GJASHTËDHJETËETETA - DASMË E MADHE LLAPJANE II
Edhe një herë për organizimin e demonstratave ’68 në Podjevë Shkruan Abdullah Nishefci
(Me rastin e 41-vjetorit)
Babai im, Haliti, Ismail Ajeti-Bushi dhe Sabri Novosella (Letra që planifikohej të lexohej dhe lotët e babait, spitali, foshnja 3 ditshe që tani e përgjithmonë do të quhet BENI)
Gjersa ishim në hotel, nuk e di se cili propozoi të dalim pak në shëtitje gjer te Kisha. Kërkova falje se nuk mund të shkoja, meqë isha vërtetë shumë i lodhur dhe tmerrësisht i dërmuar edhe fizikisht edhe shpirtërisht, dhe i gjithë nerva, por edhe më vinte turp të dilnja-dilsha në rrugë. Më kishte kapluar një shqetësim dhe dëshprim i tmerrshëm. Kurrë s’kisha mundur t’i fsheh as gëzimet as shqetësimet, mosdisponimi gjithëherë vërehej lehtë tek unë, por sot vërehej më shumë se kurrë. Në shtëpi, pas një ngjarjeje që më kishte ndodhur me babain tim nuk më shkohej.
Nga pakujdesia më “humbi” teksti-letra që duhej të lexohej në miting, kot e kërkoja nuk mund ta gjeja. Dal nga dhoma dhe pyes se mos kanë gjetur njëfar letre në dhomë? Pyetja se si më bëri im atë se çfarë letre qenka ajo, më bëri të dyshoi se ai e kishte marrë. Ka qenë aq i sinqertë sa që me të vërtetë, ashtu si shumica e katundarëve tanë, nuk dinte të gënjent. Të lutem ma jep se nuk është e imja, i them. “Çka është tha ajo letër qi aq fort je ba merak n’të”? Po ti me siguri e paske lexuar dhe tash po e di se çka asht.
Kohën e fundit, përveç Musafit (Kur’anit), që deri vonë ka qenë i vetmi libër në shtëpinë tonë, lexonte edhe literaturë tjetër fetare që ia kishin prurë shokët e tij, e që ishin botime të viteve të tridhjeta në Tiranë.
Një ditë i pata dhënë veprën e Naimit, duke i thënë se Naimi ka qenë bektashi që është shumë i afërt me tarigun-sektin e juaj kaderi, sekt të cilit i përkiste ai. E mori e lexoi dhe i pëlqeu shumë. Një ditë tjetër i them pse s’po e merr librin e Nazmiut (Malësorja) me pa se çka shkruan kojshia ynë. Kur ma ktheu më tha “Po kush ia ka kallxue të gjitha ato atij dhe kush asht ajo Hajria”. Askush i them, si askush, po ai pra koka njeri i mbrrijmë-evlija, shtoi. Dy-tri ditë më parë, pasi dolën Xhela dhe Sabiti nga dyqani, më tha: “Kush ken qita dy qi ma përpara nuk janë ardh këtu, dhe qe sa ditë po due me të vetë diçka jeni tue pshtjellë, po çka s’po di. Shumë po flasin për do farë demonstratash, mos je edhe ti aty? Nuk munda ta gënjeja. Fillova shkurtimisht t’i tregoj, natyrsiht duke u munduar t’ia zbusi pak frikën që e kishte kapluar. I thash se disa të ri po përgatiten që atë ditë kur të flas Ali Shukrija në miting, do t’i thonë bollë më na rrejtët dhe nuk mundemi më të dëgjojmë rrenat e jueja, se jo Rankoviqi, jo Dushani, paskan faj pse janë rreh shqiptarët, pse janë përzënë nga Kosova... Unë mendoj se edhe ti pajtohesh që këtyre të rinjëve duhet edhe na dikusht t’u ndihmojmë e mos t’i lamë vetëm. Po ju more, tha, a e dini se kush është Alija, paj për ta Serbija krejt shqiptarët i jep bile veç nji kime e flokut me i mungue kanë me ju vra e sakatos. Jo me na vra nuk na vrasin e me na rreh pak s’bahet nami, ndoshta edhe na burgosin pak. “Po ju bre bal hala nuk e disi se çka asht shkau dhe çka janë burgjet e shkijeve”. Po ti qysh je hallëlig as ni natë nuk munesh me qinrue dhe kurrë vetja s’ka me t’vye gja”. (Ai këtë e kishte nga përvoja meqë ashtu si shumë llapjan edhe ai kishte përjetuar torturat dhe burgun Jugosllav). Jo bre bal i them nuk asht krejt qashtu ti i pe Bushin (Ismail Ajetin) dhe Sabriun (Novosella) shnosh si molla dhe pse ka disa vjet janë kanë nëpër idrizova e goliotoka e ku jo.
Bushi dhe Sabriu pak ditë përpara kishin qenë mysafirë tek ne. Dhe pothuase tërë natën nuk fjetëm duke bërë muhabet. Sabriun e kisha parë për herë të parë ato ditë të verës së 1968. Shumë kisha dëgjuar për te por edhe pse e kisha koleg, (me profesion ishte rrobaqepës), nuk më kishte rënë rasti ta njihja. Rininë më të mirë të jetës së tij e kishte kaluar në kazamatet e Goliotokut... Bushi ishte dënuar dy herë me vdekje e herën e tretë më burgim të përjetshëm, dëshmitar i gjallë i tradhtisë dhe njëri ndër të parët që pat hetuar hilet e komunistëve të rrejshëm shovenistë edhe pse ishte gati fëmijë si pjesëmarrës i LNÇ. Dëshmitar i masakrimeve të shqiptarëve në Gjilan, Ferizaj e mbarë Kosovën. Më 1950, si gardian burgu në Mitrovicë ua kishte hap dyert e burgut, i kishte armatosur të burgosurit, dihet, shqiptarë, dhe me gjith ata ia kishte dhënë malit.
E kaluara e Bushit nuk mund të përshkruhet as në disa romane e jo më me disa fjali. Ajo është një histori në vete. E shoh të nevojshme ta përmend këtu vetëm një epizod të jetës së Bushit në Idrizovën e llahtarshme. Pak para se të lirohet nga burgu, në kohën kur po vuante ditët e fundit, e kishin helmuar për vdekje dhe vetëm falë Zotit, gjeturisë së tij dhe të një ëndërreje të së ëmës, kishte shpëtuar nga vdekja e sigurtë.
Për Alinë serbia krejt shqiptarët i jep...
