Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 12 prej 12
  1. #11
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Lasgush Poradeci, Kur ngrinte zërin “Shpëtoni Joklin!”

    Lasgush Poradeci, Kur ngrinte zërin “Shpëtoni Joklin!”

    » Dërguar më: 02/11/2009 - 15:38

    Nga Shaban Sinani

    Ndryshe nga sa është shkruar dhe folur për qëndrimin unik të shqiptarëve si mikpritës dhe mbrojtës të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, sjellje që ka habitur botën, duke u shpjeguar kryesisht nga pozicione romantike (besa, nderi, kulti i mikut etj.), folklorike, diletante, deri tek shtrembërimet dhe frika për të thënë të vërtetën, Shaban Sinani, pas një pune dhe kërkimi shkencor të mirëfilltë që nis këtu e 20 vjet më parë, ka arritur të realizojë një monografi pothuaj shteruese për këtë argument.
    Në monografinë e re shkencore “Hebrenjtë në Shqipëri - prania dhe shpëtimi”, me autor Prof. Dr. Shaban Sinanin, botim i shtëpisë botuese “Naimi”, kjo çështje kthehet nga fabul në faktologji, nga këndvështrime folklorike, romantike, amatore, në shkencë të mirëfilltë.
    Monografia është e ndarë në 11 kapituj që shtjellohen në rreth 500 faqe tekst, ku përfshihen edhe disa dhjetëra ilustrime të argumenteve me dokumente origjinale, foto e dëshmi, si dhe qindra referenca të autorëve vendës dhe të huaj që janë marrë me këtë temë. Shumica e dokumenteve dhe dëshmive zbulohen për publikun për herë të parë, ashtu siç shqiptohen për herë të parë fakte, qëndrime dhe këndvështrime krejt të reja për praninë dhe shpëtimin e hebrenjve në trojet shqiptare. Është studimi i parë ku burimet nuk janë të njëanshme: vetëm shqiptare, vetëm italiane, vetëm britanike e amerikane apo vetëm gjermane. Autori ka siguruar bashkëpunimin e institucioneve dhe kolegëve kudo që ruhen burime për argumentin e tij dhe në këtë studim këto burime verifikohen e certifikohen përmes njëri-tjetrit.
    Për shumanshmërinë e argumentit të kësaj monografie mund të gjykohet prej titujve të krerëve të saj: “Qëndrimi ndaj hebrenjve para Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë periudhës fashiste”, “Politika italiane dhe pranimi i hebrenjve në Shqipëri”, “Intelektualët shqiptarë kundër judeofobisë dhe fundi i hidhur i Norbert Joklit”, “Hebrenjtë në Shqipëri dhe shpëtimi i tyre në periudhën naziste”, “Etnotipi shqiptar dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës”, “Divizioni SS “Skanderbeg” dhe fati i hebrenjve në Kosovë në periudhën naziste”, “Shqiptarët dhe Shoah në kontekst ndërkombëtar”
    Autori zbulon fakte dhe qëndrime, ofron këndvështrime të reja të pashqiptuara apo të keqshqiptuara më parë, si për shembull, për rolin e ambasadorit të parë amerikan, Herman Bernshtajn (me kombësi hebreje) në Shqipëri në vitet 1930; për një përpjekje ndërkombëtare nën emrin e Lidhjes së Kombeve (OKB e sotme) për ta parë vendin tonë si “një atdhe të mundshëm të hebrenjve” të rrezikuar në Europë;


    Shteti shqiptar, populli, lëvizja antifashiste, faktorët e tjerë politikë, duke përfshirë autorite tet e qeverive bashkëpunuese, nuk lejuan që ushtritë e huaja të preknin hebrenjtë. Për ta, mbrojtja e hebrenjve ishte një “çështje e brendshme”.

