Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 7
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e marcus1
    Anëtarësuar
    21-03-2003
    Vendndodhja
    Greqi
    Postime
    2,574

    Frati i Pashallarëve Bushatli të Shkodrës

    Të dashtun vllazën, për hir të tolerancës fetare që duhet të na karakterizojn po postoj këtu nji pjesë nga libri i At Zef Pllumit "Histori Kurrë e Shkrueme". Ky libër fillon me historinë e një frati italian At Erasmos da Baleno i cili ishte një dalmatin,a rdhë në Shqipni si frat misionar, me famulli në Hot, por që nji rastësi e mrekullueshme, falë aftësive të tij personale si mjek, e bani që të jetë konstruktori i vërtetë i Pashallëkut të Shkodrës dhe i të parit bashkëpunim historik ndërmjet muslimanëve e kristianëve për me krijue nji shtet të pamvarun shqiptar.

    Lexim të kandshëm.
    The experience of love, is not when you receive it, but when you give it! - Durin Hufford

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e marcus1
    Anëtarësuar
    21-03-2003
    Vendndodhja
    Greqi
    Postime
    2,574

    Frati i Pashallarëve Bushatli të Shkodrës

    Hymje

    Kur ishëm i ri, m'u dha mundësia e rrallë të punoj n'arkivin françeskan, i cili përfshinte nji dokumentacion shumë të pasun për historinë e popullit shqiptar, tue fillue që nga vjeti 1415 e deri në Luftën e Dytë Botnore. Kishte dokumenta nga ma të ndryshëm; jo vetëm relacione kishtare, por edhe mbi gjendjen ekonomike të popullsisë, ashtu edhe mbi persona të ndryshëm, kronika ngjarjesh, grindje personale e kolektive, fatkeqësi natyrore, sëmundje epidemike etj. etj. Nji pjesë e madhe këtij arkivi ishte shkrue me germa arabishte. Se çka kishin mbrendë nuk mund të kishem dijeni, por kur i hapshem ato, thojshem me vedi "çërebëcere" dhe u largojshem prej tyne, prandej i pata vendosë të gjitha në disa rafte të mëdhaja, të mbylluna me kapakë druni. At Anton Harapi, ai që s'parit më shtini aty, nji ditë më tha se nuk kishte teprue kurrnji prej fretenve që të zotnonte arabishten, turqishten e persishten, prandej ka me kenë e domosdoshme që së shpejti me dërgue n'ato vende nji njeri për studimin e atyne gjuhëve, mbasi këtu mbrendë kishim nji pasuni aq të madhe. Nga ana tjetër, kishem kurjozitetin e shkresave kryesisht në gjuhë latine e ato, ma të shumtat, në gjuhën italiane. Aty, në nji raft, gjindej edhe nji fshesë puplash shpendësh me bisht të shkurtë dhe, dy herë në javë, që n'orar të caktuem shkojshem aty, e para punë, më duhej me shi pluhnat. Nuk di si hijshin ato, edhe pse raftat ishin të mbyllun e të punuem mirë, por shpesh herë më duhej me i shluhnue dosjet e bardha, të holla, aty mbrendë. At Antoni pat ble dosje kartoni, aso kohe moderne, ndër të cilat vendoste dosjet e vjetra, të cilat në shumë rasa kishin të shkruem sypri vjetin. Mbi dosjet e reja nuk e shkrova atë. Por kso rase, tue kqyr se çka përmbajshin mbrenda, gjeta nj regjister të vogël, të lidhun me lëkurë të butë, ngjyrë kafje t'errtë, me letër të vrazhdë, sikur të librave të vjetër. E hapa dhe në faqen e parë kishte të shkrueme si frontespic:

    Ego Fr. Erasmus a Balneo
    Ordinis Minorum Reform.
    Missionarius Apostolicus in Albania

    Un P. Erazmi nga Balneo
    Urdhnit të Fretënve Reformatorë
    Misionar Apostolik në Shqipni


    Ndërsa në faqen e dytë kishte të shkrueme në gjuhën italiane si titull:

    Come diventai medico personale
    Di Mamud Pacia di Scutari

    Si u bana mjek personal i Mahmud Pashës të Shkodrës


    ***


    vazhdon...
    The experience of love, is not when you receive it, but when you give it! - Durin Hufford

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e marcus1
    Anëtarësuar
    21-03-2003
    Vendndodhja
    Greqi
    Postime
    2,574

    Frati i Pashallarëve Bushatli të Shkodrës

    E nxora atë regjistër të vogël nga ajo dosje, e mora në dhomën teme për me e lexue.

