Korrigjohet rezultati, 8 vota para Muharremi
Nysret Bytyçi, shef ekzekutiv i KKZ-së në Prizren, tha se ka fituar LDK-ja. Bytyçi ka thënë se gjatë futjes së materialit në të dhënat e votimeve në kompjuter janë bërë disa gabime teknike
Gjilan, 16 dhjetor
Lutfi Haziri ka thënë se nuk do të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të balotazhit në Gjilan. Këtë deklaratë nënkryetari i LDK-së e ka dhënë në emër të koalicionit të djathtë, pas një takimi të përbashkët që kanë mbajtur LDK-ja, AAK-ja dhe LDD-ja. Dega e LDK-së në Gjilan jo që nuk e ka njohur fitoren e kandidatit të PDK-së, Qemajl Mustafa, por edhe e ka shpallur fitues kandidatin e saj, Fatmir Rexhepi, duke i vlerësuar të paqena dhe të papranueshme rezultatet preliminare të KQZ-së.
Rexhepi: Na janë vjedhur 1.746 vota
Sipas rezultateve të shtabit zgjedhor të LDK-së, Rexhepi (LDK) ka një epërsi ndaj Mustafaës (PDK) - 50,5 : 49,5. Fatmir Rexhepi tha se rezultatet preliminare konsiderohen jolegjitime, nga koalicioni i djathtë, për shkak të parregullsive të mëdha që kanë ndodhur gjatë ditës së votimit. “Na janë vjedhur 1.746 vota, kurse pjesë e këtyre parregullsive dhe lëshimeve, është edhe raporti i KKZ-së të Gjilanit, me rezultatet preliminare të balotazhit, ku janë mbi 1169 fletëvotime më shumë sesa numri i votuesve, si dhe 397 vota të fshehura brenda raporteve që i ka publikuar KQZ-ja”, ka thënë Rexhepi, duke këmbëngulur se nuk do ta pranojë këtë rezultat, porse do të insistojë deri në fund për të vërtetën. Ndërkaq, Lutfi Haziri ka njoftuar se për të gjitha këto shkelje janë ankuar në KZAP dhe tani janë në pritje të vendimit të këtij komisioni.
Mustafa (PDK): Fituesi është i përcaktuar
PDK-ja e ka shpallur fitoren e kandidatit të saj, Qemajl Mustafa, dhe tashmë ka filluar bisedimet me partneret e koalicionit për ndarjen e drejtorive. Kam pasur bindje të plotë se do të dalim fitues edhe në këto zgjedhje, ka thënë Mustafa, duke shprehur keqardhje vetëm për diferencën e ngushtë të votave që ai ka me kundërkandidatin e LDK-së. “Më vjen keq që diferenca është e ngushtë, sepse kemi pritur më shumë, por sido që të jetë edhe ky rezultat e përcakton qartë fituesin”, ka thënë Mustafa. Ndryshe, ai ka thënë se aktualisht është në bisedime për ndarjen e qeverisjes me partnerët e koalicionit dhe shpreson se këto gjëra do të qartësohen deri në fund të kësaj jave. Ndërkohë do të fillojnë përgatitjet edhe për konstituimin e asamblesë komunale, që do të bëhen pas një takimi paraprak me grupet politike. Relaksimi i raporteve është i nevojshëm pas çdo procesi zgjedhor, ka thënë Qemajl Mustafa.
I.Musliu
Krijoni Kontakt