Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    “Gjermanët ishin gati të na jepnin dy miliardë USD, por udhëheqja e kohës nuk ndrysho

    “Gjermanët ishin gati të na jepnin dy miliardë USD, por udhëheqja e kohës nuk ndryshoi vijën komuniste”

    » Vendosur: 10/11/2009 - 11:17


    Blendi Fevziu

    Si është e vërteta e pastër e ofertës gjermane që u bë nga ish-Kancelari i Bavarisë, Shtraus, në vitet 1984 dhe 1986? Ishte një shans i humbur, siç thuhet nga kritikët e linjës komuniste të kohës, apo një shans që u shfrytëzua, siç këmbëngul ende ish-Sekretari i Byrosë Politike, Ramiz Alia? Këtë radhë në emisionin e tij “Opinion”, që transmetohet në Tv Klan, gazetari Blendi Fevziu ka sjellë mbase njeriun që e njeh më mirë nga të gjithë këtë çështje. Ai quhet Shpëtim Çaushi dhe ka qenë ambasadori i parë shqiptar në Gjermaninë Federale, i emëruar menjëherë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, më 1987. I ftuar me rastin e përvjetorit të rrëzimit të murit të Berlinit, ish-ambasadori zbardh njëkohësisht edhe të vërtetën e ofertës së shumëpërfolur gjermane të viteve 1984-1986, duke sjellë për herë të parë një panoramë shumë të qartë të zhvillimit të ngjarjeve.
    Fevziu: Zoti Shpëtim Çaushi, ju keni qenë ambasadori i parë që Shqipëria dërgonte në Republikën Federale Gjermane pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike?
    Çaushi: Është e vërtetë dhe unë pata fatin që të jem në ngjarjen e madhe të rënies së Murit të Berlinit. Ne i përjetuam ato ditë bashkë me trupin diplomatik në Bon.
    Kur shkuat në 1987, dy Gjermanitë ishin të ndara. Në 1989 u bëtë dëshmitarë të rrëzimit të njërës prej Gjermanive, asaj Lindore dhe pak nga pak bashkimin e plotë të Gjermanisë?
    Kanë qenë vite dinamikë. Ngjarjet rrodhën në një shpejtësi të jashtëzakonshme, saqë dhe analistët dhe politologët, jo vetëm që nuk e prisnin, por nuk ishin në gjendje të analizonin ngjarjen. Ishin si ata të plagosurit që shkojnë në spital dhe nuk operohen dhe ikën ngjarja. Dhe trupi diplomatik ishte më i kompromentuar, sepse nuk ishte në gjendje të raportonte në kancelaritë e tyre.
    E mbani mend ekzaktësisht ditën 9 nëntor të vitit 1989?
    Në 9 tetor një muaj përpara nisi dha shenjat e para, në Katedralen e Nikolait, u shfrytëzua një javë e quajtur “Lutësit për Paqen” dhe u parashikua që të vitin shumë qytetarë të Lajpcigut dhe rrethinave të tij. Ajo ngjarje kaloi në një lëvizje shumë masive, duke nisur nga kjo katedrale dhe pas lutjeve që bënë për paqen, qytetarët dolën në marshim. E vërteta është se kishte një tension politik brenda. Ne kishim një informacion që shërbimi sekret në Gjermaninë Lindore, do mbronte kuartierin e tij në Lajpcig. Qarkullonin të dhëna në trupin diplomatik...
    A i shtyu zhvillimet Gjermania Perëndimore?
    Viti 1989 ishte mjaft i vrullshëm dhe dinamik në jetën politike, pati edhe lëvizje të personaliteteve. Deklarata e Gorbaçovit në 6 tetor 1989 u mor si një garanci që Bashkimi Sovjetik nuk do të ndërhynte, edhe pse kishte gjysmë milion trupa në Gjermaninë Lindore. Por për fat të keq kishim një histori të dhimbshme me lëvizjet demokratike në Evropën Lindore dhe përmendeshin që nga 1953, që kur u bë kriza e Berlinit për vetë represionin që bënë trupat sovjetike në atë kohë, pastaj në ‘56 kemi Revolucionin Hungarez, më vonë kemi deri në ‘81 që u kërcënuan polakët për ndërhyrje. Rusët kishin kërcënuar vazhdimisht dhe kësaj i trembeshin edhe gjermanët. Ndaj lanë një evolucion gradual të ngjarjeve dhe zhvillimeve për ostpolitikën e tyre (ostpolitikë, ose ‘politika lindore’ u quajt një linjë e politikës së jashtme të Gjermanisë Perëndimore, filluar në fund të viteve 1960 red.) Dhe asaj ostpolitike në ‘83-in me Kolin dhe Gensherin, iu hoq pjesa idealiste dhe u fut një ostpolitikë më realiste, më e futur në Evropën Lindore. Qëllimi i saj ishte që duke zhvilluar marrëdhëniet me Evropën Lindore dhe ish-Bashkimin Sovjetik, në mënyrë të veçantë me satelitët e ish-Bashkimit Sovjetik të asaj kohe, të mund të çlironte krahët e Gjermanisë Lindore. Muzika gjermane luhej në mes të dy kufijve. Fonde të papara kalonin edhe nga Komuniteti Evropian, por edhe nga Gjermania Perëndimore.