    Shkrimi ishte i bukur, megjithse stili i atëhershëm i kishte tepër të afërta germat s me f, por u mësova shpejt me to dhe e lexova dy tri herësh mbrenda javet. Gjatë gjithë jetës kam pasë dishir t'i ve në dritë ngjarjet që ruheshin aty, por vetëm tash, në pleqni të shtyme ndoshta po më del pak kohë sa me i vu në dritë.

    Lexues i dashtun, e kupton mirë se të shumtën e herës në pleqni të shtyme kujstesa ligshtohet, kështu do të keshë falje në se këtu nuk ka data të sakta historike, por paraqitet nji fenomen i veçantë historik në të gjihtë saktësinë e tij, pamëvarësisht se historianët shkencëtarë mund të kritikojnë ndonji vit gabim, ndonji muej ose datë. Fakti asht se në historinë e popullit shqiptar, tashma të kthyem në Islamizëm, fenomeni i pashallarëve Bushatli të Shkodrës ose bashkëpunimi mes muslimanëve shqiptarë dhe kristianve, kje e para shkëndi e pamëvarësisë së Shqipnisë nga pushteti osman. Në historinë zyrtare nuk vërehet ky fenomen, ndoshta edhe errësohet qëllimisht. Aso kohe sundojshin në trojet e shqiptarëve dy pashalleqe të mëdha: Pashallëku i Shkodrës, drejtue nga Dera e Bushatlive dhe, pak ma vonë, në rend të dytë, personi i Ali Pashë Tepelenës në Jug, si vezir i Janinës.

    Lexues, mendo se Shqipnia ishte krejt nën sundimin osman dhe na duhet të kërkojmë të vërtetën e ktij revelimi antiosman të gjihtë shqiptarëve, ndër te dy kto pashalleqe të mëdha, Shkodrën dhe Janinën.

    Shkodra e Bushatlive ksihte nji dinasti e cila thuhej se ishte paraturke, princërore, ardhun nga trashigimtarë të kthyem në islamizëm dhe që gjithmonë kishte juridiksionin legjitim të Shkodrës e rrethinave, autoritet i padiskutueshëm së pakut moral e shpirtnor.

    Pashallëku i Janinës asht i lidhun vetëm me nji person: Ali Pashë Tepelenën i cili nuk kishte prejardhje fisnike. Ai ish nji djalë hajdut aq i rrezikshëm në këtë pjesë të territorit osman sa për ta paqësue, Porta e Naltë mendoi ta emnojë Pashë në mënyrë që të përballonte të gjitha vijat e komunikacionit. Ali Pasha ishti nji zheni, por që nuk kishte kurrfarë kulture; ishte nji cub analfabet.

    Pothuej i gjithë veprimi i tij ndodhi mbas ideve të Revolucionit Francez, të cilat ai kurrë nuk i kuptoi. Ofertat e shteteve perendimore nuk i kuptoi as nuk i shfrytëzoi për të mirën e vendit dhe të popullsisë së vet, por vetëm për vedi; nuk e kishte idenë për nji pamëvarsi politike, e cila as nuk i shkonte ndërmend, por vetëm nji pamëvarsi ekonomike, e cila i shkonte për shtat personit të tij, sepse nga taksat shtetnore që merrte, nuk donte t'i jepte asgja Sulltanit. Në territorin ku sundoi, kje nji tiran gjakatar i cili nuk kishte as kuptimin ma të vogël për tolerancën fetare, aq sa me dhunë shfarosi viset kristiane që gjindeshin, për rrezik, nën sundimin e tij. Krejt ndryshej kjenë Bushatlitë e Shkodrës. Origjina e tyne fisnike, pasunia e perhershme, pregatitja ushtarake e kulturore, i bante t'aftë për sundimtarë me tolerancë të madhe karshi të gjitha besimeve e të gjitha shtresave të popullsisë. Perveç ktyne mendonin për zhvillimin sa ma të madh të tregtisë, të komunikacionit e të ndërtesave të kultit. Njerëzit ma të shquem të kësa dinastie lindën, jetuen e vdiqen në kohën e mbretnive të mëdhaja t'Europës, para Revolucionit Francez, kur idetë e pamëvarësisë së popujve ende nuk ishin zhvillue. E po në atë epokë, në të cilën marrëdhaniet politike me jashtë ishin tepër të vështira, Bushatlitë u përpoqën për vendosjen e ktyne marrëdhanjeve dhe për pamvarësinë e vendit të vet.

    Kjenë të parakohshëm si në vendin e vet ashtu edhe për të tjerët. Tash po tregoj shënimet autobiografike të Pater Erazmit ashtu siç i mbaj ndërmend.
    The experience of love, is not when you receive it, but when you give it! - Durin Hufford

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    08-09-2009
    Postime
    547
    Vella Marcus,

    Urime per punen e mire qe e ke marre persiper me e pru ketu kete shkrim te mrekullueshem. Ne fakt, te dy librat e At' Zef Pllumit jane libra epike per mua personalisht, sidomos 'Rrno vetem per me tregue", te cilet duhet t'i kete cdo biblioteke shqiptari.

    Per mua ka qene nje pervoje e papershkrueshme leximi i te dy librave menjehere pasi dolen ne shitje. S'kam shkuar kurre ne shtepi me aq qejf te madh per te lexuar se sa ne ate kohe. I perpija faqet njera pas tjetres. Jane libra qe do t'i kthehesha serish me shume deshire, edhe pse libri qe ceka me lart ka shume vuajtje brenda dhe kerkon shume zemer. Mirepo, ne gjithe ato vuajtje triumfon Krishti, vellezer e motra. Eshte nje liber i shkruar pa mllef e urrejtje, por vec me e qite te verteten ne drite. Martiret tane e lane me gjak kete toke dhe secili prej tyre e deshmoi Krishtin deri ne frymen e fundit. Ata ndermjetesofshin gjithmone para Zotit per kete Shqiperine tone qe te ece gjithmone perpara ne dashuri dhe paqe.

    Pasi i perfundova se lexuari librat, i kam kerkuar nje takim At' Zefit dhe ai pranoi me deshire. Ishte ne muajt e fundit te jetes, por si gjithmone i kthjellet dhe me nje ze e buzeqeshje si prej femije. A thua se vuajtjet e shumta nuk kishin mundur dot t'ia hiqnin prej fytyres buzeqeshjen . Ishte nje takim shume prekes per mua, pasi per here te pare ne jeten time me dilte personazhi prej librit dhe fliste i gjalle me mua. Me behej se e njihja shume mire. Biseduam per mese 90 minuta per ceshtje te ndryshme shqiptare dhe fetare, te cilat m'u duken se fluturuan sa hap e mbyll syte. Do ta ruaj ne kujtesen time ate takim aq te bukur dhe te dhimbshem njekohesisht, dhe e falenderoj shume Zotin qe e ruajti At' Zefin si ate lulen e vonuar te pranveres per te na bere deshmi per vuajtjet e hequra te shqiptareve ne ferrin e burgjeve komuniste. I pushofte shpirti ne paqe!

    Lavdi Krishtit!
    Adoremus in Aeternum Sanctissimum Sacramentum!

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e marcus1
    Anëtarësuar
    21-03-2003
    Vendndodhja
    Greqi
    Postime
    2,574

    Frati i Pashallarëve Bushatli të Shkodrës

    Misionar françeskan në Shqipni


    Mbasi mbarova studimet e nalta në filozofi dhe teologji, shkova në Romë në kunvendin e Araçelit. Aty gjatë një vjeti pregatiteshin misionarët që do të shkojshin në Shqipni, e cila ishte nën sundimin osman. Kishim si landë mësimi vetëm dy materje: gjuhën shqipe dhe mjekësinë. Dy herë në javë na flitej edhe për vështirësitë e misjonit, për malet e egra, pa rrugë, pa mjete lundrimi, për zakone t'egra e barbare, për nji popullsi të vrazhdë e të pashkollueme, ku mbretnonte nji injorancë trashamane. Flitej për mungesën e lirive personale, për feudalizmin turk, i cili mbante të shtypun njeriun e krijuem për liri. Flitej për shumë ngatërresa e provokime mbi të cilat mandej u bazojshin akuza e çpifje, që mund të mbërrijshin deri me dekë në hu ose në konop. Flitej për kristianët laramana të cilët ditën ose sheshit ishin turq e muslimanë, ndërsa natën ose msheftas kishin besimin katolik. Flitej aty se në Perandorinë Osmane ishte besim zyrtar Islamizmi ndërsa të krishtenët nuk kishin liri feje, përveç vendeve të privilegjueme nga akorde të hershme e të pashkrueme. Kjo eksperiencë zakonisht na jepej prej disa misionarve të vjetër, të cilët kishin kalue shumë vjet në Shqipni ose ndër krahinat e Perandorisë Osmane dhe të shumtën e herës jepshin eksperienca ose ndodhi personale. Po bie këtu nji shembull që na tregoi nji françeskan ish-misionar në Nikaj-Mërtur:

    "Kishëm kalue katër vjet ndër ato vende tepër të humbuna. Popullsia e tyne ishte aq e madhe, por me shumë vese. Vorfnia ishe aq e madhe, sa na françeskanët ua kishim zili. Nji burrë më kërkonte t'i jepshem hua tridhet qese. Në të vërtetë aq sa nuk i kishëm, por as nuk do t'ja jepshem. M'u vardis pa nda tue më kërkue që t'ia jepshem dhe askurr nuk ia dhashë, sepse nuk kishem siguri. Mbas disa ditësh e shifshem vajzën e tij që vinte deri afër kishës për me kullotë delet. Mbas disa kohet baba i saj më akuzoi se un i kishem perdhunue vajzën. Vajza paraqitej me barrë. Zakonisht në Shqipni të gjitha varzat shkojnë virgjina te burri. Ma vonë nuk dihej se ç'bahet.

    Nji ditë m'erdh nji prej krenve të fisit, që më donte shum, e më tha:

    -Pater, a asht e vërtetë se ke pasë punë me filanen?
    -Jo, kurrë, - i thashë, - dhe në rasë se bahet pleqni për ktë, due ballafaqim me vajzen që t ëtregojë para të gjithve si, kur e tek.
    -Pater, vajza asht me barrë dhe thotë se e ka me ty, mendou!....
    -S'kam çka mendohem, në kjoftë me barrë le të tregojë të vërtetën se me ke e ka.

    U mblodhën kryesia e pleqtë e fisit. Vajza m'akuzoi ndër sy të gjithve. Atëhere ai plaku që më donte, i bani nji pvetje:

    -Ku u takuet së pari?
    -Në prrue - përgjegji vajza.
    -Po frati si ta bani, a ta shtini dorën pra këtu e këtu, mandej këtu... E nxuer jastekun nga barku i saj... Vajza nuk ishte me barrë. Pleqnia kje e gjatë, fitoi pafajsia eme por...pleqët i vune nji gjobë aq të randë për me ma pague, prandej u largova prej Shqipnie që mos të më delshin ngatërresa të tjera në atë vend.


    vazhdon...
    The experience of love, is not when you receive it, but when you give it! - Durin Hufford

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e marcus1
    Anëtarësuar
    21-03-2003
    Vendndodhja
    Greqi
    Postime
    2,574

    Frati i Pashallarëve Bushatli të Shkodrës

    Nji tjetër misionar nga Trento na foli për përvojën e tij në Shqipni. Ihste kenë në rrubig që e përfshinte krahina e Mirditës. Ishte nji krahinë shumë e vorfën, por shumë krenare, sepse nuk i ishin nënshtrue turkut, por nji marrëveshje e pashkrueme i privilegjonte nga taksat, por i detyronte që, në rasë lufte, ata do të shkojshin ushtri vullnetare me turkun nën komandën e Derës së Gjomarkajve. Në të gjithë krahinën nuk kishte asnji musliman ose turk. Megjithatë si katolikë nuk shkojshin në meshë, as në funksione fetare, prveç se ndër Krezhma, ditës së Pashkëve e Natës së Këshndellave. Kisha e Rrubigut ishte në hymje të Mirditës, mbi nji maje shkambore të mbushun me ilnje (ilqe) e atje nalt zbardhonte Kisha e Rrubigut si nji çerdhe shqipesh. N'atë krahinë zotnonte nji vorfni e pashoqe, sepse burrat nuk punojshin, por sielleshin tue ba pleqni ngatërresat e popullit ose pprpiqeshin me i ngatrrue ma zi se ç'ishin. Vetëm gratë punojshin n'atë bujqsi të paktë e primitive ose me blegtorinë e vorfën. Ajo krahinë e kishte zakon me jetue edheme "cubni". Ata u bashkojshin ndër çeta dhe sulmojshin, tue grabitë lopë, qe, kual, berre e çka të gjejshin para ndër krahina sa ma të largta. Në Mirditë nuk kishte hajni ose cubni, mbasi cubat nuk kishin çka me vjedhë. Cubat mirditorë synojshin ma shumë Shqipninë e Mesme dhe Maqedoninë, sa ma lart gë mundshin. Ishte mënyrë jetese ashtu edhe për me tregue aftësitë e trimnitë personale. Në Rrubig ky zakon ishte shumë pak i përhapun. Në përgjithësi ishin njerëz të ndershëm, ndërtues shtëpiash, gurëgëdhenës, përse toka e tyne kishte nji lloj guri gadi si mermerin.

    N'atë majë shkrepi banojshëm uni i vetëm. Me marrë në sherbim nji femën, ishte shkandull, ndërsa burrat nuk dijshin kurrgja as për vedi, jo ma për mue. Ndeja vetëm e shpesh herë më thojshin: "Zotni, veç skyfteri rrnon vetëm mbi shkamb"...! Ashtu jetova. Por nji natë m'u prish qetësia. Trokitjet mbas mjesnatet më zgjuen nga gjumi:

    -Kush asht? Çka don?...
    -Zotni, hape deren! Kemi nji punë me shumë randësi e mos e ço Zanin.
    -Kush jeni ju? Çka kërkoni? A asht kush tue dekë?
    -Zotni, mos fo me të madhe se kemi ardhë për nji punë shumë të randësishme. Zotni, na e hap derën!

    Ndeza nji qiri dhe dalëkadalë u ula me hapë shulin e derës. Ishin dy vetë, të cilët më ças më shkimben qirin e më thanë:

    -A ka tjetër banues këtu?
    -Jo!
    -Mos ndez kurrë nji dritë, sepse kemi nji fjalë shumë të randësishme me ty.

    Ashtu në terr, i shoqnova deri n'oden teme. Un u ula në selinë qendrore, ata në shoqnim.

    -Burra, çka keni?
    -Zotni, fol lehtë, që mos të ndigjojë kurrkush. Kemi nji punë me shumë randësi: duem paret që ke, ose shpirtin.
    -Ndigjoni, shpirti em nuk u vlen kurrgja, paret po! Qe, këtu i keni paret. Dhe nga sirtari i fundit nxra qesen. Ata e peshuen qesen. Ishte mjaft e randë.
    -Mirë - thanë të dy. - Tash na po shkojmë, por rueju se u bjen kumbonëve ose i kallzon ndokuj.
    -Mos u bani merak. Shikoni, o burra, keni ba mirë që keni ardhë te un e jo te nji fukara që ka vetëm dy shi e pesë fëmijë. Kështu veproni gjithmonë: shkoni te ai që ka e jo te ai që nuk ka. Un edhe për nji muej jetoj me ata çka kam ndër qypa, mandej falë Zoti të tjera. Ju kto pare i merni sepse keni nevojë me mbajtë fëmijët tuej e familjen, nuk i keni me u ba rehat e me vu pasuni.
    -Ashtu asht zotni!
    -E pse nuk i merrni me bekim të Zotit?...
    -Kush na jep bekimin, zotni?
    -Ua jap un. Ulnju këtu në gjunj para meje.

    I preka dy kokat e tyne me qeleshe, mandej i spërkata me ujë të bekuem, tue u thanë psalmin: montes et omnes colles descedeant super vos et maneant semper(Të gjitha malet e kodrat zbritshin përmbi ju e nën ta mbetshi përgithmonë!)

    Kur e muerën këtë bekim, ata të dy më puthën dorën e u larguen në terr. Mbas nja njizet minutash, shkova në kishë dhe u rashë kumbonëve me tërbim; ishte shej alarmit e jo i festës. Nga oborri, që ishte porsi nji balkon, shifshem pishat e dritat që delshin nga shtëpiat, të gjitha drejtoheshin kah kisha. Un i ndeza të gjitha dritat e kishës. Populli vinte lagje-lagje. Erdhën pothuej të parët që ishin afër kishet e të cilët i kishem ma besnikë se të tjerët. Kisha u mbush ma tepër se në çdo festë fetare.

    Ata dy cubat, kur kishin pa se i gjithë populli rrnte te kisha, i kishin thanë shoqi-shoqit: Populli shkon te kisha e na largohena prej kishës, kane me na diktue, prandej bajmë ma mirë me kthye edhe na te kisha, si të gjithë të tjerët. Kisha u mbush plot e përmaje me burra. Atyne besnikëve të mi u thashë që të mbyllshin mirë derën e ksihës për ata që dalin dhe hyjnë. Kur pashë se nuk ksihte ma pishaflakë, te drejtuem nga kisha, dhashë urdhën qëkisha të mbyllej e mos të hinte o të delte askurrkush.

    U mbyllën dyert e kishës e un nga elteri fola: - Ndigjoni, o popull, Papa i Romës ka dekë, prandej u thirra që të thomë shejtën rruzare për shpirtin e tij.

    Mbasi kreu rruzarja, i thashë popullit: - Ka dekë nji papë, por zgjidhet nji papë. Ta lusim Zotin!...

    Atëhere u thashë besnikëve të mi që me pisha të ndezuna t'i kqyrshin të gjithë njerëzit në ballë sepse un, në vend që me i bekue me ujët, i kishem sperkatë me bojë shkrimit.

    Fola prej elterit: Ndigjoni, o popull besnik, sonde më ka ndodhë nji ngjarje e keqe. Dy cuba më kanë ardhë e m'i kanë grabitë të gjitha paret. Këtu në mes jush janë me shejin në ballë!

    Dy burrat që kqyrshin me pisha në dorë, nuk vonuen e i gjetën të dy; vijshin nga nji katund tjetër jashta famullisë seme. Mbasi i dorëzuen paret që m'i kishin marrë, atëhere filloi nji shamatë e madhe, sepse u çuen disa prej famullisë dhe kërkojshin prej tyne shpërblime për nderën e marrun, të cilën shqiptarët e kanë si gja të shejtë dhe mbyten mes vedit, por ndërhyna un që puna e fjalët mos të shkonin ma tej, por të mbylleshin me aq. Qysh atë natë e mbrapa nuk kam pasë kurrnji trazim prej kujë.


    vazhdon...
    The experience of love, is not when you receive it, but when you give it! - Durin Hufford

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e marcus1
    Anëtarësuar
    21-03-2003
    Vendndodhja
    Greqi
    Postime
    2,574

    Frati i Pashallarëve Bushatli të Shkodrës

    Ndërsa nji ditë tjetër, nji misionar venecian bani këtë dishmi: "Kur kreva të gjitha pregatitjet për me shkue ne Shqipni, rastësisht takova nji mik venecian, i cili më tha se ishte kenë në Shqipni për pak vjet por i njifte mirë shqiptarët. - Janë njerëzit ma kokëkrisun që ka bota!...Kërkojnë me të shfrytëzue. Po nuk u peqeve, të mbysin; po të jesh trim, të përulen. Kjo asht eksperjenca eme në popullin shqiptar.

    Mbasi m'i tha këto, më këshilloi të bjejshem nji topanxhë (armë e vjetër me eksploziv). Çka më duhej ajo mue? Mbas nja tri katër ditsh, po ma bjen topanxhen bashkë me pluhnin që mbushej e me nja njizet kokrra plumbi dhe e nxori nga arka e vogël druni e më mësoi se këtu mbushet e mandej shprazet. I bani provat vetë, mandej i tërhoq gisht e topanxha bani bam! Ndigjo, - më tha - vetëm këtë bam! Kur ta digjojnë shqiptarët kanë me të drashtë, vetëm rueju se mund të ketë edhe të tjerë që përpiqen me ta marë, sepse atje vetem pashallarët e njerz tepër të naltë mund të kenë topanxha, tjeërt të gjihtë janë me tagana. Edhe për festa të mëdha, mbasi të mblidhet populli te kisha, ti mundesh me e shprazë bam! Por rueju shumë mos me e mbajtë grykën kah populli se, me mbytë e plagosë ndokend, të mbysin, prandej mbaje grykën andej ku nuk asht kurrkush.

    Mbasi i tha këto, ma fali atë arkë të vogël bashkë me topanxhën mbrendë. Kur shkova në Shqipni m'emnuen në famulli të Shalës, ku ishte numir ma i madh i popullsisë mes maleve të nalta, ku gjarpnonte nji lum i kristaltë e shumë i ftoftë. Famullia përfshinte krejt atë luginë në të dyja shpatet. Kisha gjindejnë mjesin e njanit prej shpateve. Ishte e vogël, sepse populli nuk vinte aty, veçse ndër të diela të Krezhemve deri të Hanen e Pashkëve. Edhe natën e Këshndellave, në mjesnatë, kisha mbushej aq sa mos me i xanë, edhe festohej shumë bukur, pse nga çdo lagje me pisha të ndezuna vijshin natën deri aty te lagjja e kishës e kur binte kumbona e vogël, mbidheshin të gjithë. Mbasi thashë Meshën, atëherë u bana urimet të gjithve, i rashë kumbonës gjatë e gjatë, mandej nxora topanxhen që e kishem pregatitë që përpara dhe e shpraza bam! Për festë. Ata meten të çuditun: u gëzuen por edhe u friguen.

    Më ndodhi që nji të diele gjatë Krezhmesh, ndërsa ishem tue rëfye në nji qoshe të kishës, mbas disa grave, po vjen edhe nji nuse e re.

    Posa u çue ajo nuse po vjen nji burrë e më thotë:

    -Zotni, më trego çka rrfei ajo nusja.
    -Ik, kjosh bekue, se rrfimi shejt nuk tregohet.
    -Ajo asht nusja eme dhe to të më tregosh se çfarë gjynahesh ka ba!
    -Ndigjo, more burrë i mirë: Rrëfimi nuk tregohet!
    -Nuk tregohet?...nga gjoksi nxori nji thikë të madhe, të mprehtë. -Nuk tregohet?...as mue, që jam burri i saj?...Pater, po nuk tregove, këtu të del shpirti!...Trego!...
    -Këtu ndërron puna - i thashë. Për këtë gja më duhet me shkue e me kqyrë edhe nji herë çka thotë ungjilli i Sh'Gjonit. Më prit pak, se e kam atje nalt në dhomë.

    Shkova nalt e mbusha topanxhen. Dola në dritore dhe me grykë nalt i hoqa gisht. Ajo bani bam! Krisma e saj jehoi porsi bumbullimë nëpër ato lugje të maleve. Ndërsa po e mbushëshem topanxhen përsëri, ndigjojshem thirrjet e malsorve që me sa za bërtitshin:

    -Ooo, ku je, more, ku jeeeeee...!

    Kur e mbusha përsëri, e shtina në mangën e gjaën të zhgunit dhe zbrita në kishë. E nxora nja dy-tre hapa larg tij e i bërtita:

    -More qeni i biri i qenit o po largohesh prej kishet ose këtu të duel shpirti. Zmrapu! Zmrapu po të tham, o ta mora shpirtin!...

    -Ai mbet shtang, i ngrimë si gur e, kur e muer vedin duel i friguem e u zhduk.

    Vazhdova i qetë punën teme e që më atë ditë nuk më turbulloi kurrkush ma. U hap fjala ndër të gjithë se "Frati ynë asht trim!". Më deshën e më nderuen.

    Në të vërtetë eksperjenca e misionarve të vjetër ishte tepër e bukur dhe vlefshme për ne të rijtë, që kishim shprehë dishirin me iu kushtue jetës plot rreziqe misionare.

    Si përfundim nxirrej se duhej pasë shumë urti e kujdes nga femnat, parja e frika...
    The experience of love, is not when you receive it, but when you give it! - Durin Hufford

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •