Pallati te Braka, Edi Rama zhduku rrugën me dokumente të falsifikuara
Dokumentet e paraqitura për miratimin e sheshit dhe lejes së ndërtimit tregonin qartazi përfshirjen e rrugës
Ndërtimi në zonën e Brakës është dhënë 80% mbi rrugë. Për dhënien e lejes së ndërtimit, Edi Rama dhe KRRT-ja janë bazuar mbi disa dokumente ku duken hapur problemet dhe përfshirja e rrugës në to. Përpos kësaj, Edi Rama nuk ka nguruar të firmosë lejen e radhës duke e justifikuar me ekzistencën e një plani të ri rregullues që qëndron në sirtarët e tij dhe del prej aty sa herë është e nevojshme për miratimin e lejeve të ndërtimit. Gazeta ka arritur të nxjerrë në dritë vetëm
disa prej shkeljeve të bëra për dhënien e kësaj leje ndërtimi pasi në këtë drejtim ekzistojnë edhe shumë probleme të tjera që konsistojnë në grabitjen e pronës publike dhe private. Ndër këto probleme, zanafilla e grabitjes së rrugës ka nisur që kohë më parë kur pretendues për pronësinë e rrugës ka dalë familja Peqini, e cila ka marrë nga Zyra e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave edhe një pjesë të rrugës. Ekzistojnë tre vendime të Zyrës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që i kanë njohur pronësinë kësaj familje, por asnjëherë nuk ka dal në dritë fakti se mund të privatizohet rruga dhe më pas aty të ndërtohet një objekt pesë dhe shtatë katesh, njëri mbi rrugë dhe tjetri mbi pronat e qytetarëve.
Leja e ndërtimit
Leja e ndërtimit në rrugën "Jordan Misja" është miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, më datë 17.04.2009. Janë pikërisht këto leje ndërtimi që janë dhënë në këtë datë duke shënuar një rekord për numrin e lejeve të miratuara brenda një mbledhje dhe që akant rezultuar të gjithë me konflikt pronësie. Në hartat e të gjitha kohërave ajo pjesë ku po ndërtohen dy objekte kanë figuruar rrugë, që tiranasit e vjetër e quanin rrugën e “Brakës”. Ane saj ka pasur shtëpi të ulëta dy dhe një katështe, ku nga njëra anë kanë jetuar familjet e ngritura dhe nga ana tjetër kanë jetuar hyzmeqarët e këtyre familjeve. Banorët denoncues të zonës kanë pohuar se nuk ka asnjë tiranas të vjetër që mos ta njohë dhe të mbajë mend këtë rrugë, por ajo tashmë është fshirë plotësisht nga harta. Mbi të gjitha, leja e ndërtimit e dhënë nga Bashkia e Tiranës zapton rrugën dhe bllokon hyrjet e banesave që ndodhen rrotull. Këtë grabitje, bashkia e ka justifikuar me faktin se objektet e ndërtuara nga firma “Mak- 08” është bazuar mbi një plan të ri rregullues që ndodhet në sirtarët e Edi Ramës dhe që vihet në lëvizje sa herë që duhet për të dhënë leje ndërtimi mbi pronën publike, në shumë raste rrugë apo dhe mbi pronat e qytetarëve të ndryshëm. Përveç qytetarëve që denoncojnë zaptimin e rrugës 100 vjeçare ka edhe të tjerë që denoncojnë grabitjen e pronës. Ata zotërojnë dokumente dhe harta ekzistuese që tregojnë qartë pronën e tyre dhe kufijtë me rrugët, por tashmë aty nuk ekziston as prona dhe as rruga, të cilat janë zhdukur me firmë të Kryebashkiakut Rama.
Privatizimi i rrugës
Burimet i informacionit i kanë pohuar gazetës se për pronën e familjes Bulku ka pasur tre vendime të Zyrës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, të cilët i kanë njohur pronën kësaj familje. Vendimet në favor të kësaj familje kanë qenë gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, kryesisht gjatë vitit 1999-2000. Në vërtetimin që i është lëshuar kësaj familje, ka figuruar se u është njohur si pronë edhe rruga “Jordan Misja”, fakt ky që nuk i ka bërë fare përshtypje kryetarit të Bashkisë së Tiranës, kur ka dhënë lejen e ndërtimit. Më pas, ka pasur edhe vendime të tjetra që u ka njohur familjes Peqini, apo Bulku qysh figuron në disa dokumente të tjera, pronën që nga dokumentet origjinale tregohet se ata kanë trashëgim vetëm një pjesë të kësaj prone dhe më pas nuk është bërë asnjë ndryshim, blerje apo qiraje, me kufizuesit e tyre. I vetmi ndryshim është bërë në vitin 1965 kur dy fëmijët e Ramazan Peqinit, kanë ndarë dhomat e banesës së lënë trashëgim nga i ati. Fillimisht pretenduesit i janë drejtuar Zyrës së Kthimit dhe kompensimit të Pronave për t’iu njohur prona por këtu është dashur një vendim gjykate për të vijuar procedurat e marrjes së rrugës. Duke shfrytëzuar mosinteresimin e pronarëve të vërtet të pronës, është bërë edhe mbivendosja në pronën e disa familjeve të tjera, të cilat i janë drejtuar gjykatës për t’i dhënë zgjidhje.
Dëmtimi i kolektorit, shfaqen problemet e para
Dëmtimi i tubacioneve të ujërave të zeza nga pallati që po ndërtohet në zonën e Brakës ka shkaktuar dje problemin e radhës. Një pjesë e mirë e rrugës “Jordan Misja” është mbuluar nga ujërat e zeza. Pallati pesë katesh që po ndërtohet në këtë rrugë është duke hedhur themelet fiks mbi tubacionet e shkarkimit të ujërave të zeza. Që në fillim të punimeve është konstatuar se poshtë ndodheshin tubacionet e ndërtuara që në kohën e Zogut dhe ishin ende funksionale. Në të gjitha vërtetimet dhe hartat që ekzistojnë për këtë zonë janë të treguara qartazi vendndodhja e kolektorëve, që janë ndërtuar para ndërtimit të rrugës. Por edhe përball këtij fakti askush nuk është munduar të shmangë problemin por janë vazhduar punimet duke i nxjerrë këto tubacione jashtë funksionit. Nga banorët e vjetër të kësaj lagje mësohet se këto tubacione shkarkimi janë ndërtuar që në kohën mbretërisë së Ahmet Zogut, për të shmangur kullimin në sipërfaqe të ujërave të zeza, të cilat më pas janë derdhur në lumin që kalon pak metra më poshtë. Banorët e zonës janë detyruar që të pastrojnë rrugën me lopata duke hequr mbetjet e ujërave të zeza nga dyert e banesave të tyre. Të kontaktuar nga gazeta, ata janë shprehur se do të ankohen për këtë problem në instancat përkatëse, pasi problemi mund të shtohet me kalimin e kohës. Banorët ankohen se u janë shkaktuar shumë probleme. Sipas tyre, prej kohësh ata prisnin ndërtimin e ndonjë lulishte në atë zonë dhe rregullimin e rrugës, por papritur aty nisi ndërtimi i dy objekteve që u ka zënë dyert e shtëpive duke u privuar të drejtën për të futur edhe makinë e tyre në shtëpi, e jo më të mendosh në rast zjarri apo të ndonjë fatkeqësie tjetër.
Gjykata e Tiranës njohu pronën vetëm me dëshmitarë
Omer Bakalli ka treguar se gjatë gjithë kohës kjo ka qenë rrugë. Ndërtimi i një pallati gjatë sistemit socialist, kishte zënë një pjesë të vogël të rrugës, por sërish ajo ishte funksionale. Më pas për një pjesë të rrugës dolën pretenduesit, që kanë banuar dikur në atë zonë. Në vitin 1999 në Gjykatën e Shkallës së Parë është zhvilluar një gjyq ku gjykata i ka njohur pronën familjes Bulku, e cila paraqiti dëshmitarë dhe një vërtetim të vitit 1924. Por edhe nga verifikimet e ekspertëve topograf të gjykatës është e përcaktuar qartë se nga njëra anë kjo pronë kufizohet me rrugën “Jordan Misja”, gjë e cila nuk ekziston më që prej nisjes së punimeve për këto objekte. Por banorët e zonës e kundërshtojnë edhe faktin e pronësisë. Ata thonë se ajo familje nuk ka pasur të gjithë sipërfaqen ku po ndërtohen dy objektet por një sipërfaqe disa herë më të vogël dhe pjesa tjetër i përket rrugës së “Brakës”. Banorët e zonës kanë pohuar për gazetën se për këtë problemi i janë drejtuar edhe Prokurorisë së Tiranës , por asnjëherë nuk është dhënë zgjidhje.
Romir Saraçi
gazeta sot
Krijoni Kontakt