Kinematografia Shqiptare shkon në Parajsë

Nga Roland Gjoza

Më ngacmoi një informacion që e lexova në shtypin shqiptar, Goran Paskaljeviç, regjisor i shquar serb, ka fituar nje çmim të madh në Spanjë me një film të financuar dhe nga Qendra kinematografike shqiptare. Gjithashtu një regjisor gjerman ka marrë para nga kjo Qender. Të tjerë kanë ofruar projektet e tyre. Të gjithë të huaj. Hajde, ç'vete, thashë me vete dhe e shijova për një çast altruizmin e çuditshëm shqiptar.
Jam në Nju Jork dhe meditoj për Shqipërinë nga Times Square. Shumë bombastike kjo fjali e parë, nuk e di si më erdhi me njëfarë nervi, me një ndjesi jo të mirë. Nuk mendoj në përgjithësi për atdheun, po çuditërisht për filmin, për filmin shqiptar me të cilin jam marrë për shumë vjet. Ishin kohë të vështira, plot privacione, dukej sikur ajo ndërtesë gotike e filmit, atje në kembet e Dajtit, ishte e mbushur me Don Kishotë. Bëhej filmi me bukë e djathë. Ky ishte zhargoni zhgënjyes i kineastit. Me një rrogë modeste, që s'mbërrinte deri në fund të 15 ditëshit, i barabartë me atë të një punëtori guroreje, bëheshin 15 filma në vit. Dhe filmi që vinte nga Gjermania Lindore, jo kodak, por orvo, blihej me klering, jo me marka, pra, po me domate, preshë, arra, gështenja. Ideologjia, politika banale e Kongreseve dhe Pleniumeve ishte mielli i patateve, i krundeve, me pak, fare pak miell gruri, me të cilën gatuhej jeta e lumtur, kinse e tillë, natyrisht, në celuloid. Regjisorë e skenaristë, brenda qerthullit të hekurt të rrethimit imperialisto- revizionist, s'kishin se nga të mësonin tjeter, vecse nga njëri-tjetri. Ngjeshur e pleksur dhimbshëm trup më trup, më pare mendonin per idenë, frikën e shtrembërimit të idesë, se sa per fluturimin ekstravagant të frymës, që dihet, s'njeh kufij, po infinit. Ja, që infinit s'kishte, po veç kufij me trarë dhe ushtarë që ruanin ditë e natë. Vinim në mengjes dhe pyesnim për direktivat. Prej lart çdo ditë Zeusi lëshonte rrufe mbi Kinostudion. Filmit të Anagnostit Aeroporti,( me pas u zhbë në një film të dobët me titullin Të thjeshtët ) t'i hiqet gati gjysma e akteve dhe të rixhirohet. Gabime ideore të rënda. Filmi i Kumbaros Nxënësit e klasës sime, një film me insinuata të rrezikshme, pasi t'i bëhet një diskutim i fortë në kolektiv dhe të goditet rëndë, të rixhirohet. Ç'të përmend më parë; një pjesë e filmave u prishën, u shkatërruan, aq sa kur u shfaqën, nuk njiheshin më. Janë mbi 300 filma artistikë në arkiv. Ato i quajnë të vdekur. Po krijuesit e tyre janë gjallë. Duhet të kishin vdekur dhe ata. Kjo kohë erdhi. Demokracia nuk erdhi për filmin. Skema e komunizmit, kur u xhiruan këto filma, u kthye përmbys. Ç'dua të them me këtë? Prap politika fut hundët në film. Drejtori i Qendrës është më shumë se artist njeri politik. Direktiva s'ka, po një orientim i kamufluar është dhënë për zbatim; ç'janë regjisorë të vjetër, të cilët duhet të paguajnë haraçin e shërbimit në diktaturë, të refuzohen, të lodhen, gjersa të heqin dorë. Drejtori i Qendrës zgjidhet kinse një snob. Ai duhet të bëjë çudira në emër të artit të ri. Të ndihmojë të aftët. Të rinjtë. Nuk ka? T'i shpikë. Po drejtori qëllon njëfarësoj i ri, mbahet dendi, më të madh, ndonëse është një aktor i vjetër i dështuar. Ai ve në jetë dhe teorinë e përjetshme të brezave. Po ama regjisorët janë po ata. E, po kjo dihet. S'mund të shpiken regjisorë të tjerë. Punë të vështirë i ka gjetur vetes, po është dhe kokëshkretë, jo më kot e kanë zgjedhur dy herë drejtor të Qendrës, madje siç kam dëgjuar, pritet ta zgjedhin për të tretën herë, se është besnik i partisë.
* * *
Këto po ia thosha mikut tim amerikan Brofman, poet dhe kineast. Ai po cuditej. Nuk fliste. I kishte pëlqyer pa masë kjo ideja e politikës në art. Ju, vendet e Lindjes, më tha më në fund, jeni shumë interesant. Luftoni lirinë tuaj. Dhe doni të dilni nga vetja për hir të një kauze politike që më fort u shërben politikanëve, për t'i mbajtur sa më gjatë në pushtet dhe për të vjedhur. Ju ende keni punë me shtetin. Ai i jep paratë. Ju s'bëni lindje normale, po perherë cezariane duke përdorur thikën. Kjo ju sjell shumë kokëcarje. I intereson atij, pra, shtetit, filmi? Aspak. Ai vetëm jep, po nuk merr asnjë lek prej tij. Megjithatë filmi duhet të ekzistojë. Kjo është njëra arsye pse keni ngecur. E dyta, a keni sukses? Nuk besoj. Të tjerët i bëjne filma më të mirë se ju. E katërta, ai drejtori që merr lekët dhe ja u ndan, asnjëherë nuk është i pastër. Sepse ai, vetëm ai gëzon lirinë e plotë për të bërë atë që ëndërron çdo njeri i vogël; të lerë emrin. Me paratë që ka në dorë ai është njëlloj producent i perëndimit. Dhe i shfaqet ajo ndjenja e rrezikshme e ekzibicionistit. Atë që duhet ta bëjë filmi, pra, regjisorët, shfrytëzon rastin dhe e bën ai. Pa cipë. Pa fare turp. Sepse ka paranë dhe partinë. Siç me the, ai i jep para Goran Paskaljevicit. I jep para dhe atij gjermanit. Sepse që të dy kanë për të xhiruar dhe në Shqipëri. Në vështrimin e parë duket sikur s'ka asgjë të keqe. Paskaljevic eshte regjisor i shquar. Me famën e tij ai luan me këtë sharlatan drejtor që kërkon të perfitojë nga famat. Sot regjisorë si Paskaljevic kanë nevojë për para. Dhe gjuajnë vendet me kinema në kaos, përfitojnë nga mentaliteti artificial, dashuria prej Hirusheje të Lindorëve për atë Princin e Kaltër, Perëndimorët, të mberthyer ende nga aspirata e vjetër për të kaluar kufijtë. Kjo ka qenë ëndërra e Lindorëve, kapërcimi i kufijve. Dihet që Paskaljevic është vetë një Lindor, regjisor serb, që merr shumë çmime. Nuk është e zorshme të marrësh çmime. Po para s'ka shumë. Këtu është çështja. Ideja juaj fikse për të hyrë në Europë, po ju prish shumë punë. Të huajt duhet të japin para për ju, jo ju për ata. Ky është një invers absurd. Pse bëheni kaq dorëlëshuar. ç'përfitoni? Asgjë. Paskaljevic bën filmin e vet. Ai quhet film i regjisorit serb Paskaljevic. Lerini titrat, mos u gënjeni nga titrat, ku mund të figurojnë dhe disa emra shqiptarë të papërfillshëm. Pontekorvo ka bërë film në Algjeri, filmin e njohur Beteja e Algjerit, ku marrin pjesë dhe artistë algjerianë, po filmi megjithatë mbetet i Pontekorvos, regjisorit italian. Ka plot raste te tilla. Po ai gjermani? S'paska gjetur para, as ai? Paska temë shqiptare? E pastaj? Duhet të marrë paratë e taksapaguesve tuaj? Ore, zotëri, duhet të bëni filmin tuaj me regjisorët tuaj. Kur të keni suksese të vërteta dhe shtetit tjuaj t'i dalë dhe t'i teprojë, mund të bëni ndonjë filantropi. Po jo tani në këto kushte. Në fillim të viteve 90-te, i them unë, erdhi në Shqiperi regjisori italian Xhani Amelio për të xhiruar L'America. Ai i dha para Kinostudios ( me sa mbaj mend afërsisht 40 mijë dollarë ) dhe nuk mori asnjë qindarkë prej saj.. Fare e natyrshme për një vend kaq të varfër si i yni. Po ja, qe sot pasuria marramendëse e disave, e bërë pa shumë djersë, paska krijuar përshtypjen se Shqipëria qenka e pasur. Ajo mund të japë, boll të përmendet në të Shqipëria, të ketë episode të xhiruara në vendet e saj të bukura. ç'bujari qesharake. ç'patriotizëm! I ngjan atyre reklamave të gënjeshtërta turistike që publikon MKRS në kanalin e famshëm televiziv CNN kundrejt një shume tejet të kripur, vetëm e vetëm që partia në pushtet të trumbetojë fitorjet e saj të mëdha. Të gjitha shiten shtrenjtë si një patriotizem i madh, qe s’e ha njeri, veç pushtetarëve të djegur e të zhuritur për Shqipërinë. Në emër të patriotizmit bëhen shumë gjëra. Dhe reforma në kinematografi, që ca i harron për shkak të partisë e të alergjisë dhe ca i ngre e i lëvdon për hir të Perëndimit që i do figurat të pastra. Po për ç'patriotizëm të flasim kur gati gjysma e shqiptarëve kanë humbur si çifutët në shkretëtirë? Shqiptarët kanë marrë rrugët se në vendin e tyre punët venë shumë mbarë. Me ne ndodh inversi biblik. Teksa hebrenjtë e gjetën tokën e premtuar, Izraelin, dhe u kthyen, ne braktisim përditë tokën tonë të premtuar dhe marrim arratinë, ngaqë jemi shumë patriotë dhe na ka shkrepur të ndihmojmë nga larg si në atë poezinë e Nolit; Mbahu, nëno, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë! Ky, pra, është patriotizmi i ri, patriotizmi në kuletë. Se atdheu i dashur nuk të siguron dot, as mbrojtjen e fëmijëve, as kafshatën e gojës.
* * *
Ç'bëjnë regjisorët dhe skenaristët tuaj?
Kjo pyetje mbeti në tavolinë në anën time. Duhej të jepja një përgjigje. Ata pothuajse janë përjashtuar. Pikërisht në kohën e pjekurisë, kur mund të bënin filma të mirë. Nuk e di përse ndodhi kjo, po trysnia është e madhe e hapur, po më shumë e fshehur, per t'i larguar nga projektet. Ata kanë vite që paraqesin projekte, janë regjisorë me përvojë të madhe, kanë xhiruar mbi 10, 12 filma artistikë me metrazh të gjatë, po tani shumica e tyre po shtyhet nga shakallët e Qendrës kinematografike drejt stolave të lulishtes. Duan t'i nxjerrin në pension. Nuk i duan më. Kanë alergji prej tyre. Nuk kuptohet pse është grumbulluar kaq shumë mllef për ta. Më shumë është një pretekst për të bërë pa ta, edhe pse filmi shqiptar po shkon në perëndim vullnetarisht i nxitur nga politika, që do të japë me filmin shembuj të bashkëekzistencë s paqësore në Ballkan, të miratojë projekte të huaj duke dhënë para, (!) një shërbim ky kaq grotesk dhe i pa kërkuar prej askujt, për të shkuar sa më parë në perëndim. Kjo do të vazhdojë për fat të keq. Publiku shqiptar nuk i harron regjisorët më të mirë shqiptarë dhe filmat e tyre. Kristaq Mitro, Ibrahim Muça ( Apasionata, Njeriu i mirë, Dimri i fundit ) Dhimiter Anagnosti ( Lulëkuqet mbi mure, Përrallë nga e kaluara ) Saimir Kumbaro ( Vdekja e kalit, Koncert në vitin 36 ) Esat Mysliu ( Hije qe mbeten pas, Vitet e pritjes, Rrethi i kujteses ) Vladimir Prifti ( Udha e shkronjave, Flutura në kabinen time, Dhe vjen një ditë ) Viktor Gjika ( Gjeneral Gramafoni, Rrugët e bardha ) Fehmi Oshafi, Muharrem Fejzo ( Kapedani ) Piro Milkani ( Çifti i lumtur, Zonja nga qyteti ) Përmenda një pjesë të vogël të filmave që kanë mbetur, megjithë trysninë e politikës për t'i mbyllur në bunker. Fara e skenaristëve është zhdukur. Po dihet ç'është skenari, në çantën shkollore të artit, ai libri i matematikës. Zeja më e vështirë që kërkon shumë eksperiencë dhe, së pari, stof shkrimtari.Skenaris tët nuk zihen më në gojë, sikur të jenë të tepërt. Ato pak para që jep Qendra dhe mungesa e letërsisë serioze në krizën e saj më të skajshme, i detyrojnë regjisorët t'i shkruajnë vetë skenarët. Ky mallkim mbi artin është bërë ushqim për injorantët. Në këtë qerthull kaosi ku gjithkush mund të jetë dhe ai zëri i delirit dhe i paranojës, që ia thotë qypka e tij, bie fjala një gjeni i pashpallur, por që duhet të shpallet në të mirë të Shqipërisë, kallpi reklamaxhi bëhet, ngrihet bujshëm dhe i vërteti i heshtur shkelet. Kushdo mund të shajë mitet e shenjtë, figurat më të mëdha të kombit shqiptar, Skënderbeun, Nënë Terezën, Ismail Kadarenë. Ne shqiptarët kemi nje zakon, që gjithmonë në raste kthesash të mëdha, historinë duam ta fillojmë nga zeroja. I thyejmë monumentet. Nuk e di ç'eshtë kjo sëmundje. Ndoshta lidhet me atë që thotë Konica që shqiptarët janë të gjithë kapedanë. Kështu që secili do historine e vet. Dhe ky drejtori i Qendres kinematografike do historinë e tij, që një ditë të thonë; Në kohën e Xhevdet Ferrit u bënë filmat më të mirë..ai, vetëm ai pati kurajën dhe forcën të përjashtonte regjisorët e vjeter dhe të shpëtonte filmin!.. Sa cinike dhe e poshtër! Kjo më kujton Prolektkultin bolshevik leninist, që donte të afirmonte artin e ri revolucionar mbi kufomën e artit të vjetër. Ai dogji librat e Tolstojit,Dostojevs kit, duke i anatemuar si shkrimtarë reaksionarë, sepse donte t'ia fillonte nga zeroja e famshme e revolucionarë ve te Kronshtadit dhe Bastijes. Po kjo pervojë diabolike doli e deshtuar dhe, si gjithmonë, kur artit i bëjnë gati qivurin, thirret në ndihmë tradita. Atje përkulen mëkatarët, pendohen duke derdhur lotë dhe himnizojnë befas të vdekurit prej tyre.
Pra, kush është ky Xhevdet Ferri, që na paska marrë përsipër të ndërtojë këtë ferr për artin e shtatë? Nje aktor që dikur interpretonte nëpër filma njeriun e mirë, shiste moral pa pagesë, ndërsa sot jep para sipas midesë. Xhevdet Ferri është ne vendin e gabuar sipas meje, ai ka deshtuar kudo si drejtor, sepse barra e kalit nuk mund t'i ngarkohet nje mize.
Po ç'bëjnë regjisorët? më pyeti miku im. Asgjë, i thashë unë. Sepse e kanë ndjerë që është e kotë. Duhet parë problemi më thelle. Dje, në komunizëm, ishte partia e ideve ( mjerë ata që shkisnin nga idetë, hanin burgun! ) Sot në kapitalizëm, është partia e pronës ( deputetë dhe ministra janë pronarët e rremë, po ama të vërtetë.) Është çeshtja te paraja. Indiferentizë m total i shtetit për këta qyarë regjisorë, që s'janë në gjendje të vjedhin dhe vetëm kërkojnë para për të bërë ato filmat e tyre të shpifur që si shikon njeri. Ore zotërinj, s'është koha e filmit, turruni të rrëmbeni, se i keni sheshit, lereni ëndrrën se po ju merr më qafë. Ky është kumti ogurzi që ju vjen. Filmi, arti, janë aty poshtë ku rrumpalla ka gjirizin nga ka dalë. Atyre lart ju intereson që ata poshtë te heqin dore, sepse janë vërtet regjisorë qe iu dhemb, janë dhe flaka e revoltës, që krijon shqetësim dhe pështjellim. Mjaft herë janë ngritur këto probleme, po pjesa më e madhe e regjisorëve nuk prononcohen, udhëhiqen nga interesa të çastit. Sërish nuk po ngrihen të protestojnë se kanë frikë mos humbasin kafshatën. S'janë artistë. S'janë më artistë, mku im, se artistët kanë damarë zjarri, jo hej akulli, që i bëjnë te mblidhen një grusht e të heshtin.Kjo është e keqja, përçarja e artistëve. Ata i ka mbytur varfëria, çoroditja morale, ankthi, pasiguria, e jetës, hallet e përditshme. Ku e kemi Çashkun, atë pehlivan të artit, një regjsor i lindur me vetëreklamë, i cili na mori firmat si shoqatë dhe i shfrytëzoi për biznesin e vet e të familjes. A iu përshtat më së miri kapitalizmit, kur e pa se s'mund të bënte më film me kaq sakrifica. Ku janë filmat e Çashkut, e këtij regjisori qe u çorr një kohë të gjatë për filmin, jo për komunitetin e kineastëve, po për pronen e filmit. Ai kishte uri për truall, që të ndërtonte perandorinë e tij. Tani ka gjetur mbrojtje te maska e regjisorit të madh e human të sakrifikuar që i digjet zemra për talentet e rinj në kinematografi, po kjo zemër ka dhe kasafortën ku stivosen paratë e ëndrrave djaloshare, që pasi mbarojnë atë shkollë të mangët me një cmim të kripur, nuk dinë ku të mbyten. Piramidë arti. Çashku është Sudja e artit të shtatë. Ndiq njërin nga ata studentë që mbaron atë shkollën Marubi, ( treshja Marubi kane qene fotografe, jo kineaste) dhe më thuaj ç'bën, ku ka përfunduar!
Ata, regjisorët e rezistencës, do t'i quaja, jetojnë me projekte në duar, pa rrogë, të kapluar nga dëshpërimi dhe hallet e përditshme. Ndjejnë tokën që ju rrëshqet nën këmbë dhe se kuptojnë pse ndodh kjo. Artistët mbarojnë vetë, ata e ndjejnë kur u fiket flaka e kandilit dhe largohen në heshtje kryeulur, me dhimbje e dëshpërim. Po është mëkat t'i afrosh ditën e fundit me përdhunë një artisti aktiv që e mposht moshën me shpirtin e tij ende te ri. Veprat e vërteta rëndom bëhen në moshë të pjekur, kur artisti është i mbushur me pervojat e hidhura të eksperiencave. Filmi dhe romani bëhen pas moshës 50 vjec. Kjo nuk është formulë, po është bërë formulë vetiu nga përseritjet. Pikërisht në këtë moshë t'i thuash këtij krijuesi,shko pusho, duke nënkuptuar ftohtësi dhe mosbesim ndaj tij, është njëlloj sikur ta vrasësh. Këtu nuk hyn mëshira, po drejtësia. Dy nga kineastët tanë të njohur, Dhimitër Anagnosti dhe Piro Milkani realizuan në moshën 70 vjeçare, ndoshta endrrën e tyre të fundit; Anagnosti " Gjoleka, djali i Abazit" dhe Milkani "Trishtimet e zonjës Shnajder" Filmat nuk sollën ndonjë risi kushedi, s'bënë pershtypje tronditese, po prunë eksperiencën e dy mjeshtërve të vjetër. Kishe ç'të mësoje prej tyre. Pse nuk vazhdon kjo praktikë?
Presin prej kohësh të bëjnë film Esat Musliu, Vladimir Prifti, Kristaq Mitro, Ibrahim Muça, Muharrem Fejzo, priste te realizonte filmin e tij të fundit Viktor Gjika që na la, padyshim i brengosur, u shua ashtu humbshëm, sikur të ishte një tjeter Viktor Gjika, jo regjisori i madh, po një shitës i rëndomtë biletash kinemaje. Ai u shty e u shty, u mënjanua si pa u vënë re dhe u krodh kinse në harresë. Një kineast qe do të mbetet i paharruar, shumë i frymëzuar, me projekte ne duar, tejet energjik. Kjo pritja e kineastëve, që e kanë dhënë me kohë proven e tyre se dinë të bëjnë filma të mirë, po kthehet në atë mallkimin që përdorte Bethoveni kur punët si venin mbarë; Dëshpërohu dhe vdis! O zot, të të urdhërohet fundi!
Jo, mjaft bënë filma të vjetrit, mjaft! Ata nuk kanë ç'thonë më! Kanë shterur, po se kuptojnë. Dhe këtë e thonë parvenytë e artit, ca rioshë modernë, pa modernitet, që po ia zbardhin faqen filmit shqiptar. Publiku i ka parë një herë dhe nuk do t'i shohë më. Dy filma mbahen mend keto 20 vjet, prej kesaj aradhe të vogël pretenduesish të mëdhenj; " Parrullat" e Gjergj Xhuvanit dhe " Tirana viti zero" e Fatmir Koçit. Presin... po kot e kanë me Xhevdet Ferrin, se ai s'është më në Shqipëri, po në Perëndim me dieta partie. Regjisorët e rinj, dy tre, ende s'kanë arritur të bëjnë një hop në kinematografi. Sepse ata janë fare pak. Për të thënë të vërtetën edhe ata nuk i duan regjisorët e vjetër, i shikojnë si pengese, i quajnë frymë e vjetër. Nuk e shprehin hapur, natyrisht. Është dhe një problem jo i vogël që lidhet me regjisorët, letërsia shqiptare në krizë. Nuk ka libra të suksesshëm që teë premtojnë për një skenar të mirë. Edhe mbi shkrimtarët e vjetër ndjehet kjo trysni për t'i larguar, për t'i mbyllur në harresë. Lufta e brezave është e egër. Arti është në kaos. Ai dita ditës po shpërbëhet. Aty- këtu ndoca shkëndija që ndizen e shuhen s'kanë fuqi të ndezin një zjarr që mund të ngrohë. Po reklama false është e madhe, sepse i intereson politikës, e orientuar ethshëm drejt futjes në Europë. Githësesi për këtë kauzë politikanët janë gati të bëjnë paradën si te përralla e Andersenit kur mbreti dilte lakuriq. Në kohe zbrazëtie, amullie, kaosi, shfaqen me bujë çmimet e mëdha, Oskaret, Palma e Arte dhe luhet me to, zgjidhet filan regjisor i ri shqiptar, ose një amatori i teket të permbushe endrrën e vjetër, që pasi mbush gazetat me gënjeshtrat plot suspans të famës qe po i troket, niset të konkurojë pa ia bërë syri tert! Se lojë me artin po bën. Se gjen gjë. Bie fjala, filmi i propaganduar nga partia për këtë qëllim niset për Los Anxheles, gjoja kandidat për çmimin Oskar. Kaq shumë bujë mediatike bëhet, sa kur ai kthehet i humbur nuk thuhet asnjë fjalë për të mos prishur imazhin e Shqipërisë. Kësaj i ruhen, imazhit. Dhe në këto raste luhet me patriotizmin. Dhe falsiteti mbush jetën dhe me falsitet bëhet dhe filmi. Në kohëra të tilla lulëzojnë mashtruesit, batakçinjtë, hajdutët, kriminelët. Se unë e quaj kriminel një drejtor Qendre, që i jep ato pak para një të huaji, i udhëhequr nga ndjenja e inferioritetit, aq e theksuar te një snob, me një dukje te fryrë prepotente; shiko, o njeri, sikur thote, une mendoj e vuaj për artin e vërtetë, se, pse ta fsheh, malli i vendit është skarco. S'ka gjë më fyese dhe alarmante,sepse është poshtëruese gjer aty ku s'mban! Quaj kriminal dhe një Keshill të shqyrtimit të projekteve, inkopetent, të mbushur me gazetarë, kritikë, aktorë, etj, që s'kanë haberin nga të fshehtat e skenarit, po ia fusin më tym, se interesi është të fusin në xhep atë honorarin pas mbledhjes se stërzgjatur enkas. Quaj kriminale dhe një qeveri që e lë këtë gjendje të vazhdojë, sepse është qeveri e mësuar me piramida. Ështe koha e reklamës me shkëlqim të rremë, sepse brenda është e zbrazët, plaket e bjerret dëshpërueshëm artisti që është artist, ai që mbeti duke luftuar me institucionet dhe i mbeti flamuri i grisur, jo mbi fortesën e artit, po mbi atë të institucioneve burokratike të korruptuara gjer në palcë. Kur do të vijë ndonjë amerikan në Shqipëri për të bërë film, le të mos jetë kineast, boll që është amerikan, paratë i ka të garantuara nga Qendra dhe nga drejtori i saj snob që do të lërë një emër, si drejtori politik që shkatërroi kastën e vjetër të filmit për të ndihmuar të rinjtë ( i qan vërtet zemra për ta? ) dhe veçanërisht të huajt, që të shkojë kinematografia shqiptare sa më shpejt në perëndim, në parajsë.

ROLAND GJOZA
Nju Jork