Gazeta Shqiptare, 14/11/2009
Më dhanë 2 mln euro për mikun deputet të PS
Pjerin Ndreu, ish-zv/drejtor i përgjithshëm i Policisë
Pjerin Ndreu, një prej ish- funksionarëve të lartë të policisë, tashmë i angazhuar pranë Partisë Socialiste, denoncon në një shkrim të tij ofertat që po bëhen nga kryeministri Sali Berisha përmes personave të tretë për të blerë deputetë të PS-së. 2 milionë euro ka arritur shifra për të blerë një deputet nga PS-ja dhe për ta përfshirë atë në grupin parlamentar të PD-së apo të LSI-së, vetëm e vetëm që maxhoranca në Kuvend të bëhet më e sigurt. Ndreu e denoncon këtë si një “krim mafioz”.
-I-
Dikush mu afrua një ditë dhe më thotë që ti ke mik filan deputet. Po, i them. - A mund të bisedojmë me të, do jetë mirë dhe për ty nëse realizohet”. Po mirë, ma thuaj si është puna, - i them. - Janë 2 milionë euro në dispozicion nëse ai pranon të ikë nga PS-ja. Ku të shkojë, - i them? - Po tek PD-ja, LSI-ja apo te grupi i kundërshtarëve të Ramës. E pashë me habi. E kam shok, në fakt. Po pse më ke zgjedhur mua për këtë ti, - e pyes. - Po se ti mund ta thyesh atë. Kurrë nuk kam për ta bërë, - i them. Dhe, nëse ai do ta bëjë këtë nuk do jetë më shoku im. Po ku i gjeni ju gjithë këta lekë dhe këtë kurajë që të bëni biznes të pistë me mandate deputetësh? Ehu, - më thotë, - me këto mend që ke ti nuk ecet. Ne u ndamë, pa bërë asnjë kompromis. Në fakt, është një histori e jetuar, por që e kam dëgjuar dhe nga vetë deputetët e PS.
Është vënë në lëvizje një mekanizëm kriminal që mund të quhet pa frikë, mafia, e cila ka zgjatur duart deri te deputetët. Në fakt, ky fenomen nuk është i pari. Por, ajo që të bën përshtypje është se po merr rrugë e formatohet një skemë mafioze e manipulimit dhe blerjes së vullnetit të lirë të popullit, që fillon që tek vota dhe deri te tjetërsimi i mandateve nën pushtetin e parasë së pisët dhe influencës së grupeve të fuqishme politiko-ekonomike. Është koha për të vënë alarmin.
Simptomat mafioze kanë filluar të shfaqen dukshëm dhe lirshëm. Dhe, kanë mbytur atë që është më e shtrenjtë në një demokraci, vota. Në Shqipërinë time të 2009 dëgjohen si bëma trimash, mënyra se si aty apo këtu dikush vodhi votën, dikush bleu komisionerin, dikush i gjeti një vend pune këtij apo atij në këmbim të votës, dikush e bleu varfërinë e dikujt me pak lekë e deri me një shishe birrë dhe dikush tjetër hoqi nga puna, i shkatërroi biznesin atij që nuk ju bind kërkesës për të tjetërsuar votën, e sa e sa historira të tjera. Kjo është forma më e konsoliduar e organizatave mafioze në gjithë botën, të cilat padyshim që një ndër objektivat kanë ndikimin në tjetërsimin e votës për t’i hapur rrugë aktivitetit të tyre nëpërmjet përfaqësuesve të vet në pushtet.
Dëgjova ministrin e Brendshëm në një takim me kryepolicët, i cili nga njeriu që qesh na ishte kthyer në njeriun e fytyrës së vrerosur, dhe ishte shumë i “shqetësuar” për krimin e organizuar dhe luftën kundër tij. Po mirë, ky ministri ynë që përbetohet se do bëjë namin kundër krimit të organizuar, këto ofertat marramendëse për blerje deputetësh që bën kryeministri i tij, ai vetë nëpërmjet sejmenëve të tyre, çfarë i quan? A ka ndonjë ngjashmëri me krimin e organizuar të tipit mafia ky veprim? Nëse po, atëherë i bie që ky ministri ynë i brendshëm të luftojë vetveten. Se unë kam të drejtë të dyshoj që disa nga paratë që qarkullojnë për blerje deputetësh janë vjedhur te rruga e kombit Durrës-Kukës, ku ministri ynë është i akuzuar. Pra, i bie që hajduti të thërrasë, kapeni hajdutin. Por, si është e mundur që njerëz të deleguar në terren nga pushteti i sotëm e bëjnë ofertën e blerjes së deputetit si pa gjë të keq, dhe nëse i kundërshton të marrin për budalla? Sepse ...
-II-
krimi ka hyrë thellë në ingranazhet politiko-ekonomike të pushtetit. Sepse, politika ka mbytur frymën investiguese dhe ndëshkuese të agjencive ligjzbatuese. Sepse, krimi i organizuar po merr formën e pushtetshme ku askush nuk mund të flasë apo të veprojë se gjendet në rrugë i papunë dhe i akuzuar. Sepse, biznesmenë të dyshimtë të lindur nga maternitetet e drogës, trafikut të qenieve njerëzore, trafikut të armëve, të prostitucionit, të evazionit fiskal, kontrabandës, etj., në martesë me politikanë të zhytur në llumin e krimit kanë okupuar segmente fitimprurëse të jetës së vendit. Prandaj, krimi ka zgjatur duart deri te kompozimi i maxhorancave qeverisëse.
Ky është një realitet tashmë, dhe fatkeqësisht jo i fshehur, por hapur, pa frikë, ditën për diell. Thonë se duhen edhe 10 deputetë që të qetësohet maxhoranca në pushtet. Ofertat janë në rritje. Ankandi është i hapur. Krimi është i qetë, pavarësisht nga vrerosja e ministrit në luftë kundër krimit të organizuar. Në fakt, thonë se një betejë të tillë kjo maxhorancë e ka fituar dy vjet më parë. Le të shohim çfarë do të ndodhë kësaj radhe. Gjithsesi, ne aspirojmë për në BE sapo të realizojmë pazarin e radhës, pavarësisht se unë kam votuar për PS-në dhe vota më është numëruar për PD-në. Pavarësisht se unë kam zgjedhur këtë deputet për PS-në ai blihet dhe voton pro PD-së.
Unë dua të shoh çfarë ka në kuti, pushteti nuk do, sepse aty është prova e pakontestueshme e këtij krimi. Dhe, jo vetëm që kutia nuk hapet, por historia vazhdon me oferta marramendëse për blerje deputetësh. Me sa di unë nga ato që kam lexuar dhe mësuar, kjo quhet mafia. Nëse dikush tjetër di ndonjë përkufizim të kundërt, të na e thotë.
Krijoni Kontakt