e Rugovës nga skena politike e Kosovës, nga rruga e tij autoktone për pavarësinë e Republikës së Kosovës, Sali Berisha tentoi hapur që në krye të Kosovës të nxjerrë "radikalët" e tipit demaçianë, ata "radikalë" pra të cilët që moti kishin dhënë shenja se do të pranonin zgjidhjen e problemit të Kosovës në kuadër të ish-Jugosllavisë. Dhe ky vrap i madh që kishte ndërmarrë Qeveria Demokratike (!) e Tiranës, përfundoi në nëntor 1996, kur Sali Berisha ia uroi Adem Demaçit detyrën e "presidentit" të Republikës së Kosovës. Ky ishte njëri prej mëkateve të para që bënte Adem Demaçi që në ditët e para kur kishte filluar të merrej me politikë.

    Fundi i përvojës së hidhur historike

    Duke pranuar këtë "detyrë" në Tiranë, Demaçi as që donte të lodhte kokën se si do të reagojë elektorati i Rugovës. Fatmirësisht, falë vetëdijësimit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës as Demaçi nuk u zgjodh "president" i Kosovës, as shqiptarët e Kosovës nuk shkuan në Beograd për
    t'u "solidarizuar" me "demokratët" e Serbisë, siç i ndërsenin Demaçi, Surroi dhe projugosllavët e tjerë shqipfolës. Shqiptarët e Kosovës nuk e kishin vështirë të kuptojnë se "drita e lirisë" që ua trumbetonte Demaçi, e cila do të vinte pas ngjarjeve "tragjike" të Beogradit, "drita e lirisë" që do të vinte nga "vëllezërit" serbë, siç i quante "Mandela" ynë banorët e këtij shteti fqinj, ishte "dritë" e një vdekjeje të paparë që do ta përjetonin shqiptarët duke vrarë veten me dorë të vet ashtu siç e vrau veten Adem Demaçi. Në këtë mënyrë, elektorati i Rugovës, nëpërmjet institucioneve që i kishte zgjedhur me votën e lirë, i tregoi Tiranës zyrtare se përvoja e hidhur historike, kur udhëheqja e Tiranës ka llogaritur të marrë dhe të mbajë pushtetin në Shqipëri duke sakrifikuar Prishtinën, edhe pse është ende e freskët, nuk mund të funksionojë më dhe askush nuk mund të llogarisë më për të qeverisur Shqipërinë stabile pa llogaritur mirë edhe në një qëndrim të drejtë dhe të sinqertë ndaj vullnetit politik vetëvendosës të shqiptarëve të Kosovës
    "B.sot", 22 maj 2003
    Ini, bëhuni, përhapni dhe jetoni dashuri!

  2. #2

    Revolucioni "shqiptar" I Tetorit!

    Të gjitha mëkatet e Adem Demaçit!

    Shkruan: Jusuf FERIZI

    Mesazhi i skenarit të përmbytjes së Shqipërisë sipas revolucionit të ndyrë "demokratik", u vulos si "triumf" i rebelimit antikombëtar më 29 qershor 1997. Ai mesazh që nga fillimi i përmbytjes së madhe të Shqipërisë londineze krrokaste: Në krye të Shqipërisë duhet të vijë një hibridpersonalitet që shqiptarët do t'i fusë në Evropë, si gjithçka tjetër, edhe si majmunë qoftë, por jo si shqiptarë!

    Marrëveshja namëzezë e Cyrihut!

    Realizimit të një projekti të këtillë të një Shqipërie amorfe dhe pa identitet, i priu ajo marrëveshja namëzezë e Cyrihut (1993), kur për herë të parë, stalinistët e Shqipërisë dhe enveristët e Kosovës u morën vesh për bashkëpunim dhe "ndihmë reciproke". Ajo marrëveshje parashihte ndihmën financiare që do t'i jepte LPK-ja PSSH-së, ndërsa PSSH-ja, pasi ta rrëzonte Berishën, duke marrë pushtetin edhe me mjete të dhunës, gjë që ndodhi në qershor të vitit 1997, kur pushteti i Tiranës kaloi në duart e lobeve politike më proserbe dhe më progreke, do ta ndihmonte LPK-në për ta rrëzuar Rugovën dhe të sjellë në pushtet Qosjen. Duhet theksuar që në fillim se LPK-ja, si abort i Partisë së Punës që ishte, tani si fëmijë axhami i PSSH-së, pra si fraksion më fundamentalist marksist-leninist, shpëtoi pa ngordhur vetëm falë marrëveshjes së Cyrihut, vetëm në saje t'asaj tradhëtie të madhe sponsor kryesor i së cilës, gjatë luftës në Kosovë, u bë Adem Demaçi, duke marrë të njëjtin rrol që kishte Nano në Tiranë, që edhe shqiptarët e Kosovës t'i çojë në Evropë, si gjithçka tjetër, edhe si majmunë qoftë, por jo si shqiptarë. Duke i prirë këtij rrugëtimi të Kosovës dhe të shqiptarëve të saj për t'i futur si majmunë në Evropë, Adem Demaçi nuk la gurë pa luajtur për të ndezur luftën sa më parë, duke provokuar makinën ushtarake të Beogradit në çdo mënyrë që ta djegë sa më shpejt Kosovën. Pas fitores së revolucionit të ndyrë "demokratik" në Shqipëri, Demaçi deklaron disa herë ne mediat që i kishte nën kontroll: "Serbia nuk ka qenë kurrë më e dobët se sot"!