    Ju keni udhëtuar në atë kohë në Gjermaninë Lindore?
    Po, kam udhëtuar.
    Si ishte situata ekonomike?
    Të bënte përshtypje, ishte një disproporcion i madh në jetën civile, në lëvizjet. Unë varfërinë nuk e preka. Aty pashë diçka që e kuptova se kishte varfëri. Të shkosh në një restorant dhe të rrish në radhë të presësh, ishte një gjë që në Perëndim nuk ekziston...
    Si e mbani mend rënien e murit të Berlinit?
    Është një kujtim mjaft interesant. Pas rënies së murit të Berlinit unë shkova edhe në Ministrinë e Jashtme dhe u takova edhe me personalitetet dhe i urova ato. Mund t’i uronim dhe ne, se kishim një element avantazhi në qëndrimet tona. Në asnjë rast ne nuk pranuam që ka dy kombe gjermane. Ishte një absurd i kohës. Një copë nga rënia e murit të Berlinit ma dhanë mua. E kuptova që ishte një mesazh, nga i cili duhet të nxirrnim mësime. Ishte mesazh për mendimin e lirë, demokracisë. 50 ditë pas rënies së murit të Berlinit edhe kështjella e fundit komuniste e Evropës Lindore, po përjashtoj Shqipërinë, Rumania e Çausheskut, ra.
    Si ishte reagimi i drejtuesve komunistë të kohës. Cili ishte qëndrimi që duhet të mbanim kur ishim vendi i fundit komunist i Evropës?
    Akoma kërkohej që të funksiononte në Shqipëri, duke mos qenë pjesë e bllokut lindor. Mendohej se do të kishte procese shumë të ngadalta. Mirëpo mësimi i murit të Berlinit tregoi se ngjarjet do të ecnin shpejt dhe fenomeni i lëvizjeve demokratike në Evropën Lindore mësonte që ngjarjet nuk do të prisnin mure të tjerë, nuk do të kishte kufij...
    Ju ishit ambasadori i parë i Shqipërisë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike...
    Unë shkova aty pas vizitës së parë që bëri Gensheri në Shqipëri. Isha këtu në Shqipëri, kur shoqërova Gensherin në vizitën e dytë në vendin tonë, thuajse në fund të sistemit komunist në Shqipëri, në vitin 1991. Gensheri vëzhgoi situatën e asaj kohe dhe pyeti për Presidentin e asaj kohe, Ramiz Alinë. Duket në humor të mirë, tha ai. Pa konferencën që po mbante Alia në Elbasan dhe pamjet që jepte televizioni ynë. Tregonte për një vëmendje të madhe të tij, duartrokitje. Pyetja e Gensherit ishte, me sa duket do të vazhdojë ky Ramiz Alia akoma, se po e shoh se i impresionon njerëzit? Kjo ishte me dy kuptime në fakt, se Gensheri e përdorte ironinë.
    Ju jeni autor i një libri mjaft interesant, për atë që thuhet se ishte shansi i humbur për Shqipërinë në raport me Gjermaninë. A ka pasur në të vërtetë një shans të humbur?
    Bisedimet shkuan 15 vjet për të vendosur marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Çështja kryesore e pengesës që parashtronte pala shqiptare ishin reparacionet e luftës. U arrit deri në atë fazë sa gjermanët thoshin se nuk do të paguajnë reparacionet e luftës, sepse u ndalohet nga Konferenca e Parisit. Ne do t’i paguajmë ato vetëm kur të bëhet bashkimi i Gjermanisë. Këtu them se ka një element se ata nuk e prisnin se bashkimi do të bëhej kaq shpejt. Tre vjet më pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ishte deklarata e tyre e fundit, që nuk mund t’i bëjmë këto dhe ishte fjala e fundit. Ata folën për një sadisfaksion që u përkthye si sensibilizim i industrisë dhe kapitalit gjerman. Për të ardhur dhe për të investuar në Shqipëri. Ata kërkuan një listë ku mund të ndihmonin në proceset e teknologjisë. U përgatit një listë, po me sa duket ishte një listë jo realiste dhe që gjermanët e analizonin me dashamirësi, duke thënë që mundësitë e absorbimit të Shqipërisë për këto kërkesa janë më të vogla dhe duhet të ecim me gradualitet.
    Shqipëria kërkonte ndihmë konkrete?
    Për mendimin tim aty u shfaqën dy shkolla mendimi nga ana jonë. E para ishte që ne duhet të shfrytëzojmë linjat zyrtare dhe ta përkthejmë sadisfaksionin ekonomik në ndihma të menjëhershme monetare. Mendimi i dytë ishte që ne, duhet të sensibilizojmë kapitalin gjerman. Por këtu kishte disa vështirësi, sepse kapitali gjerman kërkonte legjislacionin të pastruar, donte sigurimin e investimeve dhe donte edhe çështjen e pronësisë. Ku do të investonte ai, në çfarë toke. Bëhej fjalë për investime të mëdha...
    A ishte i sinqertë kontakti i Shqipërisë me Gjermaninë, apo ishte thjesht sa për ta shfrytëzuar ekonomikisht?
    Gjermanët e patën me sinqeritet, sigurisht që patën vështirësi. Kuptuan se këtu kishte nevojë për ndryshime të mekanizmit ekonomik dhe sistemit demokratik. Nuk i kërkuan në mënyrë të drejtë ndryshimet, sepse ishin shumë të kujdesshëm në terminologjinë që përdornin, por i parashtronin gjatë bisedave.
    Djali i Shtrausit ka deklaruar, se Gjermania ka qenë e gatshme të ndihmonte Shqipërinë me një projekt pilot për ta bërë atë anëtare të BE-së, nëse Shqipëria do ta pranonte?
    Maksi, djali i Shtrausit, nuk ka qenë kaq afër të atit. Unë e njoh familjen Shtraus. Ishin më të tërhequr nga politika. E bija ka qenë më aktive dhe e afruar... Gjermanët bënin lëvizje të kujdesshme, për të mos ndërhyrë në problemet e brendshme të Shqipërisë, por për të dhënë indirekt drejtimet që Shqipëria duhet të ndiqte, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë. Unë do të thosha se ne as politikisht nuk e shfrytëzuam këtë mundësi. Që do të thotë që Gjermania të bëhej një derë solide, për të hyrë në Bashkimin Evropian.
    Po Shqipëria s’e kishte këtë tendencë në atë kohë?
    Nuk e kishte, por mund të shfrytëzohej gradualisht që hapja me Gjermaninë të ishte reale, jo fiktive. Gjermanët praktikisht e kërkuan në bisedime, se është e vështirë për investime të mëdha në Shqipëri, në një terren ku nuk janë përcaktuar mirë rregullat e lojës. Po si do të veprohej, do të merrej kredi. Nuk lejohej në atë kohë tek ne kredia, në një kohë kur pala gjermane ofronte kredi të buta. Ne kërkonim në atë kohë që të na bëheshin ato favore që iu bënë Polonisë dhe ish-Jugosllavisë, por ata thanë uluni dhe juve në kërkesat që kanë bërë ata, merrni dhe ju kredi të buta, që ndoshta nesër pasnesër ndoshta edhe nuk ktheheshin. Bëheshin fjalë për shuma prej 2 miliardë dollarë. Gjermanët asnjë herë nuk thanë jo, por sollën argumentet e tyre. Kredia na u ofrua, por ne nuk pranuam që të merrnim kredi. Bëhej fjalë për 2 miliardë dollarë në bisedime, të na i jepte Gjermania, por kjo para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes vendeve. Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, u vu re një pesimizëm, që nuk do të ecej në fushën ekonomike, nuk kishte një inkurajim nga vendi ynë. Unë mora një rrugë tjetër, që duhet të sensibilizonim kapitalin gjerman. Kishte interes Shqipëria për të. Në atë kohë pronari i Krupp-it gjerman, që ishte anglez, erdhi në Bon, erdhi bashkë me sekretarin e shtetit për ekonominë. Ne biseduam, u tregova shumë i interesuar për investime në Shqipëri. Ai erdhi në Shqipëri me tetë drejtorë dhe e priti një këshilltar, nuk e priti asnjë ministër. Pas vizitës në Shqipëri nuk u takuam më. Tjetër, erdhi edhe një miliardere e njohur, e cila erdhi për industrinë e lehtë. Ajo të paktën u prit nga ministrja, por edhe ajo si erdhi iku dhe bisedimet nuk u vazhduan më. Po kështu erdhi edhe plaku i Lowenbrau-t, i birrës së famshme për të nisur me fabrikat e birrës në Shqipëri. Ishte fillimi i industrisë ushqimore. Më takoi dhe më tha, keni vend të bukur, por ishte e vështirë të bëhej fabrika e birrës. Më tha se i kishin dhënë një drejtor për të bërë fabrikën në Vlorë, pyeta për pronarin dhe nuk kishte dalë pronarë. Nuk kishte interes për të thithur investime, madje ndonjëherë thuhej, po lëri këto, çfarë po bën. Prit një herë, aspak inkurajim.
    Gjatë kohës që ju ishit ambasador, një delegacion ndoshta më i larti që Shqipëria kish çuar ndonjëherë që prej prishjes me Kinën, i drejtuar nga Foto Çami, vizitoi Gjermaninë Perëndimore?
    Unë pikërisht për këtë po bëj një libër të dytë, që e quaj “Shënimet buzë Rinit”. Foto Çami erdhi atje, këto dëgjova më vonë se kishte pasur shumë spekulime, por nuk mora vesh pse. Ndoshta qe ndonjë lëvizje e brendshme në politikën shqiptare. Ai bëri vizitë edhe në Parlament, takoi Shtrausin për problemet e Ballkanit, pastaj u kalua në çështjen e Kosovës, problemet që kishte dhe përballonte Kosova dhe Gensheri mbaj mend mbajti qëndrim në mbrojtje të Kosovës, por në tërësi për zhvillimet e Ballkanit.
    U diskutua për liritë politike në Shqipëri dhe fetare?
    Ato u bënë në Parlament dhe në Komisionin e Jashtëm. U bënë pyetje për fenë dhe lirinë e mendimit. Feja ishte qendra. Foto Çami e kaloi që, historikisht argumenti ynë, që tek ne feja jonë s’ka pasur influencë. Ata kërkuan që feja të lejohej, madje unë pata edhe një kërkesë nga Shtrausi për disa priftërinj, për jetën e tyre. U interesua konkretisht dhe unë e përcolla shqetësimin udhëheqjes sime. Ndaj dhe në takimin me Çamin, u përmendën edhe këto gjëra...
    Ç’duhet të kishte bërë Shqipëria për ta shfrytëzuar atë që quhej shansi gjerman i saj?
    Shqipëria duhet të kishte filluar proceset demokratike shumë më shpejt. Mund t’i kishte fituar dy vite. Po të ishte dhënë shenja se këto ritme në procesin demokratik po ecin, edhe angazhimi gjerman në çështjen e investimeve do të ishte më i madh.
    Nëse Shqipëria do të kishte nisur procesin demokratik dy vite më parë dhe do të kishte ecur në atë që mund të quhet protektorat ekonomik gjerman, sa më përpara do të ishim ne?
    Ekonomia jonë me dy vite nuk mund të ndërtohej, por mesazhi që do t’i jepnim ne Evropës nëpërmjet Gjermanisë, me proceset demokratike, do të kishte shumë më të mëdha. Do t’i kishim dyert më të hapura dhe periudha jonë e tranzicionit do të ishte më e lehtë.

    panorama.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Zoti Basha
    Anëtarësuar
    25-01-2010
    Postime
    860
    Qenkam i vetmi qe gezohem se kjo ndihma e famshme Gjermane nuk u dha? Shikoni Jugosllavine qe u mbyt me “kredi te buta”, dhe kaloi inflacionin me te rende te historise njerezore. Shume mire u be qe nuk u pranua ndihma, shume me mire se ajo do kish qene liberalizimi i menjehershem i ekonomise. Investimet e huaja private do vinin vete (sic dhe erdhen), ndersa shteti shqiptar nuk duhej te pranonte asnje qindarke borxh, sado i bute. Sistemi politik, demokraci apo autokraci, nuk do luante fare rol nese ekonomia do privatiazohej.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •