21/11/2009 Ja çfar thot ai mero i bazes ... nuk mund te injorohet ...
Një fotografi që ndryshon Shqipërinë
MERO BAZE
Rreth njëqind mijë vetë që bllokuan dje Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në një protestë që thyen rekordin historik të pjesëmarrjes së qytetarëve për zgjedhjet në Shqipëri, kanë ndryshuar tashmë shumë gjëra në këtë vend.
Sot Shqipëria zgjohet e ndryshuar, për disa arsye:
Arsyeja e parë është se sot
opozita e majtë dhe e djathtë, e bashkuar në shesh për standarde të reja zgjedhjesh në Shqipëri, ka ndryshuar veten. Asnjëherë më parë në këtë vend, një kauzë e tillë siç janë standardet e zgjedhjeve, nuk ka bashkuar kaq shumë vetë.
Asnjëherë një gjë kaq madhore, por shpesh dhe kaq e largët për mentalitetin e shoqërisë sonë, nuk ka marrë një mbështetje të tillë morale dhe politike.
Protesta e djeshme ndryshoi opozitën pasi i legjitimoi asaj kauzën, për të cilën ka 4 muaj që lufton në çdo qytet të Shqipërisë dhe jashtë parlamentit.
Dhe kur një opozitë legjitimon kauzën e saj me mbështetje popullore, është kryer gjysma e punës.
Kjo protestë ndryshoi dje dhe qeverinë:
Edhe pse Sali Berisha kishte ulur grilat, edhe pse besnikët e tij ishin strukur, dhe pse provokatorët e tij shëtisnin mes protestuesve me shpresë të prodhonin incidente, ata patën shansin të preknin fuqinë e një kauze që shkon kundër meskinitetit të tyre për të bërë sikur nuk e shikojnë që bashkëjetojnë me krizën.
Qeveria dje ka ndryshuar. Unë nuk mund të them nëse ka ndryshuar për mirë apo për keq, por dje shumë mbështetës, dhe nga ata të sinqertët e saj, e kanë kuptuar se
është koha për të marrë një vendim, për luftë ose paqe me këta protestues. Të dy opsionet janë në lojë dhe Sali Berisha dihet që parapëlqen luftën, mjetin e vetëm që e mban në lojë në kriza të tilla.
Sidoqoftë dhe ky është një ndryshim ose shkuarje drejt heqjes së maskës. E sigurt është se të shtunën qeveria nuk do gdhihet si të premten.
Kjo protestë ndryshoi po ashtu dhe rrethimin që media shqiptare i kishte bërë kësaj kauze.
E gjendur nën presion direkt të qeverisë për ta mbajtur nën kontroll, media shqiptare, e venitur nga ndëshkimet dhe shpërblimet e Sali Berishës, po injoron për muaj të tërë kauzën që nxori dje rreth 100 mijë njerëz në shesh.
Prej dje, ajo e ka më të lehtë të ndryshojë, pasi fotografia që ka para syve, nuk e lejon të bëjë më sikur nuk shikon dhe nuk dëgjon. Gazetarët shqiptarë janë ndjerë dje më të lirë ndaj censorëve që vijnë nga zyra e Sali Berishës, për të dëshmuar se ka një Shqipëri tjetër që nuk i ngjan asaj që inskenon Sali Berisha.
Por dje dukej qartë se kishte ndryshuar dhe perëndimi dhe faktori ndërkombëtar në Shqipëri. Ne pamë dje një deklaratë historike të ambasadës së SHBA në Tiranë, e cila ngjante si një paralajmërim për të gjithë ata që donin të sabotonin atë protestë ose donin ta keqpërdornin atë duke e degraduar në dhunë.
Prej dje diplomatët perëndimorë dhe Brukseli kanë në tavolinë një fotografi, diçiturën e së cilës nuk e vendos dot vetëm një njeri: Sali Berisha.
Ai s'mund të thotë për ata 100 mijë njerëz që janë klane të Edi Ramës apo njerëz që kërkojnë leje ndërtimi. Ai s'mund të thotë se ata 100 mijë njerëz i ka nxjerrë Edi Rama për interesa të tij personale. Ai nuk gjen dot asnjë diçiturë për fotografinë e krizës që ka prodhuar vetë.
Mjafton kaq për ta kuptuar të gjithë se falë kësaj proteste ne sot jemi gdhirë një vend më evropian, më demokratik, më me shpresë dhe më afër Evropës se kurrë, pasi së paku kemi thyer inkubatorin që tentonte të fabrikonte një Shqipëri jodinjitoze, një Shqipëri të poshtëruar nga mafia, korrupsioni dhe varfëria. Mjafton kaq për të kuptuar se ne sot jemi gdhirë më dinjitozë dhe më perëndimorë, dhe kjo do na çojë natyrshëm në Perëndim.
Dinjiteti i këtij vendi nuk vjen nga liria për të lëvizur në Evropë dhe për të mos u kthyer më këtu, por vjen nga një atdhe që kur vizat të na hiqen për të shkuar drejt Evropës, ne ta përdorim këtë liri për të jetuar në shtëpitë tona, ku mund të jetohet njësoj si në Evropë.
Dje dhamë shenjën e parë se e duam Shqipërinë dinjitoze.
Krijoni Kontakt