    Promovimi i "revolucionit" të Qosjes!

    Sipa ngjarjeve tragjike që përjetoi Kosova (1997), e që u zhvilluan në pjesën më të madhe, sipas skenarit serb, revolucioni i ndyrë "demokratik" në Kosovë filloi më 1 tetor 1997, kur një grup studentësh enveristë, të prirë nga do farë Albin Kurtash, Bujar Dugollash e Driton Lajçash, duke bërë inaugurimin e "revolucionit" të Qosjes, filluan demonstratat në Prishtinë për të "lëvizur" lëvizjen "e përgjumur të Rugovës, sipas ideologut Bajram Kosumi. Në të njëjtën kohë bëhet publike lista e zezë e të dënuarve me vdekje nga LPK-ja. Adem Demaçi, duke imituar "Frontin Antifashist" të Enver Hoxhës, shpall të formuar "Forumin Demokratik", i cili, siç e paramendonte "Mandela" ynë, sipas shembullit të Kurt Kolës gjatë përmbytjes së Shqipërisë, do të zëvendësonte tërë infrastrukturën e pushtetit legjitim të Rugovës. Menjëherë pas demonstratave të studentëve enveristë në Prishtinë, në skenën politike të Kosovës doli UÇK-ja marksiste-leniniste nano-qosjane, e cila, pa e filluar mirë luftën, deklaronte se nuk njeh asnjë institucion të zgjedhur nga elektorati shqiptar i Kosovës. Dhe, duke e konsideruar të zhbërë pushtetin e Rugovës dhe të dështuara zgjedhjet parlamentare e presidenciale, që ishin paraparë të mbahen më 22 mars 1998, Rexhep Qosja (dhjetor 1997) triumfalisht shpallte puçin e përgatitur në vilat e bllokmenëve të Tiranës: "Tani, thoshte ai, tri janë shtyllat e pushtetit në Kosovë: Forumi Demokratik i Demaçit, Lëvizja Studentore dhe UÇK-ja"! Dhe duke fuqizuar këtë puç, Qosja lavdëronte pushtetin e Fatos Nanos: "Vetëm pas vitit 1997, pra pas daljes në skenë të UÇK-së, Shqipëria ka ndërtuar një politikë, të them, kombëtare(!!!) për Kosovën"! Tërë kjo fushatë e shfrenuar e një grupi studentësh enveristë, e "Forumit Demokratik" të Demaçit, i cili, më vonë, u shndërrua në "tryez" të partive majtiste, gjithnjë sipas detyrimeve që kishte marrë Nano nga Millosheviçi në Kretë (nëntor 1997), kishte për qëllim dështimin e zgjedhjeve parlamentare e presidenciale, të cilat, megjithatë u mbajtën me sukses me fitoren e madhe të Rugovës për të cilin votuan 85% të elektoratit të Kosovës. Fushata e tërbuar e "Mandelës" së Kosovës kishte për qëllim zëvendësimin e orientimit properëndimor të kombit shqiptar të Kosovës me orientimin lindor ruso-bizantin, për çka enveristët shqiptarë janë të gatshëm të sakrifikohen në çdo moment.
    "B.sot" 23 maj 2003
    Ini, bëhuni, përhapni dhe jetoni dashuri!

  3. #3
    Maska e Liridona
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Mancester.Uk
    Postime
    165

    O mistik

    Te lumshin duert qe e ke sjell kete artikull!
    Une jam me artikullshkruesin deri aty ku thote:
    "e një vdekjeje të paparë që do ta përjetonin shqiptarët duke vrarë veten me dorë të vet ...".
    Kisha pas deshire me e pyet autorin cka ka dasht me thane me keto fjale.Thua se shqiptaret e vrane veten pse fituan lirine?(!!!)
    Thua se shqiptaret ishin pergjakur per here te pare(vetem masakra e Tivarit eshte rrenqethese)dhe pa fituar pothuajse asgje?
    Mistik,uroj te jesh kosovar e ta njohesh autorin qe te ja percjellesh keto dy dvetje(pyetje).

