PDK akuzon AAK-në për vjedhje votash në Gjakovë
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjakovë, nëpërmjet një komunikate për media, ka shprehur shqetësimin e madh për – siç thuhet – “parregullsitë, keqpërdorimet dhe vjedhjen masive të votave nga ana a Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidatit të saj për Kryetar të Komunës, bashkë me strukturat militante dhe të armatosura në shumë vendvotime në komunën e Gjakovës, si në: Demjan, Novosellë, Rogovë të Hasit, Bërkoc, Babaj të Bokës, Korenicë, Ponoshec, Skivjan dhe në gjithë rajonin e Dushkajës”.
Në të gjitha këto vendvotime, sipas degës së PDK-së në Gjakovë – “janë vërejtur njerëz të strukturave të AAK-së që kanë përdorur dhunë, kërcënime dhe shantazhe, si dhe kanë kryer vjedhje të hapur të votave, për çka ka dëshmi të mjaftueshme nga komisionerët dhe vëzhguesit, të cilat janë të mjaftueshme për anulimin e rezultateve në këto vende, por edhe për ngritjen e çështjeve para organeve të drejtësisë”.
“Rastet e keqpërdorimit të votave në Gjakovë janë njolla e zezë e këtyre zgjedhjeve dhe fatkeqësisht dëshmojnë se AAK me këto veprime nuk dëshiron të bëhet pjesë e standardeve të larta ndërkombëtare dhe e një të ardhmeje më të mirë për Republikën e Kosovës”, përfundon komunikata.
Krijoni Kontakt