Çfarë e pret Maqedoninë pas 7 dhjetorit!
Shkup, 15 nëntor - Do të ketë ose jo marrëveshje mes Shkupit e Athinës lidhur me emrin deri më 7 dhjetor kur edhe është afati i fundit ndaj qeverisë së Gruevskit? Situata politike sa vjen e komplikohet, pasi që negociatori grek Adamantios Vasilakis, ndërmjetësit në bisedime Metju Nimici i ka përcjell se Greqia nuk heq dorë nga pozita për një emër të përbërë me përcaktim gjeografik për përdorim të përgjithshëm. Se punët nuk janë aq lehtë këtë e konfirmuar edhe kryeministri Nikolla Gruevski se problem serioz në zgjidhjen është se Greqia refuzon të diskutojë rreth çështjes së identitetit.
Për ekspertët politik është kjo edhe një lëshim i radhës i qeverisë dhe paralajmërojnë për skenarë ogurzi me moszgjidhjen e kontestit.
Eksperti i të drejtës ndërkombëtare Lubomir Fërçkovski është skeptik se do të ketë marrëveshje deri më 7 dhjetor, derisa për analistin tjetër Mersel Bilalli nëse nuk ka ndonjë zgjidhje, nuk përjashtohen turbulenca politike, siç është prishja e koalicionit, ndarje etnike, manifestime të ndryshme politike kundër qeverisë aktuale etj..."Ajo që është më rëndësi, është se në planin e jashtëm do të ketë dëshpërim nga BE kundrejt Maqedonisë lidhur me veprimin e elitës politike. Nuk do të kemi as datë dhe do të mbetemi të vetëm. Greqia në këtë drejtim nuk do të jetë e vetme dhe do ta ketë përkrahjen e shteteve tjera anëtare. Nuk do të ketë as 'Shatell-diplomaci' që të ndërhyjnë Brukseli ose Uashingtoni në kontestin", nënvizon për "Koha" analisti Fërçkovski. Më ndryshe mendon Mersel Bilalli, sipas të cilit shanset për kompromis janë reale dhe pozicionet në distancë mes Shkupit e Athinës, megjithatë janë mundësi për vendim përfundimtar. "Ajo që dihet është se këtu përfitojnë grekët, ndërsa pala maqedonase në këtë drejtim ka hapësirë të ngushtuar. Kësaj i shtohet edhe joracionaliteti i kryeministrit Gruevski i cili nuk ka alternativë tjetër pos zgjidhjes, pasi në kundërtën projekti rrezikon të dështojë", tha Bilalli.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi duke folur për problemin e emrit në Dibër tha është optimist në zgjidhjen e problemit dhe se ka klimë pozitive për çështjen. "Veçanërisht, pas liberalizimit të vizave për shtetasit e Maqedonisë në shtetet e BE-së, po dhe ndryshimet që u bënë me ardhjen në pushtet të Qeverisë së re greke", ka thënë ai. Ademi, shtoi se këto ditë ka bisedime intensive të mediatorit me të dy palët, respektivisht Maqedoninë dhe Greqinë dhe presim që problemi të zgjidhet në interes të të dy shteteve. Nga ana tjetër kryetari i nderit i partisë Liberaldemokrate Stojan Andov konsideron se qëndrimet e kreut shtetëror për çështjen e emrit me Greqinë janë të paqarta, pasi që më 7 dhjetor Maqedonia do të përjetojë edhe një Bukuresht.
"Nuk duhet të harrojmë se rekomandimet edhe nga Nju Jorku, Uashingtoni e Brukseli kanë treguar se negociatat në Nju Jork duhet të udhëhiqen vetëm për emrin. Krahas kësaj, politikanët tonë të përgjegjshëm në negociata kanë ofruar edhe identitetin nacional dhe gjuhën maqedonase, me çka dëshmuan pasigurinë e tyre dhe mundësinë Greqia ata ta pranojë ose refuzojë", ka thënë të dielën në konferencën për gazetarë Andovi. Përplasjet rreth emrit së fundmi ishin objekt akuzash mes kryeministrit Gruevski dhe liderit opozitar Branko Cërvenkovski. Ky i fundit tha se pas 7 dhjetorit në Maqedoni mund të ketë skenarë të padëshiruara, nëse deri atëherë nuk zgjidhet çështja e emrit, por lideri i VMRO-së, tha se shpreson që kreu i LSDM-së të mos organizojë diç të ngjashme me konfliktin e 2001-shit. Madje, sipas analistit Fërçkovski Maqedonia duhet të definojë pozicionin e saj politik të atyre që janë të orientuar pro-integrimeve dhe atyre që aktrojnë në këtë rast siç është qeveria aktuale. Ndërkaq, sipas Mersel Bilallit, shtyrja e vendimit deri në muajin maj-qershor të vitit 2010, janë të vogla, pasi për Maqedoninë nuk pritet të ketë veto për rekomandimin e fillimit të bisedimeve edhe pse nuk janë plotësuar kriteret.
Nga-Fami Bajrami
http://www.koha.com.mk/a02.html
Krijoni Kontakt