    Njashtu te past dada!
    Liridona

  4. #4
    Liridona e Nderuar!
    Jam edhe shqiptar i Kosovës, edhe toskë edhe gegë, edhe fshatarë, edhe qytetarë /besoj/, por i lindur në fshat në rrethin e Ulqinit = periferia e Shkodres. Nuk e njoh të nderuarin Ferizi, dhe vetëm mund të supozoj se çka ka dashur të thotë. Lexoji të dy shkrimet e tij në këtë rubrikë, dhe besoj se do e kuptosh. Secili një artikull apo një liber e kuton sipas mundësive e aftësive e sipas pikëpamjeve të veta. Mund të them se konkluza Jote nuk është e saktë. Me ide të huaja, por a nuk e vramë veten ne shqiptarët në v. 1997 duke e rrëzuar pushtetin e brishtë në rrugë të demokracisë në Shqipëri?! A nuk i vramë ne në Kosovë / më pëlqen më shumë emri DARDANI/ e në Shqipëri me dorën tonë Azem Hajdarin, Ahmet Krasniqin, Tahir Zemën, e shumë të tjerë.
    A nuk po e vrasim veten duke mbajtur në Shqipëri pushtet kuisling e guvernatorë të grekëve në Shqipëri? A nuk e vramë veten kur Nano pas tokimit me Millosheviqin deklaronte se shqiptarët e Kosovës kanë kryeqytet Beogradin? A nuk po çojmë ujë në mullirin e dreqërve që i kemi kojshi, duke mos qenë liderët shqiptarë të një mendimi rreth çështjes së Dardanisë. Dikush është për moratoriumdhe për bisedime me Beogradin, dikush me e shpallë përsëri Pavarësinë në Parlament, e ajo nuk mund të shpallet disa herë, çka është shumë e dëmshme dhe e gabuar. Duhet që të kontribohet vetëm të njihet ndërkombëtarisht Pavarsia.
    Ini, bëhuni, përhapni dhe jetoni dashuri!

  5. #5

    Jusuf Ferizi: Gjenerali I "ushtrisë" Së Kuqe!

    Si e vrau veten "Mandela" i Kosovës?
    Ose: Të gjitha mëkatet e adem Demaçit!

    Shkruan: Jusuf FERIZI

    Në prag të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të 22 marsit të vitit 1998, Adem Demaçi vendos të merret "seriozisht" me politikë. Së pari, si duket pa u menduar mirë, shpall kandidaturën për president të Kosovës, të cilën çuditërisht e tërheq brënda dy ditësh! Dhe pas fitores absolute të Rugovës si president i Kosovës me 85% të votës së elektoratit, Demaçi hidhet në kërkim të rrugëve tjera për t'u ngulitur edhe në mënyrë të dhunshme, nëse e lyp nevoja, në krye të pushtetit të Kosovës. Dhe aty për aty i ringjallen shpresat që me "ushtrinë" e kuqe të Nanos e të Qosjes, si gjeneral që do të vetshpallej, të marrë mbi vete udhëheqjen e ndërtimit të strukturave "të reja" udhëheqëse të Kosovës.

    Testi me "Ballkaninë"!

    Demaçi ishte ofruar edhe më herët si krah politik i UÇK-së. Duke e kushtëzuar këtë "ofertë" me pranimin nga ana e UÇK-së të "Ballkanisë" së tij, si opcion i vetëm për "zgjidhjen" e problemeve ballkanike, gjë që pranohet me të dy duart nga ai "Shtabi" i guvave të Malishevës së Jakup Krasniqit, Adem Demaçi shpallet prijës politik i "ushtrisë" së kuqe. Dhe duke pranuar "Ballkaninë" e Demaçit, në fakt, UÇK-ja marksiste-leniniste e "komandantëve" të Drenicës, hoqi dorë nga pavarësia e Kosovës. Siç dihet slogani antishqiptar "Ballkani-ballkanasve", u nxit dhe u financua së pari nga perandoria ruse me të vetmin qëllim që nga Evropa Juglindore të dëboheshin perandoritë austrohungareze dhe otomane. Ky slogan i tmerrshëm që parashihte zhbërjen e shqiptarëve si popull, u pati skalitur me germa të zeza në projektet gjenocidiste të Garashaninit, e më vonë, edhe të Çubrilloviçit. Prirjet greko-serbe për avancimin e termit "ballkan"bëjnë boshtin e strategjisë bizantine për përjashtimin e SHBA-ve nga Gadishulli Ilirik, sepse termi "ballkan" në ndërdijen e çdo serbi e greku identifikohet me termin "bizant".
    "Ballkani-ballkanasve", kjo sintagmë aq irrituese, por shumë e preferuar për Adem Demaçin, është një slogan hegjemonist serbo-grek i së njëjtës origjinë, dhe, pothuaj, i një moshe me "ëndrrat" e komunisto-socialistëve serbë për do farë "federatash" e "konfederatash" ballkanike, ku shqiptarët do ta kishin statusin e minoritetit, ose do të zhbëheshin fare, ashtu siç e zhbëri Enver Hoxha çështjen çame. Në emër të kësaj sintagme, me të cilën u pajtua edhe "ushtria" e kuqe e Demaçit, u viktimizua nga ana e komunistëve shqiptaro-jugosllav edhe çështja e Kosovës në Luftën e Dytë Botërore. Për këto qëllime enveriste, edhe Demaçi u mor gjatë me "ëndrrën" kominterniste të "Ballkanisë" së tij, u mor pra me këtë ide antishqiptare "Mandela" i Kosovës në kohën më të ligë, shih atëherë kur kishte filluar lufta në Kosovë. Me këtë "ëndërr" kominterniste Demaçi iu qep edhe më fuqishëm politikës duke vrarë veten edhe një herë, me dorë të vet!