    Mbi ndërgjegjen e popullit shqiptar nuk rëndon asgjë prej katastrofës që shkaktoi judeofobia naziste. E vetmja dramë që ka qëndruar e qëndron si një pikëpyetje e dhimbshme për botën shqiptare është fati i Dr. Norbert Joklit, hebre në origjinë, punonjës i bibliotekës së Universitetit të Vjenës dhe albanolog i rendit të parë.
    Rreziku ndaj Norbert Joklit u shfaq shumë shpejt, ende pa shpërthyer lufta. Dihet se autoritetet e qeverisë mbretërore i bënë disa përpjekje për të mundësuar një udhëtim të fshehtë të Joklit nga Vjena në Tiranë. Intelektualët shqiptarë ngritën zërin dhe bënë presione për shpëtimin e dijetarit. Por e keqja nuk qe e mundur të parandalohej. Një prej figurave më të rëndësishme të shkollës austro-gjermane të albanologjisë, Norbert Jokli, befasisht u gjend në të njëjtin fat me disa dhjetëra milionë hebrenj të zhdukur e asgjësuar prej industrisë së vdekjes që krijoi nazizmi.
    Një prej dëshmive të përpjekjeve të intelektualëve shqiptarë të kohës për shpëtimin e Joklit është një letër në dorëshkrim, në formën e një artikulli ose të një thirrjeje publike, shkruar nga Lasgush Poradeci më 22 maj 1938, vetëm dy ditë pas bashkimit zyrtar të Austrisë me Gjermaninë.
    Dorëshkrimi gjendet në një koleksion dokumentesh, jo në fondin personal të Lasgush Poradecit, që mban numrin 486. Këtë dorëshkrim Poradeci e ka nënshkruar me emrin letrar. Duket se ky është një artikull i plotë, i dorëzuar për botim, madje është i redaktuar. Ka dy redaktime, njëri prej të cilëve është i vetë autorit, kurse tjetri, që përmban shkurtime me karakter politik, duhet të jetë i redaksisë. Artikulli i kushtohet personalitetit të Dr. Norbert Joklit. Është një thirrje ku gërshetohen të gjithë argumentet e mundshëm: shkencorë, kulturorë, atdhetarë, emocionalë, sentimentalë, lajkatues, profetizues, humanitarë, gjithçka pa përjashtim, që qeveria mbretërore e Shqipërisë të bëjë të mundur shpëtimin e albanologut të njohur, të rrezikuar prej urrejtjes në rritje të antisemitizmit dhe të judeofobisë, duke krijuar rrethanat e nevojshme zyrtare dhe të çfarëdo lloji tjetër për ta tërhequr prej Austrisë ku gjendej, në “atdheun e tij të dytë shpirtëror”, në Shqipëri.
    Që Lasgush Poradeci do të shkruante në përkrahje të Dr.Norbert Joklit, kjo është jashtë çdo dyshimi. Por pjesa më befasuese e këtij dorëshkrimi është argumenti hyrës, ku shkrimtari i qortuar sistematikisht në tekstet shkollore për letërsinë si “asnjanës” dhe “bashkëpunëtor në heshtje” me nazifashistët, paraqitet hapur si denoncues i rrezikut që përfaqëson doktrina e “Führer-it”, e sistemuar në veprën “Mein Kampf” dhe u kujton autoriteteve më të larta të vendit të tij detyrimin e mirënjohjes për t’i dhënë strehë hebreut Norbert Jokl, pa harruar t’i kujtojë edhe botës se ç’gjëmë po i pret hebrenjtë në gjithë globin prej revanshit të “Reich-ut”!
    Përveç “preambulës” së artikullit, që merr shkas prej pushtimit të Austrisë nga Gjermania (i ashtuquajturi “Anschluß”), rreziku i judeofobisë evokohet edhe në dy raste të tjera, por në këto dy raste teksti në brendësi është shuar gati-gati në mënyrë të palexueshme. Nga konteksti duket se shkurtimi është bërë nga redaksia së cilës artikulli i është paraqitur për botim, prej së cilës, sipas të gjitha gjasave, nuk arriti të marrë kurrë pëlqimin e botimit, me gjithë shkurtimet. Ky profil antifashist dhe prosemit i Lasgush Poradecit nderon rendin e shkrimtarëve shqiptarë, që bashkuan zërin për të shpëtuar personalitetet e dijes albanologjike dhe me këtë rast shprehën alarmin e judeocidit që po afrohej, duke identifikuar drejtpërsëdrejti “Mein Kampf” si burimin e ekspansionit nazifashist. Autori në këtë artikull shpërfaq dije të konsoliduara dhe të paqortueshme edhe sot, pas 70 vjetësh, mbi albanologjinë, si dhe një përfytyrim të shkëlqyer për mundësinë e zhvillimit të saj, fillimisht në kuadër të një Instituti të Albanologjisë, më pas të një seminari të përhershëm për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, duke konkluduar me një Fakultet të Letrave Shqipe.