“Më mirë e më e vlefshme është me kërkue dije një orë se sa me u falë 70 vjet
(Nga ajo natë, që ishte hera e parë, e sa më kujtohet edhe e fundit me Sabriun, (Sabriu ishte arratisur, për t’i ikur burgosjes në vitete e 70-ta, ku edhe sot gjendet), se si më ka mbetur në kujtesë një ide e tij që edhe sot (1992) do të ishte shumë aktuale.
Në vërejtjen e babit tim se ne të rinjtë e kemi lëshuar pak rrugën e Zotit, të fesë, Sabriu, më kujtohet iu pat përgjigjur disi kështu. “Kam lexuar diku, më duket se Muhameti e ka thënë se më mirë e më e vlefshme është me kërkue dije nji orë se sa me u falë 70 vjet. Pra dija, e dija dihet merret në shkollë, koka për Muhametin në rend të parë e masanej të tjerat. Më duket se as ju pa ne as ne pa juve s’jem kurgja. Edhe shkolla, kuptohet krahas edhe do punëve tjera na ndihmon që të lirohemi prej shkaut. E masi të lirohem e të bashkohemi, krahas shkollave do të ndërtojmë edhe xhamia, po edhe kisha, se disa vëllazën tonë i luten Zotit në gjuhën tonë. Bile në Prishtinë, Shkup e në Tiranë do ta ndëtojmë nga një ndërtesë të madhe me nga tri dhoma. Në njanën dhomë do të falën myslmanët, në tjetren të krishterët, e në atë më të madhen do të bashkohem e të rrijmë e bajmë muhabet të gjithë së bashku, edhe myslimanët, edhe të krishterët edhe komunistët.
Këshu kishte thënë Sabriu para plot nëzet e katër vjetësh, por unë dua t’i kthehem letrës që ishte bërë shkak i ngjarjes për të cilën jam duke folur dhe shkak që tani nuk më shkohej në shtëpi.
Pasi bindem se letrën e kishte marrë im atë, i them të lutem ma kthe atë letër se nuk është imja dhe se duhet të lexohet në miting. Kush e ka shkrue dhe kush e lexon? Më pyeti. Nuk di, ndoshta unë, ndoshta Hamiti e mundt edhe ndonjë tjetër.” (Vërtetë Hamiti ishte këmbëngulës që vetëm ai se ai ta lexonte, duke thën se “Duli” (Vetëm Hamiti dhe Xhela më quani “Dul”) ka fëmjë e grua, kurse unë as grua, as fëmijë e as nënë, dhe as ka kush të mërzitet e as të qaj). Kur e pashë se nuk e ka ndërmend të ma kthejë, ishim në oborr, se si për dreq më shkojnë sytë në sëpatën e ngulur në cung të drunjve, dhe aty për aty më lind një ide e tmerrshme, e një të çmenduri, dhe pa menduar fare i them “Nëse nuk ma jep letrën unë do ta shkurtoj dorën në atë cung, duke bërë me dorë nga cungu, dhe vërtetë isha në gjendje ta bëja në budallallëk të tillë, pa menduar fare për pasojat dhe torturat që ia shkaktoja babait. Unë nuk kam fytyrë t’u dal përpara shokëve pa atë letër, shtova. Vetëm atëhere shkoj dhe e nxori letrën nga muri i çarë i shtëpisë së vjetër, ku e kishte fshehur të mbështjellë me një gazetë mu si ndonjë libër të shenjtë, “Sigurisht të mos dëmtohej” mendova në atë çast. Duke ma lëshuar në dorë se si na u përpoqën sytë, i pashë sytë e tij të përlotur, ata sy aq shumë të dashur e të njohur ngjyrë gështenje. Deshi të thotë diçka por nuk mundi dhe përnjëher ia plasi vajit. Njeri vërtetë është qenie e çuditshme, i gjithë ai mllef, i gjithë ai zemrim, i gjithë ai hidhërim, për një çast u shua dhe filluan të mbizotërojnë ndjenjat e arsyes së shëndoshë të cilat ua çelën rrugën ndjenjave të dhembëshurisë dhe dashurisë prindërore, iu afrova, mora letrën dhe duke e përqafuar i kërkova falje dhe dola...
Ku të shkoja?! Isha shumë i tronditur. Me Sabitin dhe Bahriun e kishim lënë të takoheshim në dyqan, por ishte ende herët. Se si këmbët, kushedi nga ç‘ndjenjë e brendshme të urdhëruara, më quan drejtë në spital, ku ishte shoqja pas lindjes së Benit. Nuk di as vetë se si më kishte lindur ideja që ta shihja Benin e posalindur. Kur ia thash këtë shoqës ajo u çudit. “Po ti dy të tjerët nuk ke dashur t’i shohësh edhe pas disa javësh, ç‘të gjeti tash!? Ishte e vërtetë. Edhe tashti kur më kujtohet disi skuqem. Nuk jam në gjendje t’i përgjigjem. Duke mosdashur që të më shikonte me lotë në sy, ia kthejë shpinën dhe zbres shkallëve teposhtë, pa e parë fare bebën e posalindur, që tani do të quhet Arben, dhe duke menduar “A thua sa vjeç do të jetë Beni kur të kthehem nga .... Mos edhe Beni im do të rritet e do të bëhet burrë pa e parë të atin, ashtu siç ishin rritur shumë bena të tjerë? Mos vallë e edhe Beni im do të rritet jetim ashtu siç kishte lindur dhe ishte rritur babai im, Haliti, pa babë, meqë katilat, siç thoshte gjyshja ime e ndjerë, ia kishin marrë ende pa lindur dhe kurrë nuk ia diti kush as varrin, ashtu siç kishte ndodhur me shumë shqiptarë të tjerë që nuk u dihej as varr as nishan. Edhe unë isha rritur jetim, pa nënë. Qenka e vërtetë ajo që thuhet në popull “Jetimi sjell jetim”.
&. Pas pak gjendem te dyqani. Para dyqanit më presin Sabiti dhe Bahriu, ashtu siç ishim marrë veshë. Bahriut ia jap çelësin dhe ai e hap derën... I shikoj dhe mendoj çka i shtynë këta dy të rrezikojnë kaq shumë... Pse edhe këta nuk janë atje ku ishin shumica e të rinjve.. (Tani veç kishte filluar tubimi për mitingun e Ali Shukrisë.... Përsër truri im: Pas sa kohe do të shihemi, dua t’i përqafoj, por vetëm ua shtri dorë... Vetëmevete them: Zoti u ndihmoftë, dhe dal.... Isha i sigurtë se ose do të vritemi ose do të burgoseshim....
Është më se e vërtetë, edhe pse për shumë kend e pabesueshme, edhe në mëmgjesin e 8 Nëntorit 1968, edhe në mëmgjesin e 27 Nëntorit 1968, që të gjithë anëtarët e Grupit, kanë dalë nga shtëpia, por nuk kan menduar se si dhe kur – pas sa vjetësh do të kthehen! Madje, edhe vetëvetes ia kishin caktuar minimumin e viteve të burgimit, minimumi ishte pesë vjet!!!
Dasmorët dhe dasma e madhe llapjane
Të gjitha këto i kisha menduar sa isha ulur në hotel “Llapi” dhe rrugës gjersa shkoja për në shtëpi. Sa e gjatë mu duk ajo rrugë! (largësia diku 200-300 m). Mu duk se takova rrugës të gjithë podujevasit, të njohur e të panjohur, dhe se vetëm mua më kishin pritur dhe se vetëm për mua flitnin?? Ecsha kokëulur. Më vinte turp t’i shikoja. Më bëhej se të gjithë më pyetnin: Hë, ç’u bë? Pse kështu? Ç’ndodhi? Si ishin fjalët, e të tjetra e të tjera. Kurrë në jetën time nuk e kisha ndier vetën më ngusht. Kurrë nuk mu kishte dukur vetja më qyqar. Kur shkova në shtëpi, hyra drejtë në dhomën time, u mbylla dhe ia krisa të qarit me ngashërim. Im atë më kishte dëgjuar dhe menjëherë hyri në dhomë. U ngrita dhe e përqafova duke e shtrënguar me sa fuqi që kisha dhe njëherit duke i kërkuar falje për gjithë ato mundime e tortura që ia kisha shkaktuar, pa dashje, në mëngjes. Qaja me dënesje të papërmbajtura që tani më kishin shpërthyer gardhin që i kishte mbajtur gjer më tani. Vetëm pasi më shtrëngoi për gjoksin e tij më tërë forcën që kishte dhe ndjeva erën e tij të ndjersës aq shumë të njohur e të dashur të prindit, disi u qetësova. Pasi u qetësova filloi të më tregoi se gjatë tërë kohës së mitingut paska qëndruar në parkun e qytetit që atë ditë paska qenë i mbushur përplotë me njerëz të njohur e të panjohur dhe se paska dëgjuar duke folur se Llapi sot paska një dasmë të madhe, aso dasme sa kurrë s’ishte parë në Llap, e që do të mbahet mend për shumë kohë; se si e kishte ndier vetën krenar meqë edhe i biri i tij ishte dasmor i asaj dasmeje të madhe llapjane; se si iu kishte kujtuar një miting i mbajtur dikur para njëzet e shtatë vjetësh, në të cilin kishte folur patrioti i kësaj ane Bajram Ajvazi, dhe fjalët e tija që i kishte thënë në atë miting të parë në Llap në kohën e “pushtimit”, “Qerrja e jonë nuk guxon të lidhet për qerren e sllavëve kjo do të ishte një vdekje për popullin tonë edhe si shqiptar edhe si besimtarë.
Shihej haptas se edhe ai ishte shumë i mërzitur për këtë dështim, po për të më ngushlluar mua më pat thënë “Hiç mos u bë marak se kështu asht shkrue e nashta edhe ma mirë që nuk pat kurgja”.
MARRËVESHJA VENDIMTARE E 24 NËNTORIT 1968
Në Podujevë nuk ishin demonstrata të studentëve, dhe lirisht mund të thuhet ato ishin të organizuara nga mësuesit, zejtarët dhe nxënësit e gjimnazit “8 Nëntori”
Pas dështimit të përpjekjes për t’iu kundërvu mitingut të 8 Nëntorit, pra të organizimt të demonstratave më 8 nëntor 1968, në Podjevë, përkohësisht qe hequr dorë nga organizimi i tyre, nga frika se mos po dështojmë përsëri. Kështu edhe ishte vendosur nga Grupi Organizues i demonstratave.
Natyrisht, me këtë ide nuk jemi pajtuar as unë, as Xhaferi, as Hamiti, as Hakifi, as Hasani. Megjithate, pas këtij vendimi, Grupi i Podjevës qe orientuar në organizimin e shkuarjes sa më masive të llapjanëve për në Prishtinë.
Më 24 nëntor, pas orës 17, Xheladin Rekaliu informon Grupin e Podjevës për vendimin që është marrë që edhe në Podjevë të organizohen demonstratat më 27 nëntor, dhe po atë mbrëmje u mbajt mbledhja në shtëpinë e Muharrem Berberit, axhës së Hamit Abdullahut.
Vendimi që të organizohen demonstrata edhe në Podjevë qe marrë vetëm dy tri ditë para se duhej të organizoheshin ato. Për këtë unë qesh informuar nga Hamiti.
Edhe pse kanë kaluar 24 vite, si sot më kujtohet ajo mbrëmje, aty rreth orës 18, më 24 nëntorit 1968. Më thonë se Hamiti po të kërkon. Ngritem nga shtrati ku kisha qëndruar i shtrirë tërë ditën, dhe dal. Hamiti më thotë se Xhela paska njoftuar për vendimin e ri që paska marrë Grupi Organizues i Prishtinës, që mundësisht të organizohen demonstrata edhe nëpër qendra të tjera të Kosovës e jo vetëm në Prishtinë, dhe se duhet sonte të tubohen në shtëpinë e axhës së tij dhe të vendosim se çdo të bëjmë. I them po sheh se si jamë, dhe se nuk mund të vij. Ti e di se si ia kemi pas nisur kësaj pune dhe se prej fillimit kam qenë që këtu të organizojmë e jo të shkojmë për Prishtinë. Përsëri jamë, natyrisht nëse jeni edhe ju, për një përpjekje të re që këtu të organizohen. Mendoj se edhe pa mua mund të vendosni, pra nëse ti, Xhaferi, Xhela e Hakifi jeni për këtu edhe unë jam për këtu, nëse rastësisht ndodhë që të ndahen mendimet unë do të përkrah mendimin e Xhaferit, tëndin dhe të Hakifit...
... Sihariqin – lajmin e parë, për vendimin e marrë në mbrëmjen e 24 në shtëpinë e Hamitit, se ëshë vendosur që edhe në Podjevë të organizoheshin demonstratat më dha të nesërmen heret, në mëngjesin e 25 nëntorit 1968, Shaqir Shala. Shaqa më tregoi se, përveç meje (autorit të këtij shkrimi), në mbledhje kishin marrë pjesë të gjithë shokët që kishin qenë më 6 nëntor nëhtëpinë ton. Po ashtu më tregoi se ai (Shaqa) dhe Skënderi kishin shprehur njëfarë rezerveje nga frika se mos po dështohet si herën e parë (më 8 nëntor). I thash se është krejt normale që nganjëherë të mos pajtohemi dhe të mendojmë ndryshe... por, meqë shumica janë për organizimin e demomnstratave edhe në Podjevë, atëherë as ju nuk duhet të ndaheni, besoj se edhe nuk do të ndaheni, dhe vërtetë ashtu edhe ndodhi, edhe Skënder Hoxha edhe Shaqir Shala, bashkë me organizuesit tjerë u vunë në ballë të demonstratave të 27 nëntorit 1968, jo vetëm në Podjevë por edhe në Prishtinë.
Sabit Syla: Mulla Hysen Statofci & Bajram Ajvazi I Para 20 Viteve
Në mbledhjen 24 Nëntorit, (sipas kujtimeve të shokëve), morën pjesë: Hasan Shala, Xheladin Rekaliu, Hakif Sheholli, Sabit Syla, Bahri Shabani, Skënder Hoxha, Xhafer Ejupi, Shaqir Shala dhe Hamit Abdullahu.
Mbledhjen e kryesoi Hakif Sheholli.
Pas një diskutimi të gjerë, dhe, në fillim, një rezerveje të disa anëtarëve, më tepër nga frika se mos po dështohet si herën e kaluar, Grupi përkrahu plotësisht propozimin e Grupit të Prishtinës dhe u mor Vendimi:
I Që më 7 nëntor 1968, në shenjë të Ditës së Flamurit, të organizoheshin demonstrata edhe në Podjevë;
II Demonstratat të fillojnë nga oborri i gjimnazit “8 nëntor”, në orën 13,00:
- të shkruheshin dhe brohoriteshin këto parulla: “Duam vetëvendosje”, “Duam Kushtetut”, “LNÇ nuk na solli barazi”,
- Transparentet të përgatiteshin në Teqen e qytetit,
- Marshuta e demonstrimit të bëhet drejt rrugës kryesore – qendrës të qytetit deri te hoteli “Llapi”, ku edhe duhej të lexohej fjalimi i përgatitur që më parë,
- Që të gjitha detyrat u morën vullnetarisht – Hamiti dhe Bahriu përgatitjen e transparenteve, bashke me Sabitin i cili kishte marrë përsipër leximin e fjalimit (ishte i njejti, me disa korigjime të vogla, ai i 8 nëntorit, i përgatitur në Prishtinë),
- Flamujt ishte zotëruar se do t’i siguronte Hasani me Hamitin të cilët do t’i bartnin gjatë demonstrimit,
- Xhaferi kishte marrë përsipër lidhjen me nxënësit e Gjimnazit, Hakifi me mësuesë, ndërsa Hamiti me zejtarë.
Përveç kësaj atë natë qe vendosur: Xhela të mos marri pjesë në demonstratat e Podjevës, meqë ishte i anagazhuar me detyra të caktuara në Prishtinë dhe mundësisht të mos përmendet emri i Xhafer Ejupit dhe as ky të mos marrë pjesë në demonstrata;
Të demonstrohej në mënyrë të qetë dhe kurrsesi të mos përdorej dhuna, edhe nëse ndërhyn policia, por as të mos ndalet pa përfundar demonstrimi ashtu siç ishte paraparë-planifikuar;
Demonstrimi të mos zgjatë shumë, meqë ishte parapar që sa më shumë të shkojmë për në Prishtinë;
Në hetuesi të thuhet se ishim tubuar për të përgëzuar Hamitin që kishte hyrë në shtëpi të re, ndërsa ideja për organizimin e demonstratave kishte lindur aty për aty, pasi që ishim njoftuar me një letër anonime, kinse të dërguar në adresë të Hamitit, e me të cilën thirreshin llapjanët që me rastni e Ditës së Flamurit të organizoheshin demonstrata edhe në Podjevë, ashtu siç do të organizoheshin në tërë Kosovën.
KRYEKËRKESA ISHTE VETËVENDOSJA!
(Pse nuk u kërkua Republika e Kosovës? Koha kur lindi ideja për republikën e Kosovës...
Vetëvendosja ishte më e madhe, dhe synonte bashkimin gjithëkombëtar) sa di unë, në fillim, më shumë kan qenë për republikë poltikanët llapjanë se sa ish të burgosurit dhe intelektualët... Ndoshta pse republika ishte në kundërshtim me vendimet e Konferencës së Bunjajt an) Sipas Selatin Novosellës, kërkesa për republikë u hoq nga rendi, me propozimin e Hyrie Hanës, (!!! An); sipas disave, ishte Enver Hoxha, këtë e vërteton edhe Nexhmia, e shoqja, në një shkrim, kundër republikës së Kosovës, gjoja se, nëse shpallet Kosova Republikë, është më vështirë të realizohet kërkesa gjithëshqiptare, për bashkimin kombëtar.... (!!!) (Nuk di nga e kam marrë këtë citat, e di se e kam lexuar diku, por ku? an)
Më kujtohet Gjykatësi, Sali Gashi, gjatë procedimit, pasi më pyet se ç’kuptoj me vetëvendosje, unë u mundova praktikisht t’ia spjegoj, duke zdeshur pallton e dimrit, meqë në zyrë bënte shumë nxehtë, “Kjo është e imja dhe mund ta veshë dhe ta zdeshi kur të dua e ku të dua” ai në vend që të diktojë fjalët e mia, filloi t’i diktojë daktilografit: Me vetëvendosje kupotojë që Kosova të bëhet republikë. Unë reagova, (natyrisht nuk i thashë ashtu siç e lypi: veç pse po ta kana a?), por iu përgjegja: askund nuk bëhet fjalë për republikë...
Viktor Meier (Majer) në librin: Fundi i Jugosllavisë Goditja në Kosovë, Lubjan: Liria, 2007, përveç tjerash shkruan: Është e vërtetë se kërkesa për ngritjen e Kosovës në rangun e republikës federative nuk u theksua kurrë zyrtarisht… dhe se kërkesat e demonstratave të 68-shit, gati në tërësi, u miratuan në pranverën e vitit 1969!!! ... Kërkesat e 68-shit, vazhdon Majer, dihen... ndërsa për ato të viteve të 80-ta, autori “nuk e ka të qartë as në ditën e sotme...!!!