    Populli apelonte: "ndale turrin, "gjeneral"!

    Dhe pas vetemërimit të tij "gjeneral", pas djegies së Dukagjinit (verë 1998), Demaçi në krye të "ushtrisë" së kuqe paralajmëronte se do të "ndryshojë" strategjinë, se do të "ndërrojë" taktikën e luftës. Kur jepte "gjenerali" ynë këtë paralajmërim, afro gjysma e Kosovës ishte bërë rrafsh me tokë, një e treta e popullatës kishte braktisur vatrat e lindjes, Dukagjini, pothuaj, ishte boshatisur nga vendësit autoktonë shekullorë. Dhe, sikur të mos ishte ngopur me gjithë ato vrasje e rrënime që linin prapa barbarët serbë, sepse siç thoshte "gjenerali", "liria nuk ka çmim", ndonjë zëdhënës i UÇK-së, sepse nuk dihej sa zëdhënës dhe sa shtabe falangash ekzistonin, kërcënonte se "ose do ta çlirojmë Kosovën, ose do ta bëjmë shkrimb e hi të tërën"! Dhe, derisa shqiptarët e Kosovës, pa kurrfarë mbrojtjeje, vriteshin e dëboheshin nga vatrat e tyre shekullore, "gjenerali" i vetëshpallur dhe prijësi i UÇK-së, Adem Demaçi, në konferencat javore të shtypit për çdo të martë, sikur të jetonte në hënë, vazhdonte fjalimet e tij të zjarrta mbi "riorganizimin" e UÇK-së. Në të njëjtën kohë qindra mijëra banorë që ishin katandisur maleve nën qiellin e hapur, sikur e lusnin Demaçin: "Zoti gjeneral", nëse do pushtet me çdo kusht, atëherë urdhëro eja ta ushtrosh pushtetin tënd që ta kanë siguruar uçkëistët nano-qosjanë në qindra fshatra ku nuk frymon më erë njeriu"! Dhe, lutja e tyre e kotë e fundit ishte: "Ndale turrin, "gjeneral"!
    Kombëtarja "B.sot" 24 maj 2003
    Ini, bëhuni, përhapni dhe jetoni dashuri!

  6. #6

    Jusuf Ferizi: Marrëveshja E Osllos Dhe Vrasjet E Shekullit!

    Si e vrau veten "Mandela" i Kosovës?
    Ose: Të gjitha mëkatet e Adem Demaçit! Vazhdimi i 4.

    Shkruan: Jusuf Ferizi

    Pas gjithë atij tmerri nëpër të cilin kaloi kombi shqiptar i Kosovës, më 23 maj të vitit 1998, nga Oslloja vjen lajmi kaherë i pritur dhe më i gëzueshëm deri atëherë për Kosovën. Dy delegacione të kryesuera nga ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqi, në një anë, dhe nga përfaqësuesi politik i UÇK-së, Adem Demaçi në anën tjetër, në një takim që kishin pasur në Osllo të Norvegjisë, më 21 deri më 23 maj 1998, kishin arritur marrëveshjen historike sipas së cilës Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës dhe UÇK-ja bashkoheshin në një subjekt të vetëm ushtarak me një shtab komandues me të cilin do të udhëhiqte ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi.

    Tahir Zemaj zbaton marrëveshjen e Osllos

    Duke filluar e para zbatimin në praktikë të marrëveshjes historike të Osllos, Brigada 134, e komanduar nga koloneli legjendë Tahir Zemaj, hyri në Kosovë më 21 qershor 1998. Pra ishte ushtaraku më madhor Tahir Zemaj që filloi i pari relizimin në fushë të betejës së marrëveshjes së Osllos, duke ngritur në Prapaçan të Dukagjinit komandën e Zonës III Operative të Rrafshit të Dukagjinit nga ushtarakët e njësive operative të brigadave 134, 131, 133 dhe nga kuadri komandues i njësive territoriale. Në kazermën moderne të Prapaçanit (gusht 1998) u shpall, pra, e formuar ushtria e parë e rregullt e Republikës së Kosovës. Të nesërmen e marrëveshjes së Prapaçanit, në mes të Tahir Zemajt, komandant dhe Ramush Haradinajt, zëvendës dhe dy ditë pas prishjes së kësaj marrëveshjeje nga ana e Shtabit të Hashim Thaçit, "gjeneral" Demaçi deklaronte se ajo që ndodhi në Dukagjin nuk do të ketë jetë të gjatë. Maksima e njohur për përsëritjen e historisë në historinë shqiptare e ka një të veçantë: historia gati gjithherë është përsëritur, jo si farsë, por si tragjedi. Ashtu siç i tradhtoi Enver Hoxha forcat djathtiste me marrëveshjen e Mukjes, në të njëjtën mënyrë i tradhëtoi Adem Demaçi me shokët e idealit, forcat institucionaliste me marrëveshjen e Osllos. Për banditët e Lëvizjes Popullore të Kosovës nuk mjaftonte vetëm zhbërja e marrëveshjes së Osllos, por duheshin likuiduar një nga një edhe të gjithë ideatorët institucionalistë të asaj marrëveshjeje, duhej fshirë edhe nga kujtesa historike vendimi historik i Osllos.