    Artikulli “Profesor Jokl-i në dispozicion të Shqipërisë” botohet duke ruajtur drejtshkrimin dhe sintaksën burimore të autorit. Në raste të veçanta, për lehtësi kuptimi, në kllapa katrore është dhënë sinonimi. Në ndonjë rast tjetër, kur leximi i fjalës apo shprehjes në dorëshkrim ka qenë i pamundur, për shkak të dëmtimit të dokumentit, shënimi gjithashtu është vënë në kllapa katrore.

    milosao.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #12
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Qeveria e Shqipërisë të shpëtojë Jokl-in nga antisemitizmi nazist

    (Shkëputur bashkë me letrën e plotë të Poradecit nga monografia “Hebrenjtë në Shqipëri - prania dhe shpëtimi”)

    Qeveria e Shqipërisë të shpëtojë Jokl-in nga antisemitizmi nazist

    Nga Lasgush Poradeci

    Ngjarjet e fundit gjermano-austriake, si përfundim i të cilave pat qenë aneksimi i pritur i Austrisë nga ana e Riech-ut [Gjermanisë], sollën me vete një tok ndryshimesh politike dhe shoqërore, midis këtyre të fundit përjashtimin e elementit izraelit nga fusha e jetës gjermane përgjithërisht. Parimi i Hitlerit, ashtu sikundër parashtrohet prej tij në “Mein Kampf” dhe po zbatohet me paravendim të prerë qê prej ditës së ardhjes në fuqi të udhëheqësit të Gjermanisë, nuk njeh dhè tashi, me aneksimin e Austrisë, asnjë ndalim: edhe hebrenjtë austriakë duhet të ndjekin fatin, me fjalë të tjera fatkeqësinë e atyre të Gjermanisë vetë. Ata duhet të emigrojnë, të ikin. Të ikin me hir e pa hir, sa më parë, aq më mirë.
    Në bashkëkeqardhjen e njerëzimit përpara këtij fakti të pandaluarshëm merr pjesë për veten e tij, një pjesëmarrje të mbushur plot dhembje dhe dashuri dhe nderim mirënjohjeje, gjithë populli shqiptar, në krye me Qeverinë, sepse fatkeqësia e izraelitëve të Austrisë godet kësaj here [shprehje e palexueshme] shumë dhe pa mëshirë një nga fytyrat më të [dashura dhe më] të veneruara të luftës së pavarësisë [së popullit] shqiptar, profesor Norbert Jokl-in të Universitetit të [Vienës, një albanolog i] madh i ditëve tona.
    Në problemin e [shprehje e palexueshme] dhe të dëshpëruarshëm të lëvizjes shqiptare për pavarësi, në triumfin e gjithëpritur të aspiratave t’ona kombëtare, një rol kryesor për-krah me përpjekjet politike dhe kulturale, ka luajtur vepërimi shkencor i albanologjisë, rrahja, me objektivitet dhe dashuri, e fenomeneve gjuhësore dhe ethnologjike mi Shqipërinë prej savantëve [dijetarëve] të huaj. Sikundër njohja e Greqisë së vjetër, njohje e ndërmjetësuar nga vëzhgonjës të palodhur, e riti simpathinë dhe pasonjësit [dhe] ndihmën europeane në epokën e shlirimit të Greqisë prej zgjedhës së huaj, ashtu dhe vepërimi i shumë-anshëm i kërkimeve dhe studimeve të albanologjisë kontribuoj në mënyrën më pozitive për zgjidhjen e favorëshme, prej të fuqishmëve të botës, që i-u bë problemit të pavarësisë shqiptare. Prej Hahn-it ne Bopp-i, prej Meyer-it ne Ëeigand-i dhe ne Jokl-i, përpjekja indirekte e jona për të dalë në dritën e lakmuar të lirisë paraqit gjith aq aspekte, sa revendikimet dhe kombinimet e vështira midis kancelarive zotëronjëse.
    Vepra e Jokl-it, vazhduar me qendrim nër dhjetëvjetore, konsiderohet me të drejtë si [kulmi] i fundit i asaj paravajtëse të tij. Ideja iliriane i detyron vëzhgonjësit gjithë përforcime shkencore tashi të pakontestuarshme dhe me rëndësi që të mbajë më vete ay monument i Meyer-it në gjuhën shqipe, që sjell titullin e Fjalorit Etimologjik të saj, hipoteza e paravlerjes së elementit të huaj, e relevuar qê në fillim dhe me një ton konstatimi autoritar, për të mos thënë autoritativ, në hyrjen e librës, i lëkundte sadopak ndjenjat t’ona mê të njoma, me gjith mundësinë e dukur të një rishikimi të realitetit të vërtetë të faktit gjuhësor. Rishikimi dhe konfirmimi i këtij realiteti, të sbuluar mi themelin e ligjave striktërisht shkencore të disciplinës së gjuhës, i detyrohet me plot lavdi kërkimeve të profesor Jokl-it, si përfundim kryelartë i të cilave për ne është parapeshimi i elementit ilirian në fenomenet e gjuhës shqipe. Kësisoj Jokl-i rektifikon mi themelin ilirian hipotezat e pakonfirmuarshme të Meyer-it, dhe i mbështetur në përfundimet aq të frutëshme të kërkimeve të tija, aq gazmore [të gëzueshme] për ndjenjën shqiptare, shtje [vendos] tashti ay vetë themelet e reja të Fjalorit Etimologjik të shqipes, duke vazhduar me denjësi veprën kapitale të Meyer-it.
    Në kohën e fundit Jokl-i nuk ka patur tjetër qëllim, tjetër dëshirë mê të fundit të jetës së tij, përveçse pritjen e pensionimit [frazë e palexueshme] për të ardhur pastaj pa humbur asnjë ditë në Shqipëri, ku të mundi të kontrollojë, në vënd, dhe të verë në pikë [të saktësojë] disa vështirësira gjuhësore të Fjalorit, të plotësuar përfundimisht në pjesën më të madhe të lëndës.
    Këtë qëllim i-a-u shfaqi prerësisht nxënësve dhe miqve të tij shqiptarë në kryeqytet, me rastin e ardhjes për të marë pjesë në kremtimet e 25-vjetorit të Ngritjes së Flamurit.
    Një enthusiazmë i papërmbajtur, po i mbushur me ngrohtësirë të brëndëshme, i shoqëronte fjalët e mikut të ndritur, me të cilat pëlqente të japë lajmin e qëllimit të tij të arthmë shkencor në Shqipëri. Përkrahja që i dha, me prestigjin e emrit të vet, projektit të krijimit të një Instituti Albanologjije në Tiranë, rrëfen me punë se ay kalim rastor nëpër Shqipëri nuk mbeti ashtu, pa mê të voglën dobi të prekurshme.
    Udhëheqja e këtij instituti duhet vënë tashi nën kryesinë dhe kujdesjen personale të profesor Jokl-it, i cili ka për të qënë zemra dhe jeta e tij, ka për t’a gjallëruar qê në fillim me vepërimin e palodhur qê e shquan kurdoherë. Për këtë barrë të rëndë dhe përgjigjësiplote ay ka gjithë cilësitë e kërkuara: kariera e tij universitare e mbyllur, atituta [niveli i lartë] shkencore dhe vëzhgimtare e fiksuar në parimet e veta, të cilat tashi, në kryeqytetin e vendit shqiptar, që ka qenë objekti rreth të cilit pat derdhur gjithë energjitë e një jete të tërë, presin dhe duhet të gjejnë sbatimin e duhur pemëprurës [fitimprurës]. Profesor Jokl-i ka për të organizuar, jo një institut me funkcionim administrativ, ku anëtarë savantë shkruajnë periodikërisht studime mi çështjet albanologjike, po një organ të gjallë, praktik, që vëzhgon dhe konstaton dhe vleftëson për ças [vazhdimisht] dhe hap pas hapi realitetet dhe fenomenet shqiptare në një Seminar Albanologjije, të cilit t’i mbetet pastaj për trashëgim vazhdimi i veprës së inauguruar prej themelonjësit dhe mjeshtrit të tij të math, në kohët që kanë për të ardhur dhe nënë trajtën eventuale të një Fakulteti të Letrave Shqipe. Vepër ndërtonjëse në besimin [kuptimin] mê të zgjedhur të fjalës, të përqëndruar në veçanëri në lëmën filologjike, gjuhësore dhe bibliotekare, dhe një nga detyrat mê të para të së cilës do jetë rimarrja e objektivave të “Komisisë Letrare” për t’i nxjerrë në përfundimin e dëshëruar, organizimi i çështjes së folklorit dhe botimi definitif i Fjalorit Etimologjik. E tërë kjo punë, me një rëndësi dhe perspektivë sot për sot të pallogariturshme, nuk kërkon përveç se një shpërblim lëndor minimal, fare për të mos [u] vënë re, duke marë para sysh faktin se Jokl-i, që tret rregullisht siç ka tretur të ardhurat modeste të tija si profesor dhe bibliotekar për hirin e shkencës së tij të bukur, do jetë mirësisht i kënaqur, édhe tashi, vetëm me një onorar jetese që s’peshon, kënaqësija fisnike e tij do jetë siç ka qënë një gëzim lartësisht moral.
    Kur aty përpara [pak] kohe bota shkencore kremtoj [nderoi] profesor Jokl-in, për meritimet e larta të veprës së tij, me gjithë rëndësinë dhe pjesëmarrjen e përzemërt që impononte rasti, edhe Shqipërija u mundua të sjellë kontribuimin e vet të administrimit dhe mirënjohjes me anën e pendës së njëj nga mê të denjësishmit nxënës dhe vazhdonjës të veprës shkencore të Jokl-it. Ky manifestim mirënjohjeje ka kuptimin e tij të veçantë, sepse është për të parën herë që në kremtimin e një mirëbërësi të çinteresuar [të pa interes] të Shqipërisë, kjo nuk desh të mbetet dhe aq shumë prapa botës: shënjë bindëse e ndjenjës shqiptare për Jokl-in, se fytyra e ndritur e tij Shqipërisë i qendron për zemre, me gjithë frymën dhe vështirësitë qarkonjëse të kohës [frazë e fshirë: duket se rievokohet fryma e përshkruar në hyrje të artikullit].
    Jo, Shqipërija nuk e le mënj’anë me mospërfillje mirëbërësin fisnik të ritjes së emrit të saj në botën e kulturuar, nuk mund t’a lerë tashi, pikërisht tashi, kur ai gjendet në dispozicion të lirë, gati për t’i shërbyer si gjithnjë Shqipërisë, Atdheut të tij të dytë [Fjalia është shkruar mbi një frazë të fshirë, ku kuptohet se përsëri është ripërmendur rreziku që i pret izraelitët me ngjarjet austro-gjermane]. Nuk e harron, sikundër ay gjith Atë [Shqipërinë], një jetë të tërë, jetën e çmuar të djalërisë, burrërisë dhe pleqërisë së tij, ka patur ndërmënd, gjith për të drejtën, për nderin, për fatin e saj ka derdhur zellin e vëzhgimtarisë së tij së papërtuarshme, në librat e tij shkencore, në periodiket e specialitetit, në leksikonet enciklopedike, nër broshurat, revistat dhe fletoret shqiptare, duke i mbushur të gjitha me dashurinë e shumtë për vëndin e shqipes, Atdheun shpirtëror të mundimeve të tija.
    Dhe profesor Jokl-i nuk vjen kësaj here në Shqipëri, ashtu, me duar zbrazur. Ay sjell me vete, si shënjë nderimi dhe falënderimi, një kanisk [tufë, buqetë] të paçmuar: sjell bibliotekën e tij private të pasur, prej përmi tri mijë volumesh, të gjitha rreth çështjeve dhe problemeve të shkencës së tij [të bukur], në thelbin e së cilës qëndron shkenca e vështirë mi gjuhën dhe kombin shqiptar, po së cilës ay mundi t’i japë një interes universal të përtëritur. Kështu vjen dr. Norbert Jokl-i në Shqipëri, Këshilltar i Oborrit Austriak, Profesor i Universitetit të Vienës, Albanologu mê i math i ditëve t’ona, kështu e pret Shqipërija, me përulje nderimesh dhe shpërblimesh lëndore, po kryelartë për dashurinë mirënjohëse që i ruan në zemrën e saj.

    Tiranë, 22 maj 1938

    AQSH, Fondi 486 (koleksion dokumentesh), D. 2482, V. 1938.

    MILOSAO.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •