Dell pret që PDK dhe AAK të dënojnë incidentin në Deçan
Nga Express më 12.11.2009 në ora 17:30
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell, i ka bërë thirrje PDK-së në pushtet dhe AAK-së në opozitë që të distancohen nga incidenti në Deçan dhe ka kërkuar nga ato që t’u bëjnë thirrje të gjithë përkrahësve të tyre që të shmangin incidentet e ngjashme.
Ambasadori Dell tha se asnjëra palë nuk mund ta justifikojë dhunën duke u bazuar në pohimet, siç tha, se pala tjetër e filloi dhe e cilësoi këtë si “shkatërruese për Kosovën, demokracinë dhe zgjedhjet”.
"Ajo që ne presim nga udhëheqësit e të gjitha partive politike është një deklaratë e qartë se ata e dënojnë ngjarjen, kushdo që ta ketë filluar duhet të dënohet, dhe t’u bëjnë thirrje të gjithë përkrahësve të tyre që të shmangin incidentet e mundshme të këtilla. Nuk i shërben askujt që të përfshihet në spekulimet publike për motivet dhe vendimet e palës tjetër, duke treguar me gisht në njëri tjetrin. Thjeshtë kjo është helmuese prandaj duhet të ndalet dhe duhet të ndalet menjëherë," tha ambasadori Dell.
Eskorta e kryeministrit të Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi, të mërkurën pasdite, u sulmua me gurë në Deçan në përmbyllje të fushatës parazgjedhore në këtë qytet në perëndim të Kosovës.
Policia tha se janë dëmtuar një numër makinash të eskortës dhe se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri. Sipas saj, tre persona janë arrestuar si të dyshuar për përfshirje në incident.
Partia e zotit Thaçi akuzoi për incidentin AAK-në dhe udhëheqësin e saj Ramush Haradinajn, ndërkohë që kjo e fundit e bëri përgjegjëse PDK-në për, siç tha, keqpërdorim dhe abuzim me një numër nxënësish të qytetit.
Incidenti u dënua nga institucionet vendase dhe ato ndërkombëtare që bënë thirrje për qetësi dhe përfundim të një procesi zgjedhor në mënyrë demokratike.
(BBC)
Krijoni Kontakt