    "Sekuritatet" e Hashim Thaçit!

    Duhej frikësuar me "gogolin" komunist, jo vetëm populli, por edhe institucionet legjitime të Republikës së Kosovës. Për këtë qëllim, më 20 shtator 1998, "sekuritatet" e Hashim Thaçit arrestojnë në Çirez 13 veprimtarë të institucioneve të Kosovës, ndër ta edhe nënkryetarin e Parlamentit të Kosovës. Me çfarë frike kemi të bëjmë dëshmon heshtja prej guri e këtyre të arrestuarve, të cilët, edhe sot e gjithë ditën, nuk kanë fituar ende guxim qytetar të tregojnë se si i kanë kaluar ato net të zeza nëpër burgjet e Drenicës. Në ditën e këtij arrestimi Adem Demaçi e mbyll(!) zyrën e vet dhe pa kurrfarë sqarimi Albin Kurti, shef i protokollit të tij, "Mandelën" e Kosovës e shpall të "sëmurë"!!! dhe gjatë kësaj "sëmurjeje", më 21 shtator 1998, vritet në Tiranë kryeideatori i marrëveshjes së Osllos, ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqi. Pas tentim atentatit në Enver Malokun (korrik 1998), pasojnë tentimatentatet në Sabri Hamitin dhe në Rrok Berishën (shtator 1998). Adem Demaçi nuk u prononcua as edhe me një deklaratë formale në shenj keqardhjeje për tragjedinë që pësoi FARK-u me vrasjen e ministrit të Mbrojtjës. E atentati në Ahmet Krasniqin ishte atentat në shtetin e Kosovës. Pas "sëmurjes" së tij, më 14 tetor 1998, Adem Demaçi paraqitet para opinionit me këtë deklaratë kërcënuese: "Të gjitha këto organizma të deritashme (lexo: infrastruktura institucionale të Rugovës) duhet të gjenden mënyra që të demontohen". Në vazhdën e atij terrori frikësues, më 30 tetor 1998, "sekuritatet" e Hashim Thaçit, arrestojnë Jakup Kastratin, kryetar dhe Cen Deskun, anëtar të Kryesisë së LDK-së në Malishevë. Në kohën kur pritej se Demaçi do të lirojë ndonjë shqiptar nga burgjet serbe, televizioni i Beogradit hapte bllokun e "top" lajmeve për lirimin nga burgjet e maleve të UÇK-së të Kastratit dhe të Deskut, falë intervenimit të "Mandelës" së Kosovës.

    Koincidenca e vrasjes së Enver Malokut dhe kriminelët e shpallur "heronj"!

    Edhe vrasja e Enver Malokut, që radhitet në vrasjet e shekullit pas marrëveshjes së Osllos, më 11 janar 1999, në Prishtinë, jo rastësisht, koincidohet me takimin me Fatos Nanon që kishin pasur në Tiranë, vetëm një ditë më parë Adem Demaçi e Rexhep Qosja! Kjo koincidencë bëhët edhe më e dyshimtë kur, të nesërmen e vrasjes së drejtuesit të Agjencisë Kombëtare të lajmeve të Republikës së Kosovës, diku në male të Drenicës fillon nga puna agjencia e kmerkuqëve të Kosovës "Kosovapress". "Mandela" i Kosovës, edhe pse kishte modelin e Shqipërisë së përmbytur të vitit 1997, për të parë se çfarë ndodh kur shqiptarët luftojnë me shqiptarë, edhe pse i dinte të gjitha të zezat që i kishte sjellë në Shqipëri revolucioni i ndyrë "demokratik" i Qosjes, ai, përkundrazi, vazhdonte t'i fryjë flakës së këtij revolucioni në Kosovë. Dhe, pas takimit me Nanon në Tiranë (11 janar 1999), deklaron: "Nuk e njoh përfaqësinë zyrtare të Republikës së Kosovës të instaluar nga Rugova në Tiranë"! Pas Luftës së Dytë Botërore, ortakë me "dorën e zezë serbe" për të vrarë shqiptarë u bënë komunistët shqipfolës të farës ruse, të njohur përtej kufirit si stalinistë-enveristë, ndërsa në Kosovë, si rankoviçistë projugosllavë pa kombësi. Kjo farë ruse vrau shqiptarë në Drenicë (1945), në Tivar (1945) dhe në shumë pjesë të tjera të Kosovës. Vrau edhe shqiptarë që nuk pranuan kolektivizimin rus. Vrau shqiptarë që nuk pranuan zakonet ruse në familje. Sa thellë kishte depërtuar etja për gjak ndër shqiptarë në ndërdijen e errët të enveristëve të zinj, mjafton të shfletosh titujt e gazetave ruse që botoheshin shqip në Prishtinë (1998), e ku vrasjet me atentate quheshin "heroizma", kurse kriminelët"heronj"! Kjo farë ruse, e dirigjuar sot nga qendra e krimit që quhet SHIK, e të cilën Kosova e ka dhuratë prej Fatos Nanos, sipas obligimeve që kishte marrë ky me atë marrëveshjen namzezë të Cyrihut (1993), mbi "ndihmen reciproke" ndërmjet PSSH-së dhe LPK-së. Ky SHIK i farës ruse vrau edhe Tahir Zemajn më 4 janar 2003, oficerin më madhor që ka pasur Kosova ndonjëherë. Ata që shkelën marrëveshjen e Osllos herdokurdo do t'i gjykojë historia, sepse bllokuan organizimin e luftës. Ata do t'i gjykojë historia edhe për të gjitha vrasjet që u bënë në kontekst të kësaj marrveshjeje të cilën e shkeli "Mandela" i Kosovës me "shokët e tij të idealit"!
    Ini, bëhuni, përhapni dhe jetoni dashuri!

  7. #7

    Jusuf Ferizi: Demaçi Kundër Rambujesë!

    Si e vrau veten "Mandela" i Kosovës?
    Ose: të gjitha mëkatet e Adem Demaçit (5)

    Shkruan: Jusuf FERIZI

    Duke zbatuar me besnikëri atë amanetin prej enveristit të devotshëm të Ramiz Alisë, se "edhe barë do të hamë, por në Shqipëri nuk do të lejojmë depërtimin e imperializmit amerikan", duke mos lënë gurë pa luajtur për ta karantinizuar Kosovën në kthetrat serbiane, duke punuar zellshëm në izolimin e saj të plotë nga Perëndimi, pikërisht ashtu siç e kishte getoizuar Enver Hoxha Shqipërinë plot 50 vjet, Adem Demaçi, duke bërë ku të dihet të satin mëkat, ngritet me tërë forcën kundër Konferencës së Rambujesë.

    Demaçi në unison me moskovitët!

    Për "Mandelën" tonë nuk kishte rëndësi vërejtja e ambasadorit (amerikan v. ime) Hill: "Disa anëtarë të delegacionit (shqiptar) në Rambuje janë për së tepërmi të disponuar si antiperëndimorë. Disa prej tyre rrjedhin nga lëvizjet marksiste-leniniste, dhe si të tillë nuk janë ithtarë të angazhimit tonë (amerikan) në Kosovë, edhe pse deklarohen si të tillë". Demaçit nuk iu ngul as apeli i Z. Olbrajt drejtuar delegacionit shqiptar në Rambuje se fajtori për futjen apo mosfutjen e NATO-s në Kosovë do të gjendej në mesin e shqiptarëve dhe serbëve. Për të nuk bëri punë as sugjerimi i mikut më të madh të shqiptarëve, Bob Doll, se mosnënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë nga ana e delegacionit shqiptar, do të bënte të pamundur intervenimin e NATO-s në Kosovë. Aleatët më besnikë të Demaçit në fushatën e tij të çmendur kundër Rambujesë ishin Albin Kurti dhe "Sulltan", Selimi. Këtë të fundit, për "meritat" e tij në fushatën kundër Rambujesë, Demaçi e shpalli "komandant suprem" të SHP të UÇK-së. Ky ndryshim kuadror në "ushtrinë" e kuqe të "gjeneral" Demaçit, në Kosovë u quajt grushtshtet në UÇK. Kësaj fushate të çmendur iu bashkuan me një "apel" edhe do "veteranë" (komunistë) të gazetarisë në Kosovë, të cilët sot çelin vezë të klluqura në të përditshmën "Zëri". Bashkë me ta, më 19 shkurt 1999, Demaçi u rendit në mbështetje të zellshme të demonstratave në Moskë, ku me portretet e Stalinit në dorë rusët brohoritën jo vetëm kundër Amerikës, por edhe kundër shqiptarëve. Atë ditë, urrejtja e Demaçit kundër NATO-s dhe Amerikës ishte në unison të plotë me urrejtjen serbe kundër amerikanëve. Në fund, i zhgënjyer me dështimin e fushatës së tij kundër Rambujesë, duke dhënë dorëheqje nga posti i përfaqësuesit politik të UÇK-së, Adem Demaçi deklaronte: "Krenohem nëse kam arritur ta bëj të dështojë Konferenca e Rambujesë"!

    "Mandela" kundër dënimit të Serbisë!

    Ata shqiptarë që ishin kundër dënimit të Serbisë, pa mëdyshje, i takojnë atij konceptit që nuk do ta shohë popullin shqiptar si pjesë e gjeopolitikës evro-atlantike. Janë këta individë që i takojnë atij koncepti të ngarkuar me bagazhin e vjetër politik, e që janë në lidhje të pandërprera ideologjike nëpërmes trajtave më të mynxyrshme stalinisto-enveriste. Demaçi, ndoshta pa vetëdije, angazhohej për një vetëvrasje të shqiptarëve të Kosovës, sepse këtë politikë kriminale vetëvrasëse e kishte trashëguar nga diktatori Hoxha që pllakosi Shqipërinë përgjatë një gjysmë shekulli. Demaçi donte ta reprizonte tragjedinë enveriste në Kosovë për të krijuar kushte të "reja" që bisha serbe, siç thotë Kadare, ta mbyste Kosovën në qetësi. A ishte i vetëdijshëm Demaçi se duke u ngritur kundër dënimit të Serbisë, po ngritej kundër lirisë së Kosovës? Si pasojë e makinacioneve të kmerkuqve të Kosovës për vonesën e atij nënshkrimi që kërkohej të vihej në dokumentin e Rambujesë, u vranë dhe u masakruan mijëra e mijëra shqiptarë. Për pak, siç thotë Kadare, "armiqësia tradicionale" (ruso-karpatiane) kundër NATO-s dhe Amerikës, gati përfundoi në mbrojtje të Serbisë komuniste, kundër lirisë së Kosovës. Në ato orë makabër të asaj blasfemie (prill 1999) kundër presidentit të Republikës së Kosovës, në ato ditë të rënda të atyre sharjeve që dukej sikur vinin nga bulqitë e llahtarshme serbokarpatiane, në atë meskohë të asaj herezie, e edhe kryeherezie, të atij profanimi kundër liderit më të pakontestueshëm shqiptar, për të cilin gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s Tirana zyrtare dhe marksistë-leninistët e UÇK-së së Adem Demaçit kishin përgatitur gjyqin inkuizicionist bizantin, politikanët aventurierë, që kishin manipuluar dhe sabotuar luftën e UÇK-së, për një grimë pushtet të së nesërmes, mbajtjen peng të Rugovës në Prishtinë deshën ta shfrytëzojnë për eliminimin e forcës së parë politike që përmbyti komunizmin në Kosovë. Segmente bizantine të faktorit politik të Tiranës dhe të asaj UÇK-së marksiste-leniniste, me një urrejtje të tipit mesjetar ndaj antikomunizmit, ndaj politikanit më me ndikim në Kosovë dhe në Shqipëri shkuan aq larg në atë prillin e vitit 1999, saqë akuzat e tyre kundër Rugovës në kohën e bombardimeve të NATO-s mund të krahasohen vetëm me akuzat e prokurorëve marksistë-leninistë të vitit 1945.
    Ini, bëhuni, përhapni dhe jetoni dashuri!

  8. #8

    Arrow JUSUF FERIZI: DEMAÇI OKUPON RTP-në!

    Si e vrau veten "Mandela" i Kosovës?
    Ose: të gjitha mëkatet e Adem Demaçit! (6) - e fundit

    Shkruan: Jusuf FERIZI

    Para se të arrijmë te mëkati (më i ri) i fundit i Adem Demaçit, le të gjezdisim pak edhe nëpër do akrobacione tjera të "Mandelës" së Kosovës. Shkallën më të lartë të hutisë së tij Demaçi e manifestoi me rastin e arrestimit të komandant "Remit", kur vuri shenjën e barazimit në mes të regjimit të UNMIK-ut dhe të regjimit të Serbisë së Millosheviçit. Pas fitores së Rugovës në zgjedhjet e para nacionale pas çlirimit të Kosovës, "Mandela" ua uroi shqiptarëve Vitin e Ri me këtë mesazh që e transmetoi "Politika" e Beogradit: "Para dy vjetëve kam luftuar për të drejtat e shqiptarëve, e tash, meqë janë rrezikuar të drejtat e joshqiptarëve, kam vendosur të kaloj në anën e tyre (lexo: të joshqiptarëve)"! Ndërkaq, kulmin e cinizmit prej antirugovisti Demaçi e shfaq më 17 janar, në ditën e vrasjes së deputetit demokrat, Ismail Hajdaraj, kur propozon që në vend të Rugovës, president të zgjidhet Rada Trajkoviç!

    Kuadrot me tru të shpëlarë!

    Në këtë vazhdimësi mjerane të lluminteligjencisë shqiptare, që nuk arrin dot të kurohet nga helmini me antirugovizëm, është e kotë të kërkosh nga komunistët të heqin dorë nga misioni që ua ka besuar internacionalja komuniste e vëllazërim-bashkimit kushnero-evertso-shtajnero-demaço-bakallian me serbo-rusët. Kjo kominternë e internacionalizmit proletar fillon së funksionuari bashkë me vendosjen e UNMIK-ut në Kosovë në vitin 1999. Pas
    dëbimit nga Kosova të makinës kriminale vrastare të dinozaurit Millosheviç, që e bënë forcat e NATO-s të udhëhequra nga Amerika, pra pas çlirimit të Kosovës nga okupatori serbian, dhe pas kthimit të popullatës së dëbuar, nga Tirana kuislinge në Kosovë u kthye edhe ajo eskorta, e njohur si "mëhallë e korbave", e atij edicionit televiziv satelitor të lajmeve për Kosovën. U kthyen pra korbat e tipit të një Asllan Bajrami, që krrokatën për shumë vjet në atë edicionin televiziv të krra-krrakave të Tiranës, dhe duke hyrë në tarik të Hashim Thaçit, ajo eskortë korbash, së cilës iu bashkuan edhe do gazetarë mullinxhinj të TVP-së, të prirë nga një ish komitetlinj që quhet Ismail Smakaj, hasi në mbështetje të plotë të ish-kryeadministratorit Kushner, i cili, posa kishte marrë postin e guvernerit të Kosovës, i kishte vënë vetes për detyrë t'i bëjë të lumtur shqiptarët duke u shpëlarë trurin, si Enver Hoxha, nga nacionalizmi. Në planin e shpëlarjes së trurit, edhe më i devotshëm u tregua Dan Evertsi, ky surrogat i tipit komunist evroperëndimor, i cili gati u pat çmendur nga gëzimi kur i bindi Nanon, Xhaferin dhe Thaçin për të krijuar "ndërkombëtarën e majtë shqiptare". Për ta bërë RTK-në, që u ngrit dhunshëm mbi themelet e shenjta të Radiotelevizionit të Prishtinës, medium informativ, që, jo vetëm irriton, por edhe që çmend, në krye të saj Kushneri e Evertsi, vendosën kuadro shqiptare(!) me tru të shpëlarë në kohën e monizmit. Me "bordin" e këtij mediumi të ri që okupoi RTP-në, u hapën dyert për Adem Demaçin, Mahmut Bakallin, Agim Zatriqin, Milazim Krasniqin, Vjosa Dobrunën, Blerim Rekën etj. Edhe Kushneri, edhe Dani, e dinin mirë se Kosova paraqet qendrën e shqiptarizmit në Evropën Juglindore. E dinin pra se Kosova ku kishin ardhur të guvernojnë, bën palcën e shqiptarizmit, apo, siç thonte Azem Hajdari, "palcën e Kombit Shqiptar në përgjithësi". e dinin po ashtu se një Kosove të tillë askush nuk do të mund t'i kundërvihej më me sukses sesa mendësia komuniste, e cila, në esencë është mendësi antikombëtare.

    Të dhunosh vullnetin e popullit do të thotë të ngrihesh kundër Zotit!

    Tufës së deleve të Adem Demaçit, në hapësirën e okupuar të Radiotelevizionit të Prishtinës, në mediumin e pagëzuar RTK, iu bashkuan edhe grigjat e reporterëve nga Kosova, prej të cilëve ka edhe të atillë që do të duhej të përgjigjeshin para gjyqit të Hagës për vrasjet e dirigjuara nga TVSH-ja e Tiranës! Nëse ndonjëherë do të hapet arkivi i TVSH-së për periudhën 1997 - 1999, do të mësonim se dallimi në mes talibanëve afganë dhe enveristëve talibano-kuq të Kosovës, është se të parët keqpërdorën Fenë dhe Zotin, ndërsa të dytët që nuk kanë as Fe as Zot, keqpërdorën çlirimin e Kosovës. Këtij klani enveristo-talibano-kuq i përkasin edhe pjesa dërmuese e të ashtuquajturve"gazetarë" që punojnë sot në RTK-në e Adem Demaçit. Okupimi i RTP-së është njëri prej mëkateve më të mëdha të "Mandelës" së Kosovës. Ata që keqpërdorin çlirimin e Kosovës janë ata që dhunojnë vullnetin politik të elektoratit të saj. E vullneti politik i një populli është vullneti i Zotit. Të dhunosh këtë vullnet do të thotë të ngrihesh si Juda kundër Zotit. Për këtë arsye, gabimet e Adem Demaçit, nuk janë faje por mëkate!
    (Fund)
    Ini, bëhuni, përhapni dhe jetoni dashuri!

Tema të Ngjashme

  1. "Revolucioni vonuar" dhe Ahmet Krasniqi
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 214
    Postimi i Fundit: 20-09-2018, 13:55
  2. Deklarata universale e të drejtave të njeriut dhe Islami
    Nga Cappuccino në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 98
    Postimi i Fundit: 30-11-2013, 13:37
  3. Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944-1990
    Nga Anton në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 10-12-2011, 12:41
  4. Shenja ne Rruge!?
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 17-06-2009, 08:47
  5. Kështu foli Tahir Zema - I -
    Nga DriniM në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 46
    Postimi i Fundit: 19-07-2006, 06:42

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •