“Pikënisja e filmit, historia e Edi Ramës”
» Dërguar më: 04/11/2009 - 13:55
Menjëherë pas premierës së veçantë për gazetarët në kinemanë "Millenium", regjisori Gjergj Xhuvani u përgjigj për një varg pyetjesh që ngacmuan interesin e mediave.
Ç'përfaqëson në krijimtarinë tuaj ky film?
Me këtë film mbylla ciklin e komunizmit. Nuk ka rëndësi radha e renditjes së filmave. "I dashur armik" kishte të bënte me instalimin e komunizmit në Shqipëri. "Parullat" ishte kulmi i diktaturës, dhe "Lindje, Perëndim, Lindje" ishte fundi i këtij regjimi. Tashmë që e kam mbyllur këtë cikël, do t'i rikthehem temave aktuale. Ndihem i qetë që e mbylla këtë cikël. Në e kam mbyllur mirë apo keq, ky është një problem tjetër.
Në filmat tuaj gjuha e ironisë është e pandashme. Sa godet e vërteta që thuhet me të qeshur?
Çdo regjisor i cili mund të quhet profesionist, krijon në stilin e tij, dhe stili është gjithmonë derivat i zhanrit. Unë jam i afeksionuar mbas komedisë dramatike, dhe nga kjo frymëzohet edhe marrëdhënia e së vërtetës me jetën. Dhe, jeta kështu është. Ne të gjithë e dimë që në momentet më dramatike lind edhe humori, dhe në momentet me humor lind drama. Ky gërshetim më vjen në mënyrë shumë organike dhe nuk mund të them që kam ndonjë strategji të caktuar. Kështu janë edhe bashkëpunëtorët e mi, janë të këtij stili. Jemi të gjithë brenda një marrëdhënieje të tillë, është një logjikë e përbashkët, dhe kjo na bën që ne të funksionojmë në këtë metodë.
Si lindi subjekti i këtij filmi?
Ka lindur në një bisedë në shtëpinë e një mikut tim. Kemi qenë aty bashkë me producentit tim, Arben Tasellari, me producentin francez me të cilin kam bërë filmin "Parullat" dhe "I dashur armik" dhe me zotin Edi Rama, i cili na tregoi disa histori të periudhës së vet kur ka qenë sportist. Pikërisht aty lindi. Producenti im francez më tha: Gjergj, ti duhet ta bësh film. Kështu lindi ideja, pastaj realizimi i filmit është një përjetim eksperiencash të gjithsecilit prej nesh. Të gjithë e kemi përjetuar atë kohë. Vetë Ndriçim Xhepa ka përjetuar të njëjtën gjë me një ekip filmi. Unë, gjithashtu. Kam qenë në Francë në atë kohë dhe më ftuan të qëndroja, por nuk mundesha. Pra, kjo është një ëndërr e përbashkët e të gjithë neve. Nuk ka qenë e vështirë për të rikthyer një epokë në film, pasi të gjithë kemi pasur eksperiencat tona që i bashkuam dhe krijuam filmin "Lindje Perëndim Lindje".
Janë mjaft specifike e të nxehta në këtë film detajet që lidhen me problemet që shqiptarët hasin në kufi. A ka ndryshuar gjë qysh atëherë?
Unë them se nuk ka ndryshuar asgjë. Ka ndryshuar forma, jo përmbajtja. Kështu mendoj unë. Gjithkush është i lirë të flasë për eksperiencat e tyre.
Cilën mund të quanit si pikën më të arrirë në këtë film?
Këta aktorë, të cilët unë i quaj të mrekullueshëm. Filmi mund të mos jetë i mirë, por aktorët janë brilantë. Ata krijuan një ekip që është gjëja më e mirë. Duken sikur kanë një jetë të tërë bashkë dhe aktori i madh Ndriçim Xhepa ishte dy herë trajner, trajner në rol dhe trajner edhe në aktrimin e djemve, që unë i jam shumë mirënjohës për dashurinë dhe eksperiencën që u dhuroi djemve. Vërtetë ishin një ekip. U lindi një dashuri e cila buron, reflektohet.
Si do ta përjetoni këtë premierë pa babanë tuaj?
Bukur. Kjo është edhe puna e fundit që patëm bashkë, një punë që ai e la të përfunduar.
Përveç epokës, çfarë i lidh tjetër tre filmat "Parullat", "I dashur armik" dhe "Lindje-Perëndim- Lindje"?
Ajo çka është themelore në këtë triptik filmash të mi në lidhje me komunizmin, është njeriu dhe ai nuk vdes kurrë. Është njeriu, personazhi që i lidh këto histori. Unë nuk kam bërë filma për politikën. Nuk jam as pro, dhe as kundra komunizmit, por unë kam fiksuar kohën nëpërmjet njerëzve. Dhe nëse e vëren, në të tre filmat njerëzit janë të dhimbshëm, të ngrohtë, nuk ka të këqij. Tjetërkush është i keq. Njerëzit nuk mund të jenë të këqij kurrë. I detyrojnë të bëhen ose jo të tillë. Edhe në këtë film nuk ka të këqij. Edhe spiuni, madje nuk është i keq. Ideja ime themelore ka qenë që epokat krijojnë dramat të cilët i përjetojnë njerëzit.
A mendoni se filmat tuaj do t'i mbijetojnë kohës?
Mbijetesën nuk e përcaktoj unë. Por, ajo që unë kam thënë që ditën e parë që kam hyrë në kinematografi dhe që do të them edhe kur të dal prej saj, është se bëhet fjalë për një art që zhvillohet në grup, bëhet me kolegë, e ndonjëherë duhet që kolegët të jenë edhe shokë dhe kjo është shumë e rëndësishme, shokë me të cilët të ndash raportet e shpirtit që është gjë e rrallë, por që unë e kam pasur parim.
Cilat do jenë tendenca tuaja artistike pas mbylljes së këtij cikli?
Kemi aq shumë probleme të tjera të pafundme... Së shpejti, ndoshta në fund të muajit, do të filloj xhirimet për një film të ri që është temë shumë aktuale e ditës. Mund të them që thelbi do të jetë edhe një herë njeriu.
gsh.
Krijoni Kontakt