Gazeta Shqiptare
Për një Helenë ra gjithë Troja. Por, kjo Helena jonë futi në një bela shumë të madhe prefektin e Tiranës. Djaloshin 32-vjeçar që administron Tiranën deri në Kavajë, e që e ka emrin Kletis Kruja. Në fakt, deri tani nuk i kemi dëgjuar zërin apo bëmat prefektit tonë të ri. Kemi dëgjuar ne të “Bluetooth” se ai është shoku i ngushtë i Shkëlzen Berishës, dhe për këtë arsye ngjiti dalëngadalë shkallët e administratës së shtetit. Po që prefekti ynë, pavarësisht në moshë të re, të zihej si “ordiner” në pubet e Tiranës, këtë s’do ta kishim besuar. Sepse, emri i prefektit është i madh.
Epo Qazim Mulleti ishte ç’ishte!, ndërsa ky i sotmi hedh gurin e fsheh dorën… Njeriut që administron Tiranën deri në Kavajë i ka mbetur ora tek letrat e dashurisë… pas tyre ca veprime të pahijshme, të cilat kanë përfunduar në një sherr që si protagonist kanë prefektin e Tiranës, Kletis Kruja. Por, këto ditët e fundit po dëgjojmë shumë gjëra. Dhe, ja ku jemi nga thashethemet e fundit që na vijnë nga një pub nate në qendër të Tiranës, “Living Room”. Prefekti jo vetëm ngacmon femra, por ka rrahur edhe një gazetar. Por, ndryshe nga Mero, çështja e të cilit u ndërkombëtarizua, gazetari i atakuar nga prefekti dhe shokët e tij të tryezës, me inicialet A.K., e ka çuar çështjen vetëm në informimin e Berishës për ngjarjen skandaloze.
E pra, kështu të nderuar lexues të “Bluetooth”, stafi ynë e mori vesh ngjarjen me prefektin, i cili po ngacmonte disa vajza që gjendeshin në tavolinën bri tij në një pub. Tani kur ka filluar sherri nuk e kemi te qarte se të gjithëve u ka ikur memoria: Kush ka qëlluar se pari pas ngacmimit të femres: grupi i pushtetarëve, apo grupi ku gjendeshin vajzat???
Prefekti çuditërisht nuk mban mend asgjë çfarë i ka ndodhur. Kaq shumë të ketë pirë Kletisi atë natë në ‘Living Room’? Apo i vjen turp djaloshit beqar 32-vjeçar nga ajo që ka ndodhur në pub?!
Ngjarja
Një grindje banale të premten e kaluar pas mesnatës ka prishur festën në ‘Living Room’. Ngjarja do të kalonte në heshtje nëse autorët e saj do të ishin anonimë. Por, situata është bërë shumë e ndjeshme kur personazhe të saj ka pasur pikërisht prefektin e Tiranës, Kletis Krujën dhe Gent Minarollin, zëvendësdrejtor të përgjithshëm të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor. Ata së bashku me një grup djemsh të tjerë, si dhe një deputet të PD, jo vetëm që kanë prishur qetësinë e festës, por kanë degjeneruar në një sherr ordiner. Motivi i grindjes ka qenë ngacmimi që ata u kanë bërë disa vajzave të ulura pranë tyre. Vajzat modele kishin shkuar për të festuar në pub me miqtë e tyre, mes të cilëve edhe gazetari A.K. Prefekti Kletis Kruja dhe Gent Minarolli kanë ngacmuar kohë pas kohe vajzat, duke i shqetësuar gjatë gjithë mbrëmjes ato e duke shkruar edhe pusulla dashurie në drejtim të tyre. Vajzat kanë refuzuar komunikimin me prefektin, duke i kërkuar këtij të fundit që të liheshin të qeta në pub. E kur gazetari e pa se prefekti nuk epej nga dëshira e tij, ndërhyri vetë. “Po boll more njerëz, nuk e shikoni që vajzat nuk duan?” - ka reaguar gazetari A.K. Kaq është dashur, dhe djemtë e tavolinës “me pushtet”, në gjendje të dehur kanë goditur gazetarin A.K. me grushte në fytyrë dhe kokë duke i lënë shenja dhe gjakosur në fytyrë atë. (Për dijeninë e lexuesit tonë, gazetari ka kohë që nuk shihet në “xhiro” në kryeqytet, për shkak të dëmtimeve në fytyrë). Nuk ka mbaruar me kaq, nën efektin e alkoolit ata kanë kthyer tavolinat e lokalit përmbys, nuk janë ndalur as para ndërhyrjes së truprojave dhe kamarierëve të lokalit duke kthyer kështu në një gjendje kaosi festën, çka ka bërë që të gjithë njerëzit të largohen nga pubi. Zhurma e krijuar ka sjellë në lokal edhe policinë, por ata pasi kanë mësuar kush ishin autorët, janë larguar sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Nga ana tjetër, ngjarjen e ka konfirmuar edhe një nga vajzat që ka qenë e pranishme në tavolinë. Në fakt, nuk është rasti i parë që njerëz të veshur me pushtet të sillen si njerëz ordinerë, qoftë edhe në ambiente publike, në prani të dhjetëra njerëzve.
Prefekti Kletis Kruja: Nuk jam zënë me njeri
Ne në fakt, nuk hezituam që të pyesim poshtë e përpjetë për ngjarjen. E padyshim, do të pyesnim edhe prefektin 32-vjeçar. I pyetur nga “Bluetooth”, prefekti i Tiranës, Kletis Kruja e ka mohuar të ketë qenë pjesë e ndonjë sherri në pub.
Zoti prefekt, ditën e premte ju jeni bërë pjesë e një sherri banal të ndodhur në një nga pubet e Tiranës.
Nuk është e vërtetë. Unë kam qenë tek “Living Room”, por nuk di të ketë ndodhur ndonjë sherr. Unë dhe miqtë e mi në tavolinë nuk jemi konfliktuar me njeri.
Asnjë prej jush nuk është konfliktuar me njeri?
Unë nuk di gjë, kemi qenë 100 veta atje.
100 veta në një tavolinë?
Jo, në pub. Unë nuk di kush ka bërë sherr, por unë nuk kam lidhje me këtë histori.
Nuk është e vërtetë që keni ngacmuar vajza në tavolinën përballë jush?
Jo, s’është aspak e vërtetë.
Personi i dhunuar ka pohuar se ju e keni rrahur, dhe këtë e kanë konfirmuar dhe të tjerët që kanë qenë në tavolinë me të? E madje, kjo situatë ka prishur gjithë atmosferën në pub, madje keni hedhur dhe tavolinat përdhe....
Unë nuk jam zënë me njeri. Madje, i kam dërguar edhe atij djalit haber (djalit të rrahur, gazetarit)…
Për ç’motiv i keni dërguar haber, kur ju nuk jeni konfliktuar me të?
Po… Dëgjo, unë asnjëherë nuk jam përfshirë në ndonjë sherr dhe kurrë nuk do të përfshihesha në konflikte të tilla.
***
Kjo është përgjigja që na ka dhënë prefekti Kruja. Në fakt, gazetari A.K. na e konfirmon faktin se gjithçka është dashur të sqarohet me mirëkuptim. Ka disa rrethana familjare për të cilat gazetari nuk do të bëjë publike çështjen në fjalë, dhe një ndër to është për të mos shqetësuar familjen e tij, dhe ne kur folëm me të pranuam t’i ruajmë anonimatin. Madje, këtë çështje na e konfirmon edhe vajza modele që ishte prezent në tryezë dhe e cila u bë shkak i konfliktit.
Sigurisht, meqë tashmë u mësuam, ne të “Bluetooth” sërish do presim reagime nga zotërinjtë e përmendur më lart. Megjithatë, çështjen do ta vazhdojmë, duke qenë se janë skandale rozë, edhe në numrin e ardhshëm pas reagimeve.
Krijoni Kontakt