& Koha kur lindi ideja për republikën e Kosovë: Konsulta gjuhësore e Prishtinës e vitt 1968 i papriu aktiviteteve të ndryshme, që e çuan përpara procesin e emancipimt të përgjithshëm të shqiptarëve të Kosovës... Ajo u mbajtë në rrethanat e një entuziazmi të përgjithshëm popullor, që kishte krijuar iluzionin se edhe shqiptarët, më në fund, do të jenë të barabartë me të gjithë popujtë e Jugosllavisë. Nga ky iluzion i krijuar për mundësitë e pakufizuara të lirisë, në vitin 1968 lindi ideja për republikën e Kosovës, e cila u manifestua haptas në verën e atij viti edhe brenda struktutrave politike në disa mjedise të Kosovës. Mirëpo e verteta se shqiptarët nuk ishin liruar, doli në shesh qysh në vjeshtën e atij viti, kur në instancat më të larta partiake e shtetërore të Jugosllavisë u tha shkurt se Kosova nuk mund të jetë republikë... Sadri Fetiu. Zëri 10 maj 2008.
DEMONSTRATA SI NJË DASMË E MADHE LLAPJANE
Ishte vërtet ditë feste në Llap &. Haptas e pa frikë u kërkua vetëvendosja
Nisja – Ishte një Hap i pamatur, i nxituar, vonuar, i gabuar, apo i qëlluar?
Prinin Gjimnazistët
Që nga mëngjesi, i datës së 27 nëntorit të vitit 1968, rrugëve të Podjevës kishin vërshuar llapjanët mu si lumenjtë, edhe nga katundet më të largëta. Dita ishte si e porositur, e bukur e me diell, si të ishte pranëverë e jo vjeshtë e vonë.
Demonstratat filluan dy-tre minuta pas orës 13, nga oborri i gjimnazit “8 Nëntori”. Ora 13 ishte caktuar meqë në këtë kohë takoheshun dy ndërrimet, ai i paraditës me atë të pasditës. Organizuesit erdhën më flamuj kombëtar e tranparente të përgatitura, në Teqen e qytetit, vetëm disa metra larg gjimnazit. Ato u shpërndanë brenda pak sekondash, vërtetë u rrëmbyen nga duart e organizuesve. I pari ndër të parët, Dasmën e madhe llapjane e nisi Hasan Shala, i vëllai i dëshmorit Shaban Shala, duke valëvitur Flamurin me shqiponjën dykrenare, shumë i emocionuar e me lot në sy, me këto fjalë: “Hajde na qoftë me hajër e na priftë e mbara”. Dëgjohet një zë nga masa “Për hajr o Hasan, përhajr”. Disa zëra si në kor “Përpara o bijtë e Skënderbeut” dhe filluan të këndojnë Marshin e Skënderbeut, “Frynë murlani me stuhi/ Qielli ç’bumbullonte/ Nën Flamurin kuqezi/ Skënderbeu luftonte”. Dallohet një zë baritoni i Esad Mehmetit, birit të atdhetarit të kësaj ane Xhafer Meta, i cili një pjesë të rinisë e kishte kaluar në burgjet jugosllave, “Për ku jeni nisur o burra? “Atdheun ta çlirojmë” përgjigjet masa si në kor. Në kryqëzimin e parë të kolonës i bashkaqngjiten nxënësit e shkollës fillore “V. Bashkimi” me gjithë mësuesit etyre.
Nisja qe e mbarë. Frika dhe shqetësimi më i madh, që vazhdimisht na kishte munduar, se mos do të pengoheshim që në fillim, kaloi. Fillimi i mbarë thonë është gjysma e punës.
Në kryqëzimin e dytë, para Spitalit të vjetër e të tregut të qytetit, priste masa e përbërë nga mësuesë, zejtarë, punëtorë, tregtarë etj., të ardhur nga të gjitha katundet llapjane. Posa masa doli në rrugën kryesore, tani e përbërë nga disa mijëra demonstruesë, filloi brohoritja e parullave, me të cilat shprehnin kërkesat llapjanët, që njëheri ishin kërkesa të të gjithë shqiptarëve.... për herë të parë haptas e pa frikë: “Duam vetëvendosje”, “Duam Kushtetutën tonë”, “Duam Universitetin tonë“, “LNÇ nuk na solli barazi”, etj. Nga Parku i qytetit doli një grup bukur i madh i përbërë nga më të vjetrit, i cili që nga mëngjesi kishte pritur si në ankth se ç’do të bëhet e si do të zhvillohet situata.
“Nuk kërkojmë as më shumë as më pak seç kanë popujt tjerë
Masa u ndal përballë hotel “Llapi” ku edhe ishte caktuar vendtubimi kryesor. (Ishte vendi prej nga më 28 Nëntor 1941, Jahja Fusha, Hoxhë Visoka, Bajram Ajvazi dhe Mulla Hysen Statofci iu ishin drejtuar llapjanëve, kishte mbetur i paharruar recitimi i vjershë “Ti o dielli i Shqipërisë”, nga Mulla Hyseni…
Aty për aty u improvizua “Bina”- një kontejner i sjellë nga Xhafer Salihu me një tjetër të cilin nuk e njihja dhe as sot nuk e dij se cili ishte, gjë që më vjen shumë keq.
Masës së tubuar nga “Bina” iu drejtua Sabit Syla me këto fjalë: “Vëllezër e motra shqiptare, jemi tubuar sot këtu prej nga do t’i drejtohemi opinjonit të brendshëm e të jashtëm, që në këtë mënyrë t’i paraqesim disa kërkesa, që njëherit janë kërkesa të të gjithë kosovarëve”. Nuk di se si, instiktivisht, gjindem në anën e Sabitit, përballë masës. Shikoj masën e madhe, nuk u besoj syve. Shikimi më ndalet te Hasani, i cili në njëren dorë mban Flamurin kombëtar, ndërsa me tjetrën fshin lotët. Mendja më fluturon te Shabani, i vëllai, që dha jetën për këtë flamur. Truri im rikthen fjalët e Shaban Shalës të thëna para 10-15 vjetësh; “Fillimi, hapi i parë do të jetë më i vështiri, e ai që e nisë e ka më së rëndi, po dikush duhet ta nisë, dikush duhet të jetë i parë..” Po, po hapi i parë u bë, sikur i përgjigjem Shabanit pas sa vitesh. Lumi u zgjua, tash doli nga shtrati dhe nuk do të ketë më forcë që ta kthejë në shtratin e gjumit. Brohoritjet e masës më kthejnë në tokë. Sabiti mu si një bilbil, tash i kishte mundur emocionet, vazhdonte të fliste qetas: “Nuk kërkojmë as më shumë as më pak seç kanë popujt tjerë në Federatën Jugosllave, ate për të cilën shqiptarët liftuan dhe dhanë shumë viktima në të ashtuquajturën LNÇ, idealet e të cilëve, si të Meto Bajraktarit, Emin Durakut etj., u tradhtuan. (Ajo që u tha për herë të parë në Podjevë më 1968, se LNÇ-ja nuk na solli lirinë e pritur... se u mashtruam etj. Në Slloveni, Kroaci, Maqedoni etj. u tha vetëm pas 15-20 vjetësh, e më në fund edhe nga intelektualët e politikanët kosovarë.)
Kërkojmë të vendosim vetë për fatin tonë, pra vetëvendosje”, masa si në zë brohorit “Vetëvendosje, Vetëvendosje, Kushtetutë, Kushtetutë”, Kërkojmë kushtetutën tonë, vazhdoi Sabiti, Universitetin tonë, kërkojmë vende pune këtu në Kosovën e pasur e të varfëruar. Kërkojmë që të kthehen baballarët dhe vëllezërit tanë të punojnë këtu në Kosovë e jo të sillen rugëve të Beogradit dhe të qyteteve të tjera jugosllave për një kafshatë bukë. Këtij tubimi dhe këtyre kërkesave nuk i bashkohen vetëm frikacakët, vetëm qyqarët e tradhtarët e popullit shqiptar”. Masa brohoriste poshtë frikacakët, poshtë tradhtarët e heshtakët.
Në demonstrata me tupan -(edhe plaku 80-v.)
Në demonstratat e Podjevës morën pjesë i madh e i vogël, djemë e vajza, madje edhe tetëdhjetëvjeçarët, si Mulla Hajriz Bradashi, gjyshi i Bahri Shabanit, njërit nga organizuesit e demonstratave. Demonstratat i kishte bërë edhe më madhështore bashkangjitja e një tupanxhiu, i cili i binte daullës mu sikur të ishte daulle kushtrimi. Ishte vërtet ditë feste në Llap.
Pjesa më e madhe e demonstruesve në Podjevë kanë qenë nxënës të gjimnazit “8 Nëntori”, në Podjevë, të cilët dhanë ndihmesën e tyre edhe rreth organizimit të demonstratave, si: Ramadan Paçarada, motrat Sherife e Nazife Blaku, Ajshe Ahmeti, Xhemile Gashi, Sabit Ejupi, Zejnullah Rrahmani, Ejup Sheholli, Safet Nishefci, Fatmir Sejdiu, Naip Zeka, Esad Mehmeti, Fehmi Zymeri, Nexhmi Rerxhepi, Selatin Seta etj.
Demonstratës iu kishin bashkangjitur edhe shumë mësuesë të shkollave të Podjevës dhe fshatrave: Sveçël, Bajçinë, Gllamnik, Ballofc etj. si Bajram Shala, Adem Ajeti, Qazim Musa, Azem Çitaku, Ejup e Shefki Xhata, Idriz Gashi, Nazif Lepaja, Selim e Selatin Vokrri, Sallah Ademi, Hilmi Nishefci, Daut Ajvazi etj.
Nga profesorët e gjimnazit dhe intelektualë të tjerë, ndihmë të madhe kanë dhënë, si me konsultime, këshilla e sugjerime, ashtu me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë, vëllezërit Murat e Rifat Blaku, Abdullah Vokri, Idriz Hasani, Ramadan Salihu, Ibrahim Stublla, Jusuf Gërguri, Jakup Sokoli, Shefki Toplica etj.
Ndihmuan e dhe shumë zejtarë, punëtorë e tregtarë si: Emin e Nexhip Ejupi, Sylejman Babatinca, Nezir Bunjaku, Sami Sejdiu, Ali Gashi, Miftar Muqolli, Ibrahim Durulaku, Idriz Rrahmani, Rrahim Gashi, Remzi, Ujup e Muhamet Nishefci, Rexhep Visoka – Nga bankënota prej 20 frangësh, e kohës së Mbretit Zogu I, të cilin e pati pru Rexhep Visoka është nxjerrë shqiponja që u priu demonstratave në Podjevë a.n.), Rasim Ahmeti etj. Më ka mbetur në kujtesë dialogu i Rasimit me një koleg të vetin. Pasi Sabiti e kishte përfunduar “fjalimin”, kolegu i thotë Rasimit: “Hajde të shkojmë”, “Ku të shkojmë? ia kthen Rasimi, paj ne këtë ditë e kena prit more djalë, qe sa vjet që t’na prin Flamuri kuqezi. Po a ke pa ti darsëm më të mirë e më të madhe se kjo?! Ec e mos ba shumë zhurëm, ku këta edhe na”.
Ishte edhe një pjesë e madhe e qytetarëv që nuk na ishte bashkangjitur. Ata ecnin trotuarëve (Disa me detyrë të grupit), ose diku mbrapa, apo edhe më larg, anash. Në fytyrat e tyre sheshazi vërehej se edhe ata solidarizoheshin me ne dhe kërkesat tona. Shikimet e tyre sikur na thonin: “Ju lumtë djema, mos na e shihni për të madhe që nuk iu bashkangjitemi, duhet t’na kuptoni e ta dini se edhe ne me ju jemi”. E ne sikur ju përgjigjeshim “S’ka gjë, s’ka gjë, e dimë se edhe ju sot ose nesër do të jeni aty ku jemi ne sot, se nuk keni kah t’ia mbani”.
Trajtimi i demonstratave si armiqësore Për befasinë tonë, as në fillim, as gjatë parakalimit, as gjatë fjalimit nuk ndërhyri as policia, as strukturat politiko-shoqërore, të cilat me aq besnikëri dhe verbëri (jo të gjithë an) u shërbenin politikës antishqiptare të Beogradit. Vetëm Kryetari i komunës, Ramush Rama, gjatë kthimit, doli dhe u “mundua” të ndalojë demonstrimin, duke kërkuar që të ndalet demonstrimi, (ai tani veç ishte kryer, ishim diku te Shtëpia Kulturës, duke u kthyer aty prej nga ishim nisur) dhe të hyhet brenda që të bisedohet se për çfarë kërkesash është fjala.
Është e pabesueshme, por edhe në mesin e policve shqiptarë ka pasur të informuar për veprimtarinë e grupit. Njëri nga ata ka qenë Shefqet Ejupi, i cili, për të fshehur punën e tij me propozimin e Xhaferit i kishte nënshkruar fletëparaqitjet për disa pjesëmarrës në demonstrata. Në vitete e 90-ta, Sami Sejdiu më tregon se si pas përfundimit të demonstratave i kishte marrë disa parulla dhe i kishte ngjitë, një në murin e stacionit të policisë, një në hyrje të komunës, kurse Shefçet Ejupi me një polic tjetër, që nuk i kujtohej ishte serb apo shqiptar, ishin shtirë kinse nuk po shihnin asgjë.
Asnjë gjimnazist nuk u dënua, as u përjashtua nga shkolla !!
Diku më lart kemi theksuar se demonstratat në Podjevë u organizuen nga mësuesit, zejtarët dhe nxënësit e gjimnazit “8 Nëntori”, dhe se, shumica e pjesëmarrësve në demonstratat e 27 Nëntorit në Podjevë ishin nxënësë të gjimnazit “8 Nëntori”. Këtu mund të shtojmë se vërtet roli, dhe ndihma e tyre ka qenë shumë e madhe. Ndihmë të madhe, si rreth organizimit të demonstratave, ashtu dhe me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë, gjatë gjithë demonstrimit kanë dhënë: Ramadan Paçarada, Ajshe Ahmeti, Xhemile Gashi, Sabit Ejupi, Safet Nishefci, etj.
Falë ndihmës, organizimit të tyre, nga oborri i gjimnazit “8 Nëntori” edhe u nisën demonstruesit... Ishte nisja e parë e një rrugeje e kosovarëve për t’i treguar pushtetit jugosllav se tash e tutje do ta marrin fatin e tyre në dorë dhe më nuk do të vendosin të tjerët...
Lidhur me organizimin e demonstratave në Podjevë, si me rastin e përpjekjes më 8 Nëntori, ashtu dhe për 27 Nëntorin, kanë qenë të informuar edhe disa profesorë të gjimnazit, në krye me drejtorin e tyre, Selman Qerimin – Brymën...
Natyrisht se pati edhe profesorë, (ashtu si politikanë), të Gjimnazit që, jo vetëm që ishin kundër, por edhe i sulmuan shumë ashpër, u munduan t’i ndalin... i shanë dhe i fyen, duke i quajtër edhe derra, nxënësit e tyre, por shumica i përkrahën dhe i mbrojtën. Është, për t’u shënuar se asnjë gjimnazistë nuk u dënua as u përjashtua nga Gjimnazi. Pati disa shkarkime në Organizatën e Rininsë. U shkarkua nga detyra e kryetari Ramadan Paçarada, dhe nga Komiteti i Rinisë Ajshe Ahmeti... Meritën kryesore për mos marrjen e masave ndëshkuese, ndaj nxënësve, por edhe ndaj profesorëve të Gjimnazit, flitej se ka pasur Ramush Rama, kryetari i komunës, e veçanërisht drejtori dhe profesori shumë i nderuar, Selman Bryma, për çka edhe qe shkarkuar nga drejtori i gjimnazit “ 8 Nëntori” në Podjevë. Shumë ish gjimnazistë të atyre viteve, përkujtojnë këshillat e urta të Selmanit, jo vetëm prej drejtori, profesori por edhe prej një prindi, “Ruane njëri tjetrin, mos lejoni t’u përçajnë”. Falë këshillave të tij, të gjithë nxënësit ishin kompakt. Një mbrëmje ishte ftuar Ramadan Paçarada në SUP, e gjithë klasa shkoi pas tij dhe nuk u largua nga dera e Stacionit policor, derisa nuk u lirua shoku i tyre... Sipas kujtimeve të gjimnazistëve, Rada Trajkoviqi, një kolege e tyre, (sot emër i njohur) me babain e saj, ishte shkaktare për largimin e Selmanit nga Gjimnazi “8 Nëntoir” por edhe nga Podjeva… I ati i Rades ishte ankuar në të gjitha instancat krahinore, republikane madje deri edhe në Federatë se si ishte shkarkuar e bija nga Komiteti i Rinisë vetëm pse kishte kërkuar të dënoheshin demonstruesit... Edhe profesorit Shefki Toplica, i kujtohet se Selmani ishte thirur uregjentisht në Komitet dhe si i kishte thënë: Duhet të bëjmë çmos, që jo vetëm kuadrin por në rradhë të parë nxënësit t’i mbrojmë dhe t’i shpëtojmë”.
Ramadan Paçarada, kryetari Komiteti të Rinisë, të Gjimnazit, edhe sot (tetor 2008) i kujtohen ato ditë të vrullshme e më të lumtura të rinisë që ka kaluar në gjimnazin “8 Nëntori” në Podjevë... Edhe sot i ka të freskëta kujtimet e atyre ditëve... E rikujton, sidomos mbrëmjen e 26 Nëntorit 1968, kur një grup gjimnazistësh mbajtën mbledhje dhe vendosën që të gjithë të merrnin pjesë në demonstrata që do të organizoheshin me rastin e Ditës së Flamuri... Në këtë mbledhje edhe u vendos që të përkrahet vendimi i Grupit organizues, që demonstratat të niseshin nga oborri i Gjimnazit, pikërisht në orën 13.00. Kjo kohë ishte më e përshtatshme meqë në orën 13.00 takoheshin dy ndërrimet, ai i paraditës, dhe i pasditës. Ramadani pohon se një pjesë e madhe e tyre kanë qenë të informuar edhe për përpjekjen e Grupit organizues, që demonstrata të organizohen edhe më 8 nëntor, ditën e mbajtje së mitingut... Ramadani thotë se ka biseduar edhe me drejtorin e Gjimnazit, Selman Qerimin, që të shkojnë në miting në mënyrë të organizuar, pa ia përmendur qëllimin...(Manifestime sportive për ditën e shkollës, shih te Ajshja) Në bazë të përgjegjes që ka marrë nga Drejtori, “se kjo është shumë e rrezikshme...” shihet se Selman Qerimi ka qenë i informuar edhe për përpjekjen e grupit organizues që me 8 Nëntor të organizohen demonstratat.... Ramadanit i kujtohet edhe takimi i parë, pas përfundimit të demonstratave, me komitelinjtë, dhe polemikat e zhvilluara me ta, dhe kur njëri nga ata iu kishte drejtuar gjimnazistëve në këtë mënyrë: Si nuk u erdhi turp të shkoni prapa berberëve dhe terzive, Ramadani ishte përgjegjur, shul shqip: Edhe Shoku Tito ka qenë kovaq!!!“
Flitej se në mbrojtje të profesorëve dhe nxënësve të tyre, përveç kryetarit të komunës Ramush Rama, kryetarit të rinisë, Rrahim Gashit, kishin qenë edhe Nebi Gashi e Ramadan Vraniçi, që më 27 Nëntor 1968, “rastësisht” kishin qëlluar në Podjevë....
NISJA PËR NË PRISHTINË - NDARJA NGA DY-TRE VETA
DEMONSTRATAT PËRFUNDUAN MË MIRË SE SA U MENDUA Kosova sot F/10
Aristoteli e dinte kush merret me politikë
Pas përfundimit të fjalës së Sabitit masa u kthye përsëri rrugës së APJ, gjer te shtëpia e kulturës, vazhdoi rrugës drejtë stacionit hekurudhor, ktheu majtas rrugës “M. Popoviq” dhe doli në vendin prej nga ku ishte nisur. Pas fjalës së Sabitit edhe një herë të përsëritur, demonstruesit në mënyrë të qetë u shpërndanë, ndërsa, të gjithë anëtarët e Grupit, por edhe shumë të tjerë, në krye me profesorin Rifat Blaku, në një autobus të mbushur përplotë u nisën për në Prishtinë që të marrin pjesë edhe në dasmën e madhe kosovare që do të fillonte në orët e pasditës në Prishtinë.
Ndarja ne stacionin e autobusëve nga 2-3 veta për të mos rënë në sy, unë mbeta me Rifat Blakun me të cilin aty kah ora pa pesëmbëdhjetë në katër, pas dite, shkuam drejt Fakultetit Filozofik... Në oborr të Fakultetit asnjëri i gjallë. Hymë brenda në hol askush, qetësi e plotë nuk ndihet zë as s’ lëviz kush. Ç të jetë vallë?! Që të dyve na pushton një ndjenjë shqetësimi, një brengosje e thellë. Mos janë zbuluar? Mos janë burgosur Organizuesit? Apo ndoshta është ndërruar koha dhe vendi i nisjes? Kjo pyetje disi na ngushëllon dhe qetësohemi pak. Presim edhe pak, as zë s dëgjohet. Nisemi për në qytet as s flet Rifati as unë, ecim në heshtje. Aty përballë hotelit “Avalla” takojmë shokët Ismajl Zhushin dhe N.N. Mundohem me pak fjalë t’u tregoj se si në Podjevë i kryem demonstratat me sukses mu ashtu si e kishim paraparë bile edhe më mirë. Ismajli gëzohet më shtrëngon dorën dhe në sytë e tij vërehen lotë gëzimi. N.N. më drejtohet me këto fjalë: “Shko more kep harrna se ka kush merret me politikë, s’është punë kjo për ty”. Sikur të kisha lexuar atëherë Aristotelin e dijshëm, me siguri do t’i përgjigjesha, “Paj more shok jurist vetëm shtaza dhe Perëndia nuk kanë nevojë të merren me politikë dhe se njeiru bëhet njeri vetëm nëse merret me politikë... jashtë bashkësisë politike jetojnë vetëm kafshët”.
Ky jurist është njëri nga ata të pakët shqiptarë që prishën besën grevistëve dhe grevave që pat organizuar Sindikata e pavarur e Kosovës me tre shtator 1990 në mbarë Kosovën, madje edhe të birin e kishte dërguar me dhunë në punë. Më kujtohet edhe një rast tjetër, një inxhinier, intelektual mjerisht edhe ky, se sa me kokëfortësi mbronte tezën të cilën e kishin lansuar ish spiunët e UDB-së se këto demonstrata i ka organizuar UDB-ja. Po ashtu edhe ky inxhnier si N.N. është njëri nga ata shqiptarët e pakët që ka mbetur në punë në KE të Kuvendit të Kosovës, pas “shpërndarjes” të Kuvendit të Kosovës-suprimit të autonomisë së Kosovës...
Kurrë në jetën time nuk kisha parë kaq shumë flamuj kombëtarë
“Muhabetin” na ndërprenë zëra të largëta, të paçarta derisa para nesh u shfaq një lum njerzish që s’kishte forcë që ta ndalë. Rifati më shikon dhe sikur pyet “Po nga doli gjithë kjo mori njerëzish, dhe ku ishte vetëm pesë minuta më parë? Ra nga qielli apo biu nga toka? Vërtetë ku ishte e nga doli?
Përnjëherë na pushton një ngazllim i thellë. Kur diç të tillë nuk kishim parë. Ishte diçka madhështore, e papërshkrueshme. Sa zili ua kisha Grupit organizues të Prishtinës, që kishte arritur të qitnin në rrugë, si më dukej mua, gjithë dynjan! E ku ishin demonstratat e Podjevës në krahasim me këto. Në Podjevë kishim arritur të qitnim në rrugë ndoshta një mijë, dy mijë, kurse këtu me mijëra. I numëroj flamujt, një, dy, tre, dhjetë, nuk arrij t’i numëroj të gjithë, vërtetë janë shumë dhe kurrë në jetën time nuk kisha parë kaq shumë flamuj kombëtar. Në mesin e atyre që prijnin-ishin në ballë, shoh edhe disa shokë të grupit të Podjevës , Bahriun, Hamitin, Hakifin, Hasanin etj. Hasani dhe flamujt se si ma përkujtojnë Shaban Shalën dhe ditën kur më “mori” e më “çoi” në Klubin e emigrantëve shqiptarë, që ishte vetëm disa metra larg dyqanit tonë, që ta shoh Flamurin Kombëtar. Më bëhet që edhe sot e dëgjoj zërin e ëmbël të Shabanit, “Ja shikoje se si është Shqipja e jonë e gatshmë të fluturoi Kosovës Kreshnike, tokës së Arbërit, siç e quante ai Kosovën, dhe vetëm pret një Skënderbe që t’i prijë”. Ende pa u larguar nga ky vegim - zëri i Shabanit, se si më bëjnë veshët, apo mos po ëndërroj? A është e mundur? Do të thotë se nuk jamë i vetmi që “merrem” me Shaban Shalën, po, po, vërtet unë nuk vegoj, jam në botën reale dhe dëgjoj brohoritjet për Shaban Shalën heroin e Llapit, viktimën e parë, pas “çlirimit” për Flamur. Në janar 1969, në burgun e Prishtinës, në derën e qelisë, sa më kujtohet, Nr. 24, me gjak, apo ngjyrë të kuqe nuk jam i sigurtë, shkrunate: Këtu është mbytur atdhetari i madh Shaban Shala! Wiki Nentor
Krijoni Kontakt