Meta-Rama, historia e një mësimi!
» Vendosur: 11/02/2010 - 08:53
• Besjan Pesha
Unë e mbaj mend shumë mirë momentin që Edi Rama hyri rishtaz në politikën shqiptare. Imazhi i tij u pompua aq fort nga propaganda qeveritare e asaj kohe, saqë brenda një periudhe shumë të shkurtër emrin dhe figurën e tij filluan ta belbëzonin një pjesë e mirë e shqiptarëve. Sigurisht që të gjithë ata që e kanë ndjekur me vëmendje ngritjen e Ramës në skenën politike kanë kuptuar se një dorë e fortë e mbante gjithnjë nga xhaketa, duke u kujdesur që të ecte në rrugën e duhur. E njëjta dorë e fortë që e kandidoi për kryetar bashkie dhe që i mundësoi më pas edhe marrjen e Partisë Socialiste, dora e Ilir Metës.
Ishte po Ilir Meta që në vitin 2007 mbasi i ofroi një bashkëpunim pothuajse pa kushte për zgjedhjet vendore, duke pasur shqetësimin e vetëm fitoren e të majtës në zgjedhje, i mundësoi Ramës zgjedhjen rishtazi si kryetar i Bashkisë. Edhe mbas atyre zgjedhjeve problematike, Meta sërish vazhdoi t’i qëndronte koalicionit, siç i thonë për llaf burri, edhe pse asnjë prej pikave të marrëveshjes që ishte bërë për bashkëpunim në qeverisje lokale nuk ishte duke u zbatuar.
Edi Rama prishi çdo lloj marrëveshjeje të bërë jo vetëm me Metën, por edhe me aleatët e tjerë duke filluar një proces intensiv flirtimi me maxhorancën e atëhershme e duke tentuar me çdo kusht të krijonte një pakt të madh, i cili do ta bipolarizonte përfundimisht skenën politike shqiptare dhe do të godiste mbi të gjitha atë që e kishte ndihmuar më shumë dhe i kishte mundësuar pushtetin, Ilir Metën. Nuk ka qenë e largët koha kur planet e betonizimit të Tiranës u shtrinë drejt konkretizimit dhe kur akuzat që i bëheshin Qeverisë u kthyen në një teatër qesharak. Edi Rama në atë kohë e shpenzonte kohën duke bërë llogari elektorale, të cilat linin në skenën politike vetëm atë dhe askënd tjetër duke gënjyer, mashtruar dhe lojtur jo vetëm me aleatët klasikë e miqtë e tij të vjetër, por edhe me ata të rinj si puna e Veliajt me shokë, të cilët shpresonin se nëpërmjet tij do të ngjisnin shkallët e pushtetit me shpejtësi.
Ilir Meta i pranoi përsëri rregullat e reja dhe të padrejta të lojës, duke adaptuar të gjithë aksionin e vetë politik sipas tyre. Edhe pse i gjendur përballë një kodi elektoral të krijuar enkas për të goditur atë, edhe pse kishte një pakt gati kombëtar (për nga numri i deputetëve në Parlament në atë kohë) kundër tij, ai respektoi vendimin e shumicës dhe hyri në zgjedhjet e 2009, duke u sjellë si i barabartë me PS e PD, ndërkohë që realisht disproporcioni që krijonin rregullat e lojës dhe legjitimiteti i hilesë ishte spektakolar. Pa numërues, pa komisionerë, pa anëtar KQZ dhe pa një të drejtë reale ankimimi. Gjithsesi Ilir Meta respektoi paktin ashtu siç kishte bërë gjithnjë.
Sot historia duket se nuk ka ndryshuar shumë për këta aktorë politikë. Përsëri kemi përballë një Ramë plot me hile e me dredha dhe një Metë që vazhdon respekton paktet dhe rregullat e lojës, pavarësisht se kush i vendos ato.
Edhe pse kishte komisionerët e vetë në të gjitha qendrat e votimit dhe të numërimit, edhe pse OSBE thekson se votat e votuan keq dhe shumë keq pikërisht nga komisionerët e vet, edhe pse të gjithë ne që kemi qenë pjesë aktive e procesit kemi parë tendencën e komisionerëve të PS për të deformuar votën, kryesisht të LSI dhe respektimin e votës nga ana e atyre të PD, sot Edi Rama kërkon rinumërim si preteksti i radhës për të ndryshuar rregullat e lojës e për t’i përshtatur ato sipas situatës së re po të keqe, ku e ka hedhur vetveten.
Edhe pse statuti i Partisë së vet e thotë qartë që kryetarit i ndërpritet mandati dhe për rrjedhojë ai nuk duhet të kandidojë më, ai i ndryshoi dhunshëm dhe shëmtuar rregullat duke rikandiduar në një nga proceset zgjedhore më qesharake të historisë së këtij vendi.
Meta, edhe pse nuk ishte negociuar nga ai, mbrojti marrëveshjen me Greqinë për territorin ujor vetëm e vetëm sepse kjo ishte pjesë e punës së tij si Ministër i Jashtëm. Po Meta, pranoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta anuluar këtë marrëveshje, duke mos bërë asnjë koment karshi kësaj gjykate. I njëjti njeri që pranoi ta bënte koalicionin e tij me kundërshtarin klasik e historik, por që për hir të interesave kombëtare është duke bashkëpunuar seriozisht për të arritur rezultatet që na nevojiten të gjithëve.
Sot Edi Rama po kërkon një tjetër pakt, edhe ky i bazuar në hile, në intriga dhe në një Pazar të pistë interesash personale, të cilat kërkon t’i realizojë duke mbajtur peng një komb të gjithë. Asnjë argument i tij nuk mund të justifikojë qëndrimin jashtë dyerve të Parlamentit të deputetëve socialistë, ashtu siç asnjë ngërç moral nuk mund të justifikojë më veprimet e vetë deputetëve. Kushtet ai sot nuk po ia vë maxhorancës qeverisëse, por gjithë popullit shqiptar. Duke marrë peng procesin e integrimit, ai po na shantazhon të gjithëve në një stil tipik të terrorizmit politik.
Jo më kot iu ktheva edhe njëherë memories politike të asaj çfarë ka ngjarë me dy liderat e të majtës shqiptare. Ndërsa afron e shtuna, historia po tenton të ripërsëritet, ose më saktë Rama po kërkon ta kthejë kohën pas. Duke kërkuar një zgjidhje në tavolinë të asaj që vetëm ai e quan krizë, po kërkon të ndryshojë sërish rregullat e lojës e nëpërmjet tyre t’i jepet edhe një shans tjetër i pamerituar dhe i padrejtë, duke tentuar rishtas të shmangë garantin e një pakti të drejtë, Ilir Metën, edhe pse është e qartë për të gjithë që ai është i pashmangshëm jo vetëm për hir të koalicionit por edhe sepse e majta reflektohet e pasqyrohet shumë herë më mirë te imazhi serioz dhe luajal i Metës sesa te Piktura abstrakte me ngjyra e Ramës.
Historia midis tyre na mëson se Rama nuk mund të besohet dhe se me të nuk duhet të negociohet.
Nëse ia japin sërish këtë shans, jo vetëm Berisha e Meta por të gjithë ne që sot trazojmë sado pak apo shumë çorbën politike në këtë vend, na hiqet përfundimisht e drejta për të kërkuar ndonjëherë drejtësi. E nëse i japim atij që vetëm ka gënjyer, mashtruar, shpërdoruar e përfituar në kurriz të mirëbesimit të të tjerëve, edhe njëherë besim atëherë jam i bindur se qytetarët e këtij vendi do të pëshpërisin rishtaz me trishtim “ky vend nuk bëhet”, sepse jam i bindur që nëse do të ishte krejtësisht në dorën e tyre, ata nuk do t’ia jepnin Ramës edhe një shans.
panorama
Krijoni Kontakt