Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 8
  1. #1
    Blanc et noir
    Anëtarësuar
    28-03-2005
    Postime
    491

    Agllai Zoto rrëfen për historinë

    Rastesisht ne emisionin "Histori me zhurmues" te dates 10 Janar 2010,hasa ne nje te ftuar me emrin Agllai Zoto,(diku e kisha degjuar si emer)..
    Nese dikush mundet te di vendodhjen e saj apo nje menyre kontakti,adrese apo nje numer telefoni do ju isha falenderuese..
    Di qe mund te jetoj aktualisht ne Greqi,

    ju Flm,
    Quand le doigt montre le ciel, l' imbécile regarde le doigt.

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e daniel00
    Anëtarësuar
    05-06-2004
    Vendndodhja
    tr
    Postime
    2,836
    E pashe ne ristransmetim dje , po ajo tha se ishte ne nje vend ku strehoheshin narkomanet , te pastrehet ne Greqi .

    Per me shume pse nuk pyet keta te klanit .

    http://www.tvklan.tv/on_air.php?id=23

    Shkruaju te te japin nje menyre kontaktimi me te .
    Ngjeshur me brezin e se vertetës,parzmoren e drejtësisë,mburojën e besimit dhe shpatën e Frymës.

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e ramaik
    Anëtarësuar
    17-09-2009
    Postime
    165




















    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 23-01-2010 më 17:22
    Think inside the box

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,315
    Postimet në Bllog
    22
    “Kadri Hazbiu e Hysni Kapo morën vendimin,Ramize Gjebrea u vra me plumb pas shpine”

    19.01.2010

    Rrëfimi i saj zbulon një nga historitë më absurde të diktaturës komuniste që zë fill në ditët e para të lëvizjes antifashiste nacionalçlirimtare dhe përshkon tërë periudhën e regjimit totalitar, madje dhe më tej.
    Agllaia Zoto, tetëdhjetë e katër vjeçarja nga Himara, pas një heshtje të gjatë ka pranuar të tregojë për emisionin “Histori me zhurmues” në TV Klan jetëshkrimin e vet. Kujtesa brilante dhe dëshmitë me artikulimin e mrekullueshëm para moderatorit të njohur Pandi Laço, risollën dramën e veçantë që ka përjetuar kjo grua interesante me momente nga më tronditëset dhe nga më të çuditshmet. E nderuar për veprimtarinë antifashiste, e mbështetur nga Enver Hoxha për të studiuar jashtë shtetit, e vlerësuar nga autoritetet komuniste për të ushtruar detyrën e besuar të prokurores, Agllaia Zoto, një ditë të bukur u shpall e padëshirueshme për regjimin, madje e rrezikshme. Pikërisht këtu nis e papritura e jetës së saj. E ndërsa shtynte ditët në Parisin e largët, vazhdonte pa ndërprerë të shkruante kundër regjimeve totalitare duke denoncuar shkeljen e të drejtave të njeriut. Ky qëndrim nuk mund ti shpëtonte shërbimeve sekrete të vendeve komuniste dhe ajo për shumë vite mbeti në shënjestër të tyre. E kërkuar nga UDB-ja, KGB-ja, zbulimi bullgar, sigurimi shqiptar, Agllaia Zoto përjetoi me dhjetëra raste rreziku ku jeta e saj u kërcënua seriozisht. Pas shumë peripecish në vitin 1978 u rikthye në Shqipëri, po biografia e saj në Perëndim, e mirënjohur për policinë sekrete, nuk mund ta linte pa ndëshkuar e ti falte lirinë pranë familjarëve në Tiranë. Që këtej do të niste kalvari i të tjera vuajtjeve, tashmë si e internuar në zonën e Lushnjës. Po çfarë rrëfen tjetër ish partizania nga Himara që arriti deri Prokurore e Përgjithshme e Bullgarisë...
    Zonja Agllai! Le të bëjmë një biografi të shkurtër tuajën. Ju u lindët në Himarë....
    Kam lindur në Himarë në vitin 1926 dhe shumë e vogël, disa muajsh, prindërit më morën në Francë, ku më herët kishte emigruar babai... Kështu që jam rritur në Francë. Babai kishte një kafe-restorant ku mblidheshin të gjithë të arratisurit e regjimit të Zogut, por edhe të arratisur të tjerë grekë, bullgarë, jugosllavë, etj. Babai ishte shok i ngushtë i Halim Xhelos dhe Ali Kelmentit. Ai kishte ndërkaq miqësi të ngushtë me Omer Nishanin, të cilën e ruajti deri sa Omeri, ish-president i Republikës, ndërroi jetë. Babin e ngarkuan të vinte në Shqipëri për të bërë një lëvizje antizogiste, antimbret. Kështu u detyruam të vijmë dhe ne...
    Duke ardhur në Shqipëri, tani normalisht, ishe një vajzë e rritur dhe do filloje shkollën...
    Unë shkollën fillore e kisha përfunduar në Francë dhe nuk dija shqip. Babai duke menduar që të mësoja gjuhën shqipe më çoi në Vuno, ku ishte një konvikt për vajza. Aty mësova gjuhën dhe dhashë shumë provime, për të cilat mora rezultate shumë të mira. Kjo gjë bëri shumë përshtypje. Bile lajmi shkoi deri te Mbreti Zog, i cili më dha një bursë për në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”. Aty më gjeti okupimi fashist i vendit. Mbaj mënd që një pjesë e mirë e shoqeve dhe shokëve tanë ishin të organizuar në lëvizjen antifashiste. Na drejtonte Nako Spirua dhe Qemal Stafa, me të cilët kam pasur kontakte të pashkëputura. Në shoqërinë e tyre, unë me Ramize Gjebrenë dhe Margarita Tutulanin ndjeheshim të inkurajuara dhe të kthjellëta për aksionin që na priste.
    Cilat ishin shoqet tuaja më të afërta të kësaj periudhe?
    Shoqet e tyre më të ngushta ishin Ramize Gjebre, Margarita Tutulani dhe Liri Belishova. Pastaj aty kishim edhe Vera Pojanin, Nefo Puton, Vito kapon etj, por ato ishin më pak aktive nga ne...
    Këto ishin vajzat nga u mor fabula e filmit “Vajzat me kordele të kuqe”...
    Po, për to bëhet fjalë në atë film. Po çfarë bënim ne në kushtet e asaj shkolle në periudhën e pushtimit? Na vinin të këndonim këngë fashiste, ne nuk këndonim, po bënim zhurmë. Na thoshin të bënim gjëra jo patriotike, ne nuk i bënim. Kështu na përjashtuan. Për një kohë të gjatë unë isha ilegale dhe bashkë me Ramizenë dhe Margaritën shkonim nëpër fshatrat e Tiranës dhe bënim propagandë, ndërkohë që shpërndanim dhe traktet që na jepte Nako Spirua....
    Pra, kishit rënë në kontakt me idetë komuniste...
    Kryesisht traktet që shpërndanim ne ishin për luftën antifashiste, por me frymën e së majtës. Në atë kohë bëhej një propagandë shumë e madhe nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Një pjesë e tyre bënin thirrje që vajzat shqiptare t’i bashkoheshin lëvizjes nacionalçlirimtare. Mirëpo Himara dhe zona e Bregut në atë periudhë kishin lidhje me monarko fashistët grekë. Këta të fundit hidhnin trakte dhe bënin thirrje që të mos mbështetej lufta, që mos të ndihmoheshin luftëtarët antifashist. Babai im, si patriot që ishte, njoftoi Shtabin e Përgjithshëm se do ta çonte vajzën e tij 15-16 vjeçare partizane në mal për t’u bërë shembull edhe për vajzat e tjera që të merrnin kurajo dhe të shkonin në çetë. Kështu, një ditë babai e nëna më zgjuan në mëngjes herët dhe më thanë se do të nisesha në çetë...
    Në çetën e Bregut...
    Ajo ishte në atë kohë e vetmja çetë antifashiste në zonë.
    Kështu ju u bëtë partizanja e parë e Bregut, madje e tërë zonës së Jugut...
    Kontakti i parë me çetën ka qënë diçka mbresëlënëse. Ajo ishte në një shpellë. Kur po i afroheshim, babai hodhi dy pushkë dhe një bombë sipas sinjalit partizan. Pastaj u bashkuam me ta. Natën e parë fjetëm në një haur të vogël. Ishin shtatë partizanë dhe unë e teta. Mua më urdhëruan të flija afër murit, me fytyrë prej andej. Kështu nisa jetën e partizanes. Aktiviteti i çetës kryesisht përqendrohej rreth e qark zonës. Gjatë kësaj periudhe ishte admiruese dashuria e fshatarëve të Kurveleshit, që e ndanin dhe kafshatën e fundit me ne. Në këtë krahinë operonin dhe udhëheqësit e rëndësishëm të lëvizjes Spiro Koleka, Hysni Kapua, Manush Myftiu, Kadri Hazbiu, me të cilët isha në marrëdhënie shumë të ngushta pune. Kudo që shkonin më merrnin me vete dhe mua. Në çdo miting që bëhej nëpër fshatra të ndryshme, secili prej tyre fliste me letër. Aty për aty kërkonin të flisja dhe unë, që në të gjitha rastet komunikoja pa letër. Mënyra si flisja unë kishte bërë përshtypje te të gjithë banorët e fshatrave, deri sa më thoshin “Bilbili i Jugut”. Nuk e di kush ishte i pari që ma vuri këtë nofkë...
    Megjithatë të ndalojmë te një nga ngjarjet më të diskutueshme të luftës, që ka lidhje me njërën nga shoqet e tua, Ramize Gjebrenë...
    Po, e kam pasur shoqe, shumë shumë të ngushtë. Puna qëndron kështu: Në operacionin e Dimrit, Ramize Gjebrenë, Byroja Politike e dërgon të deleguar për të mbajtur kontakte dhe për të ndihmuar udhëheqësit e Zonës së parë Operative Vlorë-Gjirokastër. Kështu në këtë operacion, që ishte operacioni më i madh gjerman, Ramize Gjebrea ishte në çetën tonë. Pra, në Çetën e Bregut. Gjatë ditës ishim bashkë në aktivitet, bënim mbledhje, takime me njerëz, shpërndanim thirrje etj, ndërsa në darkë mblidheshim në një haur. Ramizeja me Zahon rrinin në njërën anë të oxhakut, unë rrija në anën tjetër të tij. Partizanët si hanin një kafshatë bukë shkonin e flinin. Ne rrinim më vonë duke folur e biseduar për luftën dhe fatet e saj, për rininë dhe të ardhmen e vendit pas pushtimit. Midis Zahos dhe Ramizesë, nga vet bashkëpunimi dhe kontaktet e shpeshta ishte krijuar një lloj ndjenje shoqërore, miqësore shumë e fortë, por ato akuza që u bënë më vonë për ta, unë i hedh poshtë me vendosmëri dhe sinqeritet. Vë dorën në zjarr, siç thotë populli, se në marrëdhëniet e tyre nuk ka pasur asgjë erotike...
    Ramizeja ndërkohë ishte e fejuara e Nako Spiros...
    Kjo është e vërtetë. Desha të shtoj me këtë rast se Nako Spirua e ka dashur dhe e ka respektuar Ramizenë aq shumë, sa që kur mori vesh vendimin për pushkatimin e saj, ndërhyri në Byronë Politike për ta kundërshtuar atë. Mirëpo kur shkoi korrieri te shtabi i Brigadës që kishte marrë këtë vendim, Ramizeja ishte pushkatuar.
    Si e mbani mënd pushkatimin e Ramizesë?
    Unë isha bashkë me Ramizenë, kur e lajmëruan për t’u paraqitur në Shtabin e Brigadës. Komanda e Shefqet Peçit i çoi urdhër dhe ajo nuk e vuri në diskutim, por u nis menjëherë. Pastaj erdhi një korrier tjetër në çetë dhe na tha: Zaho Koka dhe Agathia Zoto të nisen urgjent për në shtab! U nisëm edhe ne dhe mbërritëm në shtabin e Brigadës në Ramicë. Shtabi ishte vendosur në një shtëpi njëkatëshe, por me një kat poshtë, tek i cili mund të futeshe pasi të zbrisje disa shkallë. Në të djathtë ishte një dhomë e madhe ku rrinte shtabi. Ajo shërbente ndërkaq edhe si zyrë pune. Në krahë të saj ishte një dhomë tjetër po me oxhak. U futëm te porta e jashtme. Të dyja dyert ishin të hapura. Në dhomën e shtabit dalluam përfaqësuesit e lartë partiak dhe komandues. Të gjithë ishin atje. Ndërsa në dhomën tjetër, në krahë të oxhakut, ishte ulur një vajzë me një thes në kokë dhe diçka po lexonte në vetmi. Nga larg nuk dallohej kush ishte. Nejse. U futëm brenda. U përshëndetëm me Manush Myftiun, me Hysni Kapon, me Shefqet Peçin e me Kadri Hazbiun. Një moment Hysni Kapua u kthye nga unë dhe filloi të më thotë: Agllai, do që të takohesh me Ramizenë? Po, i thashë, patjetër. Pse këtu është Ramizeja? Kalo, kalo në dhomën tjetër dhe mos pyet shumë, shtoi Hysniu. Shkova te dhoma tjetër. Ramizeja ishte mbuluar me thes. I hoqa atë dhe i zura sytë me duar. Ajo më hoqi duart dhe me ngashërim më tha: Agllai, ti je, më tha. Unë jam, i thashë. Çfarë bën këtu. Një moment siç e kishte librin në dorë e ktheu me kopertinë nga unë. Aty për aty lexova titullin e tij “La kondanata” që ishte në italisht. Ishte një libër që në shqip përkthehej “E dënuara”. Ndenja një çast në këmbë me vështrim nga ajo. U çudita dhe më dukej e habitshme se si ato ditë betejash, Ramizeja kishte gjetur kohën për të lexuar atë libër që nuk dihej si ishte gjendur aty. Kaq ishte takimi me të në atë dhomë. Nuk më shkonte kurrë në mëndje se ai do ishte takimi i fundit me shoqen time më të mirë. Sakaq, atë natë mua me Zahon na urdhëruan për të shkuar në një takim në një fshat aty pranë. Sipas detyrës shkuam me Zahon bëmë mbledhjen e caktuar dhe të nesërmen u nisëm të vinim prap në shtab. Teksa po ktheheshim u takuam në rrugë me dy partizanë me sy të përlotur. Dukeshin të tronditur dhe nga mënyra si flisnin të linin të kuptoje se diçka kishte ndodhur. Çfarë kini? I pyeta aty për aty. Vranë Ramizenë!, u përgjigjën ata në një zë me vështrim përdhe. Si ka mundësi, unë dje u takova me të në shtab?, shtova unë. Ramizenë e dënuan dje dhe sot e pushkatuan, sqaruan ata me lot në sy. Po si e vranë? Ndërhyra përsëri teksa më dridhej zëri. Ja, shpjeguan ata. E nxorën nga shtabi dhe e çuan në një lëndinë të gjërë. Në dy anët e saj ishin vendosur dy skuadra pushkatarësh. Ramizenë e mbanin për krahu dy partizanë duke e çuar drejt greminës që ishte në fund të lëndinës. Ende pa shkuar aty, diku 100 metra më këtej, u dëgjua komanda “Zjarr!” Sakaq me dhjetëra plumba e kapën Ramizenë nga pas. Një moment ajo ktheu kokën dhe tha “Ua, çfarë po bëni?! Vetëm në pak çaste ajo ra në gjunjë dhe u mbyt në gjak. Pra Ramizeja nuk e dinte se do ta pushkatonin. Motivacioni i gjithë kësaj, siç u bë e njohur më vonë, ishte për imoralitet, domethënë për lidhje dashurie në kohë lufte, ku mbi të gjitha ishte liria, ishte Atdheu, paqja...
    Pra, bëhej fjalë për lidhje dashurie me Zaho Kokën...
    Për lidhje të tilla e akuzuan dhe e pushkatuan...
    A ka pasur në të vërtetë midis partizanëve lidhje të tilla?
    Lidhje të kësaj natyre, pra siç akuzonin pa të drejtë Zahon e Ramizenë nuk ka pasur. Po vendime të tilla absurde janë marrë dhe në raste të tjera. Kështu p.sh një vajzë të bukur nga Gjirokastra, një partizane trime, e pushkatuan me akuzën se bënte dashuri me të fejuarin (!) Se ishte atëherë koha drejt çlirimit të vendit dhe thoshin se po të duhemi, po t’i shpëtojmë luftës, do bashkohemi në ditët e lirisë. Një raport të tillë e kam përjetuar edhe unë. Partizani Babaçe Faiku më kishte thënë se po të isha dakord do të bashkoheshim pas luftës e do krijonim familje. I pata than një “po” platonike, një fjalë bese...
    Ku u gjeti çlirimi i vendit?
    Ditët e para të pas luftës më gjetën në Vlorë. Pas çlirimit më emëruan menjëherë në Kryeministri, me detyrën Drejtoreshë e Statistikave Shtetërore. Po kjo për pak kohë, pasi bashkë me 500 studentë të tjerë na dërguan për studime në Jugosllavinë e Titos në Beograd. Mua më thirri Nako Spirua dhe më tha: Agllai do të të dërgojmë me porosi të shokut Enver për të studiuar për mjekësi në degën e Kirurgjisë” “Unë, për mjekësi, i thashë, në asnjë mënyrë”. Kjo është e prerë, më tha, është fjala e Enver Hoxhës dhe nuk bëhet dysh. Aty për aty i thashë se do shkoja e të takohesha vet me Enverin dhe ashtu bëra. “Ti do bëhesh një doktoreshë e talentuar, më tha Enveri, si të kemi pasur afër deri tani, ashtu do të kemi dhe më pas. Pa do bëhesh një kirurge për Byronë Politike”. “Në asnjë mënyrë, këmbëngula, çobane bëhem, doktoreshë jo”. Ai qeshi dhe më kërkoi arsyen pse hezitoja. “Kam frikë nga mikrobet, e sqarova”. “Moj Agllai, m’u drejtua Enveri duke më hedhur të dyja duart në qafë, ti nuk kishe frikë nga gjermani, trembesh nga mikrobet”...
    Pra, shkuat për studime në Beograd...
    Shkova me studime për drejtësi, për shkenca politike e ekonomike. Mirëpo ndodhi shpejt prishja Stalin-Tito dhe Shqipëria u detyrua t’i tërheqë 500 studentët nga Jugosllavia. Ndërkaq, Byroja Politike dërgoi një listë me emrat e 13 studentëve, 11 djem dhe dy vajza që duhej të qëndronim aty. Në atë listë ishte dhe emri im dhe shoqes time Shpresës. Misioni ynë kishte të bënte me zhvillimin e propagandës anti Tito dhe kundër revizionizmit. Pikërisht për këtë ne merrnim materialet në Ambasadën tonë në Beograd dhe e shpërndanim sa aty këtu, sipas destinacionit përkatës. Ishte një detyrë e vështirë. Duhej të operonim në gojën e ujkut, si i thonë. UDB-ja nuk ishte një zbulim i zakonshëm, por një shërbim i tmerrshëm. Punuam sa punuam dhe një ditë na kapën dhe direkt në skëterrë...
    Si ndodhi arrestimi tuaj...
    Arrestimi ishte i papritur. Një mëngjes herët, në dhomën e konviktit të studentëve ku rrija me disa jugosllave, erdhën dy burra me kapardisa të bardha dhe republikë të zezë në kokë. Me forcë më rrëmbyen nga krevati ku isha dhe më hodhën te krevati tjetër aty pranë. Nxorën nga xhepi thikë e gërshërë dhe filluan të shqepin jastëkët dhe dyshekun, duke kërkuar materialin komprometues për mua. Po aty ku e kishte fshehur Agllaia, nuk e gjente dot as perëndia. Nejse, nuk gjetën material, por kishin siguruar prova që unë merresha me propagandë anti-tito. Më morën mua dhe Shpresën dhe na çuan në zyrat e UDB-së. Aty na futën në një dhomë rreth një metër e gjysmë katror, mbushur me buburreca. Si ndenjëm pak aty, na marrin përsëri dhe na çuan te një gjeneral, ku filluan të na shanin e qortonin duke kërkuar se kush na organizonte për propagandën antijugosllave. Që këtej na hypën në tren, ku na vendosën duar lidhur në një vagon të rezervuar për UDB-në dhe na çuan në Prishtinë. Aty na çuan në polici. Godina e saj ishte një ndërtesë tre katëshe e kohës së mesjetës. Na hypën në katin e tretë, na futën në një zyrë me një tavolinë ku rrinin dy burra në këmbë. Të dy ishin të veshur me uniformë ushtarake dhe flisnin shqip. Pas tyre ishte një dritare gjysëm e hapur. Pasi mbaruan fjalën ata, ikën. Një moment u fut aty një ushtarak tjetër. Ai filloi në serbisht duke na sharë me fjalët imorale, të ëprdala etj. Njëkohësisht filloi të shajë partinë tonë, popullin shqiptar, udhëheqësin tonë Enverin...
    Pastaj...
    Pastaj na futën në një qeli. Për të shkuar aty kaluam nëpër një korridor të ngusht ku na printe një kapter me fener në dorë. Në të dyja krahët e korridorit dalloheshin qelitë e ngushta. Brënda tyre kishte kundërshtar të regjimit. E gjitha kjo ishte në katin e katërt nën dhe. Duke ecur duke ecur arritëm te qelia 307.

    vijon nesër...

    Panorama

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,315
    Postimet në Bllog
    22
    Ju rrëfej misionin sekret në Beograd pas divorcit me Titon

    20.01.2010

    ..Vijon nga numri i kaluar

    Në numrin e kaluar gazeta botoi pjesën e parë të rrëfimit të Agllaia Zoto dhënë për emisionin “Histori me zhurmues” të TV Klan. Historia e rrallë e 84 -vjeçares nga Himara zë fill që ditët e para të lëvizjes antifashiste dhe përshkruan tërë periudhën e regjimit komunist. Ish partizania e çetës së Bregut, duke iu rikthyer jetëshkrimit të saj, dëshmon për herë të parë rrethanat misterioze në të cilat u pushkatua Ramize Gjebrea, njëra nga shoqet e ngushta të viteve të luftës. “Atë e pushkatuan nga mbrapa, pa i komunikuar vendimin e gjyqit”, kujton ajo. Ndërkaq, sjell mbresat e veta nga ditët e studimeve në Beograd, ku shkoi me interesimin e Enverit bashkë me 500 të tjerë. Në vijim, Agllai Zoto rrëfen se çfarë ndodhi pas divorcit me Titon dhe peripecitë e studentëve shqiptarë që mbetën në Jugosllavi...
    UDB-ja më në fund e bëri detyrën e saj. Na kapi duke propaganduar tradhtinë e Titos dhe na futi në burgun e Prishtinës. Për të shkuar deri te qelia që na kishin caktuar kaluam nëpër një korridor të ngushtë. Përpara na printe një kapter me fener në dorë. Në të dyja krahët e korridorit dalloheshin qelitë e ngushta. Brenda tyre kishte kundërshtarë të regjimit. E gjitha kjo ishte në katin e katërt nën dhe. Duke ecur, duke ecur arritëm te qelia 307. “Këtu është varri juaj” na tha polici që na tregoi portën dhe pastaj vazhdoi “Kush ka hyrë këtu nuk ka dalë i gjallë”. Sakaq mbylli derën, i vuri çelësin dhe u largua. I hodhëm qelisë një sy rreth e qark. Ajo ishte gati një metër e gjysmë katror dhe shumë e ulët. Unë isha 1.70 e gjatë, ndërsa Shpresa rreth 1.80cm. Pra, nuk mund të shtriheshim lirshëm. Po jo vetëm kaq. Aty nuk kishte as dyshek, as batanije, as një kuvertë, madje as kashtë. Një moment, Shpresa më përqafoi dhe ashtu siç ishim u kumbisëm dhe na zuri gjumi. Kur u zgjuam Shpresa më tha: - të paktën të kishim një trung ku të vinim kokën dhe një karton për dyshek. Ishin kushte tmerrësisht të këqija. Brenda kishim vetëm një shishe ujë për të pirë dhe për tu larë dhe një kovë për nevojat personale. Ushqimi ishte mizerje. I gjithi ishte vetëm një kothere bukë që me sa dukej u mbetej ushtarëve. Sakaq aty na rrihnin dhe na torturonin si kafshë. Na qëllonin me shqelma, me grushte deri sa mbeteshim pa frymë. E gjithë këmbëngulja e tyre kishte të bënte me interesimin se kush na shtynte në veprimtarinë antijugosllave, kërkonin të dinin mënyrën e organizimit etj. Një ditë erdhi te ne një xhuxh dhe në shqip na u drejtua: Sot për ju kam një lajm të mirë dhe një dhuratë të madhe”. “Pse shqiptar je more maskara?” - iu drejtua Shpresa disi e habitur. Ai na kishte ardhur në qeli edhe më parë po në të gjitha rastet komunikonte me ne në serbisht. Si ndenji pak, xhuxhi u kthye nga Shpresa duke ju përgjigjur: “Po, shqiptar jam, shqiptar nga Kosova”. Si ndenji disa çaste përballë nesh, na afroi te dera e qelisë dhe na tregoi portën në fund të korridorit. “Shkoni atje , tha dhe zhdukuni, zhdukuni sa më parë!”. “Si të zhdukemi?” i thamë ne në një zë. “Dëgjoni mua, shtoi ai shkoni atje dhe ikni, zhdukuni...” Për një moment na u duk diçka provokuese, por këmbëngulja e tij na bindi dhe shkuam. Këmbë pas këmbe dolëm jashtë, ashtu të tronditura. Te trotuari në hyrje të rrugës pamë një njeri si të hutuar që nga mënyra si sillej të linte të kuptoje se nuk ishte normal. Ju afruam kur ç’të shikonim. Ishte një shoku ynë Kasëm Demi, një prej bashkëstudentëve shqiptar, një djalë çam me një paraqitje të bukur. Edhe ai si dukej paskësh patur fatin tonë...
    Edhe ai kishte qenë student në Jugosllavi...
    Edhe ai aty kishte qenë, por e kishin kapur dhe e kishin burgosur duke e torturuar. Gjatë torturave kishte pësuar tronditje të fortë psikike. Teksa mundoheshim të komunikonim me Kasemin, para nesh qëndroi një karrocë plehrash me një kalë rakitik dhe një të moshuar mbi të. Donim nuk donim hipëm në të, dhe morëm rrugën nëpër kodra e lugina deri sa mbërritëm në kufirin serbo-shqiptar. Sa mbërritëm aty erdhën ushtarët e postës së kufirit. I pari që u afrua në drejtimin tonë ishte një oficer trupmadh. Ai në fillim ndaloi pranë meje dhe si më vështroi me vëmendje, m’u drejtua: “Mos je Agllaia Zoto ti?”. “Po, i thashë dhe pasi i tregova gjithë historinë i kërkova të na niste sa më shpejt për në Tiranë...
    Pra, komandanti i postës ju njohu...
    Me të kishim qenë bashkë më vitet e luftës. Ai kishte qenë përgjegjës i një pjese të vogël të zonës së Mesaplikut. Hasan e quanin. Mbiemri nuk më kujtohet...
    U nisët për në Tiranë...
    Po atë ditë u nisëm dhe mbërritëm në Tiranë. E mori vesh dhe Enver Hoxha që u kthyem. Ishte bërë zhurmë e madhe historia jonë. Veçanërisht Ministria e Jashtme kishte nisur një aksion të gjerë me nota verbale dhe kërkesa të njëpasnjëshme për Beogradin. Në Shqipëri diheshim të zhdukur. Bile, as daja im, që ishte ambasador nuk dinte gjë për fatin tonë. Sa mbërritëm më thirri Enver Hoxha. “Agllai, më tha, kishim edhe ne një pjesë faji, por nuk kishim cfarë të bënim. Duhej patjetër që një pjesë të qëndronte aty dhe të bënte atë punë që bëtë ju. Sidoqoftë, gjërat tani do të rregullohen dhe ju do të vazhdoni studimet. Ti do të shkosh me studime në Sofje në Bullgari meqë ke dhe dajon aty Ambasador. (Në atë kohë daja im, Vasil Konomi ishte përfaqësuesi i Shqipërisë në Bullgari). Ashtu u bë. Unë shkova për studime për shkenca juridike, ekonomike. Të tjerët jo për histori, mjekësi etj...
    Në vitin 50 mbaruat studimet në Bullgari dhe filluat të ngjisnin shkallët e karrierës deri në nivelin e prokurores...
    Sa u ktheva në Tiranë me diplomën e juristes, më thirri Bilbil Klosi. Me të kishim qenë shokë lufte. Ai më mori në Ministrinë e Drejtësisë dhe më emëroi drejtoreshë të sektorit juridik të dikasterit të tij. Ishte një punë jo e keqe, por të them të drejtën unë nuk gjeja rehat dhe më dukej se vegjetoja pa ndonjë përgjegjësi. Kisha pasion funksionin e prokurorit dhe shkova te Manush Myftiu dhe Hysni Kapua duke u kërkuar të ushtroja këtë detyrë. Më pyetën pse këmbëngulja për tu bërë prokurore. U shpjegova se gjatë luftës kam parë ballistë që bashkëpunuan nga afër me pushtuesin dhe kërkoja t’i vija para drejtësisë për t’u treguar vendin. Ata e panë që unë isha e vendosur dhe i telefonuan Aranit Çelës duke i thënë që të më sistemonte me detyrën e prokurores. Me Aranitin njihesha që në vitet e luftës. Që në kontaktin e parë Araniti më sqaroi se nuk mund të më bënte prokurore në qytet për tu futur në dhoma të parandalimit e për tu marrë me lloj lloj kriminelësh të rrezikshëm. “Unë ty do të dërgoj në Veri, më tha Araniti. Aty ku armiku hedh diversant që të sabotojë popullin. Do shkosh, tha me Enver Rexhën që është hetuesi më i shquar i Ministrisë së Brendshme. Puna juaj do të përqendrohet me hetimin e diversantëve të kapur. Pastaj kur të përpilonin aktakuzën e tyre do t’i bini në Tiranë. Kështu vazhdova një vit si hetuese e Prokurorisë së Përgjithshme. Në vazhdim me insistimin tim më bënë Prokurore të Tiranës...
    Çfarë ngjarjesh mbani mend nga koha kur kryenit detyrën e hetueses ndaj diversantëve dhe pjesëtarëve të bandave që operonin në Veri?
    Ajo që desha të veçoj ka të bëjë me faktin se të gjithë këta misionarë që vinin nga jashtë e zbarkonin si diversant ishin shqiptarë. Më kujtohet se me ta hetuesi me të cilin punoja sillej shumë keq. Ai nevrikosej jashtë mase, i rrihte me grushte e shkelma, i qëllonte sa kishte fuqi duke i lënë shumë herë pa frymë për toke. Shpesh herë i ndërhyja duke i thënë: Mos kështu se do na mbeten në dorë dhe do ndëshkohemi ne. “Kështu e meritojnë se janë armiq, sabotatorë”, më thoshte me një bindje të padiskutueshme ai...
    Ndërkaq, keni drejtuar shumë seanca gjyqësore si Prokurore në Tiranë...
    Kam drejtuar vërtetë shumë seanca gjyqësore në Tiranë për raste vjedhjesh, abuzimesh, sabotimesh, rrahjesh, por asnjëherë çështje të karakterit ushtarak. Këto të fundit i trajtonte Gjykata Ushtarake e cila jepte dhe dënimet kapitale...
    Pse jeni rikthyer në Sofje në vitin 58?
    Ofertën për të shkuar në Bullgari ma bëri Enveri. Ai më thirri një ditë dhe më tha se duhej të merrja nënë Uraninë që ishte sëmurë dhe të shkoja në Bullgari për ta kuruar. Interesimi i tij për nënën time, të them të drejtën më gëzonte jo pak. Kështu, një ditë të bukur bashkë Uraninë mbërritëm në Sofje. Sa u sistemuam në hotel, i thashë nënës të pushonte dhe vet dola për të shkuar në Prokurorinë e Përgjithshme për të takuar Prokurorin e Përgjithshëm dhe kolegët e mi. Godina e saj në atë kohë ishte një nga pallatet më të bukura të Evropës. Për ndërtimin e saj kane punuar 4000 veta për 40 vjet me radhë. Ajo është ndërtuar që në fillim për pallat drejtësie dhe ka salla gjyqi madhështore. Hipa në katin e katërt dhe trokita te zura e Prokurorit të Përgjithshëm. Ajo më priti me gëzim të madhe. “Po ku je moj Shqiponjë?” më tha që në kontaktin e parë. Gjatë studimeve në Sofje më thërrisnin “Shqiponjë” me që isha nga Shqipëria dhe ajo njihej atëherë si vendi i shqiponjave. Aty për aty i shpjegova se pse ndodhesha në Bullgari. Gjatë bisedës ai më tha se ishte duke u zhvilluar një simpozium ndërkombëtar për drejtësinë. Sakaq, shtoi se meqë nuk kishte përfaqësues nga Shqipëria do të ishte mirë që unë të merrja pjesë në të. E pranova me kënaqësi ofertën, por shtova se nuk mund ta merrja këtë përgjegjësi pa u marrë vesh me Ambasadën tonë në Sofje. Ai më shpjegoi se ambasadorin shqiptar e kishte mik dhe aty për aty ngriti telefonin dhe mori Vasil Konomin. Ky i fundit, sa mori vesh për kë bëhej fjalë, ia ktheu me qesëndi: Paska ardhur çamarrokja më parë te Prokurori i Përgjithshëm dhe daja i saj nuk di gjë?! Vasili shpjegoi se duhej të shkoja në ambasadë për të marrë porositë e rastit. Ashtu bëra. Për pak çaste u ndava me kreun e prokurorisë dhe zbrita në katin tjetër për tu takuar me prokurorin me të cilin kisha bërë praktikën gjyqësore gjatë viteve të shkollës. Atë e quanin Angjelov. Trokita në portën e zyrës dhe çuditërisht në karrigen e tij pashë një tjetër prokuror. Ishte Dhimitër Zdravçev, një nga të njohurit e tjerë të viteve të shkollës. Sa më pa, më takoi me përzemërsi dhe filloi të citojë disa fragmente nga vjersha e Kristobotievit, poetit më të madh bullgar me famë botërore. Biseduam disa çaste në këmbë. Pastaj më ftoi për një kafe në qytet. E falënderova për ftesën duke i treguar se nuk kisha mundësi, pasi në hotel më priste nëna. Aty për aty më propozoi të më shoqëronte dhe u nisëm bashkë. Kur shkuam aty, nënë Urania sa e pa u vrenjt në fytyrë. Pak a shumë e dija çfarë mendonte, por se do të reagonte ashtu nuk më shkonte mëndja. Dhimitri diçka kuptoi, por nuk mund ti shkonte mëndja te fanatizmi i nënës time. Gjithsesi, pas pesë minutash na përshëndeti dhe u largua. Para se të ikte e lamë që të nesërmen të shkonim bashkë në senaturium dhe kështu bëmë. Për 20 ditë që qëndruam në Bullgari, unë gjeta mbështetjen dhe miqësinë e Dhimitrit. Ai erdhi dhe në momentin kur do të niseshim për në Shqipëri. Kishte me vete dy kuti dhuratash, një për nënë Uraninë me një buqetë me lule të bardha si thinjat e saj dhe një për mua me tridhjetë trëndafila të kuq. Kur do ikte më vuri buqetën e karafilave në duar dhe më puthi në faqe. Kjo ja shtoi dhe më shumë dyshimin nënës time e cila sa u largua Dhimitri m’u kthye qortueshëm:”Ti bija ime, nuk do ti thuash gjë nënës tënde?” Pastaj kërkoi të mësonte diçka më shumë për atë që ajo e quante simpatizanti im, duke më kujtuar për të hapur pakon që më kishte dhuruar. E hapa gjithë kërshëri dhe vura para saj të gjitha suveniret e Dhimitrit, një varëse, një unazë dhe byzylykun vezullues. Nënë Urania, u hodhi një sy kalimthi dhe u kthye nga unë: Pse nuk thua se ky Dhimitri ti ka hedhur zinxhirët!...
    Më në fund u kthyet në Tiranë...
    Qysh në Rinas na u rezervua një pritje e ngrohtë. Kishin dalë për të na pritur mjaft miq e të afërm. Midis tyre dhe dy nga kandidatët që kishin kërkuar të martoheshin me mua. Deri atëherë nuk kisha prerë fjalën me asnjërin, por ata vazhdonin në këmbënguljen e vet. Të nesërmen e zbritjes në Tiranë fillova punë në prokurori...
    Të rikthehemi te historia me Dhimitrin e Bullgarisë. Gjithçka u mbyll me dhuratën e asaj dite përcjelljeje...
    Përkundrazi, ajo ishte faqja e parë e historisë me të. Një ditë teksa isha në zyrë, Dhimitri më telefonoi nga Zvicra dhe më tha se do të vinte në Tiranë dhe kërkonte të më takonte për një çështje të rëndësishme. “Si thua, më pranon?”, pyeti ai. “Si jo, me gjithë qejf!”, iu përgjigja. Tanimë Dhimitri ishte shfaqur i plotë në ofertën e tij. Rrugëtimi në Shqipëri me sa dukej do ta zbulonte përfundimisht atë. Po si do ta rregulloja me nënë Uraninë?! Nejse. Shkova në shtëpi. Në atë kohë banonim te “Ali Demi” bashkë me njërin nga vëllezërit. I tregova Uranisë mesazhin e telefonit të Dhimitrit. Avioni do vinte të nesërmen në orën 10. Në mbrëmje lajmërova dy mikeshat e mia, Liri Gjolikun dhe Violeta Manushin dhe bashkë me to dolëm për ta pritur Dhimitrin në aeroport. Të nesërmen ai më tha se donte të takonte Enver Hoxhën. Bisedova me sekretarin e Presidentit, një ish partizan nga Qeparoi dhe me ndërhyrjen e tij takimi u realizua. Enveri e priti në zyrë dhe bisedoi me të rreth gjysmë ore. Gjatë kësaj kohe ne e prisnim jashtë. Kur doli dukej i qeshur. Sa u afrua, mu drejtua me një ton emocional: “Agllaia! Nëse ti në prani të këtyre njerëzve më thua “po”, unë bëhem njeriu më i lumtur i botës”. Më vonë Dhimtri më shpjegoi gjerë e gjatë si kishte rrjedhur takimi me Enverin. Qysh në fillim Enveri e kishte pyetur gjithë kërshëri: Çfarë u solli te ne, bukuria e Shqipërisë apo bukuria e Agllaisë?! “Bukuria e të dyjave” ishte përgjigjur Dhimitri duke i treguar arsyen e vërtetë. Pas dy tre ditësh, kur ai ishte larguar më thirri Enveri dhe më tha se i kishte shkuar në zyrë një bullgar dhe i kishte kërkuar dorën për mua...
    Sepse në atë kohë...
    Sepse në atë kohë ligji e ndalonte martesën e kuadrove të lartë me të huajt...
    Pra Byroja Politike mori vendimin që ju të martoheshit me bullgarin Dhimitër Zdravçev...
    E tillë ishte koha atëherë. E keqja në këtë rast nuk ishte te pëlqimi i Byrosë Politike, por te hezitimi i nënë Uranisë, e cila nuk e miratoi asnjëherë këtë martesë. Ajo nuk ma dha asnjëherë bekimin që japin nënat për martesat e vajzave. Sipas saj, një martesë me të huajt, të bënte të huaj për Shqipërinë. Tërë jetën e pata brengë që nuk e mora bekimin e nënë Uranisë...
    Pra, shkuat e krijuat familje në Bullgari...
    Aty fillimisht isha e nderuar, kisha lavdi, pushtet, ndjehesha e lumtur...
    Punuat në profesionin tuaj aty...
    Në Sofje punova prokurore Qarku. Pastaj më bënë Prokurore të Përgjithshme dhe më së fundi më emëruan zëvendësministre. Sidoqoftë, gjërat nuk do shkonin mirë deri në fund. Një ditë më thirri Presidenti i Bullgarisë Teodor Zhivkov dhe më tërhoqi vëmendjen:”Ti Agllai, më tha, ke deklaruar se diktatura jonë ja kalon dhe asaj të fashizmit. E pakënaqur je ti? Ç’të të të dhurojë më shumë Partia jonë? Po vazhdove kështu, do të ta presim gjuhën!”. Kaq ishte goditja e parë. Pas saj do vinte rrebeshi, përndjekja, drama...
    Pra ju kishit folur dhe kishit denoncuar fenomenet që vinit re në realitetin bullgar...
    Kisha konstatuar mjaft shfaqje të shëmtuara gjatë ushtrimit të detyrës. Veçanërisht kisha prekur korrupsionin e gjykatave. Vajzat që mbaronin studimet e juridikut dhe aplikonin për punë, përgjegjësit e gjykatave kërkonin t’i kalonin një herë në duart e tyre pastaj t’i emëronin në detyrë. Tjetër: Sipas ligjit të asaj kohe dënohej njëlloj si mendimi dhe veprimi, gjë që nuk ekzistonte në asnjë nga vendet diktatoriale. Po kështu, autoritetet nuk u jepnin qytetarëve të thjeshtë pasaportë për të dalë jashtë shtetit që të takoheshin me të afërmit e tyre. Pra, një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut...
    Të rikthehemi te takimi me Zhivkovin, çfarë ndodhi më tej në komunikimin e asaj dite me të?
    President Zivkovi më kërkoi teserën e Parisë, por unë kundërshtova dhe i thashë se do ta dorëzoja ku e kisha marrë. Po atë ditë më thirrën në Komitetin e Partisë dhe më kërkuan të njëjtën gjë duke m’u hakërryer me fjalë nga më të çuditshmet “armike e popullit”, “e padëshirueshme”, “e rrezikshme” etj.
    E pa dëshirueshme dhe e rrezikshme nuk jam unë, u thashë, por juve që keni devijuar nga premtimet që i keni dhënë popullit gjatë luftës nacionalçlirimtare dhe në fillimet e pushtetit popullor. Ju e keni kthyer sistemin, të tmerrshëm, agresiv dhe brutal më keq se fashizmi. Hodha teserën e partisë mbi tavolinë dhe u largova e indinjuar...

    vijon nesër...

    Panorama

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,315
    Postimet në Bllog
    22
    Misioni i Kadri Hazbiut në Sofje: Enveri kërkon divorcin me Zdravçevin

    21.01.2010

    ...Vijon nga numri i kaluar

    Nga qelitë e UDB-së, në auditorët e Sofjes për tu diplomuar juriste, pastaj në Tiranë, prokurore përballë diversantëve dhe pjesëtarëve të bandave! Rrëfimi i Agllai Zotos publikuar në numrin e djeshëm të gazetës, veç këtij “shtegtimi” që i përket fillimit të viteve 50, zbulon pjesën më interesante të jetëshkrimit të saj, ku një vend të veçantë zë martesa dhe divorci me prokurorin bullgar Dhimitër Zdravçevi. Në të dyja rastet, kujton Agllaia, përcaktues ishte Enveri, i cili bekoi i pari këtë lidhe dhe po i pari urdhëroi prishjen e saj kur u prishëm me Moskën. Sakaq, gruaja që ndau jetën midis Sofjes dhe Tiranës veçon përjetimet nga vitet kur ushtroi detyrën e Zëvendësministres së Drejtësisë së Bullgarisë. Rebelimi për padrejtësitë e regjimit, pas shkarkimit nga funksioni, do ti kushtonte një kalvar të tërë vuajtjesh e persekucioni. Ndëshkimin së pari do ta merrte në zyrën e kryetarit të shtetit, i cili me dy fjalë “do ta presim gjuhën”, e shpalli zyrtarisht të padëshirueshme dhe të rrezikshme. Në vijim Agllaia Zoto tregon mënyrën si u kryqëzua nga shërbimet sekrete dhe KGB-ja të cilat e gjurmonin për ta risjellë në Sofje ku ishte dënuar me pushkatim...
    President Zivkovi më kërkoi teserën e Parisë, por unë kundërshtova dhe i thashë se do ta dorëzoja ku e kisha marrë. Po atë ditë më thirrën në Komitetin e Partisë dhe më kërkuan të njëjtën gjë duke mu hakërryer me fjalë nga më të çuditshmet “armike e popullit”, “e padëshirueshme”, “e rrezikshme” etj. E pa dëshirueshme dhe e rrezikshme nuk jam unë, u thashë, por juve që keni devijuar nga premtimet që i keni dhënë popullit gjatë luftës nacionalçlirimtare dhe në fillimet e pushtetit popullor. Ju e keni kthyer sistemin, të tmerrshëm, agresiv dhe brutal më keq se fashizmi. Hodha teserën e partisë mbi tavolinë dhe u largova e indinjuar...
    Ndërkohë çfarë ndodhte në familjen tuaj?
    Kishte ndodhur divorci i madh i Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Tirana turmetonte me të madhe luftën ndaj vendeve satelite të Moskës ku përfshihej dhe Bullgaria e cila kishte mbështetur qëndrimet e Hrushovit. Në këtë periudhë, me porosi të Enverit erdhi dy herë në Sofje Kadri Hazbiu dhe më kërkonte me ngut të ndahesha me Dhimitrin që mos të konsiderohesha revizioniste. Ishte diçka dramatike. Refuzimi, sipas logjikës së regjimit do të thoshte goditje fatale jo vetëm për mua. Do të thoshte burg për nënën, vëllezërit, internim deri te gjenerata e shtatë e të afërmve. Veç Kadri Hazbiut erdhi me këtë mesazh në Sofje dhe Aleko Sheti një kushëri ynë që ishte funksionar i lart i Ministrisë së Jashtme...
    Deri në momentin që u kërcënoi Zhivkovi, kishit ardhur ndonjëherë në Shqipëri?
    Në Tiranë erdhëm në muajin e mjaltit, pasi kishim kaluar në të gjitha kryeqytet e Evropës. Erdhëm nga Greqia. Kur mbërritëm, na thirrën në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe na qortuan pse kishim takuar në Athinë dajon tim, vëllain e Uranisë. Kjo e revoltoi shumë tim shoq Dhimitrin dhe aty për aty shpërtheu me zemrat: “Kush jeni ju që na kërkoni llogari nga do shkojmë e kë do takojmë?! Unë shkoj ku të dua e takohem me kë dua! Vetëm regjimet fashiste mund të sillen kështu!”
    A ndikoi presioni i liderëve të Tiranës për tu divorcuar me Dhimitrin?
    Unë u ndava me bashkëshortin, por nuk ishte vetëm kjo arsyeja e divorcit. Ishte momenti kur dhe marrëdhëniet shtetërore ishin futur në krizë të thellë. Pastaj unë isha shpallur zyrtarisht e rrezikshme dhe e padëshiruar në Bullgari. Më lehtë bëja punë propagandistike në regjimin fashist e nazist se në regjimin komunist të Sofjes. Aty ishte instaluar një diktaturë krejtësisht çnjerëzore...
    Kjo u shtyu të jepnit dorëheqjen përpara Prokurorit të Përgjithshëm?
    Nuk bëhet fjalë për një dorëheqje në kushte normale. Ishte si të thuash diçka e detyruar, e imponuar forcërisht. Një ditë më thirri Prokurori i Përgjithshëm i cili e kishte bërë gati letrën e dorëheqjes dhe ma zgjati ta firmosja. Ky me sa dukej ishte një ritual krejt formal. Teksa priste të nënshkruaja dokumentin ogurzi, prokurori më sqaroi se po të kundërshtoja dorëheqjen me vullnetin tim, do më përjashtonin zyrtarisht nga detyra dhe kjo do të shoqërohej me pasoja të rënda, çka parashikonte se në këtë rast nuk do të gjeja punë as për të pastruar shkallët e pallateve. Shkurt, nuk mbetej gjë tjetër vetëm të pranoja zgjidhjen e ofruar. Me dorën që më dridhej hodha firmën në letrën që më ofroi Prokurori dhe u largova. Ika që aty e dërrmuar, por nuk dija ku të shkoja. Një moment thashë të shkojë për tu qetësuar në Novazagora te shoqja ime e ngushtë Sllavka Jani e cila ishte drejtoreshë e Muzeut Historik Kombëtar të Bullgarisë. Mora makinën dhe u nisa. Pas 120 kilometrave rrugë ndalova para portës së saj. Kur po i bija ziles për tu futur brenda, më zunë me forcë për krahu dy burra dhe më urdhëruan të shkoj me ta. I pyeta kush ishin dhe ata më nxorën dokumentin e Policisë Sekrete pa fol. Sakaq më morën në makinën e tyre dhe bashkë me ta shkuam te shtëpia ime. Aty më kërkuan t’i qerasja. U hodha pijen që kisha. Mora një gotë dhe për vete. Një moment njëri kërkoi ujë dhe u çova. Kur u ktheva në gotën time diçka kishin hedhur dhe sa e vura në buzë rashë përdhe. Nga ai çast nuk mbaj mënd gjë. Të nesërmen e shoh veten në një nga dhomat e çmendinës, ku kishte dhe disa të tjerë, kryesisht opozitar të ndëshkuar të regjimit. Mbaj mënd që më jepnin ilaçe me grusht dhe me impononin që ti pija me zor. Më hapnin gojën me forcë dhe më hidhnin ujë në fyt duke më mbajtur në këmbë deri sa i kaloja poshtë. Herë pas here më merrnin dhe më çonin në një bodrum që ishte dy kate më poshtë dhe aty më lidhnin këmbë e duar. Sakaq nuk vononte dhe vinin dy bullgare që fillonin me rrebeshin e sharjeve “Armike e Popullit”, “Tradhtare”, “Shtrigë e shitur” duke më qëlluar me çfarë të mundnin. Orë të tëra kalonin kështu nën një torturë të tmerrshme. Pastaj më merrnin zvarrë e më çonin në dhomë. Kanë qenë ditë e net ferri ato që edhe varrit kam për t’ja treguar. Po e keqja nuk mbyllej këtu. Pas këtij kalvari, erdhi radha për të më bërë kafshë eksperimentale për auditorët e bluzave të bardha. Më merrnin me forcë dhe më shpinin në fakultetin e mjekësisë, më vinin përballë studentëve dhe profesorëve të psikiatrisë dhe më fusnin nga goja ca ilaçe të provuara rishtas te miqtë dhe kafshët e tjera. Qëndroja e ngrirë në karrige sa fillonte efekti i tyre. Pastaj profesorët afronin aty studentët dhe flisnin për to duke vëzhguar nga afër reagimet e mija. Një tmerr i jashtëzakonshëm. Një tjetërsim njerëzor i paimagjinueshëm. Do kalonin kështu seanca pa mbarim. Do vazhdonte kjo histori pa ndërprerje rreth një vit. Ndoshta do të kalonte më tej, po deshi fati dhe shpëtova krejt rastësisht...
    Çfarë ndodhi?
    Gjatë seancave që bënim në auditorin e fakultetit të mjekësisë, një ditë më njohu njëri nga profesorët e psikiatrisë. Ai e kuptoi lojën që ishte bërë dhe organizoi largimin tim nga ky ferr. Madje mundësoi dhe largimin tim në Francë. “Shko aty, më tha dhe dëshmoi Perëndimit skëterrën e Lindjes...
    Ndërkaq mbërritët në Francë...
    Qysh në fillim u vendosa në Paris. Shkova te avokati i njohur Pjer Kalor, i cili ishte anëtar i Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Francës dhe njëri nga avokatët e Nelson Mandelës. Duke i kërkuar ndihmë, i shpjegova arsyet pse kërkoja të sistemohesha aty, duke u përqendruar kryesisht në rrethanat e divorcit me burrin, gjë që ishte e vërtetë, por jo arsyeja kryesore e largimit tim nga Bullgaria. Me ndihmën e Pjer Kalorit mund të vë në vijë çështjen e dokumenteve. Fillova të integrohem në jetën e Parisit. Pasi mora veten nga vuajtjet e çmendinës, nisa nga puna për të pasqyruar skëterrën e vendeve totalitare të Ballkanit. Bëra intervista në Radio, në Televizion, shkrova libra. Kryemesazhi i tyre: denoncimi i diktaturës së regjimeve komuniste të Ballkanit. Në një kohë të shkurtër botova shtatë libra me këtë temë. Jehona e tyre ishte e madhe sidomos në opinionin francez.
    Ndërkaq, mjaft syresh kishin rënë dhe në dorën e zbulimeve sekrete bullgare të cilat bashkë me KGB-në ishin vënë në gjurmimin tim dhe ishin përfshirë në misionin për të më rikthyer në Sofje ku më kishin dënuar në mungesë me vdekje për veprimtari antikomuniste antibullgare. Pikërisht për tu mbrojtur nga këto tentativa kisha kërkuar mbrojtjen e Ministrisë së Brendshme të Francës
    A e keni ndjerë veprimtarinë e shërbimeve sekrete gjatë kohës që ishit në Paris?
    Gati çdo ditë ndjehesha e ndjekur dhe e gjurmuar prej tyre. Një darkë, teksa kthehesha në shtëpi pas një takimi ndërkombëtar në Odeon ku isha ftuar nga Sekretari i Përgjithshëm Ilva Lutirner (profesor filozofie në Sorbon) konstatova se banesa ime ishte kontrolluar dhe gjithçka në të ishte bërë rrëmujë. Atëherë banoja në Ruidesen, në rrugën e Senes Nr 32 kati i shtatë që ishte dhe kati i fundit. Agjentët e KGB-së ishin futur nga lart, dhe gjatë zbritjes kishin rrëzuar dhe kundrabufenë duke lëshuar përtokë xhama, filxhanë, pjata e gjithçka tjetër që ishte në të. E kuptova menjëherë qëllimin e plaçkitjes. Gjithsesi, operacioni kishte qenë pa pasoja. Po raste të tilla kam përjetuar me dhjetëra. Unë e dija që më ndiqnin. Në kofidencë Kryetari i Gjykatës së Lartë të Bullgarisë më kishte njoftuar se në Sofje më kishin dënuar me vdekje në mungesë...
    Policia sekrete bullgare dhe KGB-ja kanë kërkuar që...
    Që të më kthejnë në Bullgari dhe me këto prova, me këto botime, me këto foto kamera të më dënonin me vdekje. Pra materiali ishte i bollshëm, madje nuk kishte nevojë për kaq shumë. Me gjysmë e veprimtarisë që kisha konsumuar, e përligjja sipas logjikës së ligjit të tyre dënimin maksimal. Në atë periudhë, siç e thashë botimet e mia bënë jehonë të madhe në Paris. Mjaft profesor të shquar shkruanin atëherë se shkrimet e Agllaia Zotos kanë një vlerë të veçantë edhe nga fakti që ajo kritikon zbatimin e keq dhe jo të drejt të filozofisë së socializmit, por jo ideologjinë, sepse vazhdon të aspirojë një shoqëri njerëzore humane dhe të drejt. Po të më pyesësh sot se a e do atë regjim, unë do të thosha: Kurrë ashtu si ka qenë. Asnjëherë shoqëria njerëzore mos provoftë një skëterrë të tillë! Premtuam shumë në fillimet tona ne ish partizanët e ish komunistët, por një vrimë në ujë u bë.
    Kjo veprimtari krijuese në Paris ju dha mundësinë për tu njohur me shumë personalitete franceze...
    Do të veçoja këtu njohjen me Pjer Kaldor, një figurë e shquar kjo e Francës së asaj periudhe. Miqësia me të do më shtonte të tjerë shokë e miq të fushës së kulturës, të artit e të shkencës.
    Mbështetja dhe inkurajimi i tyre ka qenë shumë e madhe. Prej saj jo vetëm që kam përfituar shumë nga ana profesionale e krijuese, por kam marrë dhe shumë vlerësime nga institucione prestigjioze. Kështu në vitin 1975 jam dekoruar me medalje argjendi si grua simbol për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe paqen botërore. Ishte në nderin tim që këtë dekoratë ma dorëzoi artisti me famë botërore Zhan Gobel. Medaljen e dytë e kam marrë nga Fondacioni “Pro Patria”. Sakaq kam marrë dhe një medalje të tretë të cilën ma ka dorëzuar prefekti i Athinës. Po këto nuk janë të vetmet dekorata. Gjashtë të tilla i kam marrë për kontributin gjatë viteve të luftës. Nejse. Le të vazhdojmë për përkrahjen që më kanë dhënë personalitetet franceze. Me mbështetjen e një gruaje të shquar e cila ishte anëtare e KQ të Francës dhe kryetare e sindikatave franceze jam njohur me Miteranin. Jam takuar me të disa herë, bile deri vonë kam pasur dhe korrespodencë me letra. Një nga letrat e tij e kam botuar dhe në librin tim të fundit...
    Si e siguronit jetesën në Paris?
    Përveç mbështetjes nga Pjer Kaldor nëpërmjet të cilës siguroja një rogë mujore, merresha edhe me përkthime, Fakti që dija shtatë gjuhë të huaja, më jepte avantazh jo të vogël në këtë punë. Një nga prokurimet e mija të asaj periudhe ishte njohja e mënyrës së jetesës së aristokracisë franceze. Shkova një ditë te katedralja Madalena. Në qendër të saj pashë në tavolinë një grua që shkruante pa e çuar kokën. Rreth e qark saj ishin me dhjetëra gra të tjera. Një moment u bëra kurjoze dhe u afrova te gruaja që shkruante në bllok. E pyeta çfarë bënte dhe mu përgjigj aty për aty: Unë jam përgjegjëse e gjithë atyre grave që kanë nevojë për një këshillë, për një përkrahje, për ndihmë morale. Mblidhemi këtu dhe pastaj shkojmë dhe pimë ndonjë çaj. Po, ju më pyeti ajo cila jeni. Sakaq i thashë diçka mbi personin tim, Ju qenkeni shumë interesante, më tha dhe më ftoi të nesërmen në shtëpi. Shtëpinë e kishte në Zhamizhel, afër banesës time. I kërkova të më ndihmonte për të kontaktuar me gratë aristokrate dhe ajo më premtoi pa hezituar. Do të të njohë unë, tha me disa mikesha të mija, disa janë nga familja mbretërore franceze dhe disa nga princeshat bjelloruse që jetojnë në Paris prej vitesh. Që të nesërmen më njohu me dy të tilla. Unë e pata të vështirë të punoja për to, pasi vetëm procesin e hekurosjes mund të bëja në banesat e tyre dhe asgjë tjetër...

    vijon nesër...

    Panorama

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,315
    Postimet në Bllog
    22
    Policia e Lushnjës, ferri ku u paraqita 10998 herë në 5 vjet

    Pandi Laço
    22-01-2010

    “Kur regjimin e shkela në kallo dhe fillova të denoncoj dhunën e tij, më hoqën nga detyra menjëherë dhe më përplasën në çmendinë. Madje në psikiatrinë e Sofjes më bënë kaive eksperimentale!” Përtej këtij momenti që përcakton fillim e dramës të ish prokurores së Bullgarisë me kombësi shqiptare, në numrin e djeshëm gazeta publikoi kujtimet e Agllaia Zotos nga dit-netët kur gjurmohej nga KGB-ja dhe shërbimi sekret i Sofjes për tu ekzekutuar sipas vendimit të Gjykatës Ushtarake Bullgare.
    Ndërkaq, ajo çfarë ndodhi me të gjatë kohës kur jetonte në Paris dhe mbështetja që gjeti aty nga personalitetet më në zë të Francës, përbëjnë pjesën më interesante të retrospektivës së panjohur nga opinioni shqiptar. Ndërkaq, Zoto zbulon për herë të parë mënyrën dhe rrethanat si është divorcuar me prokurorin Dhimtër Zdravçevin, duke kujtuar misionin e Kadri Hazbiut në Sofje, i cili i transmetoi urdhrin e Enverit për ndërprerjen e kësaj lidhje të bekuar prej tij...Përveç mbështetjes nga Pjer Kaldor nëpërmjet të cilës siguroja një rogë mujore, merresha edhe me përkthime, Fakti që dija shtatë gjuhë të huaja, më jepte avantazh jo të vogël në këtë punë. Një nga preokupimet e mija të asaj periudhe ishte njohja e mënyrës së jetesës së aristokracisë franceze. Shkova një ditë te katedralja Madalena. Në qendër të saj pashë në tavolinë një grua që shkruante pa e çuar kokën. Rreth e qark saj ishin me dhjetëra gra të tjera. Një moment u bëra kurjoze dhe u afrova te gruaja që shkruante në bllok. E pyeta çfarë bënte dhe mu përgjigj aty për aty: Unë jam përgjegjëse e gjithë atyre grave që kanë nevojë për një këshillë, për një përkrahje, për ndihmë morale. Mblidhemi këtu dhe pastaj shkojmë dhe pimë ndonjë çaj. Po, ju më pyeti ajo cila jeni. Sakaq i thashë diçka mbi personin tim, Ju qenkeni shumë interesante, më tha dhe më ftoi të nesërmen në shtëpi. Shtëpinë e kishte në Zhamizhel, afër banesës time. I kërkova të më ndihmonte për të kontaktuar me gratë aristokrate dhe ajo më premtoi pa hezituar. Do të njohë unë, tha me disa mikesha të mija, disa janë nga familja mbretërore franceze dhe disa nga princeshat bjelloruse që jetojnë në Paris prej vitesh. Që të nesërmen më njohu me dy të tilla. Unë e pata të vështirë të punoja për to, pasi vetëm procesin e hekurosjes mund të bëja në banesat e tyre dhe asgjë tjetër...
    Megjithëse u morët me krijimtari kundër regjimeve totalitare të Ballkanit, kundër Shqipërisë nuk shkruat asnjëherë. Përkundrazi me ambasadën tonë në Paris keni pasur raporte korrekte...
    Kisha 10 vjet që kërkoja të vija në Shqipëri. Komunikimin me njerëzit deri atëherë e mbaja vetëm me letra. Dita ditës këmbëngulja si e si të vija. Mirëpo Enveri megjithë përkrahjen e veçantë që më ka dhënë për problemet jetike që kam pasur, siç e kam shkruar në librat e mi, nuk më jepte vizë për të parë nënën që po shkonte 100 vjeçe. Madje as nënë Uranisë nuk i jepte vizë për të ardhur në Paris. I kishte kapur frika e propagandës që bëja unë në perëndim kundër regjimeve totalitare komuniste. Kishin frikë se do të shkruaja dhe për Shqipërinë. Po unë për Shqipërinë çdo gjë që shkruaja e konsultoja me shkrimtarin më të madh francez të asaj kohe Zhylbert Pyry, i cili ishte intelektual i spikatur i së majtës. Ai më thoshte se Shqipërinë e njihte shumë mirë dhe ishte mik i ngushtë i Enver Hoxhës. Bile, thoshte se kur vinte në Tiranë nuk flinte në hotel por në shtëpinë e Enverit në bllok. Në fakt unë kisha bindjen se i vetmi vend në botë që i qëndronte besnik idealeve dhe premtimeve tona të kohës së luftës nacionalçlirimtare ishte Shqipëria, kurse Shqipëria ishte burgu më i madh, regjimi më çnjerëzor, më i ashpër, më i egër, më i pamoralshëm...
    Më në fund e morët vizën dhe erdhët...
    Kjo ishte një histori më vete që më ka bërë të vuaj për shumë kohë. Si ambasadori Dhimitër Lamani dhe Javer Malua më thoshin gjithmonë se ishin të predispozuar për të më ndihmuar që të më pajisnin me vizë, por sipas tyre, nuk dihej arsyeja e vërtetë pse nuk miratohej kërkesa e tyre nga zyrtarët e Tiranës. Kur erdhi një sekretar i ri në Ambasadë, Nendret Hoxha e quanin, gjërat filluan të lëvizin për mirë. Një ditë ai më thirri dhe më tha se kërkesa ime ishte marrë parasysh. Bile më shpjegoi se nuk do më jepnin pasaportë të thjeshtë por pasaportë diplomatike për të qenë më e sigurt në lëvizjen time në drejtim të Shqipërisë. Pastaj kur më përcolli, diku afër portës më ndaloi dhe filloi të më porosis: Agllai, Shqipëria nuk është ajo që mendon ti. Ta them këtë në kofidencë për ta pasur parasysh. Kur të shkosh aty, duhet të kesh kujdes që mos të mburrësh asgjë nga Perëndimi. Nuk duhet të tregosh asnjë konsideratë pozitive për Perëndimin. E para kjo. Tjetra: Nuk duhet të kesh asnjë pretendim në fillim as për botim librash, për asgjë. Le të kalojë ca kohë dhe kur ata të shikojnë që t’i nuk je influencuar nga Perëndimi, po vazhdon të jetosh ditët e tua modeste si ish luftëtarja e dikurshme, pa shumë pretendime dhe jashtë të gjitha influencave të huaja, me siguri që kanë për të t’i ofruar të gjitha mundësitë e nevojshme. E dëgjova me shqetësim dhe aty për aty i thashë se mos jeni provokator. “Ua, ç’thua moj Agllai, unë provokator?. Qëllimi im është krejt dashamirës në mënyrë që kur të jesh aty mos të befasohesh me situatën...”. Dhe ndodhi që erdha, duke bërë realitet ëndrrën e shumë viteve, atë që e kisha dëshiruar prej kohësh. Pas gjithë atyre peripecive që kisha kaluar, mendova se mund të qetësohesha por isha gabuar
    Pra, vendosët të vinit në Shqipëri në vitin 1978. Si u pritën?
    Pritja ishte e bukur, e ngrohtë, me dhurata, me lule nga miqtë dhe familjarët. Shkova te shtëpia ime në lagjen “Ali Demi”, në një apartament të mrekullueshëm ku jetonte nëna me njërin nga vëllezërit.. U kënaqa që konditat në Shqipëri ishin të mira, që nuk ekzistonin më ato shtëpitë e ulta e të ngushta. Më bëri përshtypje mobilimi i tyre me mobilie moderne si të Parisit. Kështu kaluan ditët e para, ku ndjehesha e lumtur në ngrohtësinë e miqve dhe familjarëve të mi. Në krye të tre javëve më thirrën në drejtorinë e Punëve të Brendshme. Zyrtari që më priti ishte djali i Gogo Nushit me të cilin bisedova lirisht. Duke më folur ai më komunikoi se sipas rregullit njerëzit që vijnë nga jashtë për tu riatdhesuar,(si rasti im), duhej të shkonin disa kohë jashtë Tiranës për tu ambientuar dhe pastaj të ktheheshin në kryeqytet. Mirë, i thashë, të bëhet si është rregulli zyrtar. Më tha se do të shkoja në Lushnjë. Mos më çoni aty, i thashë, pasi unë kur isha partizane kam qenë në Lushnjë, ashtu siç kam qenë dhe në Mesaplik, në Fier e në të gjitha këto zona. Do tu kërkoja të më çonit në Krujë, që është një zonë malore dhe më bën mirë për shëndetin. Do ta bënim me gjithë qejf, më tha djali i Gogo Nushit, por për njerëzit që riatdhesohen dhe duhet të ambientohen, është përcaktuar zyrtarisht qyteti i Lushnjës. Desha nuk desha pranova. Pas një muaj erdhi dhe dokumenti me vendimin e Komitetit të Internim Dëbimeve. Si tani e mbaj mënd tekstin e tij: “Vendim Numër 11 janar 1979. Agllaia Zoto internohet në Lushnjë me detyrimin e paraqitjes tre herë në ditë në Degën e Punëve të Brendshme, në mëngjes ora 07, në drekë ora 12 dhe në darkë ora 21”.
    Motivacionin ma komunikuan me gojë dhe sipas tij bëhej fjalë se kisha shkruar libra dhe kisha bërë propagandë në perëndim kundra regjimit totalitar komunist. Në datën e caktuar shkova në Lushnjë. Autoritetet më sqaruan për gjithçka dhe më caktuan banesën, e cila ishte në një pallat në qendër të qytetit. Në përgjithësi kushtet ishin të mira. Po kështu dhe komshinjtë. Një pjesë të tyre, siç e mora vesh më vonë, policia sekrete i kishte porositur që të bënin kujdes për të parë se ku shkoja, me kë flisja, kush më hynte e më delte nga shtëpia etj...
    Si e pritët internimin ju intelektualja që vinin nga Perëndimi?
    U befasova. U tmerrova. Më dukej një gjë e paimagjinueshme. Po gjithsesi u pajtova...
    U pajtuat ndërkohë dhe me detyrimin për tu paraqitur tre herë në ditë te sporteli i policisë...
    Nuk kisha si të sillesha ndryshe. Kam qenë shumë korrekte me të gjitha kërkesat zyrtare. Komisari i degës, Shefqet Zerdelia, qysh ditën e parë që më thirri në zyrë dhe mu drejtua me një ton brutal: Ti armikja e popullit, në qoftë se do të vonohesh qoftë dhe tre minuta nga orari i caktuar për tu paraqitur në degë, do degdisesh në fshatrat ku mushkonjat janë sa një aeroplan. Fjala e tij ishte ligj. Ashtu dhe vetëm ashtu duhej bërë patjetër. Ky ritual përsëritej tre herë në ditë. Madje unë shkoja 5-10 minuta përpara. Kur binte shi futesha brenda në ndërtesën e policisë. Më njihnin të gjithë. Pesë vjet rresht jam paraqitur 10998 herë te sporteli i policisë. Gjatë verës dhe në ditë me diell shkoja ose me motorin e vogël ose me biçikletën time. Më problem kisha paraqitjen në mbrëmje, sidomos në dimër kur errësohej shpejt. Teksa kthehesha për të shkuar në shtëpi, më merrnin qentë nga pas, më grisnin pantallonat dhe më kafshonin nga kofshët. Ende kam në këmbë gjurmët e dhëmbëve të qenve të Lushnjës...
    Si ka qenë jeta juaj gjatë viteve të internimit?
    Shpirtërisht e plagosur, aq sa zemra më kullonte gjak nga marazi. Ata vetëm nga dyshimi se mos shkruaja libra kundra regjimit dhe Shqipërisë, më izoluan dhe më gjurmonin gjithandej. Nuk bëhej fjalë fare për lirinë e shumë dëshiruar për të cilën kisha shkruar me mijra faqe gjatë viteve kur jetoja në Paris. Një jetë krejt tjetër bëja në Lushnjë. Aty pa frikë mund të them se përjetova ferrin e vërtetë...
    Ky ishte reagimi i shtetit, i regjimit ndaj jush. Po qytetarët e thjeshtë si silleshin?
    Kam mbresat më të mira për banorët e thjeshtë të Lushnjës. Me aq sa kishin mundësi ata e shprehnin hapur respektin dhe mirësinë ndaj meje. Veçanërisht fqinjët kishin krijuar marrëdhënie të mrekullueshme. Sa herë më shikonin në radhë në sportelet e dyqaneve(në atë kohë radhët e gjata dominonin në të gjitha objektet e shërbimeve publike) tërhiqeshin dhe i thoshin shitëses “Jepi jepi Agllaisë, se ne presim”. Kam përjetuar një dashuri të sinqertë nga gjithë qytetarët që më njihnin. Më donin aq shumë sikur të isha deputetja e tyre...
    Çfarë ndodhi kur mbaroi periudha pesë vjeçare e internimit?
    Sa mbaroi periudha pesë vjeçare e internimit që ishte me ligj, më thirri kryetari i Degës së Punëve të Brendshme. “Kemi urdhër personal nga Ministri i Punëve të Brendshme Hekuran Isai, më tha, të të komunikojmë përfundimin e kohës së izolimit dhe të të përgëzojmë për disiplinën korrekte që ke treguar. Pesë vjet nuk je vonuar asnjë minutë në oraret e paraqitjes dhe nuk ke krijuar as më të voglin shqetësim për autoritet zyrtare dhe qytetarët e Lushnjës. Tani mund të udhëtosh pa leje nëpër Shqipëri...
    Prandaj lushnjarët të thoshin “Ora elektronike e qytetit”...
    Akoma në vesh i kam fjalët e tyre “Francezja, ora elektronike e Lushnjës”. Kjo për mua ishte sadisfaksion jo i vogël...
    Gjatë internimit në Lushnjë ju nuk punuat asnjë ditë, me se jetonit...
    Jetoja me dollarët që kisha sjellë nga Parisi. I kisha depozituar ato në bankën e shtetit dhe i merrja pjesë aq sa i lejonte rregulli i asaj kohe. Ndërkaq, shteti shumë shpejt filloi të më jap edhe pensionin e luftës si ish partizane e lëvizjes antifashiste Nacionalçlirimtare që arrinte 1000 lekë të vjetra në muaj. Këtu është edhe kontradikta e madhe e sjelljes së regjimit me mua: E dënuar politike e sistemit socialist dhe njëherazi përfituese e statusit të veteranes së luftës!...
    Ndërkohë kërkuat të takonit ndonjëherë Enver Hoxhën, i cili në momente të caktuara të jetës ju kishte mbështetur qoftë me bekimin e martesës, qoftë me studimet jashtë shtetit, qoftë me kurimin e nënës në Bullgari...
    Është një kapitull më vete sjellja e Enverit me mua. Gjatë pesë viteve të izolimit i kam shkruar 2-3 letra me anën e të cilave i kërkoja një takim për ti sqaruar nga afër çështjen time. Nga Enver Hoxha nuk po më vinte asnjë lloj reagimi, deri sa aty nga mezi i periudhës së internimit më erdhi në banesë Leka Shkurti, një këshilltar i tij dhe më shpjegoi për porosinë personale të Enverit, i cili ishte interesuar për kushtet ku jetoja. Pa pritur t’i rrëfeja unë çka mendoja, Leka Shkurti, nisi ligjëratën e tij, në formë monologu: Me sa konstatojmë, tha ai, konditat i ke të mira, shtëpinë shumë të mirë, statusin e luftës e merr, nënë Urania përfiton pension nga Franca, koha e internimit po ikën, sa ta mbarosh do vish në Tiranë...” Kaq ishte i tërë mesazhi që me sa dukej vinte nga Enveri. Më ngrohu paksa, por kjo kishte qenë thjesht një demagogji sa për të kaluar radhën...
    U kthyet më në fund në Tiranë...
    Peripecitë nuk paskëshin të mbaruar. Edhe kur mbarova periudhën pesë vjeçare të internimit, përsëri më kërkonin në Lushnjë. Dega e policisë së qytetit nuk më ndahej e nuk më lejonte të lëvizja pa lejen e saj. “ç’është kështu, u thosha, çfarë ndodh me mua”
    “E do ligji, e do rregullorja”, më sqaronin me ftohtësi. “Ky është terrorizëm, është marrëzi”, ua ktheja unë e indinjuar. Po ata vazhdonin në të tyre:”Ti nuk do të lëvizësh nga Lushnja, po qe se nuk të themi ne këput qafën!”...
    Dhe kjo deri në vitin 1990...
    Po, po deri në vitin 90 vazhdoi e njëjta situatë. Kur filluan të jepnin pasaportat, kërkova dhe unë ta merrja. Po kush të më dëgjonte. Trokita disa herë në degën e policisë së Lushnjës dhe fjala binte në vesh të shurdhër. Atëherë i dhashë fund durimit dhe thashë të sillem si rrugaçe. Pa pyetur për pasojat u nisa pa leje në Tiranë. I hipa një autostopi dhe u nisa. Vendosa të takoja me çdo kusht ministrin e Brendshëm, Hekuran Isain. Ishte e pa mundur t’i afrohesha zyrtarisht. Te hyrja e ministrisë policët e shërbimit as të linin të afroheshe pa le të të krijonin mundësinë të takoje Hekuran Isain. Bëra, çbëra dhe ja dhashë britmës një moment kur kaloi ai te porta. Me sa duket ai më dëgjoi dhe pyeti rojet çfarë ndodhte. Ata i raportuan përse bëhej fjalë dhe ministri i urdhëroi të më çonin në zyrën e tij. Hekurani sa i tregova historinë, ngriti telefonin dhe kërkoi kryetarin e policisë së Lushnjës. Kryetar në këtë kohë ishte një bukurosh nga Shkodra që më shikonte mua sikur të isha një terroriste botërore. Në prezencë time e urdhëroi të më jepte menjëherë pasaportën dhe si më përshëndeti u largova. Ndjeva një lloj lehtësimi dhe të nesërmen u paraqita në zyrën e kryetarit të Lushnjës. Mendova se nuk do të kishte më vështirësi, por nuk qenkej e thënë. “Po ti moj bushtër, pse e shqetëson udhëheqjen!.”, më priti ai me një zhargon të pambarimtë fyerjesh e sharjesh. E pashë që ishte e kot të flisja me të dhe e revoltuar dola jashtë duke bërtitur se do të shkoja prapë te ministri. Sakaq ai u çua në këmbë dhe më tha të merrja pasaportën që ma kishte bërë gati...
    Jeta juaj pati disa momente ekstreme. Ikët më në fund nga Lushnja, ku kishit një banesë dhe vendosët të shkonit në Greqi...
    Ishte e vetmja mundësi jetese. Shkova në Greqi te daja, vëllai i nënë Uranisë, i cili kishte emigruar aty qysh para luftës antifashiste nacionalçlirimtare. Pas 12 viteve internim e izolim që ishin në një farë mënyre një lloj burgu, mund atë prek lirinë...
    Çfarë ndodhi ndërkohë me shtëpinë që kishit në Lushnjë?
    Kur kish kaluar një muaj nga dita e largimit nga Lushnja, më telefonoi njëra nga komshiet dhe më njoftoi se në shtëpinë time ishte futur komisari i policisë së kuqe duke e pronësuar forcërisht. Ky lloj polici i tmerrshëm dhe antinjerëzor ishte konvertuar tashmë nga komunist në demokrat. Miqësitë e reja me zyrtarët e postdiktaturës, i kishin dhënë të tjera privilegje. Sa mora informacionin, nxitova e shkova te Organizata e të Përndjekurve Politikë. U ula shtruar me bashkëvuajtësit dhe sqarova çështjen që më shqetësonte. Ata ndërhynë në rrugë institucionale dhe më siguruan një dokument zyrtar ku thuhej se shtëpia ishte marrë forcërisht nga komisari i kuq i policisë. Ishte një tjetër telash ky i banesës që më brengosi jo pak. Duart e zeza kishin rrëmbyer gjithçka që kisha në shtëpi. Vetëm kolltukun kishin mbetur. Kisha kolltukë që nuk i kishte as Ramiz Alia...
    Çfarë ndodhi më tej...
    U largova përfundimisht në Greqi. Në Shqipëri nuk kishte kush të më mbante. Në Athinë jetoj në hotelin e klosharëve ku më ka sistemuar qeveria greke. Është një hotel-azil i disponueshëm për endacak, ish narkomanë, ish alkoolik dhe ca pleq të vetmuar që kalojnë aty ditët e fundit të jetës. Doja shumë të isha në Atdheun tim. Kam dhënë aq sa të kem një fole në tokën time ku të këndojë për Shqipërinë...

    Panorama

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,779
    Shume e bukur,lexoheni.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •