A ka qënë Albert Ajnshtajni në Shqipëri? A kemi fakte të dokumentuara për këtë gjë? Kushdo që do të lexojë këto rreshta mund të bëjë pyetjen: kush është ky zotëri që shkruan për një temë të tillë, të përfolur vitet e fundit, por pa mundur të objektivizohet në mënyrë të dokumentuar?
E ndërmora këtë iniciativë për dy arsye:
1. Për të dëshmuar me rastin e përkujtimit të Holokaustit dhe 60 vjetorit të shtetit të Izraelit, se Shqipëria është bërë faktor i rëndësishëm në shpëtimin nga kthetrat e nazizmit të hebreut dhe njeriut më të njohur të shekullit XX, Albert Ajnshtajnit, dhe,
2. Si mirënjohje për të parët e mij, të cilët kanë luajtur një rol kyç në këtë histori. Për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të mësipërme duhet të kthehemi shumë vite prapa, e pikërisht në fillim të viteve 30të të shekullit që sapo kaloi. Në lidhje me këtë temë, unë dij tri dëshmi:
1. Dëshmia I : Dr. Jani BASHO (1892-1957)
Dr. Jani Basho (vëllai më i vogël i gjyshit të autorit të këtyre rreshtave) u diplomua në Vjenë në vitin 1921. Pas disa specializimesh atje (mjekësi interne, kirurgji, obstetrikë-gjinekologji) ai u kthye në Shqipëri në tetor 1927 (edhe për disa muaj gjatë kohës që qeverimit të Imzot Fan Nolit). Gjatë qërdrimit 14 vjeçar në Vjenë Dr. Basho ishte kryetar i Shoqatës së studentëve shqiptarë “Albania” dhe kryeredaktor i revistës së tyre “Dialëria”. Fill pas kthimit në atdhe, u emërua në detyrën e shefit të Seksionit të Shëndetësisë në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare, Drejtorit të Spitalit Ushtarak dhe mjekut personal të Mbretit Zog (1928 – 1935). Dr. Basho ka luajtur një rol shumë të madh në mjekësinë shqiptare. Me emrin e tij lidhet ndërtimi i spitaleve moderne në Shqipëri (Civil e Ushtarak më 1932, projektet e të cilave ai i solli nga Vjena më 1927 e që janë projektuar nga arkitekti vjenez Köhler), organizimi i Mjekësisë Shqiptare (1928 – 1932), themelimi i Mjekësisë Spitalore Ushtarake (1932) dhe shërbimit të Obstetrikë-Gjinekologjisë (1935).
Ato që unë dij në lidhje me temën e sipërtreguar ai ia kishte treguar babait tim Kozma Bashos (1927 – 1994) që e kishte nip dhe e trajtonte si djalin e tij, në fillim të viteve 50të, kohë kur babai punonte në sektorin e Ihtiologjisë të Institutit të Shkencave të Natyrës dhe Dr. Basho ishte drejtor i Maternitetit të Tiranës.
Babai më kishte treguar se Dr. Basho i kish thënë atij që Ajnshtajni kishte ardhur në Shqipëri në fillim të viteve 30të, kishte qëndruar 3 ditë dhe kishte marrë pashaportë shqiptare. Dr. Basho kishte ndërhyrë te Mbreti, e kishte shoqëruar gjatë qëndrimit në Shqipëri, kohë kur e kishte pritur edhe vetë Mbreti Zog. Madje Dr. Basho kishte shkëmbyer edhe disa letra me të, ku Ajnshtajni e falenderonte për mirësinë e treguar dhe i tregonte për vështirësitë e jetës së tij. Mjerisht ne na mungojnë këto letra të cilat u dogjën në shkurt të vitit 1945 (bashkë me shumë libra e dokumenta të tjera) gjatë shtetëzimit të shtëpisë dhe klinikës së Dr. Bashos, dy shtëpive pranë njëra-tjetrës në qendër të Tiranës, midis Postës Qendrore dhe ish-Gjykatës së Lartë.
Si është njohur Dr. Basho me Ajnshtajnin? Në ç’kohë? Këtyre pyetjeve unë nuk di t’u përgjigjem se nuk mbaj mend të mi kenë thënë, por, do ti kthehem përsëri më poshtë këtij diskutimi.
2. Dëshmia II: Gelardina APPONYI-ZOGU (Nëna Mbretëreshë) (1915-2002)
Para se të rivinte në Shqipëri në qershor 2002, Nëna Mbretëreshë i dha një intervistë një gazetari anglez, intervistë e cila u botua në atë kohë në revistën angleze “Style” nën titullin “Kthimi i Mbretëreshës”. Ajo i deklaroi gazetarit se Mbreti Zog i kishte thënë që: “Ajnshtajni ka ardhur në Shqipëri, është takuar me të dhe ka marrë pashaportë shqiptare”. Ajo nuk përcaktoi datë, por shtypi shqiptar i asaj kohe (2002) shkroi se kjo kish ndodhur më 1938, duke e lidhur gabimisht me vitin e martesës së saj në Shqipëri. Historikisht dihet që Ajnshtajni udhëtoi për të fundit herë nga Southemptoni (Angli) në Amerikë në tetor të vitit 1933.
3. Dëshmia III: Ajati BEGA, ish bankieri i mirënjohur i Bankës Kombëtare Shqiptare, histori e treguar nga Prof. Dr. Skënder KOJA, ish Drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore (1971 – 1987).
Prof. Koja më ka treguar se në kohën kur ai ishte drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore, një punonjës i Institutit i përsëriste vazhdimisht se një fqinji i tij e pikërisht Zoti A. Bega e kishte takuar Ajnshtajnin në Tiranë. Prof. Koja bisedoi vetë me të dhe dëshmia e A. Begës ishte sa më poshtë: “E kam takuar Ajnshtajnin në Tiranë në fillim të viteve 30të kur ky erdhi në Bankë e më kërkoi veprime të Bankës Shqiptare me një bankë të shtetit gjerman, veprime që banka jonë nuk i kishte kryer ndonjëherë, për shkak të mosekzistencës së lidhjeve me bankat gjermane në atë kohë. Më tha emrin, të cilin nuk e kisha dëgjuar deri atëhere. Atëhere m’u desh të pyes dhe dola në mjediset e pasme të bankës, ku pashë që dera e drejtorit (i cili ishte italian) ishte e hapur. Trokita dhe hyra duke i thënë që një i huaj me emrin Albert Ajnshtajn kërkonte një veprim bankar që nuk e kishim bërë ndonjëherë. Drejtori shtangu dhe më tha, që ky ishte një nga emrat më të mëdhenj të botës. I thashë se ai ishte tek sporteli. Atëhere drejtori la punët që kish, e priti me nderime dhe unë nuk di të them ç’bëri me të, se nuk më ngeli mua të merrem me problemin për të cilin ky njeri i ishte drejtuar Bankës Shqiptare”.
Atëhere përpara këtyre tri dëshmive ç’donjëri prej nesh ka të drejtë të bëjë pyetjen: A ka ardhur Ajnshtajni në Shqipëri për të marrë një pashaportë?
Përgjigja ime është:
- Po, se të tri dëshmitë janë serioze dhe të pavarura nga njëra-tjetra.
- Po, pse në Shqipëri?
Së pari përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në vendimet e Lidhjes së Kombeve të viteve 1921 dhe 1926 të cilat e ngarkonin Shqipërinë për të dhënë dokumentacion identifikimi për hebrejtë. Nuk duhet të harrojmë se një nga problemet kryesore që diskutohej në Lidhjen e Kombeve në atë kohë ishte problemi i hebrejve, problem i cili u zgjidh pastaj vite më vonë e pikërisht me 1948 kur u themelua “de facto” shteti i Izraelit. Pyetjes pse u zgjodh pikërisht Shqipëria unë nuk di ti përgjigjem, por këto vendime ruhen në Arkivën e Shtetit Shqiptar dhe Prof. Dr. Shaban Sinani ka mbajtur një kumtesë të suksesëshme në Izrael lidhur me këtë temë.
Së dyti ishte lidhja me Dr. Bashon, i cili mund ta bënte këtë punë pa probleme duke ruajtur fshehtësinë, për shkak të pozicionit të tij në atë kohë, pozicion që u përmend më sipër.
- A e ka përmendur Ajnshtajni apo biografët e tij “historinë e tij shqiptare” ?
Nga sa kam lexuar dhe mundur të hulumtoj unë: - Jo, veç duhet ditur që jeta e tij ka kaluar nëpër vështirësira të shumta, ndaj jo më kot, vetë ai ka shkruar: “Më duhen shekuj që të përshkruaj peripecitë e pafund të jetës sime”.
Po pse ne sot nuk kemi një dokumentacion të plotë për këtë gjë?
Mendoj se arsyet janë dy:
1. Vizita u bë në fshehtësi të plotë.
2. Nuk kemi kërkuar sa duhet, në kohën dhe në vendin e duhur. Atëhere ku duhet kërkuar? Mendoj se ka disa drejtime për këtë e pikërisht.
1. Arkiva e Shtetit Shqiptar
2. Dokumentacioni i Bankës Kombëtare
- Ajnshtajni shkoi në bankë për t’u interesuar për pasurinë e tij në Gjermani (dihet historikisht që ajo u bllokua) apo për të “thyer një çek” që ia dha Mbreti?
3. Dokumentacioni për lëshimin e pashaportave. Veç dihet mirë që nga administrata e shtetit shqiptar që merrej me lëshimin e pashaportave në atë kohë emrat e hebrejve ndryshoheshin (mbase për arësye sigurie) e ishte e zakonshme që Mosheja të shkruhej Musa, Zaharia, Zafir etj. Dëshmi të tilla, për ndryshimin e emrave të hebrenjve ka plot në Arkivin e Shtetit Shqiptar.
4. Arkiva e Ajnshtajnit në Jeruzalem, ku mund të kërkohen:
- letrat e Dr. Bashos drejtuar Ajnshtajnit
- Dokumentacioni i bërë për të në Shqipëri
Para rreth 2 javësh duke kërkuar në Internet të dhëna arkivore për A. Ajnshtajnin nga arkiva e Jeruzalemit (Einstein Archives Online), pasi më ishte kërkuar të flas për sa më sipër në simpoziumin në përkujtim të Holokaustit në Berat më 25.01.2008, gjeta i befasuar dokumentin e mëposhtëm:
Ç’përmban ky dokument nën autoritet ministri drejtuar Konsullatës Shqiptare në Leipzig, për Ajnshtajnin, i bërë në Tiranë? Arkiva e Jeruzalemit ka përdorur sistemin amerikan të të shkruarit të datave pra bëhet fjalë për datën 09 prill 1931. Dokumenti nuk hapet në Internet, por ka numur identifikimi dhe mund të gjendet lehtë në këtë arkivë.
Gjetja e datës 09.04.1931, mua më befasoi, pasi dihet historikisht se nga 26 janari deri në 20 mars 1931, Dr. Basho ishte në Vjenë me Mbretin e sëmurë (kohë në të cilën u bë edhe atentati ndaj tij). Dihet po ashtu se në këtë periudhë kishin filluar edhe problemet për hebrejtë dhe Ajnshtajnin. Hitleri vërtet fitoi pushtetin në pranverën e vitit 1933, por që më 1929 afër gjysma e deputetëvë të parlamentit gjerman i përkiste anëtarëve të partisë së tij dhe organizatat naziste në këtë periudhë vepronin lirisht kundër hebrenjve.
Ky dokument për Ajnshtajnin është bërë në Tiranë, fill pas kthimit të Dr. Bashos në Shqipëri pas qëndrimit 2 mujor në Vjenë. E kjo nuk mund të jetë një rastësi! Llogjika më e thjeshtë të bën të mendosh se është bërë pas një bisede atje, probabilisht me profesorët e Universitetit të Vjenës që vizituan Mbretin, e që ishin hebrej dhe miq të ngushtë të Dr. Bashos, me të cilët ai kishte punuar për shumë vite.
Për hir të diskutimit të mësipërm le të hyjmë pak më thellë e të kërkojmë në të dhënat e Arkivës së Ajnshtajnit në Jeruzalem dhe të mundohemi të gjejmë pashaportat e tij të kësaj kohe.
Nga të dhënat e arkivës së mësipërme rezulton se pashaportat e Ajnshtajnit të kësaj kohe kanë qënë dy:
1. Database record for Call Nr. [29-165.00]
Einstein, Albert
Ministerialpass (Diplomatic Passport) issued for AE as member of the International Commission for Intellectual Cooperation of the league of Nations by the German Foreign Office (HD)
11/18/1930
2. Database record for Call Nr. [29-166.00]
Einstein, Albert
Swiss Consul General in New York
Schweizer Pass (Swiss Passport) AE; issued by Swiss Consul General in New Y. (HD)
11/08/1932
Pra, Ajnshtajni ka pasur një pashaportë diplomatike gjermane, marrë më 18.11.1930 si anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Bashkëpunimin Intelektual të Lidhjes së Kombeve dhe një tjetër zvicerane, lëshuar nga konsulli zviceran në New York më 08.11.1932.
Biografët e tij shkruajnë se Ajnshtajni nuk e ka përdorur pashaportën e tij gjermane e cila ka qënë anulluar, ndërkohë që pashaportën zvicerane e ka marrë në 08.11.1932. Atëhere, a ka lëvizur përgjatë këtyre dy viteve dhe ku? Ose, me ç’pashaportë ka shkuar në New York për të marrë pashaportën zvicerane? Të dhënat e së njëjtës arkivë na tregojnë se Ajnshtajni gjatë kësaj periudhe ka shkuar dy herë në Amerikë (në fund të vitit 1931 dhe në fund të vitit 1932 kur edhe ka marrë pashaportën zvicerane) dhe nga Berlini në Londër, nga prilli në qershor 1931. Mendoj se me siguri në këto udhëtime ai ka përdorus pashaportën e tij shqiptare (se nuk kish tjetër), që mund të ketë qënë mbase me emër të ndryshuar.
Duke u bazuar sa më sipër kam të drejtë të supozoj: Profesorët hebrej të Universitetit të Vjenës i kanë kërkuar Dr. Bashos në fillim të vitit 1931, kur ky ishte në Vjenë me Mbretin e sëmurë ta ndihmojë Ajnshtajnin për t’u pajisur me pashaportë shqiptare në bazë të vendimit të Lidhjes së Kombeve të vitit 1926 e ky sa është kthyer në Shqipëri ka ndërmjetësuar në dërgimin e një shkrese për konsullatën shqiptare në Gjermani e cila do ti ketë akorduar atij një lloj anagrame për të bërë të mundur udhëtimin drejt vendit tonë (prill 1931). Pastaj Ajnshtajni ka udhëtuar fshehtazi drejt Shqipërisë, është pritur nga Dr. Basho, ka takuar Mbretin dhe ka marrë pashaportën shqiptare të cilën pastaj e ka përdorur në udhëtimet e tij në Londër dhe Amerikë ku më 08.11.1932 mori pasaportën zvicerane me të cilën u largua përfundimisht nga Europa në tetor 1933.
Hulumtimet e mëtejshme do të bëjnë të mundur që të kemi një ide më të dokumentuar të kësaj historie të vërtetë, për të cilën vendi ynë me të drejtë duhet të krenohet para botës se ka shpërtuar, ashtu si jetët e qindra hebrejve të thjeshtë, edhe jetën e njeriut më të madh të shekullit XX, Albert Ajnshtajnit.
Si përfundim: a kemi të drejtë të besojmë në vërtetësinë e të gjitha këtyre fakteve që u thanë më sipër? Me plot gojën PO! Historia ka provuar se edhe Shlimanit i thanë të mos besonte në “përrallat” e Homerit, por ai bazuar në to, zbuloi Trojën dhe thesarin e Priamit.
* Prof. As. Dr. Jovan BASHO, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Shërbimi Gastroenterologji/Hepatologji, QSU “Nënë Tereza”, Tiranë.
Krijoni Kontakt